-Mbresa dhe ide nga Festfolku i Veri jugut shqiptar-
PAK HISTORI…
Çdo 13 qershor tropojanët zbresin zhurmshëm dhe të gëzuar në stadiumin e lojrave me dorë të qytetit B.Curri, aty ku në një tribunë të ngritur tash 13 vjet më parë, me një baner gjigand me shqipen zëmadhe të flamurit shqiptar dhe emrat e kryeqendrave shqiptare, zhvillohet Festfolku”Sofra Dardane” ideuar dhe drejtuar nga “Unioni Artistik i Kombit Shqiptar” me në krye Azgan Haklajn.
Në këta vjet ky eveniment ka krijuar padyshim traditën e vet të mrekullueshme, duke u kthyer në një sofër bujare ku mblidhen artistë nga të gjitha trevat shqiptare, por edhe nga vendet e tjera, që nga Amerika, Australia, Evropa etj. Me mijra artistë, me dhjetra ansamble dhe grupe kulturore kanë defiluar rrugëve të Tropojës dhe qyteteve tjera shqiptare, në podiumin e festivalit, duke manifestuar në fakt integrimin e përbashkët kulturor të shqiptarëve, vetë tradita dhe folku shqiptar ka shtruar tashmë një urë të çeliktë, e cila shtrihet në krejt kryeqëndrat shqiptare, në zemrat e shqiptarëve, kudo që ndodhen, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Çamëri…
Festivali ka ardhur vazhdimisht drejt përsosjes së qëllimit dhe misionit të tij dhe ashtu si shqipja në fluturim dhe në flamurin kombëtar, shtrin lirshëm krahët në hapësirën e vet të madhërishme dhe të lavdishme, ashtu dhe ky festival shtrihet tashmë nga Tropoja drejt Sarandës, perlës së jugut, aty ku zhvillohet nën siglën ”Festivali i këngës dhe valles çame”. Dhe më pas drejt Strugës me festivalin “Këngë jeho”.Një udhëtim që synon në të ardhmen të ketë stacione të reja të shpalosjes së vlerave të arta të këngës dhe valles shqipe, të zakoneve dhe dokeve, të veshjeve të mrekullueshme popullore.
Ky festival që në nismën e tij ka pasur mbështetje të madhe, bazuar në idenë dhe misionin e tij origjinal, në morinë e zhvillimeve kulturore brenda dhe jashtë vendit, kryesisht me karakter etnik dhe mbarëkulturor. Suporti kryesor, sidomos në 10 vitet e fundit, ka qënë shteti. Duke pasur parasysh këtu Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve të Shqipërisë, Radio Televizionin Publik Shqiptar, në përgjithësi të gjitha mediat e shkruara e ato vizive, shumë bashki e komuna brenda dhe jashtë kufijve shtetëror,sidomos Bashkia e Bajram Currit, Bashkia e Sarandës, Qarku i Kukësit, Komunat Gjakovë, Gjilan, Pejë, Junik, Deçan, Tuz, Strugë, Dibër e Madhe, Preshevë e Bujanovc, por dhe individë dhe asosacione të ndryshme shqiptare.
Eshtë zgjedhur muaji qershor si kulminacioni i aktiviteteve të Sofrës Dardane jo rastësisht, ky muaj flet shumë për shqiptarët, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit deri te Kushtetuta e parë e Kosovës së Lirë .Sipas Haklajt ka disa arsye themelore për të cilat 13 vite më parë u zgjodh Tropoja si mikpritëse e “Sofrës Dardane”:
“ Arsyeja e parë është historiko-gjeografike: Tropoja është jo vetëm udhëkryq luftërash dhe mejdani i tyre për Liri e Mëvetësi në shekuj, por dhe qendër e një trekëndëshi të sakatuar etnik, që i lidh trojet kombëtare Iliro-Dardane, të Shqipërisë, të Kosovës e të Malit të Zi.Kjo krahinë etno-historike, Malësia e Gjakovës, ndër shekuj e brezni ishte interpretuesja supreme e Kanunit, kur jo vetëm ne, por edhe Ballkani e më gjerë nuk njihnin nocionin e ligjit e të shtetit.Pra, në Tropojën e kuvendeve e të besëlidhjeve sistematike historike, e cila për 150 vjet u shndërrua në qendër të lëvizjeve të mëdha kombëtare, djep i rezistencës e i qëndresës për Liri e Pavarësi, e gjeta me vend të përjetësoj dhe këtë kuvend të rëndësishëm etno-kulturor shqiptar tashmë të pagëzuar “Sofra Dardane”.
Arsyeja e dytë është kulturore: Malësia e Gjakovës është një trevë që pushkës për liri i ka bashkangjitur në shekuj këngën majekrahu, kushtrimin e luftës e ka shoqëruar përherë me atë këndimin epik e elegjik që hershëm thirrej “asqerçe”.Domethënë, malësori i Tropojës këngën, vallen e folklorin, por dhe rapsodinë e poezinë, nuk i ka pasur si ornament e ritual dasmash, por bashkudhëtarë në sheshe betejash për Liri e Pavarësi.Ky konstatim ilustron më së miri faktin pse në Tropojë gjenden të murosura në bjeshkë e në lisa, në rudina e në fusha, themelet e eposeve tona nacionale si ai i Mujit e i Halilit përkrah Vedave Indiane, të Këngëve të Dioskurëve në Greqi, të Nibelungëve në Gjermani, i këngëve të Rolandit në Francë, të Sidit në Spanjë.
Ky konstatim argumenton pa komente se Tropoja ka fertilitetin më të madh kombëtar për numër popullsie me artistë të këngës, të valles, të rapsodisë e të instrumenteve. Përpos kësaj organikisht bëhet lidhja dhe me pasurinë poetike që shkëlqeu nga ky vend jo vetëm në trojet tona, por dhe në antologjitë poetike botërore. Jo pak arsye për ta pagëzuar tre ditë në vit si “Kryeqytet i Kulturës Kombëtare Shqiptare” Tropojën dhe ajo e meriton plotësisht këtë emërtim”…
Sivjet Festivali tradicional i muzikës folklorike shqiptare, “Sofra Dardane”, kishte edicionin e 13-të. Në këtë edicion morën pjesë ansamble dhe shoqëri artistike nga shumica e hapësirës shqiptare në Ballkan, nga Mitrovica që hapen festivalin në ditën e parë, Berati, Shkupi, Bajram Curri, Tirana, Gjakova, Komorani, Deçani,Hasi etj.
Ansambli Artistik i Këngëve dhe Valleve i qytetit të Mitrovicës është shpallur fitues i çmimit të parë në festival, ansambli mitrovicas është paraqitur me tri këngë kushtuar Isa Boletinit dhe flamurit, interpretuar nga Ganimete Asllani, Nexhat Halili, Skënder e Zenel Hajdari dhe Vlora Ibrahimi, si dhe me tri valle: vallen njëshe me motive nga Shala e Bajgorës, luajtur nga Vehbi Peci, vallen-suitë dhe “tablonë koreografike” luajtur nga anëtarët e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve të Qytetit.Paraqitje mbresëlënëse kishte edhe Ansambli “Tirana”,Grupi popullor i Rubikut,ansambli”Pjetër Bogdani, Krumë-Has,Grupi “Folk-Trevar, rapsodët e Deçanit etj.
ÇMIMI”FATIME SOKOLI”…
Festivali ka mbaruar, grupet janë shpërndarë, tupanat kanë pushuar, por jo ritmet që ka lënë pas ai, mbresat nga paraqitjet publike, duartrokitjet frenetike të shikuesve besnikë tropojanë që mezi presin edicionin tjetër, fotot dhe bisedat e kujtimit nga netët e pagjuma të postfestivalit, ngjyrat e dekorit artistik të qytetit të bukur alpin dhe jehona e çmimeve me renome si ai “Fatime Sokoli” që këtë vit shkon për një këngëtare të re premtuese nga Hasi, Farie Tutaj.Udhëtojmë drejt Sarandës për në Festivalin e Çamërisë dhe më përpara ndalojmë në Has, në mjediset e Pallatit të Kulturës ”Pjetër Bogdani” Krumë, ku takojmë artistët e ansamblit me të njëjtin emër me në krye drejtuesin e tyre Dylber Geca, të cilët kanë organizuar një pritje fisnike, ashtu si veç hasjanët bujarë dinë të organizojnë.
Biseda të këndshme mes vëllezërish,këngë të njohura nga rapsodë dhe veçanërisht zëri i bukur me tonalitet të pakrahasueshëm i këngëtares së re Tutaj, e cila është aq e lumtur që ka marrë dhe mban në duart e saj titullin i cili ka emrin e këngëtares së njohur Fatime Sokoli.
Padyshim Dylberi ndjehet më i lumturi për vlerësimin e këngëtares, por edhe të ansamblit të tij, ku ai punon me përkushtim dhe passion, që ndjehet lirshëm në çdo fjalë dhe gjest të tij.Sikurse në mikpritjen e tij dhe të artistëve hasjanë, e cila na shoqëron më pas në udhën e largët drejt Sarandës si një puhi e freskët që shmang vapën dhe lodhjen…
Jemi bashkë me kompozitorin e njohur Skender Doshlani, udhëheqës artistik i festivalit dhe Deli Metaliajn, valltarin e njohur të trojeve shqiptare dhe koreografin e festivalit.Përpara prijnë Azgan Haklaj, Mjeshtër i Madh, Minella Kureta, gjithashtu Mjeshtër i Madh si dhe regjisori i palodhur Llesh Nikolla së bashku me kameramanin e TVSH dhe stafin tjetër drejtues të festivalit.Një staf tashmë i përhershëm dhe profesionist, i aftë të ideojë dhe drejtojë manifestime dinjitoze të këtij lloji.Ky çmim mendoj se do të jetë një cak i lakmueshëm i konkurencës dhe synimeve artistike të shumë këngëtareve në vazhdim, për tu matur me famën dhe kujtimin e mrekullueshëm të këngëtares së mirënjohur Fatime Sokoli.
JUGU EREMIRE DHE VALLJA ÇAME…
Ka nisur, mbrëmjen e së mërkurës, në qytetin e Sarandës, Festivali i Këngës dhe Valles për Çamërinë, organizuar nga Unioni Artistik i Kombit Shqiptar. Këtë viti, ky festival shënon edicionin e tij të nëntë.Për tre netë rradhazi, skena dhe shkallaret e stadiumit të lojrave me dorë “Aleko Dajko” në qytetin e Sarandës, ushtojnë nga kënga dhe vallja e grupeve pjesëmarrëse, çka flet qartazi për një dëshmi të forcës dhe vlerës së papërsëritshme të artit nga të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarë.
Mbi një mijë artistë, mbi 21 grupe artistike nga të gjithë trojet shqiptare, nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi si dhe nga shumë qytete të Shqipërisë çuan peshë pjesëmarrësit në festival.Në gjerdanin e artë të festivaleve të Unionit Artistik të Kombit Shqiptar në mbarë trojet shqiptare, festivali i këngës dhe valles për çamërinë rregjistrohet si margaritari më i bukur, por edhe si promovuesi më i arrirë për qytetin e bukur të Sarandës dhe folklorit të rrallë të Çamërisë.“Çamëria është degë e thyer, por jo e tharë e trungut të lisit kombëtar shqiptar,” – ka pohuar vazhdimisht lajtmotivin e festivalit, Azgan Haklaj, President i Unionit Artistik Kombëtar Shqiptar, ndërsa në jugun erëmirë dhe aq mikpritëz puhiza e detit të paqtë dhe përshëndetja e urtë e njerëzve artdashës, e bëjnë të mrekullueshme çdo mbremje, duke mos dashur të mbarojë kurrë.
Gjithçka fillon në pragmbrëmje, kur grupet pjesmarrëse defilojnë në rrugët e qytetit, me veshjet e tyre të llojllojshme, plot ngjyra dhe simbole, duke përfaqsuar të gjitha krahinat shqiptare, duke ngjallur kërshëri të papërmbajtshme tek turistët e shumtë, duke ngjallur ndjenja entuziazmi dhe krenarie të madhe tek qytetaret dhe pushuesit e ndryshëm.
Dhe duke i dhënë një dritë të papërsëritshme krejt bregdetit ku s’prajnë anijet që sjellin vizitorë të shumtë në këtë perlë të natyrës, por tashmë edhe të folklorit shqiptar, falë Unionit Artistik të Kombit Shqiptar që organizon këtë festival
Para parakaluesve prin me shtatin e bukur, levizjet e prera dhe shikimin prespektiv valltari Deli Metaliaj, ndërsa tupanat njoftojnë afrimin në skenën e festivalit ku Skender Dozhlani, udhëheqësi artistik dhe Minella Kureta, drejtori artistik i festivalit, bashkë me të tjerë përgatisin paraqitjet e grupeve të ardhura, numrat konkurues dhe pershendetjet e shumta.
Llesh Nikolla me grupin e vet të televizionit skicon pamje, filmon dukuri dhe individë të veçantë, portrete dhe merr intervista pandalur, nderkohë që me dhjetra televizione, kryesisht nga Kosova, por edhe nga vende të tjera si Gjermania, Maqedonia, Italia,nën përkujdesjen e vazhdueshme të Can Tahirit, kordinatorit të Unionit dhe zv/presidenti i tij për diasporën nxitojnë të fiksojnë këtë histori malli dhe ngazëllimi të pandalshëm…
Vallja dhe kënga çame është padyshim prioritare, sidomos ajo e Osman Takes, e cila është prezente në çdo shfaqje, sikurse dhe mënyra e veçantë e kërcimit sipas valltarit dhe koreografit të mirënjohur Taip Madani, i cili mbi gjithçka ka qartësuar përmes valleve figurën e shqiptarëve çame, duke i kërcyer ato si një korife i pakrahasueshëm dhe famoz, duke i shndrruar të gjitha vallet çame në triumfuese.
Kështu shprehej dikur edhe mendimtari i madh Aristidh Kola, kur shprehej se”…vallja çame është një valle triumfale, fitimtare”
Pikërisht triumfi i valles çame, simbolizoi dhe personifikoi edhe zgjimin e kësaj treve të lënë shpeshherë në harresë nga koha…Por të zgjuar edhe nga vëmëndja dhe përkushtimi i Unionit Artistik, artistëve dhe drejtuesve të tij.
Çamëria ka pasur dhe do të ketë valltarë të talentuar, sepse është djep i valles, por edhe i këngës. Për Osman Taken, valltar i rrallë i Çamërisë së viteve 1820-1880, por edhe për Taip Madanin e të tjerë historia ka se çfarë të kujtojë dhe të sjellë në çdo skenë festivali, ashtu siç e sjellin valltarët dhe këngëtarët e Ansamblit Çam”Krahu i Shqiponjës” Vlorë, por edhe nga ansamble të tjera.
Fundi i një shfaqje ka si finale fiksimin e tepsisë së bakllavasë çame në qëndër të podiumit dhe më pas në duart dhe gishtat e pjesmarrëve si një tortë dashurie, mirënjohje dhe lidhje dashurie me njeri tjetrin në kujtim dhe shpresë të rikthimit të krejt elementëve të Çamërisë, e cila dhemb akoma si një plagë e hapur, e cila prêt me padurim melhemin e vet të mosharrimit dhe rikthimit…
Vallen çame e kërcejnë edhe shumë artiste nga grupet artistike kosovare, sikurse shumë valle nga Kosova kërcehen bukur dhe shumë këngë të Kosovës këndohen nga këngëtarë nga jugu i Shqipërisë dhe çame.
Grupi Folklorik”Shpëtimi”Medvegjë me udhëheqës grupi Prof.Rexhep Abazi,luan bukur tinguj të përzier me shumë vegla muzikore, ansambli i Mitrovicës me drejtues të mirënjohurin Halit Berani, drejtor i Qëndrës Kulturore”Rexhep Mitrovica” përlot shumë të pranishëm me një tablo masive nëntë minutëshe rreth eksodit dhe luftës për lirinë e Kosovës, me muzikën e Skender Doshlanit dhe koreografinë e Deli Metaliajt,grupi i Lushnjës shkëlqen në harmoninë e elementëve muzikore, grupi “Tirana” spikat me harmonizimin e moshave në vallet tradicionale,këngëtarja Fiolla Gashi ngre temperaturën e mjedisit me përformancën e saj muzikore për dëshmorët e Kosovës, grupi nga Gostivari mahnit shikuesit me llojet dhe ngjyrat e kostumeve popullore…
E kështu fluturojnë mbrëmjet, kur nata e vonë pllakos dhe qetësia kerkon të vendoset në qytetin e përmbytur dritash dhe sirenave të anijeve, artistët pushojnë vetëm duke kërcyer dhe kënduar në postshfaqje, duke u njohur më mirë me njëri tjetrin, duke shkrirë largësitë gjeografike dhe pauzat e gjata të moskomunikimit, duke ideuar manifestime dhe shfaqje të tjera, duke shkëmbyer nisma për projekte kulturore në vazhdim.
Ndërsa këndon dhe ngazëllen me ritmin përtej moshës së vet këngëtari i këndshëm Ndue Picrraku nga Shkodra dhe këngëtarja aq aktive çame Marjeta Vjerri,këngëtarja e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve, Hatixhe Lushi , studjuesi dhe krijuesi i njohur Sejmen Gjokoli tregon për ecurinë e Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Aulona Fest” në Vlorë, Azgan Haklaj ka hequr kostumin zyrtar të shfaqjeve dhe tash shkrihet në valle me të gjithë, fishekzaret feksin në qiellin e Sarandës dhe kësoj shpaloset e bukur dhe krenare atmosfera që ndërton një organizim kompleks dhe qëllimmirë i melosit popullor, sidomos në stinën e turizmit dhe mbipopullimit të këtyre viseve të bukura shqiptare.
Miku im , poeti nga Saranda Dashamir Malo më shoqëron, sikurse mikeshat e mia nga Fieri Matilda dhe Vali, të cilat shoqërojnë një grup të rinjsh, ndërsa Tiku, kordinatori i festivalit për Sarandën vazhdimisht na krijon lehtësitë e mundshme,Minella vazhdimisht në këmbë, flalëpakë, por aq punëtor dhe Lleshi me qetësinë dhe maturinë e vet karakteristike,Cani përherë në dispozicion dhe Melisa, konferencierja e re autoritare, bashkë me plot pjestarë të medias dhe prapavijës çojnë përpara këtë atmosferë të lakmueshme për çdo festival të nivelit evropian.Sidomos kur ke parasysh vendin ku zhvillohet ai, një parajsë e turizmit, qytetarisë dhe artit, si Saranda.
DHE VAZHDIMI NE STRUGE E ME TEJ…
Ky festival me disa etapa, si “Sofra Dardane”;”Festivali i këngës dhe valles çame” dhe “Këngë jeho” po krijon vit pas viti personalitetin e një aktiviteti madhor, të mirëpranuar nga artistët dhe krijuesit e melosit popullor, të traditave etnokulturore si dhe nga studjuesit e ndryshëm, për shkak të kontributit në sintetizimin dhe konservimin e shumë vlerave, pavarësisht se asnjëherë mbështetja dhe mbulimi i zërave financiarë nuk ka qënë i mjaftueshëm.
Dhe kalvari i organizimit dhe përballimit të këtij festivali mbetet një odise me vete, të cilën mund ta mbartin vetëm krijuesit dhe artistët idealistë dhe ndonjëherë aventurierë në rendjen e tyre kah e verteta e rëndësisë së artit dhe traditave tona popullore si memorie krenare e vetë histories së kombit shqiptar.
Më së paku , ky festival do të duhej të ishte pjesë e kalendarit kombëtar dhe i sponsorizuar nga Ministria e Kulturës, në pauzat mes organizimit të Festivalit Kombëtar të Gjirokastrës, ai sherben si mbledhës, stimulues dhe përzgjedhës i shkëlqyer i talenteve artistikë, materialeve të panjohura apo të fshehura në etapa të ndryshme historike, ruan ritmin dhe kujtesën folklorike mbarëkombëtare dhe gjeneron energji të pakufizuar krijuese të cilat padyshim duhen vlerësuar dhe mbështetur.
Duke akorduar çmime të rëndësishme si “ Fatime Sokoli”; “Panajot Kanaçi”; “Dervish Shaqja”;” Taip Madani” etj, ai mban të pashuar flakën e krijimit dhe interpretimit, sikurse zbukuron, josh dhe siguron jo vetëm atmosferë festive, por edhe të ardhura nga turizmi kulturor, malor dhe bregdetar, në vendet ku ai zhvillohet.Duke rritur dhe vetëdijësimin për kulturën kombëtare dhe integrimin e përbashkët kulturor, përballë globalizmit agresiv kulturor.
Bashkitë e këtyre qyteteve, përveçse festë të kulturës, duhet ta konsiderojnë edhe aktivitet të cilin duhet ta mbulojnë financiarisht , duke qënë të sigurtë se këto fonde shpejt do të përkthehen si fitim jetëgjatë në aspekt të zhvillimit të tyre social-ekonomik dhe përthithjes së investimeve të huaja, sidomos atyre turistike.Mund të krijohet dhe një fond mbarëkombëtar, me të ardhura nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi, me inisiativa të grupeve apo shoqatave kulturore, në varësi të kapaciteteve dhe pjesmarrjeve kulturore dhe artistike, i cili do të aktivizohej në fillim të sezonit turistik, si koperturë artistike e tij, që do ta mbështeste stafin krijues dhe drejtues të festivalit në masivizimin dhe cilësinë krijuese të tij.
E meriton ky festival këtë vëmëndje dhe mbështetje, por edhe ai duhet të kujdeset gjithnjë të jetë më gjithëpërfshirës, më serioz në realizimin e komponentëve të tij, falë stafit profesional dhe bashkëpunëtorëve që ka, në parapërgatitjen, mbledhjen e grupeve dhe materialeve artistike dhe të vlerësimit më të motivuar, bash mbi cilësinë e interpretimit të këngës dhe valles popullore shqiptare.Duke zgjeruar dhe gjeografinë e tij të udhëtimit, me Gjakovën si pjesë e pandarë e Malsisë së Gjakovës, me Mitrovicën si pjesën me delikate dhe të dhembshur të atdhedashurisë…
SARANDE, KORRIK 2015
Komentet