– Shqiptarja Ardita Vreka, si një model i karrierës së suksesshme në ekonominë globale –
Pata shkruar para ca vitesh për “Vajzën me flamur”, atë vajzën e brishtë Ardita Vreka, lindur në Vlorë, por me rrënjë Trebeshine. Për dijet e saj pas diplomimit në Kolegjin Amerikan të Athinës (“DEREE” – Shkolla e Biznesit dhe e Ekonomisë) iu dha mundësia që të parakalonte me flamurin kombëtar dhe kjo ia shtoi më shumë nxitjen dhe përkushtimin që ato dije që “rëndonin” mbi supet e Flamurit t’i çonte lart dhe më lart.
Fillimisht iu afrua një vend pune si sekretare e një zyre avokatie në Athinë. Sigurisht që fillimi ishte i vështirë, bashkë me emocionet të cilat e bënin çdo ditë më të përgjegjshme për përballimin e detyrave. Në të njëjtën kohë iu fut studimeve për Master në Fakultetin e ALBA-s (Graduate Business School) në Kolegjin Amerikan, atje ku ishte ngjitur aq lart me ngjyrat e flamurit kombëtar. E natyrisht ngarkesa ishte më e madhe dhe pritshmëritë edhe më të mëdha.
Dhe skena…
Dhe skena përsëritej. Yjet e linin mëngjesin, por Ardita do të gjendej përsëri mbi libra. ALBA ofronte një përvojë transformimi, si në aspektin e karrierës, ashtu edhe në evolucionin personal, në një mjedis mësimor emocionues që ndërthur fakultetin e nivelit të lartë, kurrikulën e vlerësuar me çmime dhe perspektivën ndërkombëtare. Pas përfundimit me sukse të studimeve në nivel akademik, bordi drejtues i ALBA-s e vlerësoi me çertifikatën përkatëse “Master of Science in Strategic Human Resource” = Master i Shkencave në Strategjinë e Burimeve Njerëzore.
Megjithatë, e armatosur tanimë me më shumë dije, ajo nuk mendonte se kishte arritur gjithçka. Dielli ngrihej lart në horizonte dhe Ardita mendonte e mendonte se si mund t’i perfeksiononte më tej, t’i vinte në zbatim dhe në interes të shoqërisë dijet e saj.
Dhe tani po kërkonte rrugë e forma se si mund të përfitonte sa më shumë përvojë dhe eksperiencë pune. Në fund të fundit, e kishte ngulitur në shpirt dhe në mendje se puna dhe përpjekjet patjetër do të çojnë diku në progres, duke u bazuar në moton “Suksesi është arrish atë që do”. Gjatë një weekendi (fundjave) në verën e vitit 2017 në ishullin e Naksos të Qikladheve në Egjè, Ardita bashkë me shokun e saj të shkollës dhe jetës Teodoros Fundukidhi, qëlloi që të gjendeshin në një shoqëri me dy turistë të huaj moshatarë, njëri kanadez, tjetri amerikan në pension. Amerikani kishte punuar në Bankën Botërore dhe pasi mësoi për studimet që kishin bërë të rinjtë në shoqërinë e tyre në Kolegjin Amerikan të Atthinës, u foli për punën që bëhej në Bankën Botërore për nxitjen e zhvillimit ekonomik të vendeve anëtare, por edhe për grandet dhe huatë për qeveritë e vendeve me të ardhura më të ulta, në kuadrin e luftës ndaj varfërisë.
Ky ishte dhe momenti që Ardita dhe shoku i saj “u ngacmuan” dhe u lindi ideja se në një të ardhme të afërt mund të bëheshin edhe ata anëtarë të këtij institucioni të lartë të ekonomisë dhe financave ndërkombëtare.
Për çastin ishte një utopi, por urtësia popullore na mëson, se shkallët ngjiten një nga një, përndryshe, po i kapërceve ato, vjen një çast dhe rrëzohesh. Kështu, që përpara Arditës lindnin ide dhe mendime të ndryshme për të fituar përvojën e duhur, për t’u afirmuar në dijet e saj. Duhej vënë një objektiv, duhej marrë një vendim, por duhej dhe koha, edhe durimi.
Aty nga viti 2017, shokut të saj, Theodoros, pasi aplikoi, iu afrua një vend pune në sektorin e buxhetit të Komisionit Europian në Bruksel. Pikërisht këtu fillon edhe rrugëtimi i Arditës në udhën e gjatë të perfeksionimit të dijeve të fituara. Ëndrra dhe objektivi që i kishte vënë vetes ishte që të punonte në fushën e burimeve njerëzore dhe sidomos në institucionet e BE – së, atje ku ajo ndjente se do të punonte për një qëllim – për idenë europiane, ku, me kontributin e saj, ajo do të krijonte impaktin e saj më të madh duke u shërbyer miliona qytetarëve.
Dhe kjo qe arsyeja që ditë arta Arditë vendosi të dalë jashtë “Zonës Komforte” në moshën 33-vjeçare, duke nisur udhëtimin në Europë dhe duke punuar për 3 institucione europiane të ndryshme si: 1. “European Agency for the Space Program” (në Pragë); 2. “Body of the European Regulators for ElectronicCommunications (Riga, Letoni) dhe 3. “European Central Bank (Frankfurt).
Në momentin që arriti objektivin e saj dhe hyri në Bankën Qendrore të Europës, ajo nuk humbi kohë, por filloi menjëherë të strukturonte objektivin tjetër, duke vendosur stekën akoma më lart për karrierën e saj, duke synuar të dalë jashtë nga flluska europiane dhe të ekspozojë veten në ambjente më globale si Banka Botërore.
Kishte ardhur koha që të kapërcente në kontinentin tjetër përtej Antlantikut. Shoku i saj, Theodhoriu, pas një përvoje 2-vjeçare në Bankën Qendrore Europiane, provoi i pari për më lart. Fati i buzëqeshi kur iu afrua një vend pune në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN). Të dy morën vizat e autorizuara nga institucioni dhe prenë biletën për në Washington.
Tani Ardita pothuaj ishin fare pranë asaj banke botërore aq të ëndërruar e dëshiruar, shkelte mbi tabanin e saj dhe, e përqëndruar, hidhte sytë atje lart dritareve, që, me rënien e muzgut, llamburitnin nga dritat e shumta, që çupa jonë i shikonte si drita shprese, si një shpresë të bardhë e guximit të saj njerëzor dhe intelektual që do ta përmbushte, edhe se ende gjithçka i dukej si një ëndërr.
Ndër mend i vinte konfrontimi biblik i Davidit me gjigantin e Filistinëve Goliathin, por Davidi që besonte tek Zoti, e mundi Goliathin vetëm duke e gjuajtur me një gur në ballë. Edhe Ardita besonte tek forcat e saj dhe se tani kishte ardhur moment që ëndrra të bëhej realitet. Ka qenë qershori i vitit 2022, kur ajo mori të dhëna se në Bankën Botërore ishin liruar vende pune. Bëri përgatitjet e nevojshme dhe, përmes ankthit dhe emocioneve, guxoi e vendosi të dërgonte biografinë e saj, tashmë shumë të pjekur e të pasur me profilin e saj.
Dhe ja kështu, krenare por pabujë nisi Udhëtimin e Madh të Karrierës në Ekonominë Botërore. Jo më vonë se një muaj nga aplikimi dhe seleksionimet e kandidantëve të paimagjinueshëm, iu dha e drejta e intervistës së parë, të cilën edhe pse kishte besim te vetja se e dha me sukses, ankthi i pritjes e shoqëronte për të marrë vesh rezultatin nëse kishte fituar apo jo.
Dhe përgjigjja i erdhi shumë shpejt. Data 22 Gusht 2022 është e shënuar dhe e veçantë për shqiptaren e re të dijes, për bijën guximtare të Podgoranit. Pikërish atë ditë kapedanes sonë i erdhi Mesazhi i urimit si bekim perëndie: “E dashur Ardita! Mirësevini në Grupin e Bankës Botërore! Ju jeni bashkuar me një nga institucionet kryesore të zhvillimit ndërkombëtar në botë. Ky institucion ka një vizion unik me dy synime të rëndësishme: dhënien fund të varfërisë ekstreme dhe promovimin e prosperitetit të përbashkët. Si një anëtar i ri i kësaj organizate, ju do të rriteni, do të bëheni edhe një profesionist më i mirë zhvillimi dhe do të bëni një ndryshim në botë në vendet ku ndihma jonë është më e nevojshme. Në rolin tuaj të ri, ekspertiza dhe perspektiva të reja që po sillni do t’i ndihmojnë klientët tanë të gjejnë zgjidhjet më të mira globale. Ekipi i WBG Onboarding do të sigurojë që ju të keni mjetet dhe mbështetjen e duhur për të filluar udhëtimin tuaj dhe për t’u bërë një kontribues efektiv dhe eefikas në misionin e WBG. Ne do t’ju ofrojmë informacion jetik për t’ju rregulluar dhe për t’ju çuar në një udhëtim mësimor në bord brenda 6 muajve të ardhshëm”.
Që në muajt e parë, megjithëse me vështirësi, i ngjiti shkallët shumë shpejt, sikur të kishte vite e vite në atë organizatë gjigante. Pa kaluar 6 muajt e parë të punës, e përfundoi me sukses udhëtimin mësimor. Edhe pse e ndjen veten mirë, e kupton që ka mësuar shumë, ajo nuk heq dorë nga literatura bashkëhohore, nga përditësimi i saj dhe i praktikave më të përparuara dhe të dobishme. Përsëri nuk resht së përballuari me sukses programe gjithnjë e më të vështira, duke fituar besimin e stafit drejtues të bankës, të cilët janë shumë të impresionuar nga aftësitë e saj dhe po aq të kënaqur me punën e saj, ku spikat dukshëm ndershëmëria profesonale, aftësia e punës në grup dhe e mirëkomunikimit me anëtarët e organizatës.
“Dikur, nga vitet e Kolegjit – kujton Ardita – një nga instruktorët më të mirë në botë, Konstandinos Tasoulis, më tha një herë: “Ti duhet të jesh ai që zgjedh organizatën për të cilën do të doje të punoje, jo organizata ty”. Në atë kohë nuk e kuptoja domethënien dhe rëndësinë e këtyre fjalëve aq tejshikuese. Sot, pas 11 vjet më vonë, pas të gjitha sfidave dhe përvojës që kam fituar gjatë karrierës sime, e kuptoj rëndësinë e “të qenit ne” ata që zgjedhim organizatën për të cilën do të donim të punonim. Kjo – vazhdon më tej Ardita – është diçka që e kuptova, ndërsa punoja për institucionet e BE- së, që u shërbejnë 500 milionë njerëzve. Kjo është arsyeja pse unë pranova ofertën për të punuar për Grupin e Bankës Botërore, sepse gjatë gjithë misonit të tij të rëndësishëm për të luftuar varfërinë dhe për të rritur prosperitetin në mbarë botën, më bën të ndihem se punoj për një kauzë globale. Perspektiva për të ardhmen – ka besim Ardita ditë artë – është e ndritur”.
Ajo tani po angazhohet në grupin e punës së Bankës Botërore, që merret me trajnimin e drejtorëve të bankave në disa shtete të SHBA. Synimet e saj janë si të shqiponjës. Së shpejti do të fluturojë edhe në vende të tjera si Namibia, Kenia etj. në kuadrin e përpjekjeve që bën Banka Botërore për të ndihmuar në luftën ndaj varfërisë ekstreme. Ajo, sa e zonja është në profesion, aq është humane, altruiste, idealiste. Por… do ta themi: ajo ka edhe një ëndërr tjetër, që të provojë aftësitë e saj edhe në OKB, (Organizatën e Kombeve të Bashkuara)…
Synimet e Arditës janë si të shqiponjës.
e premte, 29.03.2024
Vlorë, ALBANIA