Pjetër Arbnori dje ka mbushë përvjetorin e njëmbëdhjetë që është ndarë këso bote e është nisë për në amshim. Edhe pse rasti nuk ka çekë memorien e tallazitur zyrtare të shtetit shqiptar, një përkujtesë prej të cilit Ai do ta kishte gjithherë të meritueshme, si njëri prej njerëzve par excellence të tij, Pjetër Arbnori do të rrojë gjatë në kujtesën e shumë e shumë shqiptarëve, brenda dhe jashtë Shqipërisë së rendit të ri post-regjim. Nuk u përkujtua as prej demokratëve zyrtarë të Shqipërisë (!) dhe “mëkati” këtu peshon edhe më rëndë…
Megjithatë, Pjetër Arbnori do të mbahet mend gjatë për rivendikimin që u përpoq t’i bënte parlamentarizmit shqiptar, zanafilla e denjësishme e të cilit është viti 1921 i shekullit të shkuar, ndonëse përvoja e tij qe, jo më e gjatë se njëzetvjeçare. Me respekt e veneracion për pararendësit dhe nën shëmbëlltyrën e tyre, jo vetëm të Luigj Gurakuqit që e pati modelin e vet, por edhe të tjerëve burra të përndritshëm, Eshref Frashëri, At’Gjergj Fishta, Koço Tasi, Ali Këlcyra, Qazim Kokoshi, Maliq Bushati, Mustafa Kruja, etj., etj.
I ardhur nga skëterra e regjimit të dhunës, i rikthyer nga fundi i ferrit në tavolinën e spikerit të Parlamentit, Ai nuk rrezatoi për asnjë minutë urrejtjen , që cilido njerí prej mishi e gjaku, i cili do të kishte kaluar kalvarin e tij të mundimeve për 10 300 ditë e net nëpër burgjet e regjimit komunist ku burgoseshin…idetë, nuk do të mund ta fshihte. Pjetër Arbnori nuk u përzje e nuk u bë për asnjë çast pjesë e teatrit të “çakejve”, të cilët aty në aulën e Parlamentit bënin se ziheshin e capërloheshin, duke krijuar një trandje e dási të hatashme në psikikën e popullit aspirues për demokraci, ndërsa më pas, më vonë kur katrahura kish ngjarë e po bëhej ritual i trishtë, do të na thoshin se…” kjo ishte loja”.
Madje, akoma më rrezikshëm, duke mbjellë farën e keqe të mendimit se “politika kështu e ka”… Sot kur Pjetri i mirë është në mbretërinë e qiellit dhe kur rendi i ri po përmbyll dekadën e tij të tretë, spikeri i Parlamentit të ri do të jetë… Zoti Gramoz Ruçi. Po, po. Pa asnjë mëdyshje, zoti Gramoz Ruçi është caktuar kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Mbetet për t’u bërë vetëm akti formal, në ditën kur do të mblidhet Sesioni i ri.
Sigurinë për këtë e dha kumti i zotit Edi Rama, Kryeministri ynë edhe në vijim, i cili përtej kujdesit të veçantë që i kushton aktit të vet ligjërimor, fushë në të cilën ai është i gjithëpranuar si mjeshtër (pavarësisht cinizmit ekstrem, të cilin, besoj se ia forcon karrigia e rëndë e Kryeministrit) e dha në formë të prerë, fikse. Për mua qind për qind po- tha, ku edhe përemri vetor mua, veç sa ngjyros stilistikisht ligjërimin… Ai e dha me krenari kumtin e vet, pa e ndjerë aspak të nevojshme ta përlyejë me një dozë të lehtë justifikuese.
Ai nuk u kujdes aspak të mjeshtronte, që diku mes rreshtave të kumtit të vet të lexohej njëlloj detyrimi që ai ka për ta bërë këtë dhe jo ndonjë dëshirë të madhe…Por jo. Këtë nuk e ndjeu aspak të nevojshme ta bëjë. Së paku nuk e shfaqi sado lehtas këtë ndjesi. Po, pse ta ndjejë xhanëm?! Zoti Gramoz Ruçi ka domenin e vet në politikën shqiptare, asnjëherë të lëkundur prej më se tridhjetë vjetësh. Pa ndonjë kualifikim a cilësi të veçantë, përveçse “punëtor i devotshëm partie”. Historikisht i tillë. Krejt ndryshe prej të gjithë pararendësve të vet në atë post.
Ai është ndërlidhja e pandërprerë e dy sistemeve politike, në thelb të kundërta prej njëri -tjetrit. Përderisa i dyti u instalua pasi u përmbys i pari. Sipas statistikave të një Instituti të Studimeve Politike që merret me parlamentarizmin në Shqipëri, zoti Gramoz Ruçi rezulton të jetë deputeti më jetëgjatë në Shqipërinë e mbasdiktaturës. Plot 8 herë deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Pa bërë më së paku as një mea culpa për mëkatet e regjimit të shkuar. Dhe s’ka pasë se si ta bëjë përderisa… s’ia ka kërkuar kush. Asnjëherë seriozisht s’ia kanë kërkuar.(Për ta bërë vetishëm duhet shumë më shumë njerzí e cipë…) Dhe ai nuk ka qenë një “burmë” dosido i atij mekanizmi të diktaturës. Po ka qenë ministër i ministrisë së dhunës.
Që aty i votuar prej nostalgjikëve të regjimit të shkuar dhe jo veç prej tyre, ai s’ka pasë arsye të qenësishme për ta lëshuar karrigen e tij në atë aulë. Madje, në të shumtën e kohës, karrigen e kreut të grupit të krahut të tij. Dhe prej kësaj të fundit, një hap e ndan nga karrigia e spikerit të Parlamentit. Pra Gramoz Ruçi, tash e masandej do të jetë kreu i Parlamentit të Shqipërisë… Kjo është trajektorja, që ka përshkuar parlamentarizmi në Shqipëri. Nga Pjetër Arbnori te…Gramoz Ruçi.
Ver ne peshore Sali Berishen se bashku me Lul Bashen dhe ne anen tjeter ver Gramos Rucin.Boll shkruajtet gomarlleqe se po na e nxirni Enverin flori perpara ketyre te djathteve te sotem qe me pare se beheshin te djathte u bene politikane.Pastaj u bene te djathte duke grabitur popullin shqiptar sy me sy.Keshtu si ndodhi ne demokracine tone po justifikohen qendrimet e ashpra te Enverit ndaj kundershtareve te tij.