Nga libri “Filozofia politike e çështjes shqiptare”
Aktivitetin e vetëdijshëm të forcave politike, ose të subjekteve politike, gati të gjithë teorikët e politikës e vënë në kontekst të shtetit, duke e konsideruar atë si instrument shoqëror me të cilin udhëheqin forcat subjektive.
Ndërkaq Röhrich dhe Wolf-Dieter-Narra, duke e reduktuar këtë aspekt të politikës në funksion të rregullimit të konflikteve, e përqendrojnë vëmendjen e tyre në “format e rregullimit të konflikteve” gjë për të cilën e huazojnë termin anglo-sakson “politics” dhe në përmbajtjen e konflikteve, gjë për të cilën poashtu huazohet termi anglo-sakson “polic” ose “issue” që do të thotë çështje.
Meqenëse të gjitha konfliktet, marrë logjikisht, nuk duhet të kenë kuptim politik, ata e kontestojnë këtë me faktin e totalitarizimit të jetës shoqërore dhe të përzierjes së shtetit modern madje edhe në raportet private të familjes (disa teorikë të tjerë, të cilëve një ditë medoemos do t’u kushtojmë vëmendje, konstatojnë me pikëllim se “shtetëzimi” i jetës private është bërë total: “asgjë e shenjtë nuk ka mbetur jashtë kthetrave të pushtetit (ne do të shtonim se ato, kthetrat, kërcënojnë të rrezikojnë çdo bashkëshortësi dhe çdo fëmijë legjitim të martesave legjitime).
Në diskutimin politiko-shkencor të viteve ’60 (Bachra/Baratc dhe të tjerët), u fut nocioni i jo-vendimeve (non-decisions) me qëllim të tërheqjes së vëmendjes mbi numrin e temave që nuk u lanë në disponim të tubimeve. Me fjalë të tjera, si jo-politike mbetën ato sfera të jetës shoqërore të cilat politika, në saje të një koncensusi të përgjithshëm të nënkuptuar, nuk deshi t’i njihte si të tilla. Ato megjithatë ekzistojnë dhe paraqiten si rryma të ndryshme të ujit nën akullin politik; dalin në sipërfaqe atëherë kur krijohen kushtet dhe kur subjektet e saj dalin në skenë. Prandaj ato nuk mbeten gjithmonë të tilla, rryma të ndryshme të ujit nën akullin politik, sepse edhe politika, po të jetë e tillë, e humb kuptimin e vet.
Hannah Arendt, duke e theksuar faktin mbi nevojën e artikulimit të kërkesave dhe të orientimit të politikës në rregullimin e konflikteve (politikë janë të gjitha format joluftarake të zgjidhjes së konflikteve) e thekson të folurit si kriterium të shprehjes së cilësisë së politikës: “Kudo që është fjala për relevancën e të folurit, në lojë doemos futet politika, sepse njerëzit janë të prirur për politikë vetëm për shkak se janë qenie që e kanë dhuntinë e të folurit (shih H.Arendt, Vita Activa oder Vom tatigen Leben, München, ct. sipas W.Röhrich-W.D.Narra, vep.cit.f.63).”
Megjithatë, njerëzit merren me politikë për shkak se kanë nevoja dhe interesa. Dhuntia e të folurit e mundëson artikulimin, por nuk e zhduk ekzistimin apo paraqitjen e tyre, sikurse që politika nuk mund të reduktohet vetëm në format jo-luftarake të zgjidhjes së konflikteve. Teoria politike që moti e ka pranuar definicionin e Klauzevicit mbi luftën si vazhdim i politikës me mjete të tjera. Fjalët e cituara të H.Arendtit mund të kuptohen vetëm në kontekst të intencës për zhdukjen e luftës si metodë dhe formë të vazhdimësisë politike, por kjo është një çështje tjetër.
Politika si art dhe morali
Në fjalorin latinisht-shqip (Henrik Lacaj, Filip Fishta, Rilindja, Prishtinë, 1980) fjala art (ars) përkthehet me fjalët: mjeshtri, muzë, por edhe dredhi, dinakëri, dhelpëri. Politika si aktivitet për rregullimin e pozitës së njeriut në shoqëri, si aksion i vetëdijshëm i subjekteve politike, si intelekt llogaritës, si “policy”, “issue” etj., për rregullimin e konflikteve në shoqëri konsiderohet art, mjeshtëri.
Puna është se arti inspirohet me të bukurën dhe të mirën. Ndërkaq metodat me të cilat realizohet e bukura dhe e mira në art mund të jenë gjithashtu të bukura por mund të jenë edhe jashtë saj, siç ngjet zakonisht me kushtet në të cilat realizohet ndonjë vepër artistikisht e bukur.
Dredhia, dinakëria dhe dhelpëria mund të hyjnë në kuadër të mjeshtërisë së artistit për të realizuar të bukurën. Me këtë rast përsëri do të mbeten art, sepse qëllimi (vepra e bukur artistike) e përcakton përmbajtjen e tyre si aftësi të artistit për të paraqitur të bukurën. Mirëpo ato mund të jenë edhe metoda, madje prioritare, të ndonjë imitatori apo falsifikatori të veprave artistike.
Në rast të tillë këta do të bënin pjesë në mjeshtërinë e imitacionit, të falsifikimit dhe të hajdutllëkut. Përmbajtja e qëllimit të imitimit (p.sh. për të gënjyer opinionin me qëllim të përfitimit material) do t’i klasifikojë si të pamoralshme dhe të dëmshme për njerëzit. Në politikë gjërat qëndrojnë njësoj si edhe në art, por konsekuencat e njërës dhe të tjetrës janë të pakrahasueshme.
Përderisa me një vepër të bukur artistike mund të kënaqen shumë njerëz, me ndonjë vepër të bukur politike mund të shpëtojë një popull apo më shumë sish si dhe anasjelltas, me veprën e falsifikuar mund të dëmtohet blerësi ndërsa me politikën e falsifikuar mund të dëmtohen popujt.
Nuk lypset ndonjë mençuri e veçantë për të kuptuar se konceptimi i politikës si art apo mjeshtëri, veçuar nga morali shoqëror, i përgjigjej (në të kaluarën) borgjezisë në formim e sipër, por jo edhe asaj tashmë të formuar, sepse shkonte ndesh me botëkuptimin aristokratik mbi nderin, guximin dhe zakonet kalorësiake, dhe se në mënyrë të drejtëpërdrejtë i cënonte botëkuptimet, por edhe interesat e pjesës më të madhe të popullsisë.
Për shkak të interesit për avancimin e gjithmbarshëm shoqëror, dhe jo vetëm të kategorive të veçanta të një shoqërie të dhënë, të kuptuarit e politikës si art i së mundshmes, në rrethanat e sotme duhet të jetë i diferencuar dhe duhet ta përjashtojë imoralitetin e metodave në realizimin e qëllimeve politike.
Opinioni i krijuar mbi atë se ç’është e moralshme dhe moralisht e lejueshme në botën e sotme, të kuptuarit e padiferencuar të politikës si art i së mundshmes e quan anakronike dhe retarduese, ndonjëherë edhe pa marrë parasysh qëllimin. P.sh. mund të ishte qëllim i arsyeshëm nga aspekti i logjikës së shtetit -ruajtja e qetësisë publike.
Mirëpo helmimi i fëmijëve, si metodë për realizimin e një qëllimi të tillë, jo vetëm që është akt i pamoralshëm, por akti i tillë automatikisht e vë në pyetje karakterin e qëllimit. Në kontekst të kësaj, qëllimi i ruajtjes së qetësisë publike ose i pengimit të kaosit në të vërtetë shndërrohet në qëllim të ruajtjes së dominacionit të padëshiruar, imoral dhe të padrejtë në vetvete.
Ndër ne, p.sh., shpeshherë dëgjohet komentimi se serbët janë politikanë të zotë, që do të thotë se janë mjeshtër të politikës si art i së mundshmes. Kritika serbe p.sh., shpalljen e Republikës dhe të Kushtetutës nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës e quajti si akt “kaçaniko-kaçak” (Kaçaniçko-kaçaçki Ustav) duke e pasur për qëllim denigrimin e rëndësisë së këtij akti si akt të pamoralshëm meqë e shpallën “kaçakët” dhe jo deputetët. Në këtë rast nuk vihej në spikamë fakti se “kaça(ni)kët” e tillë ishin të zgjedhur si deputetë pikërisht me lejen e tyre, dhe se konspiracionin ua kishin imponuar vetë ata -serbët, d.m.th. jo ata vetvetes, dhe se kishin qenë të detyruar ta bënin një akt të tillë në kushte të imponuara konspirative. Përkrahja masovike e popullsisë e bën të pamoralshëm tentimin e politikës serbe që ta denigrojë një akt të tillë fisnik.
Andaj thënia se serbët janë politikanë të aftë në sytë e shqiptarëve lidhet me konotacion negativ, ndërkaq në sytë e serbëve, pavarësisht nga përparësitë momentale që mund t’ua sigurojë “aftësia” e tillë, në një plan afatgjatë mund t’i kualifikojë vetëm si manipulues të mirë për qëllime afatshkurtra por në kundërshtim me interesat afatgjata dhe pozitive të popullit serb, siç është p.sh. miqësia me shqiptarët.
Politika si art i së mundshmes rezulton nga botëkuptimet e Makiavelit të parashtruara në librin e tij “Il Principe” (Sundimtari), të botuar për herë të parë më 1514. Për të politika esencialisht është shumë e mjeteve të nevojshme për të ardhur në pushtet dhe për të mbetur në pushtet me qëllim të shfrytëzimit të tij.
Mirëpo këtij botëkuptimi pragmatist për politikën që nuk ka të bëjë fare me moralin, përafërsisht në të njëjtën kohë i kundërvihet Thomas Mori, në librin e tij të botuar më 1516 Do optimo republicae statu deque nova insula Utopia. U-topia=vend që nuk ekziston, si intencë, drejtim i mendimit (utopist) është ëndërr mbi rregullimin e drejtë të jetës, ëndërr që është në kundërshtim me kontekstin special, përkatësisht, që është negacion kritik i situatës historike.
Projektet e tilla utopike, sipas Röhrich dhe Narra, manifestohen si përfytyrime mbi një të ardhme më të mirë. Ato në këtë mënyrë, më tepër në mënyrë indirekte, komandohen në pikëpamje përmbajtësore si alternativë e së tanishmes ekzistuese. Andaj, çdo nocion relevant i Utopisë, doemos e reflekton momentin e saj shoqëror, luftën e saj kundër njëmendësisë së keqe”(shih Röhrich-Narra, vep.cit.f.31).
Tejkalimi i njëmendësisë së keqe, për Makiavelin, varet nga aftësia (virtu) e sundimtarit për të ruajtur pushtetin dhe interesat e shtresës së cilës i takon (d.m.th. borgjezisë në lindje e sipër). Për të sistemi moral dhe politik qëndrojnë njëri pranë tjetrit, pothuajse paralelisht, por njëkohësisht nuk kanë të bëjnë me njëri-tjetrin.
Ndërkaq Utopia e Morit është një alternativë e moralshme, e cila niset nga fakti se “në asnjë shtet nuk mund të ketë drejtësi dhe as që do të sundojë ndonjëherë brenda tij lumturia” (vep.cit.f.33). Ky botëkuptim natyrisht do të jetë “…përfytyrim i parë i ëndrrave-dëshira demokrato-komuniste (Ernest Bloch, Das Prinzip Hoffnung, Frankfurt a/M. 1973. cit. sipas Röhrich-Narra, ibd.) dhe të cilat sërish, së paku në Evropë, do të mbeten midis utopisë dhe synimeve shoqërore, meqë si komunizëm i praktikuar mendohet të ketë dështuar.
Kjo megjithatë nuk e nënkupton dështimin e politikës si intelekt, si shkencë, por përkundrazi, dikur e tretur në materializmin dialektik të vendeve të socializmit real, tani e gjen afirmimin e vet edhe atje, si një nga shkencat që në vetvete i ngërthen rezultatet e Ekonomisë Politike, Sociologjisë Politike, Psikologjisë Politike dhe të disiplinave tjera të lidhura me Marrëdhëniet Ndërkombëtare.
Mirëpo edhe si shkencë, edhe si aktivitet politik, gjithnjë e më tepër do ta marrë parasysh aspektin moral të çështjeve të caktuara, qoftë si norma të stabilizuara morale gjatë mijëra vjetëve të historisë njerëzore, qoftë si norma të kodifikuara të se Drejtës Ndërkombëtare Publike. Si aktivitet i vetëdijshëm për avancimin e interesave të caktuara zhvillohet brenda ambientit të dhënë shoqëror, duke krijuar në këtë mënyrë një atmosferë të caktuar shoqërore.
Realiteti politik i krijuar kësisoji e lejon definimin e politikës si “sferë të jetës shoqërore me vend të veçantë në strukturën e përgjithshme të raporteve dhe të institucioneve shoqërore, dhe me ligjshmëritë e veta objektive”(N.Pashiq, Klase i Politika, op.cit.f.29). Si e tillë, ajo në Kosovë gjer më tani nuk ka ekzistuar, por tani janë hapur rrugët për zhvillimin e saj të gjithanshëm. Edhe me këtë rast, si edhe më parë, shteti, dhe gjithçka që është e lidhur me shtetin, mbetet objekt i hulumtimeve të shkencave politike, ndërsa avancimi i pozitës dhe i interesave të caktuara shoqërore mbetet përmbajtje e politikës si të tillë. Kosova, në këtë pikë, nuk duhet të bëjë kurrfarë përjashtimi.
Lubjanë, më 30 Janar 1990
Pjesë nga libri “Filozofia politike e çështjes shqiptare”
Komentet