Gijom Apolineri (Guillaume Apollinaire), një nga poetët më të mëdhenj francezë dhe europianë të shekullit XX, ka patur një interesim të veçantë për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Ai për herë të parë është njohur me problemin shqiptar në vitin 1903, siç e thotë dhe vetë në një shkrim. Atij i ranë në dorë numrat e revistës autoritative “Albania” dhe u habit nga niveli i lartë dhe erudicioni i saj e militantizmi kombëtar për pavarësinë shqiptare.
U njoh me Faik Konicën me të cilin pati edhe letërkëmbim e krijoi miqësi (për të shkroi edhe një shkrim memorial në 1912).
Në letrat, Apolineri shprehet me konsideratë dhe entuziazëm për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Në vitin 1917 një publiciste e njohur në Europë, Liza Obri (Elise Aubry) boton një broshurë të quajtur “Shqipëria dhe Franca” (L’Albanie et la France).
Në fakt ajo e kishte publikuar veprën e saj në formë artikulli më përpara në revistën “La France” në shtator 1916.
Një kopje e broshurës gjendet në fondin e Bibliotekës së Durrësit dhe ka edhe një hollësi prekëse.
Libri ka edhe një dedikasë nga autorja për atdhetarin Nikolla Lako, i cili e ka poseduar librin në fjalë.
Ajo që ka rëndësi të theksohet është, se broshura e Obrisë hapet me një Parafjalë të poetit të madh francez Gijom Apoliner. Le të themi disa fjalë më parë për përmbajtjen e broshurës.
Në fillim autorja vlerëson vendin, që zë Shqipëria në Ballkan dhe historinë e popullit tonë martir, të lidhur në shekuj me idenë e lirisë e të pavarësisë.
Pastaj thekson rëndësinë strategjike të Shqipërisë në Adriatik e synimet e të huajve, por edhe qëndresën e shqiptarëve, për të mbijetuar. Citon Bajronin për virtytet e larta të shqiptarëve, besnikërinë, miqësinë e tyre e sidomos tolerancën fetare. Flet për Pavarësinë e vitit 1912, por mbretërinë operetë të Princ Vidit e satirizon e vetë Vidin e quan një kukull (“l’homme de bois”).
Obri jep fakte nga diplomatë e burra shtetesh të huaja, që kanë folur për problemin shqiptar, si një nga komponentët më të rëndësishme të zgjidhjes së drejtë të çështjes së Lindjes dhe bën thirrje për një njohje realiste, të vërtetë dhe objektive të faktorit shqiptar e rolit të tij pozitiv në Ballkan e në Europë.
Parafjala e Apolinerit, në thelb, e mbështet me forcë broshurën e Obrisë, e cila pati jehonë të madhe dhe në qarqet atdhetare të shqiptarëve në Shqipëri dhe jashtë saj, sidomos te shqiptarët e Amerikës.
Apolineri, edhe në raste të tjera, shkruan për shqiptarët me dashuri dhe respekt të veçantë. Këtë fakt e përmend në një shkrim të tij dhe Fan Noli.
Mundet, që lidhjet e Apolinerit me shqiptarët të kenë qenë më të gjëra, prandaj duhet hulumtuar me tendencën në këtë drejtim. Është e kuptueshme, që ai aspak rastësisht shkruan për prezantimin e të drejtave të popullit shqiptar në arenën ndërkombëtare, për karakterin e origjinalitetin e tyre, duke shfaqur hapur simpatinë për popullin tonë dhe Shqipërinë.
Më poshtë po japim tekstin e Parafjalës të shkruar nga Apolineri, në përkthimin tim:
PARAFJALË
“Shqiptarët janë ndoshta sot raca më e pastër ndër popujt e tjerë indoeuropianë. Kombëtarizmi i shqiptarëve për këtë arsye nuk mund të jetë më i dyshimtë, se sa vetë kombësia e tyre dhe Lordi Hobhouse, që e ka shoqëruar gjatë udhëtimit në Shqipëri Lord Bajronin shkruan se në fillim të shekullit XIX, duke iu referuar popujve, prej të cilëve përbëhej perandoria osmane “ndryshe nga popujt e tjerë të perandorisë, që ruajnë ende njohjen sipas feve shqiptarët veçohen për ndjenjat e tyre të kombësisë”.
Shpesh nacionalizmi grek, po aq sa dhe nacionalizmi bullgar, u duket të tërë atyre, që janë në dijeni si të vërteta të pavërteta, spropositi, për të përdorur një italianizëm, që e përdor Sen Simoni.
Zgjidhja (la solution) e Çështjes së Lindjes do të arrihej ndoshta me krijimin e një shteti të vërtetë shqiptar, në vend të një fantazme të Shqipërisë, të rrezikuar prej një mbretërie shqiptare të maskuar në atë greke.
Një Shqipëri e vetme moderne, në vend të anakronizmit shoven grek do ta rregullonte çështjen e Kostandinopojës, prej të cilës, nacionalizmi shqiptar nuk do të kishte pse të shqetësohej.
Zonjusha Obri (Aubry) e ka njohur shumë mirë çështjen shqiptare dhe me interesin që ajo tregon për të, i pasionon më shumë anglezët, se sa francezët.
Bëhet fjalë padyshim për një racë të ndershme, të denjë për t’u mbrojtur e që vështron me shpresë drejt kësaj France, e cila vetëm di dhe vetadmiron mosinteresimin.
Zonjusha Obri ka treguar në mënyrë të përsosur, sidomos tolerancën e madhe fetare, që është shenjë dalluese, karakteristikë mjaft e lumtur e karakterit shqiptar (një gjë e tillë mund të gjendet dhe në Japoni) e në qoftë se këtë do ta kishte edhe Franca, si një shenjë dalluese, patjetër, që faqja e botës do të ndryshonte më tepër, se nga fakti në do të kishte qenë më e shkurtër apo jo hunda e Kleopatrës.
Zonjusha Obri dallon mirë karakterin kombëtar të Shqipërisë, gjenia e veçantë e të cilës zotëron në botën otomane.
Ajo shpjegon, përse Shqipëria nuk ka për Turqinë një veçim komplet (është fjala për ndikimin e disa zakoneve të shqiptarëve te turqit, shënim im M.Z.) – kapiten Obrej – Herbert, anëtar parlamenti, bir i Nënmbretit të vjetër të Irlandës Lord Karnavonit, që ka patur fatin për t’i njohur një pas një frontet e luftës, më thoshte se në Kut, turqit bënin një luftë jashtë mase njerëzore e më ka cituar disa trajta të shpirtit të tyre, kalorsiake, që duhen nënvizuar.
Çështja shqiptare u duket diplomatëve të mëdhenj që rregullojnë fatet e botës, shumë e vogël, përballë çështjeve të mëdha, që u tërheqin vëmendjen në universin e tronditur (L’univers buoleverse).
Diplomatët e mëdhenj ndoshta gabohen. Ndoshta, një ditë mjaft të shqetësuar, do të shkojnë në Janinë ose në Krujë – kryeqyteti i vjetër i Skënderbeut, për të vendosur me një dorë të pasigurtë themelet e një Europe të Re”. 1917.
Parafjala e Apolinerit para 98 viteve është gati profetike edhe sot.
Komentet