Zëvendësdrejtori i RAI-t, Sigfrido Ranucci, njëkohësisht autor i programit investigativ, nga më prestigjozët në Itali dhe më gjerë, ka demontuar, në intervistë për Syri Tv, të gjitha alibitë dhe mbrojtjen e dobët që Edi Rama ka bërë që pas transmetimit të emisionit “Report” të dielën, ku temë kryesore ishte marrëveshja Rama – Meloni për refugjatët.
Çfarë transmetoi programi televiziv ‘Report’ në televizionin publik Rai3 – më kryesoret:
1-Marrëveshja Rama – Meloni për refugjatët është jotransparente dhe numri i refugjatëve dhe kostoja financiare për Italinë do të jetë shumë larg shifrave të bëra publike nga dy kryeministrat.
2-Meloni ka bërë marrëveshje me një kryeministër, Sekretari i Përgjithëm i të cilit është ish-avokat i narkotrafikantëve, njeriu kyç i marrëveshjes, njeriu kyç i aferës së pronës me gjeneral Lisi-n dhe njeri që tërheq fijet e drejtësisë në vendin e tij (Shqipëri).
3-Vëllai i kryeministrit Rama, Olsi ka lidhje të forta me narkotrafikantët dhe nuk i ka hyrë gjemb në këmbë, ndaj tij nuk ka asnjë hetim pasi drejtësia është e kontrolluar.
Si u mbrojt Rama?
1-E cilësoi shpifje emisionin nga fillimi në fund.
2-U kap si i mbyturi pas fijes së barit duke thënë se Engjëlli i tij i kishte kthyer e-mail gazetarit të Rai-t.
3-Duke mbrojtur Engjellin e tij si të pafajshëm dhe njeri korrekt që i ktheu e-mail gazetarit, la te kuptohet që këta si për Engjellin kanë shpifur edhe për Olsin.
4- U fsheh pas shqiptarëve. Ata nuk po më sulmojnë mua, tha, ata po sulmojnë popullin shqiptar.
5-Mori në telefon drejtorin e Rai-t.
6-Historia me gjyshe dhe këshlla (presioni) për Rai-n që të tërhiqet.
Si e demontoi zëvendësdrejtori i Rai-t, njëkohësisht autor i programit Report, mbrojtjen qesharake të Ramës në intervistën ekskluzive për Syri-n?
Autori i programit ‘Report’, por njëkohësisht edhe zëvendësdrejtor i kësaj medie iu përgjigj një për një të gjithë narrativës qesharake që ngriti Edi Rama për të mbrojtur veten pas daljes lakuriq përtej Adriatikut.
1-Programi jonë është serioz dhe emisioni për marrëveshjen e refugjatëve nuk është i pari, por kemi bërë me dhjetra për vende të ndryshme.
2-Engjëll Agaçi nuk pranoi të intervistohej nga ‘Report’, por ktheu përgjigje me e-mail pyetjeve që i dërguam ne. Mospranimi që të intervistohej, dhe kthimi i përgjigjes me e-mail, në praktikën tonë është pranim i asaj që pohojmë ne, tha Ranucci.
3-Programi jonë është hetim dosjesh gjyqësore, pra, çfarë ka dalë në Report për Agaçin dhe Olsi Ramën, janë dosje gjyqësore, jo hamendësim. Janë fakte.
4- Qartësim dhe rrëzim i alibisë së trashë të Ramës se po goditet Shqipëria dhe jo ai. Autori i programit Ranucci tha, kam shumë respekt për popullin shqiptar. Programi nuk godet kurrë popullin shqiptar. Unë mendoj se kemi shumë ngjashmëri si popuj. Dokumentari flet me emra dhe mbiemra, ata nuk janë populli shqiptar, por emra dhe mbiemra të përveçëm. Pra, Edi dhe Olsi Rama, Engjëll Agaçi janë emra dhe mbiemra dhe nuk janë gjithë shqiptarët, nuk goditen shqiptarët por emra e mbiemra të përveçëm.
5-Rama po të kishte gjë për programin Report, le të më merrte mua në telefon, gjë që i dhashë mundësi edhe ta bënte kur i kërkova intervistë dhe refuzoi, s’kishte pse merrte drejtuesit e tjerë. Me këtë, Ranucci hodhi në erë “korigjimin” e Ramës te La Republica duke i thënë pse s’more të zotin e punës, pasi jo vetëm që ishte autor i programit, por edhe zëvendësdrejtor i Rai-t, një rrugë e dy punë nënkuptoi Ranucci.
6- Nuk është praktikë që të marrë një kryeministër në telefon për programin tonë. Na ka ndodhur vetëm me Lavrovin, i cili është ankuar njëlloj për programin tonë. Pra, zëvendëspresidenti i Rai-t dha një të dhënë që nuk e kishtë në program, Shqipëria është si Rusia.
7- Thirrjes së gjyshes së Ramës për Rai-n për t’u tërhequr, Ranucci iu përgjigj me sarkazëm, kur tha se, i dua shumë gjyshet, edhe gjyshen e Ramës që më bën presion nga bota tjetër, por javën tjetër misioni vazhdon. Pra, as përralla me gjyshe nuk e tërhoqi që të zinte mend.