Unë jam shumë i lumtur që pas 30 vjetësh po sheh më në fund dritën e botimit libri i mikut tim, Josef Jakoelit.
Gjatë historisë së tyre të gjatë shqiptarët kanë dëshiruar paqen dhe kanë punuar për të dhe për bashkëpunimin ndërmjet gjithë popujve. Ata kanë mirëpritur me zemër të hapur vizitorë të huaj të ardhur në brigjet e tyre. Kur refugjatët hebrenj që u arratisën nga Europa për të shpëtuar jetën e gjetën veten në Shqipëri, populli shqiptar i priti dhe i mbrojti.
Gjatë sundimit nazifashist në Shqipëri, ashtu si edhe në vende të tjera të pushtuara gjatë Luftës së Dytë Botërore, autoritetet naziste mbikqyrnin në mënyrë të rreptë popullatën hebrease duke regjistruar si hebrenjtë vendas, ashtu edhe hebrenjtë e porsa ardhur me qëllim që t`i dërgonin në kampet e përqendrimit. Në Shqipëri hebrenjtë u shpërngulën nga Durrësi, sepse ky qytet ishte pikë transporti e rëndësishme dhe, ndërsa gjermanët u përpoqën të deportojnë të gjithë hebrenjtë me nënshtetësi të huaj, shqiptarët i ndihmuan duke i marrë nëpër shtëpitë e tyre dhe duke i strehuar e fshehur.
Në fillim individë të ndryshëm i shpëtuan hebrenjtë me nismën e tyre. Në vijim, kur u bë më e rrezikshme, kjo gjë u organizua nga autoritetet shqiptare në qyteza dhe fshatra. Kishte raste kur familjet hebrease lëvizeshin nga një familje vendase në tjetrën, nga një fshat në tjetrin, nga qyteti në fshat dhe anasjelltas. Ngadonjëherë familjet hebrease udhëtonin me pasaporta fallco të lëshuara po nga autoritetet shqiptare. Shpesh hebrenjtë visheshin me kostume tradicionale dhe kësisoj dërgoheshin në vende më të sigurta. Në këtë proces shumë shqiptare kanë vënë rrezik jetën e tyre, pasi mund të ishin kapur, arrestuar dhe pushkatuar për aktet e tyre heroike.
Lidhja Qytetare Amerikano – Shqiptare u themelua në janar të vitit 1989 për të shprehur shqetësimin e 400.000 shqiptaro-amerikanëve për ruajtjen e identitetit të tyre kombëtar si dhe për gjendjen e shtatë milion shqiptarëve që jetonin në trojet e tyre në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë Perëndimore, në jug të Malit të Zi, në jug të Serbisë (Preshevë) dhe në veri të Greqisë (Çamëri). Si anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve qysh nga viti 1985 deri më 1989 dhe si Kryetar i Lidhjes Amerikano – Shqiptare qysh në atë kohë, unë dhashë alarmin kundër trajtimit brutal që Sllobodan Millosheviçi iu bënte shqiptarëve të Kosovës dhe, të ndikuar nga ai, edhe shqiptarëve të zonave të tjera të Ballkanit. Gjatë udhëtimeve të shumta që ndërmora në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri kryesova delegacione të kongresmenëve, aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe gazetarë që zbuluan dhe ekspozuan kushtet e tmerrshme ku ishin detyruar të jetonin shqiptarët nën regjimin komunist për 50 vjet, qysh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore si edhe kushtet e vështira nën regjimin armiqsor të ish-Jugosllavisë qysh nga vdekja e Titos më 1974.
Udhëtimi im i parë në Shqipëri ishte më 1990 sëbashku me anëtarin e Kongresit Tom Lantos, i cili ishte një hebreas hungarez që i mbijetoi Holokaustit. Udhëheqësi i atëhershëm i Partisë Komuniste ishte Ramiz Alia, i cili për të impresionuar Lantosin, na dorëzoi një dosje te pabotuar që përmbante aktet heroike të shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Falë këtyre dokumentave u bënë kërkime që rezultuan në pohimin nga Yad Vashem në Izrael se populli shqiptar meriton një mirënjohje të posaçme për aktet e tij të guximshme dhe heroike duke shpëtuar të gjithë hebrenjtë vendas si edhe ata që ikën nga vendet e ndryshme të Europë së pushtuar nga nazistët dhe që shpëtuan në Shqipëri.
Ndërsa lexoja hyrjen që shkruajta në qershor të vitit 1998 për shpërndarjen e edicionit të “Rescue in Albania” të filantropistit Harvey Sarner, të mbështetur gjerësisht në librin e Josef Jakoelit, m’u kujtua biseda telefonike që pata në qershor të 1997 me Abraham “Abe” Fox, drejtor i përgjithshëm i Anti Defamation League (ADF – Lidhja Kundër Shpifjes). Abe kishte patur një takim me Sarnerin, ku ky i fundit i kishte kërkuar qe nëpërmjet ADF-së të shpërndante 250 kopje të librit “Rescue in Albania”. Abe nuk pranoi, por i sugjeroi Sarnerit që të lidhej me AACL-në, Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane, dhe nëpërmjet saj të realizonte këtë projekt. Sarneri pranoi dhe kështu, pasi Abe më telefonoi, u takova në zyrën e tij në Manhatan, jo fort larg nga ndërtesa e OKB-së. Aty më dorezuan 10 kuti me libra, të cilat qysh nga fundi i 1997 i shpërndamë tek udhëheqësit e komuniteteve shqiptare dhe hebrease të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kur mendoja për impaktin e fuqishëm të historisë së shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri në periudhën e Holokaustit Nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore, kuptova se do të ishte e rëndësishme të dilte një botim tjetër i “Rescue in Albania”. Kështu, në qershor 1998 doli botimi i ri me një hyrje nga unë dhe një parathënie nga dy kongresmenët e njohur hebreas-amerikanë me të cilët kam bashkëpunuar ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve nga 1985 deri me 1989, dhe më pas si President i Lidhjes Qytetare Amerikano-Shqiptare [AACL] qysh në fillim të vitit 1990. I pari ishte Tom Lantos, kongresmen demokrat nga Kalifornia, bashkëkryetar i Komitetit Kongresit për të Drejtat e Njeriut dhe i dyti ishte Ben Gilman, kongresmen republikan nga Nju Jorku, kryetar i Komitetit të për Marrëdheniet me Jashtë të Dhomës. Të dy këto personalitete morën pjesë gjerësisht në aktivitetet e AACL-së për të drejtat e njeriut dhe vetvendosjen e shqiptarëve të ish-Jugosllavisë, duke përfshirë pavarësinë e Kosovës.
Kur Sarneri doli në pension në Palm Springs të Kalifornisë, une iu luta Haki Dervishit, anëtar i AACL-së, i cili jetonte aty afër, që të njihej e miqësohej me Sarnerin. Sëbashku me një tjetër anëtar të AACL-së në Kaliforni, Adem Butaj, ata kontribuan në bordin tonë shumën prej 15.000 ë për të shtypur 10.000 kopje të librit “Rescue in Albania”. Kopje të tij iu shpërndanë anëtarëve të Kongresit Amerikan dhe pjesëmarrësve të ndryshëm në takime dhe veprimtari të rëndësishme. Botimi i ri u shpërnda edhe në veprimtaritë e organizuara nga AACL si edhe në komunitetin hebreo- amerikan nga viti 1998 deri në 2020.
Unë jam shumë i lumtur që pas 30 vjetësh po sheh më në fund dritën e botimit libri i mikut tim, Josef Jakoelit.
Joseph J. DioGuardi