Jeruzalemi, Athina, Roma, Konstandinopoja, Moska, Venecia, Firence, Berlini, dhe sot Parisi, Londra e Nju Jorku. Një historian shpjegon rolin e jashtëzakonshëm që kanë patur në historinë e njerëzimit, qendrat e mëdha urbane
Që në agimin e kohëve, evolucioni i qendrave të mëdha urbane ka shoqëruar historinë e njerëzimit, duke shoqëruar herë pas here ngjitjen e këtij apo atij qytetërimi. Përgjatë shekujve, kanë marrë formë në këtë mënyrë disa”qytete simbole” që, në periudha të caktuara dhe në zona gjeografike të caktuara, janë afirmuar si qendra botërore, në gjendje të përfaqësojnë një epokë të tërë, apo më saktë “një botë” të tërë (duke alternuar periudha të mëdha shkëlqimi me periudha të mëdha rënieje). Këta “qytete-botë” kanë kaluar stafetën nga shekulli në shekull, deri në lindjen e metropoleve moderne, vende trazirash dhe kontradiktash të mëdha shoqërore (të pranishme edhe në shumë qytete të lashta). Për të kuptuar se çfarë ndërlidhjesh kanë patur qendrat e mëdha urbane të historisë, cilët momente vendimtare kanë kaluar, çfarë trashëgimish kulturore kanë lënë pas dhe çfarë kontributi i kanë dhënë zhvillimit të qytetërimeve tona, Focus Storia Collection ka realizuar një intervistë me historianin Franco Cardini, i cili i ka dedikuar libra shumë prej këtyre qyteteve, nga Jeruzalemi në Samarkandë dhe nga Firence në Stamboll.
Çfarë roli kanë luajtur qendrat e mëdha urbane, qysh në lashtësi?
Një rol shumë të rëndësishëm, duke qenë se zhvillimi i tyre ka përkuar me atë të çdo qytetërimi të madh. Vende takimi dhe përballjeje, fillimisht tregtare e më pas kulturore, qendrat e para të mëdha urbane, kanë qenë në fakt terren pjellor për format e para të organizimit shtetëror, të formimit të një sistemi organik të të jetuarit së bashku. Vetë fjala “qytetërim” (civilizim) buron jo më kot nga fjala latine civilis, term që i referohet fjalës civis, “qytetar”.
Cilët ishin qytetet e parë të rëndësishëm që dolën në dritë?
Një ndër të parët ishte Xheriko, në Palestinë, gjurmët e të cilit shkojnë në mijëvjeçarin e X para Krishtit; më pas dolën qytetet siriane të Damaskut, më “i ri” me afro 1 mijë vjet, dhe Aleppos, i ngritur diku rreth mijëvjeçarit V para Krishtit; duke qëndruar tek qytetet e lashtë, mes mijëvjeçarit III dhe II para Krishtit i erdhi radha Babilonisë, në zemër të Mesopotamisë, dhe Jeruzalemit, në Tokën e Shenjtë. Ndër këto, një prej më të rëndësishmeve ishte pikërisht Babilonia, një pikë referimi për shumë qytetërime dhe qendër urbane e përmendur në shumë pasazhe të Biblës. Qyteti u bë model edhe për shkak të një karakteristike gjeografike, pra fakti që ngrihej në brigjet e një lumi të madh, Eufratit. Në po të njëjtën mënyrë, shumë prej qendrave të mëdha urbane protagoniste të historisë njerëzore, e kanë të lidhur fatin e tyre me një burim të çmuar uji, siç do të bënte për shembull Roma me Teveren. Pas Babilonisë, duke mbetur tek qytetet më të lashta, ishte shumë me peshë roli që luajti Jeruzalemi.
Mbetemi tek Jeruzalmi. Cilët episode shënjuan historinë e tij, deri kur e bënë një objekt kontestimi mes hebrenjve, të krishterëve dhe myslimanëve?
Si fillim, mund të kujtojmë se Jeruzalemi – tashmë me një histori mijëvjeçare – u shkatërrua nga themelet në vitin 135, me urdhër të perandorit Adrian (mbi rrënojat e vendbanimit të vjetër u ngrit kolonia e Aelia Capitolina), gjatë luftës së tretë judaike, momenti i radhës ky, në konfliktin ku ushtria e Urbes u gjend përballë rebelimeve hebraike që shpërthyen në Jude, kundër pushtimit romak (që në vitin 70 qyteti ishte rrënuar prej perandorit të ardhshëm, Titus). Skenë e kalvarit të Krishtit, Jeruzalemi u bë shumë shpejt një vend i shenjtë, duke u bërë sërish objekt përplasjeje që nga shekulli IV, mes pjesës hebraike dhe asaj të krishterë. Nga shekulli VII u bë objekt kontestimi edhe për myslimanët. Jeruzalemi u bë kështu një qytet unik në botë: vendi historik i Tempullit të Solomonit, e si pasojë pikë referimi për hebrenjtë, vend i vdekjes dhe ringjalljes së Krishtit dhe në fund vendi i Muhamedit, profetit të myslimanëve, që u ngjit në qiell prej Haram esh-Sherif, ose Mali i Tempullit.
Kalojmë pak tek Kryqëzatat, si ndryshoi qyteti gjatë “Mbretërisë së Jeruzalemit”, lindur në 1099 pas kryqëzatës së parë në Tokën e Shenjtë.
Jeruzalemi ishte kryeqyteti i i kësaj mbretërie të krishterë – që nuk zgjati as dy shekuj – mes 1099 dhe dhe 1187, periudhë kur u ndërtuan apo restauruan shumë prej monumenteve të tij, edhe pse në tërësi, impianti urbanistik mbeti ai i përhershmi, i përqëndruar në bërthamën origjinale të njohur si “Qyteti i Vjetër”. Për më tepër, eksperienca e të ashtuquajturve shtete kryqtarë krijoi një shans tjetër takimi kulturor, mes Europës dhe Lindjes.
Duke iu kthyer ndarjeve fetare, cili është vendi më i kontestuar historikisht në qytet?
Padyshim që vendi i xhamive në Malin e Tempullit (që mbahet prej të famshmit Mur të Lotëve, pjesë e një tempulli të lashtë hebre).
E lëmë tani Tokën e Shenjtë, dhe zhvendosemi në Athinë, qytet që lulëzoi gjatë mijëvjeçarit I para Krishtit dhe më pas në Romë: cili ka qenë roli i tyre në zhvillimin e qytetërimit tonë?
Mund të themi se Athina ishte vend i bukurisë, filozofisë, letërsisë dhe lirisë së ofruar nga demokracia, ndërkohë që Roma e shoqëroi emrin e saj me lavdinë, pushtetin dhe organizimin modern shtetëror. Kultura europiane përmblidhet në fakt, në një lojë vazhdimësie mes këtyre dy qyteteve dhe vetë Jeruzalemit, që është qendra ideale e fesë. Një dialektikë me tre, trashëgimia e të cilës është gjallë sot e kësaj dite.
Cili ka qenë roli i luajtur nga Kostandinopoja?
E ashtuquajtura “Roma e Re” – epitet që e mori pas rithemelimit të Bizantit të lashtë nga ana e Perandorit romak Konstantini I – u perceptua për shumë shekuj, si mbartësja e një lavdie të krahasueshme me atë të Romës. Kryeqytet i perandorisë bizantine dhe më pas asaj otomane, Konstandinopoja, Stambolli i sotëm, është qendër e vëmendjes së botës myslimane edhe sot e kësaj dite: sulltanët otomanë, me pushtimin e qytetit në vitin 1453 u ndjenë në fakt trashëgimtarë – për shkak të të drejtës së presë – të vetë perandorisë romake.
Në krah të rëndësisë që ka fituar gjatë shekujve “Roma e Dytë”, në qendër të shkëmbimeve kulturore dhe tregtare mes Lindjes dhe Perëndimit, duhet të përmendet edhe rëndësia e “Romës së Tretë”.
Romës së Tretë?
Po, siç u quajt qyteti i Moskës pas pushtimit otoman të Konstandinopojës. Ishte Cari Ivani III, bashkëshort i një mbese të Konstantin XI Paleologut, pra perandorit të fundit bizantin, që i dha kryeqytetit rus rolin që kish qenë më parë i Urbes dhe më pas i vetë Konstandinopojës, duke e bërë Moskën një lloj trashëgimtareje spirituale të botës romako-bizantine. Pra, një Romë e Tretë.
Duke mbetur tek tema e marrëdhënieve mes Lindjes dhe Perëndimit, a është korrekte ta quajmë Venecian, siç bëhet shpesh, “Porta e Orientit”?
Po: nga shekulli X, Venecia u vendos me vetëdije si ndërmjetëse mes Europës dhe Levantit, duke u sjellë më pas si trashëgimtare e perandorisë bizantine.
Në brendësi të qytetit bëhej tregti me mallra të ardhur nga lindja, para se këto të shpërndaheshin në kontinent, dhe shumë prej tyre vinin pikërisht nga Konstandinopoja, qyteti që në vitin 1204, gjatë kryqëzatës së katërt, u sulmua nga vetë venecianët.
Vetë ndërtimi i bazilikës së San Marcos u shoqërua nga perceptimi i ngritjes së një “Shën Sofie” të re, apo Hagia Sophia, emri i katedrales së famshme kristiane të Konstandinopojës, që më pas u bë xhami dhe në fund muzeum, prej të cilës u morën shumë pasuri që u vendosën në bazilikën veneciane.
Shenjat e marrëdhënieve të Venecias me lindjen i gjen në shumë arkitektura të saj, dhe diçka të ngjashme e gjen edhe më poshtë në jug, në Palermo, qytet që përpara se të bëhej qendra e pasur dhe e mrekullueshme e Mbretërisë së Siçilisë, kish qenë zemra e Siçilisë islamike.
Duke mbetur në Itali, cila ka qenë rëndësia e Firences?
Qyteti toskan mori një rëndësi shumë të madhe mbi të gjitha mes shekujve XIV dhe XV, pra në kohën e familjes Medici, aq sa u bë djepi i Humanizmit dhe Rilindjes, duke u shndërruar në një lloj atdheu të artit dhe kulturës, në kalimin nga Mesjeta në modernitet.
Si ndryshuan qytetet e mëdha me revolucionin industrial dhe zhvillimin teknologjik të shekullit XX?
Me agimin e epokës industriale dhe transferimin relativ të shumë punëve nga fshati në qytet, u pa zhvillimi i metropoleve të mëdha si Londra, Parisi dhe nga ana tjetër e oqeanit, Nju Jorku, “Molla e Madhe”. Vende të pasur me kontradikta sociale dhe diversitet relativ arkitektonik, kozmopolitë, kaotikë dhe të vrullshëm, ashtu si në të kaluarën kish qenë vetëm Roma e shekullit të parë, e cila mbeti një model referimi për çdo metropol. Nga Evropa në SHBA, duke kaluar tek fuqitë e sotme aziatike, çdo qytet i madh ia ka dalë të ruajë një origjinalitet të vetin dhe një kulturë të vetën.
Në disa raste, si për shembull në Jeruzalem, ka ndodhur që kultura me vlera të kundërta të kontestojnë të njëjtin qytet…
Po dhe në këto raste shpesh janë ngritur mure, siç ndodhi në kohën e Luftës së Ftohtë në Berlin, një prej djepeve parësorë të kulturës moderne, kryeqytet i shkencës, teknologjisë dhe qytetërimit industrial që pas Luftës së Dytë, u vu në mes dy fuqive të mëdha: SHBA, Britania e Madhe e Franca nga njëra anë, dhe Bashkimi Sovjetik nga ana tjetër. Nga 1961 deri në 1989 u nda më dysh nga një mur i gjatë betoni, duke u bërë simboli i trishtë i Luftës së Ftohtë.
Duke ardhur në mijëvjeçarin e ri, cili metropol do e meritonte sot titullin qytet-botë?
Për t’u përgjigjur duhet të kthej sytë në Lindje: këtu, për nga fryma kozmopolite dhe moderne, do të thoja që titulli i shkon pa asnjë dyshim Shangait, megalopol i gjallë që është shprehje ekonomike dhe kulturore e fuqisë kineze në rritje, dhe në të njëjtën kohë, ka një karakter perëndimor. / Focus – Në shqip nga Bota.al