Sot më bëri përshtypje një tjetër gjë,
kalimi nga grua e dashuruar në statujë, shikoja me ngulm imazhet dhe doja të thosha diçka…
Shpesh jeta na ngrin, gurëzohet, madje pa statujë fare, pa kujtesë dhe art. Dhe kërkova poezinë si një lloj ngushëllimi, atje ku gjaku është kthyer në bojë shkrimi, sipas Eliotit.
Po risjell dy poezi të Maya Angelou-t dhe një shënim timin për to.
Visar Zhiti
DASHURIA KUSHTON
AQ SA Ç’JEMI NE…
…poezia e Maya Angelou-t godet si dashuria, si shiu, si britma, si era në kthesë, si protesta, si tufa yjesh, si një bisedë mes miqsh të gabuar dhe jo të gabuar, si e vërteta, si një gënjeshtër e bukur arti, si ëndërr, si psherëtima, si flatra e një engjëlli, si një çast i fortë jete. Përherë.
Sepse ajo ka jetuar në të gjitha ditët, e gjithë me të gjithën…
E ku s’ka punuar poetja amerikane Maya Angelou, kam shkruar në datëlindjet e saj të mëparshme, shofere tramavaji, por dhe dëshirash, shtoj tani, kamariere, por sillte në tryezë dhe një gëzim, striptiste dhe bota ishte lakuriq, balerinë, vallëzonte e ardhmja me krahët e saj, këngëtare, e sotmja këndon, gazetare, ty të duhet dhe lajmi se ç’bëhet, profesore, dija të duhet patjetër, qytetaria, ka qenë dhe aktiviste Maya, të mbrojmë të drejtat, na duhet indinjita dhe të qenit bashkë si njerëz, jo si turmë, po ajo ishte poete, pra di të bëjë çdo punë, edhe tani që s’është…
Por është poezia e saj më shumë se kujtimi. Si premtim jete përhapet kudo ai frymëzim që i priu dhe Maya-s, që e bëri të dashurën e popullit të saj…
Sot ka datēlindjen dhe rrugët kanë pranverë dhe të duket se dëgjon zërin e saj: ec për të qenë njeri i bukur.
Ne rritemi, – përsërit ajo, – përmes llahtarit që ushqejmë të nesërmet tona dhe… Të guxojmë, është vetëm dashuri ajo që na përbën ne.
Ta dëgjojmë sa nuk është vonë, statujat e harresës presin, se jo të gjithë e dimë. Dhe nuk e dimë çdo ditë, desha të thosha. Që është dhe datëlindje poezie…