Po hedh një vështrim retrospektiv për një transparencë lakonike por përfshirëse.
Në vitin 1982, kur Dalip Greca nisi punën si redaktor në gazetën Shkēndija, organ i komitetit të ppsh të rrethit të Lushnjes, Visar Zhiti, poet i ri i talentuar, po nga Lushnja, vuante në burgun e Spaçit dhe pasi do të dilte prej andej, do t’i vijonte dënimi si punëtor krahu deri më 1991. Babain tim, poeti dhe gazetari Vehbi Skënderi, si armik i partise viti 1982 do ta gjente hamall në repartin e plehërave në Kombinatin Poligrafik, ndërsa të bijën e tij që i ndalohej vijimi i studimeve në Universitet, diktatura e dërgon punëtore në Fabrikën e Pllakave, në Kombinatin Josif Pashko. Skënder Buçpapaj, një tjetër i ri i talentuar, pasi kishte mbaruar specializimin për kritikë, tërhiqet nga Tropoja ku punonte si mësues në verën e vitit 1986, me interesimin direkt të Dritero Agollit dhe emërohet redaktor në gazetën Drita, organ i Lidhjes të Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, duke u kthyer menjëherë në një nga emrat më të respektuar për kritikë moderne në fushën e letërsisë dhe pastaj për shkrime kritike në adresë të diktaturës.
Kur në Shqipëri dështuan zgjedhjet e 31 marsit 1991 bashkë me qeverinë e Stabilitetit, në një moment shumë kritik për vendin, me propozim të sindikatës së RTSH, më 21 dhjetor 1991 Skënder Buçpapaj emërohet, me miratim të Kuvendit të Shqipërisë, nëndrejtor i pergjithshëm i RTSH dhe, pas fitores të PD më 22 maj 1992, drejtor i përgjithshëm. Në 3-4 faktorët e asaj kohe që ndikuan në rrëzimin e diktaturës, ishte edhe roli i rēndësishëm i RTSH.
Përfshirjen në gazetari unë do ta filloja më 1991, përpara e kisha të ndaluar nga regjimi diktatorial, duke bashkëpunuar me shtypin pluralist. Shkrimin e parë, kushtuar Petro Markos, e kam botuar tek RD, pastaj kam botuar tek Atdheu, organ i Monarkisë, tek Kosova, Tribuna Demokratike, të gjitha janë shkrime kritike. Më kujtohet se në njërin prej tyre e konsideroja skandaloze që Profesor Arben Puto, kunati i Manush Myftiut, një nga figurat më të egra të diktaturës, të drejtonte Komitetin e të drejtave të njeriut të Helsinkit.
22 Marsi 1992 na gjeti bashkë me Xhevdet Shehun, të dy reporterët e parë të Zërit të Amerikës në Tiranë, ta raportonim fitoren e PD në zyrën e zvdrejtorit të pergjithshëm të RTSH, i cili nuk kishte telefon në shtëpi. Pas fitores së PD-së, refuzova emërimin tim si zëdhënëse e kryeministrit Aleksandër Meksi dhe vijova kontributin si gazetare tek Zëri i Rinisë, si freelancer tek Republika, redaktore tek Magazine RTSH, ndërkohë që bashkëpunoja me shtypin e kohës, përfshi edhe Illyrine e Harry Bajraktarit në New York.
Më 15 mars 1996 vimë në Zvicër, Skënderi i emëruar diplomat në Ambasadën e Shqipërisë në Bernë.
Pas kaosit të 1997, më 1 mars 1998 fillojmë kontributin tek BotaSot në Zürich deri më 2008, për një dekadë rresht, Skënderi kryeredaktor i gazetës, unë redaktore kolumniste. Asaj dekade Bota Sot njihej si gazeta e Ibrahim Rugovës, për mbështetjen e pakufishme që kjo gazetë i kushtoi çështjes kombëtare shqiptare, për faktorizimin e shqiptarëve, si komb i barabartë mes kombeve të barabartë të Ballkanit. Në atë dhjetëvjeçar BotaSot do të mbulonte disa konflikte, në Kosovë, Maqedoni, Luginën e Preshevës deri në pavarësinë e Kosovës.
Prej 2008 jemi editorë të Voal.ch, platforma mediatike më e lexuar në diasporë. Jemi shkrimtarë, botues e publicistë, Skënderi edhe me profil scholar, që i kemi përcjellë për tri dekada të gjitha ngjarjet, me bashkëpunëtorët tanë, me opinionet tona si dhe duke lëvruar të gjitha zhanret e gazetarisë, jemi autorë librash poetikë e publicistikë, të angazhuar si përfaqësues të shtypit të lirë shqip në Perëndim, të integruar si profesionistë në disa organizma zvicerane dhe ndërkombëtare të gazetarëve.
Dalip Greca, duke iu referuar një interviste të tij, largohet nga Shkëndija, gazeta lokale, organ i ppsh në Lushnje në prag të rrezimit të diktaturës dhe përfshihet në redaksinë e gazetës Ora e Shpresës, organ lokal i partisë Republikane po në Lushnje e themeluar nga Shpend Sallaku dhe Gëzim Hajdari, dy intelektualë antikomunistë, të cilët ia lenë Dalipit gazetën kur emigrojnë më 1992 në Itali. Dalip Greca vjen në Tiranë në vitin e mbrapshtë 1997 si kryeredaktor i Republikës dhe më 1999 vendoset në SHBA.
Kur Dalip Greca vuri këmbën në New York më 1999, e gjen aty të pranishme të përditëshmen BotaSot, ku ne shkruanim çdo ditë bashkë me kolegët dhe bashkëpunëtorët e gazetës. Ishte një gazetë që kishte një sukses të jashtzëzakonshëm dhe memzi pritej nga shqiptarët në Kosovë dhe diasporë dhe nga komuniteti shqiptaro-amerikan, me një tirazh deri në 200 mijë kopje dhe shpërndarje ne Europë, Kosovë, SHBA, duke thyer tabu dhe duke shqiptuar të vërtetat. Ishin të vërteta që kolegëve tanë u kanë kushtuar jetën. Më 11 janar 1999 përpara shtëpisë në Prishtinë vranë gazetarin dhe intelektualin e shquar Enver Maloku, shefi i QIK-ut dhe bashkëpunëtor i përditshëm i Bota Sot, vrasje e pazbardhur; më 23 nëntor 2000 vranë gazetarin dhe shkrimtarin e shquar Xhemail Mustafa, këshilltari i Ibrahim Rugovës dhe bashkëpunëtor i Bota Sot, vrasje e pazbardhur; më 18 tetor 2001 në Laushë vranë gazetarin e Bota Sot Bekim Kastrati, ishte luftëtar i UÇK-së bashkë me truprojen e Ibrahim Rugovës, vrasje të pazbardhura; më 2 qershor 2005 plagosën për vdekje Bardhyl Ajetin, gazetarin e Bota Sot në makinë, ndërsa po kthehej në shtëpi, Bardhyl Ajeti nuk i mbijetoi plagëve dhe u nda nga kjo jetë më 25 qershor, vrasje e pazbardhur. Ne kishim një bashkëpunim konstant me ish kongresmenin Joe DioGuardi, presidentin e LQSHA dhe eksperten e Ballkanit, gruan e tij Shirley Cloyes DioGuardi, lobi më të fuqishëm në historinë e komunitetit shqiptaro-amerikan në SHBA. Pak pas largimit tonë, Bota Sot nuk u botua më në New York, ka botim online dhe një shitje të limituar vetëm në Kosovë.
Dalip Greca, me t’u vendosur në SHBA, përfshihet si redaktor i edicionit shqip të Illyrisë që asaj kohe kishte pronar z.Ekrem Bardha. Illyria botohej si një gazetë e vogël e komunitetit dhe dilte dy here në javë. Në fund të vitit 2009 fillon si editor i Diellit. Dalip Greca nuk e ka profilin e një autori, por të një botuesi me reflekse të kushtëzuara nga rrethanat. Sigurisht profili i tij nuk përkon asfare me atë të pararendësave të Diellit, emra të shquar të dalluar edhe si mendjendritur, edhe si antikomunistë, edhe si guximtarë, edhe si Perëndimorë, edhe si figura të shquara të letrave shqipe. Dalip Greca nuk hyn tek asnjëri nga këta cilësorë. Diçka tjetër dua të nxjerr në spikamë se, megjithëse në New York dhe SHBA jetojne plot shkrimtarë me emër, të cilët mund ta bënin shumë më mirë punën, u gjet Dalip Greca, të cilit nuk i ndahet identiteti paralel nga kompleksi i kohës kur ishte redaktor i Shkëndisë.
Gjithsesi ne e kemi respektuar , duke mos u futur kurrë në punët e Diellit dhe Vatrës. Asnjëherë nuk i kemi dalë pas shpine, megjithë lojrat e Dalip Grecës dhe personalitetit të tij të përdorshēm. Tani i urojmë pension të mbarë, por edhe të reflektojë.
Marrëdhëniet dhjetëvjeçare me editorin e Diellit
Është e para herë që dal publikisht dhe shkruaj për Dalip Grecën, vetëm kur ky përdori drynin e censorit.
Atëhere vendosa t’i hapim letrat. Sepse toleranca jonë e bëri edhe më të egër intolerancën e Dalip Grecës, edhe si botues, edhe si anëtar i kryesisë të Vatrës, dhe atyre që fshihen pas tij.
I kemi kërkuar Dalip Grecës të krijojme lidhje midis Voal.ch dhe Diellit, nisur nga tiparet e Diellit dhe Vatrës krijuar nga Themeluesit, si organi i Federatës Panshqiptare, me emërues të përbashkët antikomunizmin dhe vlerat e Perëndimit. Se Dielli lind aty ku perëndon. Dalip Greca nuk e ka vënë ujin në zjarr. Botimi online i Diellit është tepër modest dhe lë shumë për të dëshiruar, por gjithësesi më mirë nga hiçi.
Nuk është hera e parë që kemi patur përplasje me Dalip Grecën për shkrimet tona gjatë kësaj dekade. Kemi patur plot herë, por gjithmonë ngërçet janë zgjidhur. Dalip Greca e di vetë si. Ka patur raste kur kritikonim Berishën, kritika që Sali Berisha nuk i mori kurrë parasysh deri kur Lulzim Basha i hapi gropën. Duket se Vatranët shqetësoheshin nga shkrimet tona, sepse e shihnin Berishën si lider të së djathtës. Kemi kontaktuar me kryetarin e Vatrës Dr.Buçajn dhe menjeherë ngërçet me Dalip Grecën janë zgjidhur.
Një acarim dhe tension me editorët e voal.ch, Dalip Greca e pati kur u ndryshua kryetari i Vatrës më 2017 dhe erdhi në krye Dritan Mishto. Dalip Greca u bë agresiv duke dalë në përfundimin se meqë opinionet tona i botonim tek voal.ch, nuk kishte përse t’i botonte Dielli! U detyruam të sensibilizojmë komunitetin, personalitete të tij dhe ngërçi me Dalip Grecën u zgjidh. Voal.ch ka një rubrikë të posaçme të shqiptarëve të Amerikës nga ku marrim prej një dekade rregullisht shkrime nga Dielli. Nuk ka qenë kërkesë e Dalip Grecës aspak.
Më 2020 pati rishtas ndryshime në kreun e Vatrës. U largua Dritan Mishto dhe erdhi Elmi Berisha. Na erdhi mirë sepse e dinim se ka qenë pranë personalitetit të shquar Xhim Xhema, i cili nuk ka kursyer asgjë për çështjen kombëtare duke afruar Bob Doll e plot burrashteti Amerikanë në mbështetje të Rugovës.
Prej kur Elmi Berisha drejton Vatrën me Dalip Grecën, patëm dy herë pëplasje.
Përplasja e parë, në pranverën e 2020 kur ne me shkrimet tona denonconim rrezikun që i kanosej Kosovës dhe rajonit nga treshja Thaçi-Rama-Vuçiç. Në atë kohë i drejtova një letër të hapur Presidentit Trump, ku i kërkoja të largonte këshilltarin e tij John Bolton, i cili më vonë do të pohonte se për ndarje territoresh të Kosovës nuk kishte qenë ai por Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç. Pikērisht në këtë kohë kur do të anullohej vizita e Thaçit në Shtëpinë e Bardhë, sepse pritej që ta thërrasin në Hagë, Vatra organizon dhe e pret Hashim Thaçin në selinë e saj.
Në majin e 2020 kur patëm acarimin e parë me Dalip Grecën gjatë mandatit të Elmi Berishës, një nga Vatranët e respektuar na tha “dikush po përpiqet të krijojë probleme mes jush dhe Vatrës”.
Dhe koha tregoi se Vatrani i respektuar pati të drejtë. Janë urithët e nëntokës.
Mandati i Elmi Berishës u shoqërua edhe me plasjen e sherrit mes Vatranēve, që bëri krijimin e një Vatre tjetër, çka shërbeu si pretekst i pēplasjes së dytë midis editorëve të voal.ch me Dalip Grecën. Dalip Greca pranoi edhe një herë të bëhej mashë e të censuronte botimin e shkrimeve tona me pretekstin e njohur tashmë, se ne paskemi botuar deklaratat e Vatrës tjetër! Me këtë pretekst nuk do të botonte as opinionin tim për Ilir Gjonin, të birin e Xhelit Gjonit, e të nipin e Hysni Kapos i cili prej 8 vitesh, abuzon me pozicionin e zyrtarit të lartë të shtetit dhe, si ambasador i Shqipërisë në Zvicër, bën luftë klasash në kushtet e reja. Kur, nga njëra anë, Shqipëria është anëtare e NATO-s por, nga ana tjetër, kur edhe tri dekada pas rrëzimit të diktaturës, në Shqipëri as nuk ka ndodhur dekomunistizimi, as nuk janë dënuar krimet e komunizmit dhe përgjegjësit e mizorive kundër popullit dhe kur sot në Shqipëri sistemi është i kapur nga një regjim hibrid, kryeministri i të cilit, përmes klientelizmit, nepotizmit, korrupsionit dhe me ish bijte e nomenklaturës e krimin e organizuar, rrezikon jo vetëm sovranitetin e Shqipërisë por edhe përbën rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Edi Rama ka uzurpuar shtetin, ka kapur çdo shtylle të sistemit dhe tani kthetrat i ka drejtuar drejt diasporës të kapi Diasporën.
Censurimi ynë nga Dalip Greca, me urdhër nga menaxhmenti, dalja e tij në pension dhe sjellja nga Tirana në krye të Diellit të një anonimati të katapultuar, që përdoret si telekomandë, janë tregues i kapjes të Diellit dhe Vatrës nga Edi Rama dhe njerëz të Hashim Thaçit.
Editorët e voal.ch kanë kërkuar që menaxhmenti i Diellit të heqë dorë nga shkelja e Amendamentit të parë të Kushtetutës Amerikane, të zhveshë kostumin e censorit e të ndjekë rrugën e krijuar nga Themeluesit e këtyre Institucioneve, që i dallonte dashuria për Nënën, përkushtimi për të krijuar lidhje sa më të forta me Perëndimin, që i dallonte antikomunizmi, patriotizmi dhe identifikimi i tyre me dijen, gjuhën, kulturën, ndërsa menaxhmenti i sotshëm e fut në dryn fjalën e lirë në mes të Big Apple, duke vënë sot në dyshim profilin e Vatrës e krijuar si një organizatë e mbështetur mbi vlerat konservatore.
Lexuesit po i sjell të renë e fundit nga Dielli dhe Vatra, që tashmë është vjetërsuar por që për çudi ende nuk ka parë dritën e botimit tek organi i Federatës Panshqiptare.
Është një lajm i mirë se tashmë sherri mes dy Vatrave, lavdi Zotit, ka marrë fund, se tashmë Vatra e Elmi Berishës dhe Vatra e Ahmet Xhafos, megjithëse kanë shpenzuar mbi 100 mijë $ nëpër gjyqe, më në fund kanë arritur një akord. Mosmarreveshjet e deritashme u konsideruan nga Elmi Berisha si “passionate misunderstanding”. Produkt i të cilit edhe censura ndaj botuesve të Voal.ch.
Gëzohemi që janë bashkuar dhe që kanë gjetur deal mes vedi, por ndërkohë ndaj editorëve të Voal.ch nuk kanë ndryshuar qëndrim.
Menaxhmenti i Diellit vazhdon censurën duke shkelur ligjin dhe Kushtetutën Amerikane.
Etërit e Vatrës dhe Diellit kētë lloj menaxhmenti tribal, kriptokomunist nuk do ta toleronin asnjë sekondë në Altarin e krijuar prej tyre, me aq shumë sakrifica, ndërtuar pikërisht në mes të Amerikës, atje ku e ka shtëpinë liria.
(Pjesa e Katërt – Dielli dhe Vatra të kapur nga Edi Rama)
Komentet