AFRIM IMAJ /Dje pasdite ndërroi jetë në një spital privat në Tiranë, në moshën 92-vjeçare, Liri Belishova, ish-anëtare e Byrosë Politike dhe Sekretare e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste
Belishova ishte e vetmja ndër liderët e regjimit komunist, që kërkoi ndjesë për krimet e diktaturës së instaluar në Shqipëri pas luftës, falë edhe kontributit të saj, si pjesë e lidershipit politik që e udhëhoqën vendin për vite me radhë.
Ajo i përqafoi idealet komuniste në moshën 14-vjeçare, kur u bë pjesë e lëvizjes antifashiste dhe bëri një karrierë të suksesshme politike deri në vitin 1960, kur u përjashtua nga Partia dhe funksionet e rëndësishme që mbante në krye të saj.
Jeta e Belishovës përshkohet nga një mori dramash, që nisin me vdekjen misterioze të të fejuarit Nako Spiro, në vitin 1946, i kryqëzuar nga Enver Hoxha si bashkëpunëtor i jugosllavëve, vijon me dënimin e bashkëshortit Maqo Çomo, ish-ministër i Bujqësisë dhe kulmon me kalvarin e persekutimit në kampet e internimit, ku humbi edhe vajzën, Drita Çomo, në moshën 20-vjeçare.
Liri Belishova u dënua nga forumet e larta të Partisë Komuniste për shkelje të vijës politike të partisë ndaj Hrushovit dhe qëndrimit të tij kundër krimeve dhe kultit të individit të Stalinit. Nga ky moment dhe deri në vitin 1991, ka përjetuar përndjekjen dhe represionin e egër si e dënuar politike.
Vitet në vijim i kaloi në shoqërinë e bashkëvuajtësve dhe miqve në Tiranë, larg zhurmës dhe protagonizmit politik e mediatik. Interesimit të gazetës “Panorama”, para disa muajsh, pranoi t’i përgjigjej vetëm për të sjellë një tablo njerëzore nga jeta e saj.
NGA BANKAT E INSTITUTIT “NËNA MBRETËRESHË”, NË BETEJAT PARTIZANE
“Kam qenë pa mbushur 14 vjeçe, kur shkova në mal partizane”, kujtonte jo pa krenari Belishova. Ajo tregonte se ishte gjendur në radhët e luftëtarëve bashkë me një grup shoqesh të institutit “Nëna Mbretëreshë”. Në betejat e luftës nisi dhe karrierën politike, fillimisht në radhët e drejtuesve të rinisë komuniste, ku, bashkë me Nako Spiron, u bënë dy drejtuesit kryesorë të Bashkimit të Rinisë Antifashiste shqiptare.
Në këtë rrugëtim, siç kujtonte Belishova, ishte kristalizuar dhe lidhja me Nakon, që nuk do zgjaste shumë. Sidoqoftë, puna me rininë dhe veprimtaria në krye të saj, do të shënjonin karrierën e mëvonshme si pjesë e lidershipit të Partisë Komuniste. “Nga lufta fitova shumë”, shprehej Liria kur fliste për aftësitë në fushën organizative e drejtuese, “Por aty humba edhe njërin sy”.
PËRPLASJA ME ENVERIN NË VITIN ’60 DHE DRAMA E BELISHOVËS
E vlerësuar për kontributin e spikatur në radhët e luftës dhe në krye të rinisë antifashiste, Belishova u zgjodh në organet më të larta të partisë, që në vitet e para të çlirimit të vendit. Bëri disa kualifikime brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe për shumë vite me radhë ishte një nga zërat më të rëndësishëm forumeve partiake.
Në vitin 1960 shkoi në Kinë si pjesë e një delegacioni parlamentar të Republikës së Shqipërisë. Gjatë vizitës, aty u përball me divergjencat që kishin lindur mes PK të BS dhe PK kineze për një mori çështjesh ideologjike, të cilat kishin filluar të dominonin lëvizjen ndërkombëtare komuniste. Të tilla divergjenca shpaloseshin ndërkohë në një takim tjetër, siç ishte Konferenca Ndërkombëtarë e Partive Komuniste të vendeve të Traktatit të Varshavës, që zhvillohej në Bukuresht, ku delegacioni shqiptar kryesohej nga Hysni Kapo. “Ndërsa Hysni Kapua”, kujtonte Liria, “kishte kontakte të vazhdueshme me udhëheqjen e PPSH dhe Enverin, ne, për shkak të largësisë, nuk komunikonim rregullisht”.
“Kjo kishte sjellë dhe pështjellimet e para në Tiranë”, shpjegonte ajo. Zërat e parë kishin nisur të qarkullonin: Liri Belishova nuk po mbante qëndrimin e duhur revolucionar të PPSH. Ngjarjet perceptuan shpejt dhe Belishova u gjend ballë për ballë me Enver Hoxhën. Liri Belishova u vu në sy të ciklonit dhe u godit befasisht për oportunizëm, mungesë vigjilence dhe karrierizëm të shfrenuar, që shkonte deri në ambicien për ti zënë vendin Hoxhës, kjo edhe falë bekimit dhe simpatisë së Hrushovit dhe udhëheqësve sovjetikë.
PANORAMA
Komentet