1 . HEKURAT
U vunë hekura dyqaneve
Të Bukës !
Pas bastisjeve me sulm kolektiv
Edhe ditën për diell,
Asqë përfytyrohen dot
Pa hekura mbi vitrina e dyer
Dhe, pa makinat e zymta ushtarake
Në trotuar,
Tek sjellin furnizime …
.
Por hekura u vunë sigurisht
Edhe dyqaneve t’ushqimeve
Madje, edhe atyre të perimeve …
.
Hekura
Hekura
Si të burgjeve të boshatisur
Njëherë për njëherë,
Prej të cilëve dolën të hutuar
Edhe të dënuarit
E ndërgjegjes
Edhe kriminelët…
.
Hekura Hekura
Si edhe të zyrave – kafazë
Të shefave të kuadrit,
Dhe, patjetër
Edhe si të sekretarëve të Partisë
N’institucionet shtetërorë
Dhe ndërmarjet prodhuese…
.
Hekura Hekura
( Le të vazhdojmë …)
Edhe si të Kopshtit Zoologjik
Ku, kafshët e ngrata
Po ngordhin urie…
.
Hekura
Hekura
Lemerisht shumë !
Të fyen kudondodhja e tyre
Edhe, kur gjithë dinjitet
Përshkon udhën tënde !
.
Por shih !
Librarive vitrinat
Askush s’ua ka thyer,
Ndonëse hekura
S’u kanë vënë përsipër …
.
A thua kurrkujt
S’i bie më ndër mend për librat ?
Ah,sikur një mëngjes ,
Papritur të mësoja
Për vjedhjen e një librarie …
1991
.
2. INTELEKTUALET MARRIN NDIHMA
.
Të lumtur janë n’intimitet këta intelektualë sot,
Ndonëse të mjerë duken dhe fajtorë.
Shkojnë me radhë te një makinë për një pako
ushqimesh
Dhe milingonat me kokrrat e grurit të kujtojnë…
.
Prenë një bisedë për identitetin kulturor europian
Letërsinë e re , intinerarët kozmikë
(Katër kilogramë sheqer, miell katër kilogramë,
Mish vaj piper vrer, integrim europian, fyerje,
gëzim )
Ah, sa dhunshëm të poshtëron varfëria !
Pas kësaj pakoje , si mund të flasësh për dinjitet
njerëzor ?
.
I shoh intelektualët dhe, keq më vjen që i shoh,
Madje , më vjen zor,
Hej, por mos u merzisni, sepse s’keni përse.
Kalojeni në mënyrë sportive , shaka bëni,
Çdo vend në botë , tekefundit , e ka njohur
mjerimin,
Më tronditshëm , madje , vendet e mëdhenj…
.
Pas shterpësisë komuniste, këtu do të mbërrinim,
Patjetër !
Por e keqja e madhe , të paktën mbaroftë
Tërë të këqijat
Bëni pra shaka ju gazetarë , historinë , aktorë.
Gjithë ç’jeni…
Falënderojini dhuruesit zemërgjerë, që e njohin
Edhe tejngpopjen.
Edhe urinë…
1991
.
3. AFISHET
.
Tek afishet e vdekjeve
Në rrugën ë tij të përditshme
Pa vetëdije një mëngjes afrohet,
Një mëngjes që afishe kishte shumë…
Emrin e tij kërkoi midis emrash
Fytyrën e tij mes fotografish,
Por nuk i gjeti
Dhe iku…
1991
Komentet