Kushtet ekonomike dhe standardet më të mira të jetesës të cilat i ofrojnë shtetet e Evropës Perëndimore, shkakton që popullsia e kualifikuar në vendet e Ballkanit të migrojë në këto vende, ndërsa ekziston shqetësimi se këto emigrime masive në një të ardhme të afërt do të shkaktojë problem serioz të fuqisë punëtore, shkruan Anadolu Agency (AA).
Përveç Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbisë që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE), edhe Rumunisë dhe Bullgarisë të cilët u anëtarësuan në BE në vitin 2007 dhe Kroacia në vitin 2013, u largohet fuqia e kualifikuar punëtore drejt vendeve të Evropës Perëndimore, të cilat i shohin si më “aktraktive”.
Ligji i ri për emigrim të cilin Gjermania planifikon ta miratojë, tregohet si një ndër elementet kryesore që shkakton migrimin në vendet me ekonomi më pak të zhvilluar të Ballkanit, ndërsa edhe norma e ulët e natalitetit në raport me mortalitetin është ndër faktorët e rëndësishëm të zvogëlimit të popullsisë.
– Nga Shqipëria prej vitit 1990 emigruan 1,6 milionë persona
Sipas vlerësimeve të tërthorta të institucioneve shqiptare, në vitin 2018, numri i diasporës së re llogaritet të jetë rreth 1,6 milionë shtetas jashtë vendit ose rreth 36 për qind të shtetasve shqiptarë gjithsej të emigruar, kryesisht pas vitit 1990 dhe në vitet e fundit.
Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT), shqiptarët e larguar jashtë vendit gjatë periudhës 2011-2017 arritën gjithsej në 317 mijë persona, të larguar kryesisht drejt vendeve evropiane, por edhe në vende të tjera, ndërsa vetëm në vitin 2017 kanë emigruar 40 mijë shtetas shqiptarë.
– Emigrimi në Kosovë është zvogëluar në vitet e fundit
Sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), Organizata Ndërkombëtare e Migrimit (IOM) dhe të dhënat nga disa komuna, numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2017 është vlerësuar të jetë gjithsej 11.263 banorë, përfshirë emigrantët legalë dhe ata ilegalë.
Emigrimi legal ishte për shkak të bashkimit familjar, martesave, gjetja e një vendi pune, shpërngulje të përhershme, studime afatgjate me punësim dhe shkaqe të tjera.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, në një deklaratë të tetorit të vitit të kaluar, kishte theksuar se kanë arritur të zvogëlojnë numrin e azilkërkuesve kosovarë me mbi 95 për qind. “Ne kemi bërë punë të mirë në stopimin e fluksit potencial. Në vitin 2015 kemi rënie prej 67.000, ndërsa në vitin 2018 rënie prej 2.800. Por ne duhet të punojmë më shumë, pra, qytetarët tanë duhet ta dinë se e ardhmja e tyre është në Kosovë, me Kosovën në Bashkimin Evropian”, ishte shprehur ai.
– Në Maqedoni emigrim intensiv
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave të Maqedonisë, në periudhën prej vitit 1994 deri më 2013, nga vendi kanë migruar 11.380 persona.
Ndërsa shumë institucione ndërkombëtare, përfshirë edhe Bankën Botërore, theksojnë se ky numër është mes 450.000 dhe 630.000. Një ndër shkaqet më të rëndësishme për dallimin e madh mes shifrave janë migrimet ilegale dhe moskryerja e regjistrimit të popullsisë nga vitit 2002.
Ministri i Diasporës i Maqedonisë, Edmon Ademi, në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) tregoi se sipas të dhënave të Bankës Botërore, në periudhën në fjalë nga Maqedonia kanë emigruar 500.000 deri në 600.000 persona. “Kuptohet, jo të gjithë përgjithmonë. Shumica e tyre janë përkohësisht, kur mbarojnë me punën atje, në faza kthehen në Maqedoni”, u shpreh Ademi.
Duke theksuar se mosçregjistrimi është një ndër shkaqet që shteti nuk është në dijeni për emigrimet, ai tha se Banka Botërore këto të dhëna i merr nga shtet e BE-së ku qytetarët emigrojnë.
Ademi mes tjerash potencoi se ndër vendet ku emigrojnë qytetarët e Maqedonisë janë shtetet evropiane si Gjermania, Italia dhe Zvicra, ndërsa ka edhe të tillë që migrojnë në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Ai tha se qytetarët këtu punojnë duke filluar nga sektori i ndërtimtarisë e deri në arsim dhe shumë fusha të tjera.
Gjithë rajoni i Ballkanit ballafaqohet me problemin e mjekëve dhe stafit medicinal që lëviz, tha Ademi për AA, duke shtuar:
“Besoj se me krijimin e kushteve më të mira të punës, me anëtarësimin në BE dhe NATO, mundësinë e investimeve të mëdha, hapjen e vendeve me kualitet më të lartë pune në Maqedoni, do të krijojmë kushte dhe mundësi që ky numër të zvogëlohet”.
– Nga Bosnjë dhe Hercegovina në 5 vitet e fundit emigruan 172.000 persona
Bosnjë dhe Hercegovina është ndër vendet e Ballkanit që ka pësuar nga ky fenomen. Në pesë vitet e fundit 172.000 persona kanë emigruar në shtetet e Evropës Perëndimore, në krye me Gjermaninë.
Sipas raportit të Unionit të Riatdhesimit dhe Integrimit të Qëndrueshëm në këtë vend për vitet 2013-2018, në këtë periudhë nga vendi kanë migruar 172.000 persona.
Të dhënat e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) tregojnë se në periudhën mes viteve 2005-2014 në Serbi çdo vit kanë migruar mesatarisht 31.000 persona. Numri ka shënuar rritje duke filluar nga viti 2014, ndërsa nuk ka informacione se sa prej tyre janë kthyer.
Një tjetër hulumtim i OECD-së tregon se që nga viti 2000, nga Serbia një në çdo 11 persona migron jashtë vendit, ndërsa ky numër është afërsisht 650.000. Qytetarët e këtij vendi kryesisht zgjedhin Gjermaninë dhe Austrinë.
Ndërkohë, shteti më i vogël i rajonit në aspektin e popullsisë, Mali i Zi, është një vend tjetër që ndikohet negativisht nga migrimi i fuqisë punëtore. Sipas organizatës joqeveritare “Euromost”, në Malin e Zi në tri vitet e fundit rreth 7.000 persona, shumica e të cilëve të diplomuar nga universitete, kanë migruar drejt vendeve të BE-së.
– Edhe vendet e BE-së të prekura nga fenomeni
Shteti anëtar i BE-së në rajon, Kroacia, është ndër shtetet qytetarët e të cilave vazhdimisht emigrojnë. Që nga viti 2013, kur Kroacia u pranua si anëtare e BE-së, nga vendi janë larguar rreth 300.000 persona.
Gjithashtu edhe popullsia e Bullgarisë, anëtare e BE-së, nga viti 2007 është duke u zvogëluar. Pas rrëzimit të regjimit komunist në Bullgari në vitin 1989 e deri më tani, 2,5 milionë shtetas bullgarë kanë emigruar në Turqi, vendet e BE-së dhe SHBA. Turqit e Bullgarisë deri në vitin 2007 synonin të emigrojnë në Turqi, ndërsa pas anëtarësimit në BE, edhe ata të migruar në Turqi janë drejtuar kah vendet e BE-së.
Në Bullgari, që definohet si vendi më i varfër i BE-së, shumë të rinj me arsye shkollimi shkojnë në vendet e tjera evropiane dhe nuk kthehen më.
Për shkak të së drejtës për lëvizje të lirë, numri i të migruarve nuk dihet, por mendohet se ky numër është mbi 1,5 milion persona.
Në Hungari, po ashtu, popullsia zvogëlohet për shkak të normës së ulët të natalitetit, si dhe për shkak të migrimeve. Popullsia në këtë vend në vitin 2013 u zvogëlua për 38.000, më 2014 për 34.000, më 2015 për 40.000, më 2016 për 33.000 dhe në vitin 2017 për 40.000.
Parashikohet se sot në shtetet e Evropës Perëndimore gjenden mbi 600.000 hungarez, numër ky i cili nuk mund të vërtetohet saktësisht për shkak të së drejtës për lëvizje të lirë.
– OKB raport për migrimin
Sipas raportit të Kombeve të Bashkuara (OKB) të përgatitur vitin e kaluar, për shkak të migrimeve të lidhura me problemet ekonomike, në popullsinë e vendeve të rajonit deri në vitin 2050 pritet një rënie shumë e madhe.
Në raportin në të cilin janë dhënë informacione për popullsinë e vitit 2017 dhe pritjet për vitin 2050, popullsia e Shqipërisë pritet të zvogëlohet për 9,1 për qind, e Maqedonisë 7,3 për qind, e Bosnjë dhe Hercegovinës 12,8 për qind, e Malit të Zi 6,5 për qind, e Serbisë 15,3 për qind, e Bullgarisë 23,4 për qind, e Kroacisë 17,4 për qind, e Hungarisë 14,8 për qind dhe e Rumunisë për 16,7 për qind.
Gazetarë: Kayhan Gül/Dzihat Aliju/Fatjon Cuka/Zülfiya Yakup/İhvan Radoykov/Mehmet Yılmaz
Komentet