Në kuadër të ruajtjes së kujtesës dhe njohjes për publikun e ri” të veprës së kompozitorëve të mëdhenj të pentagramit shqiptar, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit na prezantoi një koncert memorial me vepra të kompozuara nga Dhora Leka, Simon Gjoni dhe Nikolla Zoraqi duke vazhduar ciklin e bukur të repertorit shqiptar që është shfaqur së fundmi. Një nevojë imperative për përfundimin e edukimit lirik të vendit, që fatkeqësisht muzikantë të ndryshëm me emër e përçmojnë dhe e përjashtojnë nga repertoret e tyre.
Të udhëhequr nga muzika e veçantë orkestra dhe kori TKOB-it (të cilët duhen përgëzuar për kryerjen me sukses të disa misioneve të vështira kohën e fundit) ndriçuan sa më shumë anë të spektrit të gjerë muzikor të tre kompozitorëve shqiptarë duke evidentuar krijimin të tyre me traditën muzikore dhe poezinë shqiptare.
Orkestra nën drejtimin e Edmond Dokos dhe kori nën drejtimin e Dritan Lumshit, ndanë frytet e një rruge të vështirë dhe interesante të ndjekur nga muzika lirike shqiptare dhe na ofruan një “shëtitje” përgjatë shtigjeve që kanë ecur kompozitorët shqiptarë.
Shfaqja u hap me një vepër korale nga opera e Dhora Lekës “Një jetë në stuhi” vazhdoi me “E lirë u ngrit toka jonë” të Nikolla Zoraqit me poezi të Fatos Arapit dhe me vallen nr. 7 të Simon Gjonit (e cila në mos gabohem ishte dhe premierë).
Katër solistë nga institucioni më i madh muzikor i vendit interpretuan arie, romanca dhe këngë të lehta që mbulojnë mbi dyzet e pesë vjet të veprimtarisë muzikore të kompozitorëve pjellorë shqiptarë, duke shpalosur cilësitë e tyre vokale mbi krijimtarinë të tyre të vyer.
Kështu pame Sopranon Dorina Selimaj të interpretojë arien e Lumtos nga opera e Dhora Lekës “Një jetë në stuhi” të veshur madje me kostumin origjinal nga premiera e operës në vitin 2006, të cilin e kishte realizuar gjithashtu ajo.
Bassi Bledar Domi riktheu këngën e njohur nga festivali i 5-të i këngës në RTSH “Nënave Shqiptare” me muzikë nga Nikolla Zoraqi dhe tekst të Luan Qafëzezit, të interpretuar dikur nga bassi Mentor Xhemali dhe Vaçe Zela. Bassi i TKOB për mendimin tim, riktheu një dimension të jashtëzakonshëm muzikor në këngën e lehtë shqiptare, i cili tenton të harrohet në ditët e sotme. Theu një tabu që ka zotëruar vitet e fundit televizionet shqiptare, atë traditën që do këngët e lehta shqiptare të atyre viteve ti risjellin e ti stërsjellin në variante mediokre nga këngëtarë me aftësive vokale të dyshimta. Nisur nga duartrokitjet në sallë dhe entuziazmi, bassi fitoi bastin.
Erotike dhe plot sensibilitete ishin dy materialet e interpretuara nga sopranoja Renisa Lacka. Një fakt që më duhet të theksoj në këtë pikë pasi shumë herë muzika shqiptare e asaj kohe është akuzuar për rekrutime socialiste dhe mungesë erotizmi. Pikërisht romanca “Mall Dashurie” nga Nikolla Zoraqi dhe Aleksandër Banushi si dhe arioza e Filomenës nga Opera Komike “Paja” me motive arbëreshe (libreti Sulejman Mato) e interpretuar në vitin 1989 nga Inva Mula, demonstruan në praktikë nën aftësitë vokale së Renisës, që muzika lirike shqiptare fliste dhe gjuhën e dashurisë.
Erotik ka qenë edhe interpretimi i sopranos Eva Golemi tek romanca “Vajza dhe Liqeni” e Simon Gjonit (dikur e interpretuar nga Shqipe Zani) e cila zbuloi një anë tjetër të kompozitorit shkodran, duke u ndalur në dimensionin lirik dhe introspektiv të krijuesit të famshëm të “lule borës”.
Në surprizat e mbrëmjes ishin “vallja e të rinjve” nga suita e baletit “Cuca e Meleve” me muzikë të Nikolla Zoraqit dhe libret nga Agron Aliaj dhe Loni Papa, një nga kryeveprat e muzikës shqiptare që u shfaq në Janar 1970.
Ndërsa Qershia mbi tortë ishte padiskutim Kori i Zërave të bardhë me fëmijë prej moshave më të vogla i përgatitur nga Sonila Baboçi, që në fund u “përhapën” në skenën e madhe si “petalet e lule borës” duke interpretuar këngën legjendare të Nikolla Zoraqit dhe Fatos Arapit “Dhuratë për ditëlindje”. Një këngë që David Tukiçi dhe Rozeta Doraci vulosën në majën e festivalit të 8-të të këngës në RTSh dhe që atëhere e këndojnë breza e breza shqiptarësh.
Rëndësia e prezantimit të këtyre veprave nga brezi i ri i muzikantëve shqiptarë konsiston në ofrimin e një vështrimi të ri e të freskët në këto faqe historike të muzikës vendase, duke e lidhur veprën e kompozitorëve shqiptarë me të ardhmen dhe duke nënvizuar vazhdimësinë e krijimit muzikor shqiptar.
Ata që nisën këtë iniciativë duhet dhe meritojnë të përgëzohen. Për mendimin tim do ishte mirë që këto lloj koncertesh memorjale të bëheshin më shpesh dhe të kapnin të gjithë Autorët shqiptarë si Zadeja, Mula, Jakova, Daija, Gaci, Harapi, Kono, Dhomi, por ama duke mbajtur një proporcion në përzgjedhjen përfundimtare të repertorit të krijuesve.