“Në PSG e dinë se nuk do të mund të llogarisin në Neymar-in kundër Realit. Rikuperimi i tij do të zgjasë prej gjashtë deri në tetë javë”, tha Neymar senior
PARIS – Futbollisti i Paris Saint-Germain-it (PSG) Neymar do të pauzojë gjashtë deri në tetë javë, zbuloi babi i tij për mediat braziliane, krahas faktit se dje nga PSG theksuan se ekzistojnë gjasa që sulmuesi i shkëlqyeshëm të luajë më 6 mars kundër Real Madridit në ndeshjen e kthimit në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve.
Neymar të dielën në ndeshjen e kampionatit francez kundër Olympique Marseille u lëndua dhe doemos duhej të braktiste terrenin. Të martën nga PSG konfirmuan se braziliani përdredhi nyjen e këmbës dhe se i ka plasaritur kocka metatarsale në këmbë, por se ka mundësi që të jetë në ekip kundër Realit.
“Në PSG e dinë se nuk do të mund të llogarisin në Neymar-in kundër Realit. Rikuperimi i tij do të zgjasë prej gjashtë deri në tetë javë pa marrë parasysh nëse dëshiron të operohet ose jo”, tha Neymar senior.
Ndeshja e kthimit PSG-Real Madrid do të luhet më 6 mars në “Parkun e Princave”. “Mbretërit” në Paris do të mbrojnë avantazhin prej 3:1 që e arritën në ndeshjen e parë në “Santiago Bernabeu”.
Komentet