Futbollisti brazilian Neymar, i cili u transferua nga ekipi spanjoll Barcelona te ekipi francez Paris Saint-Germain (PSG) për 222 milionë euro, ka thënë se ka përjetuar çdo gjë që mund të ëndërrojë një sportist, porse vendimin për transferim e ka marrë pasi ka ndier nevojën për aventura të reja.
“Barcelona ishte më shumë se një aventurë. Ishte ëndrra e një fëmije që luante me këto yje në video lojëra. Erdha në Katalunjë në moshën 21 vjeçare dhe përjetova shumë aventura. I mbaj mend ditët e para në klub me emrat që i kisha idol, Messin, Valdesin, Xavin, Iniestan, Puyolin, Piquen dhe Busquetsin”, ka thënë Neymar, i cili ka marrë epitetin futbollisti më i shtrenjtë, në një deklaratë në rrjetin social Instagram lidhur ndarjen e tij nga Barcelona.
Ndërkaq, lidhur me yllin argjentinas Lionel Messi, Neymar ka thënë se ai është sportisti më i shkëlqyer që ka parë dhe se ndihet krenar që ka luajtur së bashku me të.
“Jam i sigurt se nuk do të shoh më të mirë se ai. Ishte nder të luaj me Messin, të cilin e kam mik edhe jashtë fushe”, ka shtuar ylli brazilian Neymar.
Neymar ka theksuar se ka përjetuar çdo gjë që mund të ëndërrojë një sportist.
“Kalova kohë të paharrueshme te Barcelona. Megjithatë, tani kam nevojë për aventura të reja. Pranova ofertën e PSG-së për të arritur fitore të reja”, ka vënë në dukje Neymar.
“E ndieja në zemër se ka ardhur koha për t’u larguar. PSG do të jetë shtëpia ime në vitet e ardhshme. Do të përpiqem ta arsyetoj besimin që kanë shprehur ndaj meje. Mora vendimin me maturinë 25-vjeçare. Të falënderoj për çdo gjë Barcelona. Paris, tani unë jam këtu. Zoti na ruajtë”, është shprehur Neymar.
Ndryshe, Neymar arriti në Barcelonë në vitin 2013 dhe prej atëherë luajti 186 ndeshje zyrtare duke shënuar 105 gola. Në fanellën e kombëtares së Brazilit luajti në 77 ndeshje dhe shënoi 52 gola.aa
Komentet