GJIROKASTËR – Sot është 80-vjetori i lindjes së shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare. Me këtë rast drejtuesit më të lartë të Shtetit, politikane e zyrtare kanë uruar shkrimtarin e madh në këtë përvjetor. Mes urimeve spikat dhe ai i Ambasades amerikane ne Shqiperi.
Ismail Kadare, shkrimtar i madh i letrave shqipe dhe jo vetëm, i perkthyer ne 45 gjuhe te botes, kandidat i çmimit Nobel në letërsi, lindi më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër. Nga “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që e bëri të njohur në gjithë botën, ne “Daullet e shiut”, veprat e tij më të zhytura në natën e legjendës ballkanike jane , “Kush e solli Doruntinën” apo “Ura me tri harqe” apo ato me frymëzime të së tashmes si “Tri këngë zie për Kosovën”.
SHTEPIA E KADARE
Shtëpia e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, monument kulture e kategorisë së parë, që u dogj gati 16 vite më parë, ka përfunduar restaurimin e saj të plotë. Dyert e saj do të hapen për vizitorët dhe objekti do të vihet në shfrytëzim me rastin e 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit në kuadër të një kalendari aktivitetesh organizuar nga bashkia Gjirokastër dhe ministria e kulturës, aktivitete që do ta ngrenë tiparin në 28 janar. Kamera e News24 ka mundur të hyjë në këtë banesë për të sjellë ekskluzivisht për herë të parë pamjet e mjediseve të brendshme të saj.
Është i pashmangshëm emocioni kur hyn në këtë banesë, transformimi i së cilës është magjepsës. Në mjediset e brendshme të shtëpisë janë ruajtur elementet e vjetër që i shpëtuan djegies aksidentale, ndërsa është punuar për të ruajtur traditën e ndërtimit gjirokastrit, pa harruar përdorimin e dy elementeve kryesore të këtyre banesave karakteristike, drurin dhe gurin. Në shtëpinë që tashmë ka përfunduar restaurimin arkitektonik dhe po punohet për arredimin e saj, ka të përfshirë në këtë proces edhe restaurimin e galerisë së gurtë më arkadë në pjesën jugore, e përmendur edhe në faqet e romanit “Kronikë në gur” në përshkrimin që Kadareja i bën shtëpisë së tij të lindjes. Krahas kësaj, punimet kanë sjellë në identitet disa prej detajeve karakteristike të këtij objekti si kamaret e harkuara apo qemerët.
Zbatuesi i këtij objekti, arkitekt Agron Doraci, na shoqëron në odën e madhe, ku siç na përshkruan ai gjenden të gërshetuara elementet më të mira të traditës gjirokastrite të ndërtimit të shtëpive.
Ato që quhen “musandara”, një lloj dollapi i ditëve të sotme, janë në të vetvete një vepër e vërtetë arti. Të punuara në dru, me motive të gdhendjesh plot fantazi, i japin shtëpive gjirokastrite madhështinë e papërsëritshme, ndërsa fshehin Brenda vetes fakte interesante mbi vetë përdorimin e tyre. Sipas arkitekt Doracit, këto lloj musandrash përdoreshin edhe si objekte ndëshkimi për vajzat që dashuroheshin fshehurazi.
Druri dhe guri janë kryefjala e elementeve përbërës të banesës. Motivet më të bukura tradicionale të punimeve në dru janë përdorur në tavanët, dyshemetë dhe veshjet e brendshme të kësaj banese që mbart tiparet më të mira të shtëpive karakteristike gjirokastrite. Xhami është një tjetër element i veçantë i papërdorur në variantin origjinal të banesës. Gjatë kryerjes së punimeve i është kushtuar rëndësi faktit që ato t’i shërbejnë jo vetëm kthimit në një objekt të vizitueshëm nga turistët, por edhe konceptimit si një shtëpi muze. Anastas Petridhi dhe Muhedin Makri janë mjeshtërit më të njohur në Gjirokastër të punimeve në dru dhe në gur. Mjeshtri i drurit Anastas Petridhi ka lënë firmën e vet në një pjesë të mirë të objekteve në dru të vendosura në shtëpinë Kadare, që nga tavanet e drunjta deri të rozetat mahnitëse.Portreti i shkrimtarit Isamil Kadare gdhendur në gur është punimi më I fundit I gurgdhendësit Muhedin Makri, për të cilin thotë se ka interes jo vetëm nga turistët vendas, por edhe nga ata të huaj.
Punimet për restaurimin e banesës së shkrimtarit Ismail Kadare kanë zbuluar elementë e dëshmi historike në lidhje me periudhën e ndërtimit të saj. I rëndësishëm është zbulimi I një pllake guri në të cilën është gdhendur viti I ndërtimit të banesës si dhe emrat e mjeshtrit gurgdhendës që punuan në të. Pllaka I takon viteve 1700 e shkruar me germa greke, por emrat mendohet në jenë në gjuhën shqipe. Mendohet se këto janë emrat e tre mjeshtërve që kanë udhëhequr punimet në banesë. Objektet e gjetura do të ekspozohen në banesë në përfundim të saj. Pjesë e rëndësishme e këtyre punimeve është edhe bërja e vizitueshme e disa prej mjediseve të banesës si stera e ujit apo dhomat e gurta në katin e nëndheshëm të shtëpisë.
Në katin e parë të banesës ndodhet hyrja, që në fazën origjinale të saj shërbente për vendosjen e kafshëve, krahas qilarit të madh ku vendoseshin zahiretë e dimrit. Sipas specialistëve është menduar që vizita të fillohet nga kati i nëndheshëm ku ndodhet qilari i rezervave dimërore ushqimore duke kaluar në pjesën e sipërme të objektit, që sipas shkrimeve të vetë shkrimtarit në romanin “Kronikë në gur”, do të ketë një linjë shumëfunksionale të pandërprerë me njerëzit që do ta vizitojnë atë. Në përfundim të turit të tyre në banesë, vizitorët do të zbresin në qilarin e madh ku do të jetë një “ klasë” në të cilën do të ekspozohet jeta e shkrimtarit.
Shtëpia Kadare ka filluar tashmë të marrë formën e vet muzeale. Piktura të shumta të portreteve të shkrimtarit janë ekspozuar në muret e të gjithë banesës. Autori i tyre, piktori i njohur gjirokastrit Bashkim Ahmeti, pohon se këto piktura janë produkt i një pune dhjetëvjeçare dhe një gërshetim i personazheve të librave të Kadaresë me përfytyrimin e autorit si personazh i vetë librave të tij.
Shtëpia e shkrimtarit të madh Kadare, dhuratë për shtetin shqiptar, tashmë pret të hapë dyert për të gjithë vizitorët vendas e të huaj. Edhe pse ende herët për të folur për muzealizimin e saj, ajo ka filluar të tërheqë vëmendjen dhe interesin e vizitorëve që do të mund të prekin nga afër çdo detaj të saj, prej datës 28 janar, kur shkrimtari i madh shënon përvjetorin e vet të 80-të ditë e cila do të kujtohet me një kalendar të zgjeruar aktivitetesh treditore zhvilluar në Gjirokastër dhe Tiranë, dhe kur shtëpia Kadare do të hapë dyert për të gjithë vizitorët e saj të afërt apo të largët.
Nga Brikena Xhani Metaj
80-VJETORI I KADARESË
Sot është 80-vjetori i lindjes së shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare. Shkrimtari ynë i mirënjohur Ismail Kadare, lindi më 28 janar 1936 në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm, ndërsa në 1958-ën mbaroi Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës. Më pas studioi në Moskë, për dy vite, në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki”.
Ismail Kadare është një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi. Ai shquhet për novela, romane, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe sprova. Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja), ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, për historinë dhe kulturën e saj shekullore.
Kadare është fitues i disa çmimeve botërore. Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; në 2005 fitoi Man booker International Prize, në vitin 2009 mori çmimin Prince of Asturias për Artet dhe në 2010 merr çmimin ‘Lerici Pea’ në Itali. Pak ditë më parë ai mori titullin ‘Komandant i Legjionit të Nderit’ në Francë, akorduar nga presidenti francez.
Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin e lartë ‘Nderi i Kombit”. Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”. Ideja e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1975). Në romanin Kronikë në gur (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike. Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela Emblema e dikurshme (1977), Ura me tri harqe (1978) dhe Gjakftohtësia (1980).
Ndërsa situata politike gjatë periudhës së prishjes së marrëdhënieve me bashkimin sovjetik u trajtuan në romanin e famshëm Dimri i Vetmisë së madhe. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani Pallati i ëndrrave (1981). Ismail Kadare e ka ndarë jetën e tij mes Francës dhe Shqipërisë, pasi në vjeshtën e viti 1990 vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”. Autoritetet e diktaturës komuniste e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua.
URIMET
EDI RAMA
Kryeministri Edi Rama ka shkruar “Edhe 100” në një postim në rrjetin social “Facebook”, ku k postuar edhe një foto të shkrimtarit Kadare.
BASHA: DITË E SHËNUAR PËR GJITHË SHQIPTARËT
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shprehur urimet e tij për ditëlindjen e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare. Në profilin e tij në facebook, Basha shkruan se kjo është një ditë e shënuar për të gjithë shqiptarët.
“Me rastin e 80-vjetorit i uroj ditëlindjen shkrimtarit tonë të madh kombëtar z. Ismail Kadare. Një ditë e shënuar jo vetëm për të dhe familjen Kadare, por për të gjithë shqiptarët kudo që janë”, shkruan Basha.
ERION VELIAJ
Kryetari i Bashkise se Tiranes uron:Gëzuar Ditëlindjen, Gjeneral i Ushtrisë së Letrave të bukura shqipe!”
AMBASADA AMERIKANE URON KADARENË
“Gëzuar ditëlindjen Ismail Kadare, një prej autorëve më të mëdhenj të kohërave tona dhe thesarit kulturor të Shqipërisë”.
ELISA SPIROPALI
Poet, prozator, publicist, polemist, sagist, eseist, epik, lirik, dramatik, tragjik, kushtuar talentin dhe jetën sa individit dhe njerëzimit, vepër me shtrirje kohore deri në antikitet dhe shtrirje gjeografike ndërplanetare, përkthyer në dhjetra gjuhë, pëlqyer nga miliona lexues, mposhtës i sfidave nga më të vështirat, përballues i rrethanave nga më dramatiket, volum pune kolosale, perfeksionist i pashërueshëm i formës dhe përmbajtjes, gdhendur jo çdo paragraf e çdo fjali, por deri çdo gërmë e çdo tingull, ekzaltues i vlerave njerëzore, kombëtare, intelektuale në periudhën nga më tragjiket e historisë sonë, në terrin e diktaturës, i binduri i patundur që e provoi dhe provon me punë titanike dhe talent gjenial se rruga për te Liria, e vetmja rrugë për progres dhe prosperiret, kalon nga arsyeja, bukuria, pasioni, ishte dhe është 1 dhe vetëm 1, i yni Ismail Kadare.
KRYETARI I KUVENDIT TE KOSOVES
Krenaria e kulturës shqiptare në botë, e vlerëson shkrimtarin Ismail Kadare, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Vseli.
“Sot është 80 vjetori i lindjes së shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadaresë. I krahasuar me figurat më të mëdha të letërsisë botërore si Dostojevski, Kafka, Tolstoji, Xhojsi, Kadare, sot, është krenaria e kulturës shqiptare në botë”, shkruan Veseli në rrejtin social ‘Facebook’.
Komentet