Foto nga Georgi Licovski/European Pressphoto Agency
Qeveria e Maqedonisë fajësohet për skandalin e përgjimeve
Zoran Zaev ka thënë gjatë një interviste për një stacion televiziv se opozita është e vendosur të ketë qeveri kalimtare pa ndikim të Gruevskit. Nëse kryeministri nuk jep dorëheqje deri në fund të muajit, opozita, është zotuar Zaev, do të marrë parasysh «radikalizimin» e veprimeve të protestës, shkruan «New York Times».
——–
Shërbimi i sigurisë kombëtare, duke vepruar me urdhra të Qeverisë konservative dhe gjithnjë e më autoritare të Maqedonisë, ishte prapa skandalit të përgjimeve që e ka vënë në dyshim qëndrueshmërinë e vendit, bëhet e ditur në një raport të ri.
Publikimi i raportit prej Komisionit Evropian të premten ka pasur një raund të ri të pasuksesshëm negociatash në kryeqytetin Shkup, me qëllim të kapërcimit të krizës, më e madhja që ka përjetuar shteti me dy milionë banorë prej se fitoi pavarësinë më 1991. Katër krerë politikë, bashkë me ambasadorët e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, kanë dështuar të premten të arrinin marrëveshje për formimin e një qeverie kalimtare që do ta përgatiste vendin për zgjedhjet e parakohshme në prill të vitit të ardhshëm.
«Tingëllon qesharake që elita politike e një shteti të zhvilluar evropian nuk ka aq integritet moral, saqë është e domosdoshme ndërhyrja nga BE-ja dhe SHBA-ja për të zgjidhur problemet e veta», ka deklaruar Albert Musliu nga Komiteti i Helsinkit, grup për të drejtat e njeriut. «Por fatkeqësisht, kjo është e vërtetë», ka deklaruar gjatë një interviste ai.
Megjithatë, negociatorët – Nikola Gruevski, që është kryeministër që nga viti 2006, Zoran Zaev i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë në opozitë; dhe krerët e dy partive më të vogla që përfaqësojnë minoritetin shqiptar të vendit – janë pajtuar të bëjnë pa asnjë vonesë ndryshimet e nevojshme që janë propozuar nga Johannes Hahn, komisionar i Bashkimit Evropian.
«Tani nuk ka hapësirë për kompromis», ka deklaruar Musliu. «Të gjithë krerët duhet të veprojnë sa më shpejt që është e mundshme për të rikthyer besimin e shoqërisë në institucionet publike që është reduktuar në minimum në muajt e fundit».
Raporti, rezultat i hetimit të 670 mijë bisedave të përgjuara ilegalisht nga më shumë se 20 mijë numra telefonash, ka vënë në pah brishtësinë e strukturës demokratike në Maqedoni, që monitorohet nga afër prej qeverive perëndimore, sepse është në udhëkryq të Ballkanit.
Sipas dokumentit, të përgatitur prej ekspertëve të pavarur, Qeveria nën kryesimin e Gruevskit ka keqpërdorur shërbimet e sigurisë kombëtare «për të kontrolluar zyrtarët më të lartë në administratën publike, prokurorët, gjykatësit dhe kundërshtarët politikë».
Raporti gjithashtu thekson «përfshirjen e dukshme të drejtpërdrejtë të zyrtarëve të lartë qeveritarë dhe partiak në kurdisje të zgjedhjeve, korrupsion, abuzim të pushtetit dhe autoritetit, konflikt të interesit, shantazh, zhvatje, dëmtim kriminal», si dhe «në përfshirje të papranueshme politike në nominim/emërim të gjykatësve».
Gruevski, që nuk ka çelur gojën gjatë 24 orëve pas publikimit të rezultateve të raportit, as i ka shkuar ndërmend të shprehë keqardhje, teksa ka folur gjatë shënimit të një përvjetori të partisë së tij të mbajtur të shtunën mbrëma. Ai ka akuzuar një organizatë pa përmendur emrin, mbase një shërbim të huaj inteligjence, se kishte paguar «shumë para një numri njerëzish që mund të bëjnë një numër përgjimesh» me qëllimin e «shkatërrimit brutal» të partisë së tij dhe «për të futur frikën në mesin e popullit». «Por në vend se t’ia dilte me sukses në këtë drejtim, ata do të shkatërrojnë veten, duke rënë në kurthin e zgjedhjeve të parakohshme, në të cilat do të fitojmë ne», ka deklaruar Gruevski.
Xhabir Deralla, themelues dhe president i Civil, organizatë për të drejtat e njeriut në Maqedoni, e ka përshkruar fjalimin si «eksploziv, kërcënues dhe popullist». «Gruevski i ka prirë Qeverisë në një mënyrë jashtëzakonisht kriminale», ka deklaruar Deralla gjatë një interviste. «Bisedat e përgjuara zbulojnë krimet për të cilat në një vend normal, ai dhe shumë anëtarë të Qeverisë së tij do të duhej të dërgoheshin në burg për goxha do vite».
Kriza që po thellohet ka shkaktuar jo vetëm frustrim në mesin e popullsisë së gjerë, me protestat e fundit ku morën pjesë dhjetëra mija maqedonas duke u shndërruar në të dhunshme, por edhe me dëmtim të aspiratave të Maqedonisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Sipas raporteve të medieve, Gruevski është i gatshëm të pranojë çfarëdo zgjidhje, përfshirë krijimin e qeverisë kalimtare, derisa ai të vazhdojë të mbetet në pushtet. «Çdo ditë është kritike», thekson Deralla. «Dhe makineria e Gruevskit e di fort mirë këtë punë dhe punon me zell të madh për të mbetur në pushtet».
Por Zaev ka thënë gjatë një interviste dhënë të enjten për një stacion televiziv se opozita është e vendosur të ketë qeveri kalimtare pa ndikim të Gruevskit. Nëse kryeministri nuk jep dorëheqje deri në fund të muajit, opozita, është zotuar Zaev, do të marrë parasysh «radikalizimin» e veprimeve të protestës.
Komentet