Nga Rich Calder & Matthew Sedacca, NEW YORK POST
Miliarderi majtist George Soros ka një legjion ndihmësish besnikë që kanë bërë me dhjetëra takime me zyrtarët më të lartë në Shtëpinë e Bardhë që kur Presidenti Biden mori detyrën, sipas ‘New York Post’.
Aksesi i pakrahasueshëm i influencuesit progresiv në administratën Biden shkon përtej djalit të tij 37-vjeçar Alexander, i cili kryeson Fondacionin për Shoqëri të Hapur, themeluar nga i ati, dhe, siç shkruante javën e kaluar NY Post, ai ka marrë përsipër rolin e një ambasadori de facto në Shtëpinë e Bardhë duke bërë të paktën 14 vizita atje.
Të paktën katër drejtues të tanishëm apo të shkuar të Fondacionit për Shoqëri të Hapur kanë bërë gjithsej 33 takime private e biseda të tjera në më pak se dy vjet, sipas regjistrit të vizitorëve në Shtëpinë e Bardhë.
Tom Perriello, drejtori ekzekutiv i operacioneve në SHBA të grupit, dhe ish-kongresmen i Virginias, ka bërë 17 vizita që nga maji 2021, sipas regjistrit.
Udhëtimet e tij të fundit përfshijnë takime më vete në 15 dhjetor me Rachel Chiu, shefe shtabi e Zyrës për Mbështetje dhe Strategji Politike, dhe me bashkëdrejtoren e Mbështetjes Strategjike në Shtëpinë e Bardhë, Sabrina Bousbar; si dhe një takim më 2 dhjetor me John Podesta, këshilltari i lartë i Biden për energjinë e pastër.
Ai ka pasur pesë takime me Kimberly Lang, atëherë asistente ekzekutive e Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare, të kryera midis majit 2021 dhe 18 korrikut.
Ai ka vizituar edhe më 13 shtator 2022, kur Biden organizoi një mbrëmje me rastin e uljes së inflacionit në kopshtin jugor të Shtëpisë së Bardhë me këngëtarin e folk-rok James Taylor, ndonëse aksionet në bursë vazhdonin të zhyteshin.
Patrick Gaspard, ish-president i Fondacionit për Shoqëri të Hapur, i cili tani drejton një institut kërkimor liberal të financuar fuqishëm nga Soros, Qendra për Progresin Amerikan, ka bërë dhjetë vizita në Shtëpinë e Bardhë, përfshirë më 7 korrik me Zëvendës Shefen e Shtabit të Shtëpisë së Bardhë, Jen O’Malley Dillon. Gaspard më parë ka qenë këshilltar i rëndësishëm i ish-kryebashkiakut të New York City, Bill de Blasio.
Anëtari i bordit të Shoqërisë së Hapur, Ivan Krastev dhe shefja e shtabit të tij, Nicole Wilett, bënë nga tri vizita, me Krastev që shoqëronte Alexander Soros në takimet e 6 tetorit me Lang dhe zëvendës Këshilltarin e ardhshëm për Sigurinë Kombëtare, John Finer, sipas regjistrit.
Wilett ishte mes 739 njerëzve që morën pjesë në një eveniment të 21 dhjetorit të organizuar nga Biden. Kjo ishte në të njëjtën ditë që Biden u takua në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky dhe njoftoi se SHBA do të dërgonte miliarda dollarë për të ndihmuar trupat ukrainase në luftën e tyre me Rusinë.
“Është e vështirë të thuash se ku fillon administrata Biden dhe ku mbaron Fondacioni për Shoqëri të Hapur”, thotë Tom Fitton, president i Judicial Watch.
Shtëpia e Bardhë, Fondacioni për Shoqëri të Hapur, Perriello, Gaspard, dhe familja Soros nuk iu përgjigjën mesazheve nga NY Post.
syri.net