Në Foto Autorja dhe e bija ARTA SHAPLLO SEITI
Nuk mund të mohosh një përvoje të gjatë të artit e të letërsisë sonë së kaluar. Por mundet, mes një dialektike konstruktive, të polemizosh krijimtarinë e së kaluarës, drejtimin letrar dhe shprehjen e tij në letersinë e artin shqiptar. Megjithatë, ky kod, nuk mund të fshijë nje « manifest krijues njerëzor » të dekadave artistike shqiptare.
Propaganda e kritikës letrare të asaj kohe, lidhej, jo vetëm mirëfilli, me një rrymë letrare, por në vijueshmërinë diakronike, me një drejtim të centralizuar ideologjik, i cili u shndërrua në një dogmë.Kjo hyrje, do t’i shërbente një retrospektive, që do të sillja përmes revistës së përmuajshme “Nëntori », revistë e sistemit të shkuar, e pikërisht e një dymbëdhjet-vjeçari, në të cilin, babai im, Dalan Shapllo, drejtoi këtë revistë.Qëllimi im, nuk është vetëm rrëfimi, si dëshmitare e afërt e tij.
Ai nuk përqëndrohet në ngjarje, nga të cilat ka pasur boll në sistemin tonë të kaluar, e as në fatin e të degdisurve.
Përtej këtij fakti, dëshira ime do të synonte analizën e pjesës së parë të novelës së Koço Kostës, « Ata të dy e të tjerë » (« thellësisht e gabuar » për kohën), botuar në numrin 4, të vitit 1986-të, të revistës « Nëntori », e gjegjësisht, përçimin e fenomeneve shoqërore të novelës në kohën e sotme.
Në një numër të posaçëm të revistës, të vitit 1984, kur përkujtohej 30- vjetori i revistës, që prej lindjes së saj në 1954-n, pena të mirënjohura shqiptare si Agolli, Buda, Caçi, Buza, Spasse e të tjerë përshëndesin revistën, si një tribunë, përmes së cilës, janë përcjellë, tregimet, vargjet apo romanet e para të krijuesve shqiptarë. Madje, në 1982-shin, në dy numra rradhasi, është botuar « Një dosje për Homerin » e I. Kadaresë. Kjo revistë ka botuar gjithashtu, krijime te tilla si « Nata me hënë » e I. Kadaresë e « Cipa e deborës » e F.Arapit, të cilat u kritikuan nga autoritetet zyrtare të kohës.
***
Në apartamentin tonë, pranë Ministrisë së Jashtme, nuk ishte një ditë e zakonshme. Studimet e mia në letërsine frënge nuk ishin të dobishme. As rrymat e saj. Më duhet të jetoja me orientimet më tepër politike të kohës, se sa me orientimet e mia letrare. Prej vitesh, jetoja me daljen e revistës, një periudhë e dendur krijimtarie, por dhe me kritikat që i bëheshin tim eti, si kryeredaktor i “Nëntorit”, për botime të veçanta. Telefonat nuk rreshtnin e dorëshkrimet bashkë me to.
Kisha jetuar në heshtje vërejtjet e ngrysjen e babait tim. Kujtoj « Natën me hënë », e strukjen e tim eti, pas vërejtjeve të botimit për herë të parë të novelës. Im atë e çmonte veprën e Kadaresë. Po ashtu, në 1983-shin, ai vlerëson se filmi « Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur », i realizuar nga francezët, « megjithëse nuk e përfshinte gjithë veprën », mund të shfaqej në Shqiperi. Koha ka qenë e vështirë, dhe siç shkruan D. Shapllo, « disa herë kam kthyer vepra që përbënin « rrezik », mbroja edhe veten, edhe autorë ».
Megjithatë në vazhdën e kohës, nuk e kuptova, nëse shkrimtari ynë i madh, i ndjeu pëpjekjet serioze të D. Shapllos, për të nxjerrë në pah një krijim me vlera të tij, megjithë rrethanat absurde të shtypit të politizuar.
Në përfytyrimin tim, ekzistonte një ideator, të cilit duhet t’i nënshtroheshe, me çdo kusht. Vlerësimi i një krijimi në revistë, varej nga ky « mendimtar », dhe nga aprovimi pëlqyes a mohues i një numri abstrakt njerëzish.
Ky ishte Komiteti Qendror. Kur dëgjoja, që tim atë e kishin thirrur te « Miti Tona », në Komitet Qendror », nuk bëzaja.
Atë ditë, babai i zverdhur në fytyrë, nuk do të drejtonte më revistën « Nëntori ». Për botimin e një novele, për të cilën ai duhet të pranonte « mëkatin ». Duhej t’i nënshtrohej fushatës së presioneve përpara Komitetit Qendror, përpara shtypit e kritikave. Së fundi, shkarkimit për botimin e « Ata të dy e të tjerë » të Koço Kostës. Ishte « nxirë realiteti » e novela u quajt « vepër thellësisht e gabuar me të meta të theksuara ideore », « një vepër vulgare e krejt mediokre », ku im atë mbante përgjegjësinë kryesore të botimit.
Më kujtohet që pjesa e parë e novelës kishte ardhur ditët e fundit në redaksi, para botimit, e pjesa e dytë, e cila u ndalua të botohej, pritej të vijonte në numrin 5 të revistës.
Që nga ajo ditë, kisha ndjesinë e një « ndëshkimi ». Një reagim « nga lart », kështu thuhej në atë kohë. Ishim të ndëshkuar.
Kur lexova më vonë novelën, botimi i së cilës, nuk ishte as një rastësi apo pakujdesi, thjesht një bindje, sipas tim eti, ndëshkimi m’u kthye në revoltë për pafajshmërinë e heronjve të novelës.
Megjithatë, « Babai e të tjerët » e kishin pësuar.
Dalan Shapllo e Xhevahir Spahiu u shkarkuan nga detyra. Ndërsa, autori i novelës u degdis në një kooperativë bujqësore për riedukim.
***
Heronjtë e « Ata të dy e të tjerë » nuk i përngjajnë herojve pozitive. Ata nuk kanë emër. Janë personifikime : heroi kryesor është “Peshku i kuq” dhe tjetri është “Djaloshi i pashëm”. Portretizime të shkëlqyera, të ngërthyera në zymtësinë e vërtetësinë e jetës shqiptare të asaj kohe. Megjithëse novela u quajt « novelë-pamfet », mprehtësia e autorit qëndron, mendoj, jo vetëm në bukurinë e derdhjen estetike të personazheve, por edhe në dialogjet, që rrëfejnë veset e meskinitetet njerëzore, të huaja për t’u shprehur në atë kohe. Guximi krijues i Koço Kostës, rrek, përmes një fatalizmi dynjerezor, një shoqëri boshe me gjithë tiparet e saj, allishverishet e matrapazllëkun.
Peshku i kuq, një mikroborgjez, me triciklin me ngjyra të qëndrës së punës, një qënie fizike e përçudnuar nga autori, bën matrapazllëqe e kalon pjesën tjetër të kohës, duke qerasur në kafe, ku « vjedh diçka nga ato vise të hijshme të kurmit të kamarieres e « mishrave intime » të saj.
I dyti, Djaloshi i pashëm, tërbohet, sa herë që e quajnë disenjator, sepse ai e quan veten piktor. I dëshpëruar që pjesa tjetër e qytetit, tej shinave të trenit, quhet fshat e jo qytet, përshkruhet si një personazh që çudit ” gratë e mëhallës” me bukurinë e tij, dhe fyhet rëndë, kur i cënojnë profesionin.
Me mjeshtëri, autori, përmes një alegorie, e kalon kohën, bashkë me dy heronjtë e tjerë, në kafen që ndodhet në rrugën kryesore të qytetit, e cila quhet, jo pa qëllim, “Bulevardi i Verbër”.
Një ” matrapaz” dhe një “dështak” të mallëngjejnë me rrëfimet e tyre. Nëse i pari, mendon që ambjenti ku jeton « ngre mediokrin e të ndershmin e shpall tuaf », i dyti, shquhet vetëm për « ndershmëri ».
Qëmtimi i jetës shqiptare jepet nga një këndvështrim karakteristik, jo vetëm të individëve, por dhe të jetës monotone e varferisë ekonomike të familjeve shqiptare. « S’doja t’i vija veshin rënkimit të thellë të detit të moçëm atje pranë turizmit. Unë doja të bisedoja me vete. Shume njerëz fjalosen me vete. Në shumë apartamente skuqeshin speca. Në shumë. Përhapej era e tyre. Gazeta dje kishte një shkrim të gjatë për dobinë e madhe të perimeve e jetëgjatesinë e njeriut ».
Fenomene të tilla shoqërore, edhe pas njëzet vjetësh, tingëllojnë aktuale : bëmat e jetës së kotë e qesharake ekonomike të disa mjeranëve shqiptare, që jetojnë duke « vjelur » andej-ketej, për të mbijetuar, të papunët e kafeneve që kundrojnë kurmet femërore të këmbësoreve, verbëria e disa të tjerëve që shëtisin të vetëkënaqur në rrugët e « bllokut », metafora e injorancës që fshihet mbas një « shtëpije », « veshjeje », apo « pushimesh”, i hasim edhe sot.
***
Për hir të retrospektivës e të dëshmisë, po epilogoj me një tjetër fakt.
Në kërkimet e mia, u ndodha para dy versioneve të numrit 5 të « Nëntorit », të vitit 1986-të, fill pas botimit të novelës në fjalë. Në versionin e parë, i menduar para ndalimit të novelës, dhe në versionin e dytë, ku ishte shtuar autokritika që redaksia e revistës, i bënte novelës « Ata të dy e të tjerë ».
Në të lexoj me kërshëri për faktin « miop » të botimit e për letrat e vërejtjet e lexuesve për novelën. E shkruar me frymën indoktrinuese të kohës, me frazat stereotipe, të tërheq citimi në autokritikë i letrës së një punëtori. « I them autorit, se ata libra, që do të kishin brënda shkrime si novela « Ata të dy e të tjerë », edhe të na i dhuronin falas, ne nuk do t’i pranonim ». Ja një mendim i thjeshtë dhe lakonik.
Në faqen e fundit, kuptoj se morali i kritikës, ishte mësimi që duhet të nxirrte nga ky rast.
Morali është i vlefshëm për çdo kohë ; mësimi bashkë me të.
Edhe nga një krijim.
Gjithsesi, emprizimi ideologjik i dikurshëm nuk janë më.
E nëse do ta vija në diskutim, për të çmistifikuar, një citim të autokritikës në fjalë, lidhur me konceptin e së bukurës e së shemtuarës, do të shtroja pyetjen :
« E bukura, që është mbizotëruese në Atdheun tonë socialist, ia lë vendin të shëmtuarës në novelën e Kostës » !
Ata që ditën të zbulojnë “të shëmtuarën”, a e kanë ndjerë ndonjëherë vërtet “të bukurën” ?/2014
Komentet