Në mes të Berlinit gjendet Refik Veseli Schule – me emrin e shqiptarit Refik Veseli – simbol i mirëkuptimit multikulturor.
Gjithçka filloi me një udhëtim shkëmbimi eksperiencash i studentëve të Berlinit në Izrael. Gjatë vizitës në memorialin Yad Vashem, nxënësit e Shkollës së Mesme të integruar në Berlin-Kreuzberg hasën në historinë e njërit nga “Të Drejti ndër Kombet”, përkatësisht Refik Veselit.
Një shqiptar tregon guxim moral
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, familja hebreje Mandil ishte në arrati nga nacionalsocialistët. Ata lanë atdheun e tyre, Jugosllavinë dhe ikën në Tiranë në Shqipëri. Atje, Moshe Mandil fillimisht gjeti strehim dhe punë në një dyqan fotografie me gruan e tij Ela dhe fëmijët e tyre Gavra dhe Irena. Kur nazistët përparuan në Shqipëri në vitin 1942, ata nuk ishin më të sigurt atje. Shtatëmbëdhjetë vjeçari Refik Veseli, një nxënës në biznesin e fotografisë, më pas i çoi në fshatin e prindërve të tij. Natën hipnin mbi mushka nëpër rrugë të fshehta dhe i kalonin ditët e fshehura nëpër shpella. Ata mundën të fshiheshin në qytezën e thellë malore të Krujës deri në çlirimin e vitit 1944.
Një “i drejtë midis kombeve”
Në vitin 1987, Gavra Mandil i shkroi Yad Vashem dhe i tregoi historinë e tij. Ai donte të nderonte popullin shqiptar, por veçanërisht shpëtimtarët e tij. Në justifikimin e tij ai shpjegoi: “Mund të ndodhë që ata nuk janë rritur me trashëgiminë e Gëtes dhe Shilerit, por i kushtojnë rëndësinë më të madhe jetës njerëzore në mënyrën më të natyrshme dhe të vetëkuptueshme”. Po atë vit, familja Veseli u njoh si e Drejta Ndër Kombet – të parët shqiptarë që u nderuan nga Yad Vashem.
Një model për sot
Nxënësve nga Berlini, kryesisht me origjinë turke, u bëri aq përshtypje kjo histori, saqë vendosën: Shkolla jonë të mbajë emrin e Refik Veselit. Ata nuk hoqën dorë nga kjo ide deri sa shkolla e tyre mori emrin e ri. Nxënësit, prindërit dhe mësuesit e shihnin sfidën që paraqiste për ta. Presidenti federal gjerman i asaj kohe Joachim Gauck nënvizoi këtë përgjegjësi në fjalimin e tij në 60-vjetorin e Yad Vashem duke theksuar se njeriu ka gjithmonë zgjedhjen për të bërë mirë. Në misionin e saj, Shkolla Refik Veseli formuloi më pas moton e saj: “Sei mutig, schau hin, misch dich ein, sei solidarisch und handle! Du hast immer eine Wahl! – “Bëhuni guximtar, shikoni, përfshihuni, solidarizohuni dhe veproni! Ju keni gjithmonë një zgjedhje.”
Një sinjal për shpresën dhe të ardhmen
Deri vonë, shkolla në Skalitzer Strasse në Kreuzberg konsiderohej një shkollë problematike. Por një emër i ri, një drejtim i ri dhe një drejtoreshë e re bëjnë mrekulli: Në shkollën “Refik Veseli” prej kur e mori emrin ka një frymë optimizmi: për nxënësit tani është shkolla “e tyre”, prindërit filluan të përfshiheshin e të gjithë bashkë për të rritur nivelin e shkollës, duke e bërë që të jetë shkolla e parë në zonën ku matura do të ishte e mundur drejtpërdrejt.
Pajtimi, ndryshimi dhe bashkëjetesa multikulturore nuk ndodhin automatikisht. Ato nuk ndodhin as kur lëvizin “Islami” apo “politika”. Ato ndodhin kur njerëzit individualë janë aty për të tjerët pavarësisht rezistencës – si Refik Veseli.
Burimi nga faqja e shkollave të mesme Berlin
Përktheu dhe përgatiti Elida Buçpapaj