Në Foto: Ish-komandanti i UÇK-së dhe ministër i tanishëm i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në një paradë në vitin 1999. (Foto: Amel EMRIC / AP)
Voal.ch ju sjell një shkrim autorial marrë nga NZZ, gazeta më prestigjoze zvicerane rreth ngjarjes më të fundit, siç ishte miratimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila shoqërohet me një analizë të situatës.
NZZ – Vetëm me presionin e madh perëndimor Kuvendi i Kosovës ka miratuar të hënën ngritjen e një gjykate që do të hetojë për krimet e UÇK-së, ndërkohë që marrëdhëniet me “Ndërkombëtarët” janë në një pikë të dobët.
Parlamenti i Kosovës miratoi një amendament kushtetues të hënën, çka hap rrugën për një gjykatë të veçantë që do të vlerësojë akuzat kundër luftëtarëve të UÇK-së. Më parë, Uashingtoni dhe Brukseli kishin ushtruar presion masiv për muaj të tërë. Shefja e politikës së jashtme të BE-së Mogherini, vlerësoi hapin si “përgjegjësi në përputhje me rrugën evropiane të Kosovës”. Ambasadat e vendeve të BE dhe SHBA kanë deklaruar se sqarimi i të shkuarës do t’i shërbejë pajtimit të ish-armiqve të rajonit. Tribunali në të vërtetë do të zbatojë ligjet e shtetit të Kosovës. Stafi përbëhet para së gjithash nga të huajt, të cilët do të ulen në Hagë, ku do të jetë Gjykata Speciale. Kjo është bërë sepse gjyqësori i Kosovës ka një reputacion të keq, në mënyrë që të të shmangen presionet ndaj gjyqtarëve, dëshmitarëve dhe të pandehurve, të cilët më parë janë penguar.
Akuzat e rënda kundër UÇK-së
Në vitin 2008, ish-kryeprokurorja e gjykatës së krimeve të luftës në Hagë, Carla Del Ponte, vuri në dukje në librin e saj me kujtime se një numër i krimeve serioze kundër minoriteteve të Kosovës, si “pabesi”e shqiptarëve, nuk janë zbardhur. Në emër të Këshillit të Evropës, Dik Marti, një ish-prokuror i Tiçinos, në gjurmët e Del Pontes, në vitin 2011 botoi një raport spektakolar, ku akuzoi një grup brenda UÇK-së që ka organizuar jo vetëm vrasjet dhe dëbimet, por edhe heqjen me forcë të organeve nga të burgosurit për qëllime trafiku. Për këtë qëllim Brukseli dhe Uashingtoni ngritën një komision hetimor, i cili në korrik të 2014 njoftoi se ka prova të mjaftueshme për fillimin e procedurës penale kundër ish-anëtarëve të UÇK-së. Në lidhje me trafikimin e organeve, do të merren ato raste për të cilat ka një evidencë. Hashim Thaçi, i cili u quajt nga Marti si “udhëheqës i rrjetit”, i konsideroi akuzat si të pabaza.
Kundërshtimi ndaj Gjykatës është mbështetur në faktorë pragmatikë dhe ideologjikë. Ish-anëtarët e UÇK-së, që sot formojnë një pjesë të klasës politike, kanë patur frikë se mos inkriminohen. Organi i akuzës mbështetet në deklaratat e dëshmitarëve dhe, 16 vjet pas ngjarjeve, ora troket në favor të të akuzuarve. Sa më gjatë që të zvarritet procesi, aq më tepër gjasa ka që dëshmitarët të blihen apo të heshtin. Hashim Thaçi, me kokë të ftohtë, thuhet në shkrimin që boton NZZ, pas publikimit të raportit të Martit, kishte kërcënuar se ai do t’i bënte të njohur emrat që do të bashkëpunonin me hetimin.
Në nivelin ideologjik, kjo ka lidhje me imazhin historik të Kosovës. Ishte një luftë e drejtë nacionalçlirimtare kundër shtetit serb, i cili prej vitit 1912 kishte ushtruar një kolonizim brutal. Në versionin zyrtar lufta e UÇK-së ishte “e pastër”. Në këtë luftë, kështu tregohet, se krime ka kryer vetëm ekskulzivisht aparati shtetëror represiv serb. Kush akuzon UÇK-në, ndot kujtimin e “dëshmorëve”. Së fundi, ka një motiv të tretë, si arsye themelore se përse shumë kosovarë e refuzojnë gjykatën e re: Sepse gjyqtarë të huaj, jashtë vendit, gjykojnë mbi Kosovën. Gjykata Speciale Ndërkombëtare kësisoj e bën sovranitetin e Kosovës në mënyrë të konsiderueshme shumë të kufizuar.
Shtetësia e Kosovës është e diskutueshme ndërkombëtarisht edhe shtatë vjet pas Shpalljes së Pavarësisë. Anëtarësimi në OKB është larg. Jo shumë kohë më parë ishte edhe kërcënimi amerikan për krijimin e një tribunali të veçantë nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, i cili duhet të jetë ajo çka bëri që të thyhej rezistenca për miratimin e Gjykatës Speciale. 16 vjet pas luftës, misionet ndërkombëtare janë jopopullore në mesin e popullatës – me përjashtim të forcës paqeruajtëse të KFOR-it, që udhëhiqet nga NATO. Sidomos pasi Misioni i ligjit nga BE i EULEX-it perceptohet si joefikas dhe i korruptuar.
Paragjykimet e ndërsjella
Imazhi historik i sundimit të huaj serb, tani nga shumë, përfshin nocionin e paraqitjes së “ndërkombëtarëve” si mjeshtërat e rinj kolonizatorë. Ndërkohë, nga ana tjetër, është rritur mosbesimi i fuqive ndërkombëtare mbrojtëse të Kosovës, sidomos gjatë luftës për miratimin e Gjykatës Speciale. Në biseda private, me ndërkombëtarë, klasa politike kosovare përmendet shpesh kolektivisht si e korruptuar dhe kriminale dhe shpesh ju do të dëgjoni tone raciste kundër popullsisë. Është sikur në lidhje me parashikimin e kolonalizmit eminent ata përgjigjen e japin vetë, dmth e shohin tek vetja e tyre./Përktheu dhe përgatiti për botim Elida Buçpapaj
Komentet