Nesër në orën 17:00 opozita do të mbajë sërish protestë, duke bllokuar segmentet kryesore rrugore në vend.
Në lidhje me këtë protestë, analisti Genc Burimi, në një intervistë me Skype në News 24 deklaroi se PD ka fituar pikë në sytë e ndërkombëtarëve. Ai tha se rezoluta e PPE është e jashtëzakonshme. Sipas tij, pas protestave, PD do të prezantojë edhe programin ekonomik, gjë që iu intereson shumë shqiptarëve.
“Nuk ka rëndësi numri i protestuesve. Opozita po fiton pikë në sytë e ndërkombëtarëve. Rezoluta e fundit e PPE, që u propozua nga PD është e jashtëzakonshme. PD ka fituar pikë të jashtëzakonshme me rezolutën e PPE. Nuk besoj se është problem bllokimi i rrugëve, sepse në Francë ka protesta të mëdha të fermerëve dhe nuk ka ndonjë problem. Pas tubimeve, opozita do kalojë te programi ekonomik. Kjo opozitë mendon sot se ka rëndësi kryesore që të mbahen zgjedhje të ndershme. Rezoluta e PPE për maxhorancën është shumë e rëndë. Kjo, pasi godet drejtësinë, godet arrestimet e liderëve të opozitës. Incidentet në takimet e Ramës janë normale, pasi ky kryeministër udhëton shtrenjtë me charter, kur drejton një popull të varfër”, tha Burimi.
Në lidhje me datën e zgjedhjeve, Burimi deklaroi se nuk ka rëndësi shumë kjo çështje, por fakti që po shkelen të drejtat e opozitës.
“Opozita nuk thotë se ka problem date, por ka problem të funksionimit të institucioneve. Edhe opozita dëshiron që të ketë kohë që vota e diasporës të numërohet sa më saktë. Janë dy rezoluta të CDI dhe të PPE, që thonë se në Shqipëri partia-shtet përdor burimet shtetërore për interesat e veta. Opozita po fiton terren pozitiv në arenën ndërkombëtare. Nga burimet e mia më thonë se opozita nuk ka kërkuar datën 4. Nëse opozita dëshiron datën 4 maj, duhet të bëjë mbledhje. Maxhoranca ka shkelur me këmbë të drejtat e opozitës. Opozita sot s’po përgjigjet shumë për datën e zgjedhjeve, sepse po i kthen reston kësaj maxhorance”, u shpreh Burimi. bw