I dashtuni Andi Mustafaj!
Jam i lumtur që gjej arsye shpirtërore e kulturore t’iu shkruaj një letër të hapur, e cila është dhe një mundësi për të komunikuar çiltërsisht dhe me djemë e vajza të tjera të brezit tand, pasi jeni një tjetër brez i mirë i Shqipërisë Etnike.
Prej nga 10 gushti 2018 po përplotnohet një muaj kur u përkujtua i 30-ti vit i jubileshëm i ekzekutimit ekstrem e barbar nga shteti komunist i kohës i poetit e mësuesit disident Havzi Nela -“Martir i Demokracisë”(1993) dhe “Nderi i Kombit” (2011): me homazhe te busti i tij (te shkolla me emnin e tij) dhe te vend ekzekutimi i tij në qytetin bregdrinas të Kukësit; me do fjalnime protokollare përgjatë solemnitetit në përurimin e shtëpisë së tij të re njëkatëshe (e ringritur) në lartësi 1.300 m. të Kollovozit- fshatin e tij të lindjes (e cila, tevona, mendohet të kthehet në muze); në të bukurin hotel-restorant në Novosej të Kukësit me paraqitje të antologjisë “Shkrimtarët për Havzi Nelën: Shpirti i lirë i Lumës” e të një numri special të revistës “Illz”me tematikë për shkrimtarët martirë.
E lexova dhe të vetmin shkrim të asaj dite (10 gusht) i botuar në shtypin shqiptar: “Havzi Nela – I papenduari” i të mirënjohurit Besnik Mustafajt, babës tuaj dinjitar, shokut tim të fëmijërisë, si dhe brenda javës (16 gusht) edhe shkrimin tuaj të veçantë “Vdekja e penës dhe lavdia e litarit”, i cili është një dëshmi elitare e talentit tuaj, një shprehje e koefiçentit të lartë të inteligjencës tuaj (IQ), një tregues i kulturës tuaj tradicionale shqiptare e perëndimore. Ju i gjeni, i kapni e i interpretoni bukur detajet e faktet duke iu dhënë atyre të gjitha ngjyrat reale, koloritin e duhur. Edhe në këtë shkrim tuajin brilant më përngjani si një “kampion peshash”, një kampioni i mirë i të ardhmes tuaj në udhën e letrave shqipe, të politikës shqiptare.
Nga të gjitha këto, prej asaj dite të 10 gushtit, unë ende vazhdoj të kem një ndjesi interesante, brenda së cilës gjenden disa marrëdhënie, qofshin ato të natyrës kulturore, sociale e politike.
I dashtuni Andi,
Shqipëria, siç thuhet, i ka mbi 150 poetë, shkrimtarë, artistë (të skenës, ekranit, penelit), përkthyes e publicistë të dënuar me burgje, internime e pushkatime nga diktatura komuniste për Fjalën e Mendimin e tyre të Lirë në veprat e jetët e tyre. Tejet i madh ky numër për vendin tonë të vogël. Në një Shqipëri me 3 milionë banorë i bie që të jetë i dënuar 1 (nji) shkrimtar-artist në 20 mijë banorë. Përndryshe: në Shqipërinë e “komunizmit të epokës së gurit”, të diktaturës tipike staliniste, numri i të dënuarëve me vrasje shtetërore gjithfarëshe, si rasti i poetit e mësuesit martir Havzi Nela, ishte i lartë, tejet i lartë, pasi përllogaritet 1 (nji) për rreth 600 banorë. Shifra tmerr dhe apel (!) Ndërkohë, në Gjermaninë Lindore, ku dhe atje komunizmi ishte i egër-stalinist, ka 1 (nji) të dënuar me vrasje për çdo 70 mijë banorë.
Mendoj se këto shifra i duhen sadopak brezit të ri, qoftë dhe për t’i ditë e studiue, për ta mësue ma shumë e ma mirë se kush ishte komunizmi që ende nuk ka ikur ose ndodhemi para një komploti shqiptar e disi ndërkombëtar të rikthimit të komunizmit në Shqipëri, sepse po vonon dhe Demokracia e përtej Tranzicionit me elementët e saj të premtuar e të të qenurit e tillë dhe në Tokën e Shqipeve. Fatkeqësisht, krimet e shumta e të mëdha, krimet e jashtëzakonshme e të pashembullta të komunizmit në Shqipëri ende nuk janë zbardhur sa e si duhet për kohën tonë, për brezat e ardhshëm.
Havzi Nelën e persekutoi deri në asht-palcë-gjak; e burgosi-e internoi-e prapë e burgosi dhe, në fund (1988) e vrau shteti komunist, e ekzekutuan censorët e komunizmit shqiptar në grahmat e fundit të diktaturës, kur shqiptarët kishin filluar ta sfidonin diktaturën sllavo-komuniste në Shqipëri. Siç e shprehimon dhe ti, Andi, në essenë tuaj triptik: “Dënimi u ekzekutua në publik nga një regjim të cilit po i merrej fryma me shpresën që të ngjallte frikë tek të tjerët”.
Poeti kryengritës, disidenti, mësuesi e veprimtari Havzi Nela, me jetë prej jetimi e me kryqëzime gjithfarësh, ishte kundërshtari i tyre i papenduar, i paepur, i përjetshëm. Ai e kundërshtoi haptaz e ballas ideologjinë e sistemin e kohës përmes një refuzimi estetik e ideor…Ishte disident. Ishte poet. Ishte mendimtar. Ishte ndër të veçantit, me disa përngjashmëri, me poetët disidentë Vilson Blloshmi e Genc Leka, me shkrimtarin françeskan At Anton Harapi e shumë figura të tilla emblematike, që duhet t’iu japim ma shumë dritë për/ndër kohënat tona.
Havzi Nela është “Miku ynë i përbotshëm”- siç e thërret poeti e studiuesi Dëfrim Cani, ishte dhe “pelegrin i lirisë së munguar”- siç e thotë publicisti Ndue Dedaj i Mirditës; sepse “Dëshmorët e Fjalës janë fati i Lirisë”, shkruan poeti nga Tepelena, Petrit Ruka.
Havzi Nela, si e cekni dhe ju, është i vetmi poet i varur në Shqipëri dhe poeti e disidenti i fundit i varur në Europën Lindore e Qëndrore. Havzi Nela ishte gjithnji qëndrestar me sakrifica deri në vetmohim, gjithmonë sfidant dhe pas vdekjes.
E, këto, i sy-pashë dhe i shpirt-ndjeva edhe te esseja juaj triptik, tek “Akti i parë: Shtet i falimentuar”…! Bani mirë që e ngreni zanin tuaj dhe Zani i Brezit të Ri jehoftë në të sotmen e të nesërmen kombëtare shqiptare, për Demokracinë Euro-Atlantike, për nji Shqipëri të Bashkuar Etnike!
I dashtuni Andi!
Te esseja juaj tripitik, te “Akti i tretë: Shoqëri e degraduar”, lidhur me firmëtarët e ekzekutimit barbar të poetit, mësuesit e mendimtarit disident Havzi Nela, teksa shkruani: “Çfarë shoqërie…Jo vetëm nuk i dënoi, por i lartësoi” më shkaktoi dhimbje dhe mua, ashtu sikurse dhe Ty, o Andi. Se gjithçka e rrethon martirin Havzi Nela – “Nderi i Kombit” ende nuk është zbardhur, ende nuk kanë marrë ndëshkimin e merituar fajtorët, etj., etj.
Havzi Nela ka luftue edhe pas vdekjes së tij për demokracinë shqiptare, sepse edhe në vitet e demokracisë e luftuan prapë Havzi Nelën. Shumkush, gjithandej, shpeshtas, pambarim.
Havzi Nelës iu deshën 15 vite për me ecë në vlerësimet dekretore presidenciale nga “Martir i Demokracisë’ te “Nderi i Kombit”.
Ndërkohë, rasti tjetër: dy nga tre firmëtarët e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, të cilët firmosën denimin me vdekje në litar të Havzi Nelës, ashtu siç e thue dhe ti, o Andi, morën detyra të larta. U nderuan dhe me dekorata të arta. Fehmi Abdiu u ba deputet, eksponent i lartë i PS-së, kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe Fatmira Laskaj – kryetare e ILDK të Shqipërisë. Sikur të mos mjaftonte me kaq, Presidentët e Shqipërisë (të rradhës) i dekoruan me Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë: F. Abdiu më 2004 dhe F. Laskaj më 2008.
Absurdi shqiptar i pazakontë dhe në Demokraci: dy juristët e lartë që firmuan për ekzekutimin e një poeti shqiptar disident nderohen me dekoratë të lartë e të artë me emrin e Poetit tonë Kombëtar, Naim Frashëri. E, kjo, kur asnjëri nga këta dy Presidentë të Shqipërisë Demokratike nuk e kishte dekorue poetin martir Havzi Nela me dekoratën “Nderi i Kombit”, ndërkohë që i kanë pasë në sirtarë e tryezat e tyre propozimet nga vendlindja e tij, Bashkia e Kukësit, më 7 maj 2003 dhe 4 tetor 2007.
E thanun ndryshe, edhe ma keq, rast i pashembullt: i njejti President i Shqipërisë e dekoron “ekzekutorin” F. Laskaj me Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë (2008) dhe e dekoron të ekzekutuarin Havzi Nela me titullin “Nderi i Kombit” (2010), bile dy vjet ma herët, ma përpara, se ta dekoronte “Martirin e Demokracisë”, Havzi Nela (!)
Ende, ndonëse në Demokraci, të majtët nuk po shkëputen nga e majta e komunizmit dhe e djathta nuk po mbrri te e djathta euroatlantike, as në rastin plotor të Havzi Nelës, as në rastet e veçanta e të shumta të “Havzi Nelave Shqiptarë”.
E tha mirë aty në Kollovoz, poeti e shkrimtari Agron Tufa, profesori dibran, drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit: ”Ne duhet t’i kthejmë Europës dëshmorët e saj të parë, të rënë në ferrin e totalitarizmit stalinist shqiptar. Ne i afrohemi Europës me dëshmitë e martirizuara të lirisë, me Havzi Nelën, me Vilson Blloshmin e Genc Lekën, por dikush na mban peng…, sepse mendon se në Europë duhet të shkojmë medoemos, më parë se me poetët e vrarë, me vrasësit e tyre”. E mirë pohon dhe poeti e gazetari Sulejman Dida se “pro dhe kundër Havzi Nelës janë dy taborre” (!) Ndaj ka të drejtë poeti e botuesi kuksian Rexhep Shahu kur thotë se “Havzi Nela vazhdon të lëkundet në litar”(!) Ndaj ka të drejtë poeti e gazetari kuksian izet Duraku kur apeloi në gusht 2018: “Ta kujtojmë me shpirt të pastër”.
Edhe ti Andi i i cek këto në thellutje e thuktë, teksa shkruan te esseja juaj, te “Akti i tretë: Shoqëri e degraduar”, se: ”Ky është realiteti i shoqërisë sonë dhe ka një element tejet të rëndësishëm brenda tij, degradimi i saj nuk është diçka e re. Nëse kemi dalë një herë prej tij, gjasat janë që mund ta bëjmë përsëri”. Po. E ke të drejtë. Jemi para rrezikut të degradimit të shoqërisë. Jemi afër e po shkojmë drejt shoqërisë komuniste të djehit, prej nga dolëm me vështirësi e shpresa të mëdha.
I dashtuni Andi,
Me 10 gusht ne e përkujtuam dhe tentuam ta risjellim martirin dhe poeti Havzi Nela. Dhe pse qe pak, ajo ditë ishte e rëndësishmme për të gjithë.
Ndërsa ti Andi Mustafaj, me babain tand shkrimtarin, diplomatin, politikanin e publicistin e njohur Besnik Mustafaj; me vllain tuaj, Dardan Mustafaj-jurist i karierës; me djalin tand 6-vjeçar, Gjergj A. Mustafaj, pra nji familje me tre breza, i dhatë dimensionin e rëndësishëm kësaj ngjarjeje e figure emblematike.
Kjo më kujtoi atë kohë kur ti Andi i kreve studimet cikël-plotë në Francë, ato pasuniversitare në të mirënjohuren Shkollë Kombëtare të Administratës Publike (ENA) dhe diplomën si student i shkëlqyer i saj e morët në “Ditën e Europës” (24 prill 2015) në një ceremoni solemne në Sallonin e Nderit në Ministrinë e Jashtme të Francës, të cilën ta dha në dorë mirësisht vet Matthias Teki -ministri i Tregtisë së Jashtme e Zhvillimit Ndërkombëtar të Francës. Atë ditë, në këtë ngjarje-festë, ishe i veshur me kostum kombëtar shqiptar me qëndisma të Flamurit Kuqezi e Shqiponjë Dykrenore, në prani mirëseardhjeje të babait tuaj, Besnik Mustafaj–ish ministër i Jashtëm i Shqipërisë, e nanës tuaj gazetare, Donika Mustafaj. I veshur me kostum kombëtar shqiptar ishte dhe djali yt i vogël, i madhi Gjergji – rreth 3-vjeçar. Atë ditë në Francë, në “Ditën e Europës”, sikurse kësaj here më 10 gusht 2018, në këtë “Ditë Shqiptare” për poetin martir Havzi Nela, ishit tre breza të Familjes tuaj të nderuar Mustafaj.
Unë jam i gëzuar dhe i lumtur, jam shpirtplotë, i dashtun Andi ynë 29 vjeçar, pasi besoj në mos-harresën te brezi yt, te brezi i çikës e djalit tim, edhe te brezi i Gjergjit tand, sepse jeni brezi që i premtoni vendit tonë, Shqipërisë Etnike, të bashkuar, zhvilluar e demokratike, sepse përndryshe ajo dramë e tragjedi që i ka ndodhur dje Havzi Nelës me sistemin e asaj kohe mund të ngjajë potencialisht sot dhe nesër.
Popujt pa kujtesë historike janë të destinuar të zhduken, na mësojnë njerëzit e ditun të kohënave. E, tashti, po më vjen disi në mendje nji thanie epikuriane: Kush se mban mend të mirën e të keqen e kaluar është i vjetër që sot. Ndaj, ju brezi i ri, rrituni pa u mplakur, rrituni pa u mpakun, rrituni me kujtesë historike kombëtare.
Ja pse shkruejta, pse jam i lumtur, dhe pse besoj në brezin tand, se jeni Shqipëria tjetër, ndryshe: ma e Zhvilluar, e Bashkuar, ma Demokratike; se jeni Shqipëria e Re që po vjen…
Miqësisht
Ramiz Lushaj
Pejë-Dardani, 9 shtator 2018
Komentet