“Xhemijeti”, pra Asamblea, “ka vendosur të shpëtojë mëmëdheun nga dëshirat e kësaj race të mallkuar e të marrë përsipër mbi shpatullat e tij atdhetare njollën që errëson historinë ottoman. Xhemijeti, i paaftë të harrojë të gjithë goditjet e hidhësitë e hershme, ka vendosur të asgjësojë të gjithë armenët që jetojnë në Turqi, pa lënë asnjë të gjallë”. Njëqindenëntë vite mbas asaj deklarate të turpëshme synimesh të Komitetit të Bashkim – Përparimit dhe zbatimit të llahtarshëm sistematik të projektit, Dita e Kujtimit të Gjenocidit Armen përkujtohet sot ndërmjet dy paradokseve. I pari është që presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, që nëpërmjet kërcëllimës së dhëmbëve nuk pranon t’a njohë si një gjenocid plojën e rreth një million e gjysmë armenëve dhe frikëson këdo që guxon t’a bëjë (madje edhe Barak Obama mbas rizgjedhjes së tij nuk pranoi të respektonte premtimin e bërë në fushatën zgjedhore) lëvdon përzënien e pakicës armene nga atdheu i tyre mijëvjeçar I Nagorno-Karabakut (“Na ka bërë krenar Azerbaixhani që ka çuar përpara veprimin ushtarak në kohë të shkurtëra e me respektin më të madh për civilët”) dhe damkon pa ndryshimin më të vogël tepritë e Izraelit në kundërveprimin ndaj plojës kundërsemite të 7 tetorit: “Jemi dëshmitarë të njërës ndër barbaritë më të mëdha të këtij shekulli. Duke marrë letër të bardhë nga vendet perëndimorë, qeveria izraeliane e Netaniahut po zbaton një gjenocid para syve të të gjithëve”. Një tezë e ritheksuar disa herë në këta muaj me mbështetjen e hapur të Hamasit si lëvizje “atdhetarësh” (rol I mohuar atdhetarëve armenë të Karabakut) pa asnjë kritikë ndaj vrasjeve të 7 tetorit të fanatikëve islamikë.
Paradoksi i dytë është pamundësia për të harruar që mbi temën edhe Jeruzalemi (me të cilin Armenia u zu në 2020, duke tërhequr ambasadorin me padinë Izraelit se i kishte shitur armë Azerbaixhanit) nuk është i kristaltë. E nëse tani i përplas në fytyrë Erdoganit faktin se ai e ka mohuar gjithmonë gjenocidin armen, edhe në qershorin e vitit 2018 Kneseti zgjodhi pezullimin e rrugës parlamentare për njohjen e plojës së një shekulli më parë si gjenocid. E bëri, u shpjegua, për të “mos ndihmuar” udhëheqësin turk atëherë në fushatë zgjedhore, e për të mos turbulluar marrëdhëniet që po përmirësoheshin. Fakti është që edhe viktimat e Shoahut, hapin përfundimtar të njohjes zyrtare të gjenocidit armen nuk e kanë kryer. Në serinë ka gjenocid e gjenocid…..
“Corriere della Sera”, 23 prill 2024 Përktheu Eugjen Merlika