Për 38 % të republikanëve është e pranueshme t’u kundërshtohet me dhunë teprimit të kundërshtarëve të tyre politikë: demokratëve, të parë si radikalë skajorë. Nuk është një risi ajo që del nga hulumtimi i fundit i Universitetit të Virxhinias (një mostër prej dymijë zgjedhësish të regjistruar): që kur, mbas votimeve të 2020, Donald Trump ka filluar të flasë për zgjedhje të vjedhura, për shumë përkrahës të tij dhuna është kthyer në një vegël politike të ligjëshme. Risia qëndron, veç rritjes së adhuruesve të kryengritjes, në faktin se edhe demokratët janë të gatshëm të rebelohen, e në një masë edhe më të madhe (41%) teprimeve të një regjimi konservator skajor (pra të një fitoreje të re të Trumpit që ka thënë se është i gatshëm të shtrijë pushtetet e tij, duke shtypur autonominë e institucioneve të pavarur).
Hulumtimet, dihet, kanë një vlerë relative, por edhe të tjera kërkime (si ai i të besueshmit Pew Research Center: tashmë vetëm 16% e amerikanëve mendon se qeveria po bën gjërat e duhura) tregojnë se në Shtetet e Bashkuara, një vit para presidencialeve, ai votim bëhet gjithënjë e më shumë një afat dramatik për qëndresën e demokracisë më të hershme të botës: ajo shëmbëlltyrë e demokracisë liberale pragmatiste dhe të efektëshme që studjuesi politik Alexis de Tocqueville zbuloi dy qindvjetorë më parë e i a propozoi një Evrope të qeverisur nga mbretëritë, regjime autoritare e shkundje revolucionesh. Presidenca Biden duhej të shënonte kthimin në një dialektikë demokratike dhe në një rikthim të besueshmërisë së institucioneve republikane, duke mbyllur një parantezë prej katër vitesh të revolucionit populist të Trump-it. Nuk qe ashtu për polarizimin skajor të politikës së SHBA, për dobësitë e Bidenit (aspak karizmë, moshë e thyer) që kanë lënë në
hije përfundimet pohenike të qeverisë së tij e,veçanërisht, për mos njohjen nga një pjesë e madhe e së djathtës së ligjëshmërisë së zgjedhjes së tij. E gjitha kjo e shumëzuar e shpejtuar nga përdorimi i çoroditur i rrjeteve sociale. Kështu sot edhe Rick Hasen, drejtori i Projektit për mbrojtjen e demokracisë në Universitetin e Kalifornisë flet për piskamë kur lexon se 31% të mbështetësve të Trump-it e 24 % t’atyre të Bidenit e quajnë sistemin e sotëm demokratik jo më të përdorëshëm: duhet të kërkohet, simbas tyre, një sistem alternativ.
“Corriere della Sera”, 19 tetor 2023 Përktheu Eugjen Merlika