Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut ditën e sotme po mbajnë një takim të përbashkët në Prishtinë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur me ceremoni shtetërore homologun e tij maqedonas Hristijan Mickoski. Pas pritjes dy kryeministrat kanë mbajtur edhe një konferencë për mediat.
Kryeministri Kurti u pyet se përse nuk ka zhvilluar një takim me qeverinë e Shqipërisë ndërsa ai u përgjigj duke thënë se është shumë i gatshëm dhe i interesuar të mbajë sa më parë edhe një mbledhje tjetër me qeverinë e Shqipërisë. Ai tha se tashmë Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë barazuar, pasi sot u mbajt mbledhja e dytë me qeverinë e Maqedonisë së Veriut, njësoj siç ka ndodhur me Shqipërinë brenda këtij mandati.
“Me Shqipërinë i kemi mbajtur dy mbledhje tashmë, jemi barazuar sepse mbajtëm të dytën edhe me Maqedoninë e Veriut. Jam shumë i gatshëm, i vullnetshëm dhe i interesuar që sa më parë të mbajmë edhe një mbledhje me Shqipërinë. Përndryshe, 58 marrëveshje i kemi bërë me Shqipërinë në ato dy mbledhje dhe zbatimi i tyre pavarësisht se nuk kemi mbledhje të tretë këtë mandat ka shkuar jashtëzakonisht mirë dhe më mirë se sa në të gjitha mandatet e mëhershme”, tha Kurti.
Gjatë takimit qeveritë kanë nënshkruar një protokoll për zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e qytetarëve në dy pika kufitare, por edhe memorandumin e mirëkuptimit për energjinë dhe memorandumin për arsim.
Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelal Sveçla dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski nënshkruan protokollin për zbatimin e marrëveshjes për kalimin në pikat e përbashkëta të kalimit kufitar Hani i Elezit-Bllacë dhe Jazhincë-Glloboqicë. Më pas është nënshkruar memorandum i mirëkuptimit në mes Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe burimeve minerale të Maqedonisë së Veriut në sektorin e energjisë.
Po ashtu, është nënshkruar edhe memorandumi i mirëkuptimit në mes Ministrisë së Arsimit, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave të Maqedonisë së Veriut, që është i fokusuar në aftësimin profesional. sn