Nënpresidentja amerikane Kamala Harris kritikoi të premten ata që i quajti “ekstremistë” të Floridës, për futjen në sistemin arsimor para universitar, të udhëzimeve që u mësojnë mësojnë “historinë e shtrembëruar” lidhur me skllavërinë në Shtetet e Bashkuara.
Bordi i arsimit i shtetit të Floridës miratoi udhëzime të reja këtë javë me “sqarime standarde”, duke përfshirë një për nxënësit e shkollave të mesme ku thuhet se “në udhëzime shpjegohet mënyra se si skllevërit zhvillonin aftësi të cilat, në disa raste, mund të zbatoheshin për përfitimet e tyre personale”.
Zonja Harris, gruaja e parë afrikano-amerikane dhe aziatiko-amerikane në postin e nënpresidentes, i bëri komentet në Florida, një shtet i rëndësishëm politik, guvernatori i të cilit, Ron DeSantis, po kandidon për të marrë emërimin e partisë republikane për të kandiduar për president. Ajo mbajti një fjalim të ashpër duke dënuar udhëzimet e reja të këtij shteti.
“Çdo i rritur e di se çfarë ishte realisht skllavëria. Gjatë skllavërisë përdhunoheshin gra, torturoheshin e ndaheshin fëmijë nga nënat e tyre. Skllavëria përfshinte disa nga shembujt më të rëndë të shkeljes së lirive nga njerëzimi në botën tonë”, tha ajo.
“Si është e mundur që dikush mund të sugjerojë se mes këtyre mizorive, e nënshtrimi të këtij niveli të trajtimit çnjerëzor kishte dhe ndonjë përfitim?!”, tha zonja Harris.
Bordi i Arsimit miratoi të mërkurën udhëzimet e reja për sistemin arsimor deri në shkollë të mesme. Komisioneri i Arsimit në Florida, Manny Diaz Jr., tha gjatë takimit të bordit në Orlando se udhëzimet prekin “temat më të vështira” të skllavërisë dhe dhunës raciste, sipas moshës.
William Allen dhe Frances Presley Rice, të dy anëtarë të grupit të punës që hartoi udhëzimet e reja, thanë në një deklaratë të enjten se gjuha e re në lidhje me skllevërit që mësojnë aftësi të specializuara kishte për qëllim të tregonte se ata nuk ishin thjesht viktima.
Nënpresidentja Harris e cilësoi propagandë të rreme informacionin që përmbanin udhëzimet.
“Ne i mësojmë fëmijët tanë, jo vetëm të thonë të vërtetën, por të kërkojnë njohuri dhe të vërtetën”, tha zonja Harris.
Miratimi i udhëzimeve pason lëvizjet e guvernatorit DeSantis për të luftuar, siç thotë ai, “indoktrinimin” e fëmijëve dhe nxënësve me ideologji të majta.