Nënës time
Kushtuar Lili Skënderit, bashkëshortes së Poetit Vehbi Skënderi dhe Nënës sime që na la më 8 shkurt 2016
8 Mars 2016
u mbush një muaj
që nëpër shtëpi
të kërkoj pa dobi
kur dal
pres t’i biesh celularit
sikur bëje rëndom
edhe pa arsye
për fare kot
veç për të dëgjuar sa më shumë
zërat e njëra tjetrës
të Nënës e bijës
sikur ta dije
se nga Qielli telefonit
nuk do t’i bije dot
është 8 Marsi i parë
që nuk të kam pranë
vdekja kjo shtrigë
na e këputi
kordonin ombelik
unë nuk e besoj
se ti nuk je me ne
as ti nuk beson
që je atje ku je
çdo gjë në shtëpi gjurmët e tua mban
kanatet e dritares prej nga shihje rrugën
nënkresat e zbukurimit
me ngjyra tek cepat e divanit
presin që t’i lëvizësh
gjithçka është rregulluar si deshe ti
me asimetriken simetri
në guzhinë gjej biletkat ku shkruaje
se çfarë duhet të blinim,
nektarë lulesh, elikzir
kanellë, majdanoz, vaj ulliri
kur vjen dita e re
pres të më zgjosh,
ta hamë bashkë mëngjesin
që ma përgatisje ti
duke shoqëruar kafenë apo çajin
me kryetituj gazetash tek News24
e kujtuar shtëpinë tonë
në Tiranë që na priste
Liqenin e Poradecit
ku ti linde
malli shtohet e shtohet
si një vullkan i sapozgjuar
që mezi pret
të eksplodohet
ne te dyja flisnim
për gjëra të thjeshta
të bukura
të zakonshme
dhe te jashtëzakonshme
se çfarë do të na gatuaje
për shembull për drekë
speca të pjekura
me djathë delesh
apo lakror me dy petë
për shqetesimet personale
kombëtare e botërore
të gjitha me njëra-tjetrën
kishin lidhje
që po t’i kishim në duar
unë dhe ti
do të kishin të gjitha
happy end dhe rrugëzgjidhje
deri ditën kur u sëmure
papritmas
nisën 100 ditë
të tmerrshme për ne
nga spitali në spital
me zemër të dridhur
nga frika e telefonatave
horrore
në mesin e natës
kur japin
vetëm lajme pelin te hidhur
ne kishim shpresë
deri në fund
që mrekullia
jonë të zgjaste
se ishte dashuri
e kulluar, hyjnore
kur Eva dhe Adami
nuk e kishin prekur
ende mollën
unë të përkëdhelja
me fjalët më të bukura të botës,
të thërrisja Lule,
Lilka,
vajza ime,
të thosha se
ne do të jetonim bashkë 200 vjet
për t’i parë
e për t’i gëzuar bashkë fëmijët,
nipat e sternipat tanë
dhe ti e pranoje këtë sfidë
s’ka më të bukur
se sfida e jetës
më jepje besën dhe fjalën
me të qeshurën tënde
të bukur dhe zërin tënd
me tinguj
edhe kur na qortoje
ishte gjithë plotfuqishmëri
Mbretëreshë
me kurorë e skeptër
që Elisabetha II e Anglisë
do të të kishte zili
Nëna ime prehet nën lulevjollcat
8 Maj 2016
u mbushën 3 muaj
nga 8 shkurti në 8 maj
me lule dhe vaj
nga shirat e errta të shkurtit
në mars, prill e maj
me lule dhe vaj
nga qielli i vrerosur i shkurtit
tek fytyra e pranverës e pafaj
me lule dhe vaj
nga ankthi i pafund i shkurtit
në ankthin e pafund prej reje
si është e mundur Mam
që ti fle nën vjollca
e vjollcat çelin sipër teje
Gjashtë muaj pa ty Mam
8 Gusht 2016
U mbush gjysmë viti
sekondat, minutat, orët, ditët,
javët, muajt
njëri pas tjetrit shkuan
ditëlindja jote pa ty
në maj
gjithë lot e vaj
unë të kërkoj me sy
me veshët hapur
të dëgjoj kumtin tënd të bukur
që e mbushte shtëpinë me hare
ku je Mam ku je
në shtëpi gjithçka ka mbetur
ashtu sikur e le
dhoma jote e heshtur
mbulesa e shtratit e palëvizur
çanta jote po aty
në sirtarin e komodinës
pasqyrka e vogël
mbi komodinë
të preferuarit librat e tu
dritarja e dhomës tënde
nga shihje hënën
mungojnë vetëm syzat
t’i dhashë me vete
edhe letrat e bixhozit
që luaje duke pyetur fatthënën
në dollapin tënd
mungon vetëm
palltoja e madhe
që ti e përdorje shumë rrallë
mungojnë
një palë pantallona,
një golf dimri
dhe një xhaketë
që i vishje rëndom
kur dilje
rreth e rrotull
në dollapin e këpucëve
janë pantoflat e tua,
sandalet e verës
me pak takë në ngjyrë hiri
mungojnë vetëm
një palë këpucë dimri
e di që në Parajsë
është gjithmonë pranverë
po kur ike ti
ishte shkurt e shi
e shpirti im qante
me rrebeshe
sepse harmonia jonë
prej tingujsh,
ritmesh e ngjyrash
ishte Parajsa e tokës
ne ishim më të gjithëpushtetëshmet
e rruzullit
më të pasurat e botës
….
unë nuk i bindem
arsyes se vdekja ekziston
se kush lind vdes
se gjithçka
që ka një fillim
e ka një fund
se tek fundi nis fillimi
dhe tek fillimi fundi
sepse dashuria jonë
ishte dhe është
fund e fillim një përjashtim
Po vjen 8 shkurti zemra ime
vajza ime
e bukura ime
po vjen ora 18:00
kur nga dritarja e spitalit
shpirti yt fluturoi
në një botë krejt të panjohur
do ta heq këtë datë nga kalendari
pas datës 7 shkurt vjen direkt 9 shkurti
pas orës 17:00 vjen direkt ora 19:00
ti po flije sikur e keqja ishte larguar
e ti pas pak do të zgjoheshe
frymëmarrja jote ishte e rregullt,
e ngrohtë
krejt ndryshe nga vdekja
që vërtitej pranë teje
akullnajë e ftohtē
herët e tjera
ti nën tuba luftoje
për jetën
ti me çdo kusht
deshe të riktheheshe
në shtëpinë tonë
e të vazhdoje aty ku e kishe lënë
në spital gjithçka e panjohur për ty
nuk njihje askënd
sytë e Shën Mërisë dukeshin
artificialë
përpara syve të tu që luteshin
të mos vinte ajo
që kishe frikë se po vinte
ti e merrje me të mirë
të panjohurën
që nuk mund të bëhet urë
e që nuk duam ta njohim kurrë
ti luftoje me mish e me shpirt
të ktheheshe në shtëpinë tonë
të ngrohur nga dielli i dashurisë
që e bën të duket
një kokërr portokalli
diellin që ngroh
njerëzinë
ti ma shqiptoje emrin
nen tuba,
nën jerm,
nën morfinë
çfarë deshe të më thoshe Mam
si nuk mundëm të flisnim Mam
si nuk mundëm Mam
ne të rrethonim tek shtrati
ti na shihje dhe qeshje
ashtu e përhumbur
kujtoje se ishe në ëndërr
dhe prisje të zgjoheshe
nga ankthi makth
ti e bukur
si një skulpturë e bardhë e Rodenit
askush nuk mund
të besonte se ishe e sëmurë
me faqet ngjyrë rozë
që unë t’i puthja pa fund
po flije Mam
po flije aq qetshëm
aq rrejshëm
sa unë besova se do të zgjoheshe
të më thoshe
atë që deshe të ma thoshe aq shumë
por që nuk ma the dot
në këtë botë kurrë
po vjen shkurti Mam,
e urrej 8 shkurtin
qiellin bunker
që e kishte veshur
atë mbrëmje të ftohtë
në hekur
e urrej edhe 29 tetorin,
kur më the se ndiheshe pa qejf
ishim aq bukur
ti ishe kryeministrja e shtëpisë
fuqiplotë
ne demokracia më e bukur
e planetit tokë
8 shkurt 2017
e dashur Nëna ime,
Zonja Lili Skënderi
e dashur Lilka ime,
e dashur Lulja ime,
zambak uji
e dashur mrekullia ime
e dashur vajza ime që nuk e pata kurrë
e dashur motra ime që nuk e pata kurrë
e dashur shoqja ime që nuk e pata kurrë
me një trup e shpirt me Tim Atë
më linde, më dhe gji, më rrite,
e dashura Nëna ime unike
e dashur Lilka ime,
lule që nuk njeh vyshkje
ti Ëngjëlli im në tokë
dhe Ëngjëlli im në qiell
krijesë e bukur e Zotit
si kryeveprat e piktorëve
të gjithë rrymave e kohëve
me shpirt dhe fytyrë ëngjëllore
ne kemi kaluar bashkë shumë sfida
dorë për dore shtrënguar
sfidat e jetës po aq të zeza si vdekja
ne në krahë të njëra tjetrës
mbi to gjithmonë kemi triumfuar
nuk bëhet fjalë për triumfe fanfaresh
të gërryera nga hipokrizia prej bloze
fjala është për gjërat më të thjeshta
dhe të rëndësishme të jetës
që i japin frymën, kumtin dhe kuptimin kësaj bote
ti jepje dashuri pa cak e pa fund
ti Nëna ime një pyll i gjelbër
që nuk njohe as plakje dhe as tharje
që në çdo rrahjen tënde të zemrës
na bëre të jetonim një jetë të plotë
vetëm me dashuri dhe pa ndarje
nga 8 shkurti 2016
dhe në çdo shkurt që vjen
shpirtin tim e shkundin
pa prehje uraganët e dhimbjes
ti je me mua kudo ndodhem
por kjo nuk nuk e zbeh aspak
mungesën,
dhe peshën e pengjeve
që më rëndojnë si mal
mbi shpirt e shpinë
nuk e zbeh as mallin
që vetëm shtohet e shtohet
si një vullkan i sapozgjuar
që mezi pret
të eksplodohet
që jam vazhdimi yt dhe i tim eti
e kuptoj lehtësisht
se rebelohem për ta injoruar Kasandrën
për ta sfiduar të keqen
për ta hequr nga kalendari datën 8 shkurt
për t’i hequr nga kalendari
të gjitha ditët e vuajtjeve të tua
e për të ta mbushur kalendarin e jetës
me ditët e tua më të lumtura
që ti i kalove me Tim Atë,
poetin Vehbi Skënderi
që të deshi deri në frymën e fundit
kur fryma e lë trupin dhe ngjitet lart,lart, lart…