Organizata “Care for Albania/ Kujdesu për Shqipërinë” në Chicago, SHBA, organizoi këto ditë një takim, që i kushtohej shenjtes shqiptare Nënë Tereza.
Në Mayslake Peabody Estate, në Oakbrook, në sallën e madhe, u mblodhën shumë shqiptaro-amerikanë, të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare, nga diaspora e re dhe e vjetër, të rinj, fëmijë dhe të moshuar, të besimeve të ndryshme dhe të racave të ndryshme, amerikanë, ashtu siç përbashkonte Nënë Tereza.
Presidentja e “Care for Albania/ Kujdesu për Shqipërinë”, Dr. Sonila Sejdaras, në fillim tha se në punën e tyre frymëzoheshin nga Nënë Tereza dhe donin të ecnin në gjurmët e saj dhe më pas vazhdoi për misionin e Nënë Terezës në Chicago, ku ajo vinte…
Eda Zhiti foli për shejtërimin e Nënë Terezës, kishte qenë në Vatikan në ditën e kanonizimit dhe është autore e një libri të kësaj ngjarje të madhe, të botuar në Itali.
Shkrimtari Visar Zhiti në fjalën e tij shtjelloi lidhjet e Nënë Terezës me shqiptarët dhe marrëdhëniet dramatike me Shqipërinë.
Kumtesat u mbajtën në gjuhën angleze dhe shqip.
Takimin e drejtoi Taip Bes Hiri, ai tha se ishte andej nga vinte dhe Nënë Tereza, ndjehej bashkëqytetar i lumtur i saj.
Dy vogëlushe, Valentina Gonxhe-Tereza Casacchia dhe Christine Prifti ishin të veshura si Nënë Tereza të vogla, njëra me kostumin popullor si në fëmininë e Nënë Terezës, kurse tjetra me të bardha si motër misionare dhe recituan vargje dhe thënie të sajat.
Pianisti i ri, Leart Shabani, luajti në piano himnin “Porsi fleta e Ejllit t’Zotit” me muzikë të Lec Kurtit dhe fjalët të At’ Gjergj Fishtës dhe Ave Marian e Preludit nga Johann Sebastian Bach.
Ishte dita Kur Nënë Tereza ishte shpallur “Qytetare Nderi”, që vetëm 7 veta e kanë këtë titull në të gjithë historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa në Shqipëri, në Katedralen e Shkrodrës lumturoheshin me Dekret të Papa Françeskut edhe dy martirë të tjerë shqiptarë, At Luigji Paliq dhe Dom Gjon Gazulli.
Veprimtaria “Nënë Tereza – Ikona Globale e dhembshurisë dhe e shërbimit”, e organizuar nga “Care for Albania/ Kujdesu për Shqipërinë”, la mbresa të fuqishme në të pranishmit, pati jehonë ndër shqiptarë dhe amerikanë dhe dha mesazhe paqeje dhe përkushtimi, shpalosi vlera me kulturë dhe art të shqiptarëve në Chicago.
NËNË TEREZA ME SHQIPTARË
– Për të na mësuar të duam. –
Nga Visar ZHITI
Nënë Tereza shërbeu si misonare e dashurisë në Indinë e largët dhe hapi shtëpi bamirësie nëpër botë, iu dha çmimi Nobel për Paqe, u shpall shenjtore e shekullit XX, u bë gruaja më e njohur e planetit duke i takuar gjithë njerëzimit, – faleminderit që e patëm, – ndërkaq ajo deshi dhe mundi të mbajë lidhje përjetë me shqiptarët, të forta dhe shpirtërore dhe ta thotë hapur, kurdo që duhej, se jam shqiptare.
FAMILJA E NËNË TEREZËS
Kur Shqipëria ishte nën Perandorinë Osmane, pra nuk e kishte fituar ende pavarësinë, në një nga katër nënndarjet administrative të saj, në Sanxhakun e Shkupit siç quhej, pikërisht në qytetin e Shkupit, sot kryeqytet i Maqedonisë së Veriut, por atëhere nuk kishte Maqedoni, në një familje shqiptare me mbiemrin Bojaxhiu, Nikollës – mirditor, që kishte ardhur nga Prizreni – dhe të shoqes së tij, Dranes – nga Dukagjini i Gjakovës, – u lindi fëmija i tretë, në 26 gusht të vitit 1910, vajzë dhe i vunë emrin e bukur shqiptar: Goxhe. Dhe e pagëzuan menjëherë të nesërmen, se ishte shumë e dobët dhe s’dihej a do të rronte. Por ajo do të bëhej shenjtja Nënë Tereza Familja e Bojaxhinjtë njihej për virtytet dhe besimin dhe traditat. Kolë Bojaxhiu merrej me tregti, por ai do të ishte dhe themeltar i teatrit të qytetit të Shkupit, anëtar i bandës muzikore, ndërkaq veprimtar i çështjes kombëtare shqiptare, prandaj dhe e helmuan shovinistët, kur kthehej nga mbledhje nga Beogradi.
Të mbetur jetimë, Goxhja e vogël, motra e saj Agia dhe vëllai Lazer, do të rriteshin dhe edukoheshin nën kujdesin e nënës Drane, sa e dhëmbshur, aq dhe e paepur, e duruar dhe kurajoze, të cilat i trashëgoi dhe e bija, Gonxhia. Shpesh fëmijët e saj, për t’u marrë me diçka të dobishme, që të mësonin, jo vetëm të argëtosheshin, ajo i merrte dhe i çonte, ku? Në një shtëpi të varfër, ku njiheshin, të bënin punët atje, të pastronin, të lanin, të ndihmonin ata që s’mundeshin.
Gonxhja mësimet e para i mori në një shkollë shqipe në Shkup, më pas në gjuhën serbo-kroate se s’kishte më shqip. Pasionet e adoleshencës së saj ishin: të bëhej mësuese, të shkruante dhe recitonte poezi si dhe muzika, ajo luante në mandolinë. Këndonte këngë shqip, p.sh., ato të kompozitorit Lorenc Antoni, “Në kodrat mbi liqen”, por dhe lexonte poezi të Dom Ndre Mjedës, që do të bëhej poeti i rinisë së saj. Ia jepte vëllai i poetit Lazër Mjeda, mik i familjes, që e kishte mësues.
Dhe luteshin familjarisht të gjithë. Gonxhe Bujaxhiu, në kishën kroate të Letnicës në Kosovë, ku shkonin shpesh dhe në këmbë, ndjeu atë që quhet “Thirrje” dhe vendosi të bëhej murgeshë. Nëna e saj u mbyll për 24 orë rresht në dhomë, ajo e di ç’ka menduar dhe ç’lutje ka bërë, por, kur doli, i tha të bijës: “Bëju, por mos u kthe pas nga rruga, shko veç përpara!”
Nëse duhej të shpallej dikush e shenjtë, ajo është nëna ime, do të thoshte më vonë Nënë Tereza.
Dhe kështu 16-17 vjeçarja Gonxhe Bojaxhiu do të ikte nga Shkupi për në Irlandë. Do të studionte në Dublin për t’u bërë misionare te Motrat e Loretos. Gjuha e saj e punës dhe e jetës do të bëhej anglishtja.
Një vit më vonë do të nisej për në Indi.
NË INDI, NGA MINJTË TE YJET
Një letër tjetër nga Shqipëria, e rëndësishme, nga nëna Drane, që i shkruan së bijës se ç’bënte në kuvend e mbyllur, prandaj kishte ikur aq larg, në Indi, po dil, i shkruante, njerëzit janë jashtë, shërbeju atyre, ky është misioni yt…
Nënë Tereza del… U tmerrova, tregon ajo, kur pashë njëherë në një rrugë, në një lagje të varfër të Kalkutës një grua të dobët, të mbaruar, që po e hanin minjtë. Doja të ikja sa më parë, ta harroja ç’pashë, por u ktheva. Një dritë qe ndezur brenda meje. M’u shfaq Krishti… Përzura minjtë e shumtë dhe desha të ngre gruan… Me mundim e çova në spitalin më të afërt, s’ma pranuan, as në një tjetër, as në tjetrin. Dhe gjeta një dhomë private dhe e kurova vetë. Që nga ajo ditë jeta ime ndryshoi…
Nga minjtë tek yjet.
Lufta e Dytë Botërore (1939 – 1845) solli vështirësi ende më të mëdha edhe në Indinë e largët, atëherë nën sundimin britanik. Mungesat ushqimore ishin një hata tjetër. Nënë Tereza vazhdoi të punonte në shkollën, duke iu përkushtuar veçanërisht fëmijëve dhe njerëzve të margjinalizuar.
⦁ Kishte ndodhur thirrja brenda thirrjes. Ajo e la jetën si murgeshë për t’ju përkushtuar plotësisht ndihmës ndaj të varfërve të skajshëm, atyre që po vdisnin në rrugë dhe themeloi Urdhrin e saj, Misionarët e Bamirësisë. Botës i erdhi kështu një Tereze tjetër, që, siç thoshte, emrin e kishte zgjedhur në nderim të Terezës së vogël franceze, por dhe të shenjtores së lavdishme të shekullit XVI, spanjolles Shën Tereza e Aviles. Mbase vetëndjehej si rimishërim i tyre, sepse ngjante, me njërën nga shtati dhe me tjetrën nga vetëflijimi absolut. Në thellësi të qenies së saj, shtoj unë, kishte dhe Rozafën, gruan mitike shqiptare të murosur në përjetësi, por me dorën, gjirin dhe syrin jashtë, për të ushqyer foshnjën.
India e varfër nuk është vetëm në Indi, por gjithkund, edhe në vendet e zhvilluara, në Itali e Rusi e Francë, edhe në New York, do të thoshte Nënë Tereza dhe iu përvesh punëve me ngulm e pasion, bëri mrekullinë, arriti të hapë shtëpitë e bamirësisë në të gjithë kontinentet, Azi e Afrikë, Europë e Amerikë dhe Oqeani. Shtrirja e Urshërit të themeluar prej saj tashmë është globale.
Një mikja jonë murgeshë, Motër Elena, që ka shërbyer në Indi, na tregon se, “kur e merrnin vesh që isha shqiptare, më binin në gjunjë në rrugë dhe donin të më puthnin këmbët, se kujtonin Nënë Terezën”…
MARRËDHËNIET DRAMATIKE TË NËNË TEREZËS
ME SHQIPËRINË
…ishte vendosur regjimi diktatorial komunist, kufijtë u mbyllën, Shqipëria u shpall me kushtetutë si vendi i parë dhe i vetëm ateist në botë, kishat dhe xhamitë u mbyllën, u shëmbën apo u shndërruan në kinema, në depo prodhimesh bujqësore, në magazina armësh. U pushkatuan klerikë apo u futën burgjeve, etj, etj.
Nëna dhe motra e Nënë Terezës, Drania me Agen, do të mbeteshin vetëm në Tiranë. Agia punoi dhe në Radio-Tirana, nga që dinte serbo-krioatisht dhe duhej për sektorin e lajmeve në gjuhë të huaj, kurse vëllai Lazri, nuk u kthye më nga Italia, qëndroi atje si emigrant politik. Ai kishte studiuar në Grac të Austrisë në Akademinë Ushtarake dhe ishte bërë oficer.
Nënë Tereza e takonte, kur shkonte në Itali. Qeshnin kur ajo i thodhte se ti i shërbeve një mbreti që kishte 1 a 2 milionë shtetas, unë i shërbej një mbreti, që ka gjithë universin, Zotit.
Nënë Tereza e kishte të ndaluar rreptësisht futjen në Shqipëri. As emri nuk i përmendej. “Si shumë po vepron qoftëlargu në anët tona”, u thoshte Nënë Tereza miqve të saj. Djallit i thohte shqip: qoftëlargu. I dërgonte letra nënës dhe motrës, por shpesh e më shpesh ato nuk arrinin më, çensuroheshin nga policia sekrete.
Nëna Drane u sëmur, Nënë Tereza kërkoi leje të vinte ta shikonte. Nuk iu përgjigjën fare. Kërkoi të lejonin nënën e saj të vinte në Itali, të kurohej. Jo, thanë, është shumë plakë, s’lëviz dot dhe i ka kushtet më të mira këtu… Për të vdekur, po!
Trokiste Nënë Tereza nëpër ambasadat shqiptare, ku të mundëte, trokiste e trokiste, fort ashtu si zemra e saj, por jo, dyrt s’hapeshin. U shkruajti drejtuesve më të lartë të shumë shteteve në Europë e Amerikë, presidentëve të ndërhynin, ta ndihmonin, por Tirana memece mbetej tmerrësisht tiranike.
NJË SHKRIMTAR, I ARRATISUR NË SHBA
I vetëm ai sikur donte të korrigjonte gjithë atë mëkat që bënte Shqipëria ndaj Nënë Terezës.
Është fjala për shkrimtarin Bilal Xhaferri, me baba të pushkatuar nga regjimi, që ishte arratisur nga Shqipëria dhe kishte erdhur në Çikago, bënte punë të rëndomta, por vetë, i vetëm, kishte hapur gazetën “Krahu i Shqiponjës”, ku dhe boton një letër, dërguar Nënë Terezës. Ishte viti 1976 dhe ajo ende nuk e kishte marrë çmimin Nobël dhe Bilali 7 vjet kishte që kishte ikur nga Shqipëria. Merr vesh se Nënë Tereza kishte ardhur në Çikago, papritur si ajo, për punët me murgeshat e saj, vështirësitë dhe ai do të donte ta takonte, ta intervistonte, por ajo kishte ikur siç erdhi, papritur.
Vlerësimet që i bën në letër asaj shkrimtari çam, – edhe mysliman, do të thoshte ndokush, – janë të mrekullueshme. Edhe pse të shkruara gjysmë shekulli më parë, na nderojnë të gjithëve.
“E dashur Nënë Terezë! Ju i përkisni gjithë njerëzimit, i shkruante ai dhe vazhdonte, – Ju jeni e jona… imazhi jetësor i Shqipërisë, atij vendit tonë të dashur, që nga shumë vetë është konsideruar si vend i harruar nga Zoti, imazhi i gjallë i popullit shqiptar, popullit më të lashtë e më të vuajtur në Evropë.
[…] Si një dritë e largët qiellore, zemra Juaj e mirë, rrezaton rreze shprese dhe dashurie në zemrat tona dhe në zemrat e miliona njerëzve në mbarë botën.
Zoti e bekoftë zemrën Tuaj!”
I bashkohemi atij urimi, edhe për atëhere, kur regjimi nuk lejonte që të dinim se ajo ishte…
NË BURG.
Unë emrin e Nënë Terezës e dëgjova së pari në burg. Isha dënuar me 10 vjet heqje lirie nga shaku I poezive të mia, të cilësuara kundër regjimit.
E kam shkruar, sepse më dukej si metafora e njohjes së shqiptarëve me shenjten, është në librin tim, në burgologjinë “Rrugët e ferrit”. Po i lexoj ato rreshta:
“…një grup të burgosurish tymosnin duhan dhe po dëgjonin. Nuk e besoni? E po çmimin “Nobel” për paqe ia dhanë një shqiptareje, Motrës Terezë, e dëgjova vetë tek “Italia”, e dha RAI. Ti e ke dëgjuar? Jo këtu brenda, ko, sapo isha liruar nga burgu i parë. Andej e mbaja radion dhe kapa një surprizë: çmimi “Nobel” një shqiptareje, Gonxhe Bojaxhiu, murgeshë në Indi, tha spikeri italian. Pse më shikoni kështu? Kam faj unë që lodhem me ju! Dhe iku. Kush ishte ky? – pyeta unë. Murat Gjonzeneli, nga Vlora, e sollën prapë në burg. Rrëfen gjithmonë gjëra të çuditshme, sfiduese. Janë të fantaksur, thashë me vete, pa e kuptuar as vetë për kë e kisha, për ata që s’po besonin, për atë që shpikte çmime “Nobel” apo për të gjithë ne”.
ÇMIMI NOBEL
Dhe kishte një shqiptar dhe atje në Oslo të Norvegjisë, ku Nënë Terezës po i jepej çmimi Nobël në vitin 1979. E pranoi, sepse e mendoi që shuma që merrte, do ta përdorte me murgeshat e saj në ndihmë të të varfërve, po kështu kërkoi që në ceremenoni darka tradicionale të mos bëhej dhe fondet të përdoreshin po për të varfërit e saj në Kalkuta.
Rrugët e Oslos përflakeshin nga pishtarët me mijëra, që mbanin ndër duar qytetarët, që dyndeshin drejt hotelit, ku kishte bujtur Nënë Tereza. Donin ta shihnin.
Pranë saj ishte dhe prifti shqiptar nga Kosova, i riu Dom Lush Gjergji, ai që do të bëhej biografi më i mirë i Nënë Terezës.
Në konferencën për shtyp, para gazetarëve të shumtë të mediave ndërkombëtare, ai do ta pyeste: – Çfarë do të thotë për ju dhe motrat tuaja Çmimi Nobel për paqe? – …asgjë nuk ndryshon… çmimi është vetëm për të varfërit tanë, mendoj se ka qenë dhuratë prej Zotit…
– Cili është mesazhi juaj tani, kur jeni bërë zyrtarisht “Nëna e Paqes?” – do të ishte pyetja tjetër. “Duajeni njëri-tjetrin siç u do Zoti, – tha Nënë Tereza…
Përsëri Don Lush Gjergji, pyetja ende më e thjeshtë, pak çuditëshme për aty, që ai e dinte përgjigjen:
– Kush jeni Ju? Ç’do të thoshte botërisht Nëna Tereze: “Origjina ime është shqiptare… Për nga vokacioni, i takoj tërë botës. Zemra ime është e Zemrës së Jezusit”. Don Lush Gjergji diçka parandjente, që duhej të mbrohej për të ardhmen, prandaj dhe i dha Nënë Terezës një fletë të bardhë, që të shkruante dhe ajo me atë shkrimin e saj të rregullt dhe harmonioz si të rilindasve, me shkronjat si kokrrat e rruzares na la këto fjalë shqi si në një testament:
“Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë luti Zotin që Paqja e Tij të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Lutem shumë për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Unë lutem për juve. M. Teresa Bojaxhiu”
Tashmë nuk diskutohet më në botë që Nënë Tereza është shqiptare, megjithëse donin të na i merrnin, thanë jo maqedonase, rumune, kruate, sllave, indiane etj, por rëndësi ka se sa shqiptarët janë të Nënë Terezës? Të paktën sot, them.
* * *
Në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare në Jugosllavinë e atëhershme, në vendlindje Nënë Tereza shkonte herë pas here. Në Itali po. Vatikani… Shkonte në familjen e vëllait, Lazrit. Takonte dhe një kushëri të vetin, kineast në RAI, Gjon Kolëndrekaj nga Kosova, i cili më ka treguar që takonin dhe piktorin shkodran, të ikurin nga komunizmi, Lin Delija, me njohje europiane. Vetëm atij Nënë Tereza i ka qëndruar për t’i bërë një portret, që ia kërkoi e askujt tjetër në botë. Nënë Tereza ka ardhur shpesh dhe në SHBA, shqiptarët kanë ndjekur dhe mesha shqip me atë…
ARDHJA E NËNË TEREZËS NË SHQIPËRI
1989. Do të shëmbej Muri i Berlinit si prolog i rënies së perandorisë komuniste dhe Nënë Tereza do të vinte në Shqipëri.
Në Tiranë shkoi te varri i nënës së saj dhe i së motrës, të rregulluar me këtë rast. Por dhe te varri i diktatorit Enver Hoxha, vuri lule dhe atje, megjithëse ai e kishte penguar gjithë jetën, që ajo të mos vinte dot në atdhe. Ajo bënte realitet porosinë biblike: duajini dhe armiqtë tuaj, bëjini vëllezër!
Udhëheqja komuniste në fund sikur po zbutej ca, i kishte hyrë dhe frika për vetveten.
Kam lexuar një shkrim në gazetën e njohur italiane, “Avvenire”, se Nënë Tereza u ftua nga pasardhësi i diktatorit, nga Ramiz Alia dhe vejusha e diktatorit, Nexhime Hoxha, si ekzorciste, sepse varri i diktatorit – dhe kjo mbahej sekret, – dridhej, madje dëgjoheshin ulërima sikur të kishte brenda demonë, aq sa nga ushtarët që e ruanin, kishin përfundur në çmendinë.
Po e gjithë Shqipëria atëhere ishte një çmendinë dhe dridhej nga tmerri. Dora e Nënë Terezës solli qetësi.
Ajo do të vinte sërish në Shqipërinë e hapur dhe demokratike, shpesh e më shpesh. Do të hapte shtëpitë bamirësie, solli muresha të Urdhërit të saj. Bekoi projektin e Katedrales së re me emrin e Shën Palit, që do të ndërtohej në Tiranë, po kështu firmosi për ngritjen e Kryegjyshatës Bektashiane, vëllezërit e mi myslimanë, thoshte nëpër lutje a në fjalimet që mbante.
Në një nga vizitat në shtëpinë e saj të bamirësisë në Tiranë, kur erdhi ta takonte njëri nga presidentët e Republikes, ajo nuk e hoqi nga dora shkopin e leckës me të cilën po pastronte dyshemenë. Mbase donte të thoshte që ky vend ka nevojë të punojë e të pastrohet nga balta dhe gjaku, të ndrisë…
Nënë Tereza priti në Tiranë dhe Papa Gjon Palin II, i pari papë që vizitonte Shqipërinë, ashtu si një bijë që prêt mysafirët në derë të atit, e shoqëroi dhe për në Shkodër.
Aeroporti në Tiranë tani mban emrin e saj. Të gjithë që udhëtojnë nëpër botë, duket sikur nga aty i përcjell Nënë Tereza drejt qiejve të hapur dhe kushdo që vjen, përsëri duket sikur ajo u uron mirë se ardhjen.
Pata fatin ta takoj dhe unë Nënë Terezën. Kujtoj që iu afrova me adhurim dhe druajtje dhe i thashë:
– Nënë, kam përkthyer nga lutjet e Tua…
– Mir’ ke ba! – m’u përgjigj. Prerë. Pse? Po dyshoja tek vetja. Por jo, Kur u thellova më shumë në jetën dhe bëmat e Nënë Terezës, lexova se ajo nuk i pëlqente të flitej për të, edhe kur i tregonin gazetarë, studiues apo shkrimtarë se ç’kishin shkruar apo donin të shkruanin për të, gjithmonë i ndërpriste, mirë ke bërë, u thoshte, duhen të sensibilizohen të tjerët, që të bëjnë mirë.
Pastaj e kam takuar Nënë Terezën dhe në Romë, ishte një kohë kur RAI çdo mbrëmje në fund të lajmeve lexonte një lutje të Nënë Terezës. Kur punoja në ambasadë, botuam dhe një antologji me punime për Nënë Terezën, poezi, thënie dhe vizatime, ajo ende s’ishte kanonizuar dhe titulli librit në italisht iu vu: “Një shenjtore shqiptare me emrin Nënë Tereza”, ndërsa esenë time “Plagët nuk kanë atdhe” ia dhuruam dhe Papa Françeskut dhe një portret të Nënë Terezës, punim i një mikut tonë, piktorit shqiptar Gjergj Kola.
Ne do të ishim në Vatikan në meshën e shenjtë që celebroi Papa Françesku, kur shenjtërohej Nënë Tereza siç e tregoi dhe Eda në fjalën e saj.
PO DHE QILIMI SHQIPTAR
që i kishin dhuruar gratë shqiptare Nënë Terezës dhe ajo e mori me vete në Indi. I vogël, me motive popullore. Dhe lutjet po i bënte mbi atë qilim. Donte të prekte Shqipëri, edhe kur s’ishte, ta ndjente te gjunjët e dobët, t’i kalonte në gjak, te kockat, në shpirt. Por ajo e kishte Shqipërinë gjithmonë brenda vetes.
Motrat e Nënë Terezës e kthyen këtë qilim, ia dhanë arkipeshkvit tonë. Ka qenë në Katedralen e Tiranës…
Ashtu si në sindonen e famshme, në çarçafin që mbështolli Krishtin, që e vizitojnë me miliona veta dhe shkencëtarët kërkojnë përhitjen e kurorës së përgjakur gjithë gjemba mbi ballin e Birit të Zotit, plagët e gozhdëve, në qilimin e Nënë Terezës ne gjejmë vegimin e këmbëve të zbathura, ikjen larg për të qenë sa më afër. Dramën tonë. Aty është lutur Nënë Tereza…
Kam dëgjuar të pyetet, ndoshta më shumë me naivitet se sa me keqdashje: e ç’bëri Nënë Tereza për shqiptarët? Po dhe unë mund të pyes: po shqiptarët ç’bënë për Nënë Terezën?
Gjithsesi ajo bëri shumë e më shumë se ç’bëmë ne për atë. Ajo bëri mrekullinë, na dha dhe emër shpirtëror nëpër botë.
Të mos harrojmë, ajo thjesht ishte një murgeshë, as udhëheqëse shteti, as stratege ushtarake, as deputete a kongresmene, as biznesmene apo e pasur, etj, s’kishte asgjë, përveç rrobave të trupit dhe zemër më të madhe se vetja, por e tundi botën me të vetmen armë të saj: dashurinë. Dhe lutjet. Për ata që i ndjejnë, por dhe për ata që nuk i ndjejnë.
Lutjet e Nënë Terezës, uratat e saj janë dhe porosi qiellore, dhe dritë, dhe frymë, por janë dhe poezi, unë kështu i kam shikuar dhe trajtuar.
Dhe në ditët e fundit të jetës së saj, larg në Indi, ajo përjetoi tronditjet e Shqipërisë së 1997 dhe do te shkruante që murgeshat e saj të luteshin për të larguar të keqen nga atdheu.
PËR SHQIPËRINË TIME
E tronditur jam, se u trondit gjithë vendi im i mrekullueshëm.
Më dhemb zemra për jetët e humbura.
Plagë më hapin plagët e njerëzve.
I kuptoj andrrallat kur humbin paratë, por unë ju përgjërohem:
mos i sillni vuajtje edhe më njëri-tjetrit!
E di pse s’kemi paqe tani? Kemi harruar
të shohim tek tjetri vetveten.
Që armët dhe bombat të jenë të panevojshme,
te fqinji ynë të zbulojmë Zotin.
Mars, 1997
Dua të kthehem në Shqipëri, – mërmëriti. – aty të mbyll sytë…
Fuqia e Nënë Terezës është po aq e madhe në tokë edhe tani që Ajo është shpërngulur në qiell.
SI EPILOG LUTJET PËR KOSOVËN
Nënë Tereza pa dyshim si katolike ishte kundër çdo lufte dhe kundër çdo lloj arme që vret, që nga ato të abortit apo të urisë e nëpërkëmbjes e deri te ato të lemerishmet që shfarosin në masë,
Që të çlirohej Kosova, duhej të ndërhynte NATO-ja dhe u bë e para luftë morale për të shpëtuar një popull që po kërcënohej nga përzënia, nga ai eksod si në b ibël, nga zhbërja.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton do të dëshmonte në qershor të vitit 2002: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo që më bëri ta dua kombin shqiptar, dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”.
Kaq herë u kishte thënë Ajo të mëdhenjve të botës: Ndihmojeni popullin tim! I telefonoi vetë dhe Shtëpisë së Bardhë në Washington. Dhe lutja Zotit iu dëgjua. E lëvizi botën. Pushoi lufta. Në Kosovë u vendos paqja.
Ajo dashuri prej nënëtereze dhe ai guxim duhet të jetë kudo.
Në Prishtinë tani është Katedralja me emrin e Nënë Terezës. Po dhe një qendër kulturore shqiptare me këtë emër është në Michigan, ne dhuruam aty një portret të saj, vepër e bashkëvuajtësit tim, arkitektit dhe artistit Maks Velo.
Po edhe në Chicago ka një rrugë me emrin e saj, na e tregoi Presidentja e “Care for Albania”, ka dhe një kishë, është dhe shtëpia e bamirësisë që themeloi Nënë Tereza dhe ne e kemi vizituar pa teklif, na është dukur si e Nënës tonë… Që ia dhamë botës. Ne shqiptarëve na erdhi 500 vjet pas kryeheroit tonë, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, që me shpatë mbrojti atdheun, Europën, kulturën Perëndimore dhe u bë kryekomandant i përbashkimit. Por vjen dhe koha për një Nënë Terezë, e dashurisë së saj, koha e paqes dhe e bashkëpunimit njerëzor, që duhet të jetë e gjithmontë.
Prandaj dhe Nënë Tereza lutej: Mësomë të dua!
Album nga veprimtaria.