(VIJON NGA NUMRI I DJESHËM)
Çdo mëngjes, fëmijëve u jepja një gotë qumësht dhe ata ishin të kënaqur, më donin. Kështu lindi shkolla e Montijhil që më vonë do të bëhej e njohur në Kalkuta. Më pas vendosa të hap një shkollë tjetër në Tiljana, në bidonvilet e qytetit. Shkova. Në rrugë takova ca të mjerë. Njëri nga ata kërkoi ta ndihmoja dhe të vetmen rupi që kisha ia dhashë. Bëra një orë udhë në këmbë dhe nuk e mora autobusin, pasi rupinë e vetme që kisha ia dhashë atij të mjeri. E bëra këtë për Jezunë!
Një vit më vonë më kërkuan të kthehem në “Misionin e Lorette”-s, pasi leja nga Shenjtëria e Tij ishte veçse për një vit. Mu desh përsëri të kërkoja me forcë që të më lejonin dhe një vit tjetër. Disa më thoshin se ç’vlerë ka të shërbesh mes më të varfërve, kur të pasurit vetëm vijnë drejt fesë. Dhe unë u thosha: Nëse të varfrit përfitojnë nga shërbimet e kishës dhe fetare, atëherë edhe të varfrit kanë nevojë për dashurinë tonë. Të varfrit më quanin gjithashtu “Motra e slums”, pra “Motra e rrugëve” dhe unë isha e lumtur, sepse këtë e bëja për dashurinë dhe lavdinë e Zotit. Më vonë, shumë ish-nxënëse të mia të shkollës së Shën Mërisë në Kalkutë erdhën të më ndihmojnë dhe t’i përkushtohen misionit tim, ndihmës për më të varfrit e të vobektëve. Pas dhjetë vajzave të para, të tjera erdhën me ne. E drejta për të qëndruar edhe një vit tjetër jashtë manastirit erdhi përsëri, por unë e dija se asgjë nuk mund ta ndalte punën e nisur. Më 1950, ati im shpirtëror më kërkoi të shkruaja rregullat e misionit tim të ri dhe qëllimet, në mënyrë që kjo punë të zyrtarizohej nga Kisha. U gëzova shumë dhe e shkrova brenda një nate.
Vendosa ta quaja “Misionaret e Mëshirës” apo më mirë “Misionaret e Dashurisë”, pasi unë e kuptoja mëshirën jo thjesht si mëshirë, por si dashuri supreme. Kështu, mu desh të kem një veshje ndryshe nga ato të murgeshave dhe unë zgjodha një “sari” blu me shirit të bardhë.
Ashtu si dikur Francesco d’Asise, edhe unë kërkova për rregullat e misionit tim që të mos kishim asnjë lloj pronësie imobiliare dhe çdo gjë e jona t’i takonte kishës. Pas kësaj, më 7 tetor të vitit 1950, Papa Pie XII e firmosi vendimin për krijimin e fondacionit. Në tekstin e misionit unë kisha shkruar se “qëllimi ynë është që të shuajmë etjen e pambarimtë të dashurisë të Jezusë përmes mësimit të Ungjillit duke u dhënë me gjithë zemrën tonë, pa asnjë shpërblim, në shërbim të më të varfërve mes të varfërve. Ati ynë na e mëson këtë dhe na e tregon shembullin në Ungjijtë, duke na shpalosur udhën e vetme drejt Mbretërisë së Zotit”.
– Nënë, jeta juaj ka qenë padyshim një kalvar i vërtetë, pasi të gjithë që të rrethonin vuanin nga klithma e urisë, nga sëmundjet e tmerrshme dhe etja që të tjerët t’i donin. E megjithatë, dashuria që ti u jepje, vdekjen e tyre e bënte më të lehtë, më të paqtë…
– Vite me radhë kam jetuar me këto pamje mjerimi dhe dhembjeje. Më kujtohet që pas krijimit të fondacionit tonë, të nesërmen në rrugë, gjeta një njeri që po vdiste dhe me njerëzit e mi ne e morëm dhe e çuam që të vdiste në spital, por kur shkuam atje na thanë: “Ikni, merreni përsëri, pasi s’mund ta mbajmë”. Por, unë u revoltova: “Nuk lëviz që këndej pa u kujdesur për këtë njeri. Atëherë shkuan dhe thirrën një mjek i cili e pa, por njeriu po vdiste. Dola nga spitali dhe pyeta veten: si mund të lihet të vdesë kështu një njeri? Një ditë më vonë takova nënkryetarin e bashkisë së Kalkutës dhe i tregova ngjarjen e spitalit. I kërkova ndonjë ndërtesë të thjeshtë që të mblidhja këta njerëz në prag të vdekjes, që ata të mos vdisnin rrugëve, por në një vend të denjë? Arrita ta bind dhe ai më dha dy vende: njërën në qendër të qytetit dhe tjetrën në një lagje tepër fetare dhe popullore, në jug të qytetit, në Kalighat. Atje hindutë ishin tepër të devotshëm për perëndinë e tyre, hyjninë e krijimit dhe të shkatërrimit, KALI. Ishin dy salla të mëdha, ku mund të strehonim për çastet e tyre të fundit pesëdhjetë njerëz. Ishin salla të vdekjes.
Kjo ishte “Shtëpia e Zemrës së Dlirë”, siç e quajta, “Nirmal Hriday”.
I ndihmonim të vdisnin denjësisht, me një dorë pranë që i lante dhe ju prehte dhembjet e fundit. Fetarët hindu, në fillim u grumbulluan dhe donin të na largonin me forcë. Na qëllonin me gurë. Dhe atëherë unë dola para tyre dhe u thashë: “Më mirë më vrisni mua! Por, ata që janë brenda dhe që janë hindu, lërini të vdesin në paqe!”. Një polic erdhi ato çaste të vështira të shikonte se përse po bëhej kjo revoltë e madhe. Ai hyri brenda me idenë se bëhej ndonjë lloj preseletizmi, por jo, ai pikasi veç motrat tona në kokat e atyre të mjerëve që po jepnin shpirt. Ai e kuptoi dhe e ktheu turmën mbrapsht. Por klerikët e lartë hindu nuk na donin aty dhe e shikonin me dyshim punën tonë. Madje, kërkuan zyrtarisht largimin e misionit tonë, pasi aty afër ishte dhe Tempulli i hyjneshës KALI. Por, kur një fetare e devotshme hindu, një nga shërbyeset e tempullit, mësoi se ishte prekur nga turbekulozi dhe se ishte në çastet e fundit, ajo shkoi në disa spitale, por askund nuk e pranuan. Unë e mora vesh dhe e solla në shtëpinë tonë, ku tre muaj më vonë vdiq aty. Që atëherë hindutë e vlerësuan punën tonë. Ne i merrnim nga rruga, i lanim, i pastronim, u mjekonim plagët me sa mundnim. Një ditë gjeta dikë në rrugë që po vdiste. E solla në shtëpi, e lava, i pastrova plagët nga krimbat. Njeriu që po vdiste më tha: “Gjithë jetën time kam jetuar si një kafshë, ndërsa tani po vdes si njeri”!
Më 1954, “Misionaret e Dashurisë” numëronin tashmë 43 motra. Ishim vendosur si seli në 54, A. Lower Circular Road, por sigurisht jetonim shumë thjesht dhe me një ushqim të pakët. “Si mund t’i vështroja të varfrit në sy? Si mund t’u them se ju kuptoj dhe ju dua, nëse nuk jetoj dhe unë si ata?”… Më kujtohej një thënie e Gandhi-t, të cilën ua thosha shpesh motrave të mia: “Ligji hyjnor i jep njeriut atë çka nevojë çdo ditë. Të pasurit kanë aq shumë gjëra dhe që i mbledhin, saqë ato harxhohen kot, prishen duke i mbajtur gjatë, ndërkohë që miliona njerëz vdesin urie sepse nuk kanë çfarë të hanë. Nëse njerëzit nuk do të ruanin atë që s’e kanë nevojë të menjëhershme, çdo njeri do kënaqej me atë që ka”. Një ditë nga Selia e Shenjtë më erdhi një pagesë tremujore prej 25.000 dollarësh, e cila do të vazhdonte dhe më tej që të mbanim në funksionim shtëpinë tonë. Selia mendonte se misioni i ynë mund të dështonte me gjithë ata njerëz që duhej të ushqenim dhe të kujdeseshim. Por, unë ua ktheva menjëherë atë çek. Nuk kemi nevojë u thashë. Ne nuk punojmë për asnjë siguri materiale dhe s’kemi nevojë për asnjë llogari bankare. Është fryma hyjnore që mendon për ne”. Kthimi i çekut bëri përshtypje të veçantë në Vatikan dhe Shenjtëria e tij u habit.
– Nënë, në shapelën tënde të thjeshtë në Kalkutë, ku kishte vetëm një statujë të shenjtes Mari, anash saj ti kishe vendosur të shkruhej “Kam uri!”. Përse? Ç’ishte kjo uri?
– Po, dhe ne kishim uri… uri për dashurinë e Zotit. Atë kohë, fëmijë të shumtë dhe bebe braktiseshin nëpër rrugët e Kalkutës. Një ditë gjetëm një bebe pranë nënës së tij të vdekur. Atëherë e çova atë fëmijë në strehën e një misioni françeskan aty afër, por ata nuk pranuan. Atëherë e sigurova në një vend tjetër. Një herë tjetër gjetëm një bebe në një kosh plehrash. Një qen i kishte ngulur kthetrat dhe donte ta shqyente. Ne e morëm dhe e mjekuam dhe donim ta sillnim në jetë, por foshnja vdiq po atë natë nga plagët. Atëherë vendosa të ndërtoj një shtëpi të quajtur “Shtëpia e Zemrës së Dlirë”, që të mund të strehoja fëmijët e braktisur. Më 1955 gjeta një ndërtesë përmes miqve të mi në Lower Circular Road, rreth dyqind metra larg nesh, ku kishte tri salla: njëra do të ishte për fëmijët e ushqyer keq, tjetra për bebet e sapo lindura dhe e treta si sallë e adoptimit, ku nënat që s’mund t’i mbanin foshnjat e tyre, t’i linin atje. Kështu bëra një lajmërim zyrtar se do të pranoja fëmijët e braktisur në rrugë dhe strehën e quajta ‘Nirmala Shishu Bhavan’. Disa vajza që i kishin përzënë familjet e tyre, vinin dhe i linin aty foshnjat e sapolindura. U bënë shumë adoptime, madje dhe “brahmanë” të pasura vinin dhe adoptonin fëmijët e braktisur të rrugës. Kur takova një ditë Indira Gandhi në një rast dhe i tregova për këtë, ajo më tha: “Eshtë e pamundur… gati e pabesueshme”! Edhe pse sipas Kishës instruktohesha të thosha se në këtë vend të mos lindnin shumë fëmijë, nga ana tjetër thosha gjithashtu se isha kundër abortit, pasi “çdo jetë është jeta e Zotit tek ne”. Ne çoheshim çdo ditë në orën 4.30 të mëngjesit dhe shkonim të luteshim në heshtje në shapelën pranë.
– Nënë, ju shpesh keni folur për disa nga motrat tuaja më të devotshme dhe njëra prej tyre ishte Jacqueline Becker, nga Belgjika.
– Ah, Jacqueline ishte një katolike e devotshme, si dhe unë. Në moshën 17-vjeçare, ajo kishte vendosur të bëhej murgeshë pranë misioneve françeskane të Virgjëreshës Mari, edhe pse ishte nga një familje e pasur. Pas disa kohësh, në një pishinë ajo u aksidentua nga shtylla kurrizore dhe kishte dhembje të tmerrshme, e megjithatë ajo u kthye në manastir. Gjatë luftës hyri në “Kryqin e Kuq” dhe e ndihmoi shumë Rezistencën. Madje, shpëtoi dhe atin tim shpirtëror Monsinjor Périer. Më 1946, ajo erdhi në Indi dhe veshi rrobën e murgeshës duke rrahur udhët e Indisë, por u sëmur rëndë dhe u kthye të operohet, por tashmë mbërthyer me hekura, s’mund të lëvizte. Më kujtohet kur më 20 tetor të vitit 1952 i dërgova mikes sime të vjetër një letër ku unë i shkruaja: “Sot dua të them diçka që jam e sigurt që do të gëzojë. Në zemrën tënde ti ke pasur thellë vetvetes dëshirën që të bëheshe një misionare. Përse nuk bashkohesh shpirtërisht me komunitetin tonë, të cilin e doni aq shumë? Ndërkohë që ne punojmë me më të mjerët, ju do t’i ndani me ne meritat, vuajtjet dhe dhembjet e lutjeve tona. Është një detyrë e madhe, sepse unë kam nevojë jo vetëm për këto vajza që punojnë, por edhe shpirtra si ju që luten e ofrojnë vuajtjen e tyre për të vepruar. A pranoni ju të jeni “motra” ime shpirtërore dhe të bëheni një misionare e Mëshirës, me trupin tuaj në Belgjikë, por me shpirtin në Indi e ngado në botë ku ka shpirtra që kërkojnë me ngulm dashurinë e Zotit?”. Kështu unë i kërkova të më ndihmojë konkretisht në të ardhmen. Dhe ajo mu përgjigj menjëherë: “Dhembja në vetvete përbën një dështim, pasi nuk mund të ndërtosh asgjë. Ajo është shkatërruese. Por, e bashkuar me pasionin e Krishtit, ajo bëhet një dhuratë e çmuar. Unë nuk kërkoj ndonjë shpjegim për vuajtjen time, pasi tashmë i gjeta një kuptim”. Me një energji të habitshme, pas kësaj, ajo ngriti një degë të re të misionit tonë në Belgjikë dhe filloi të angazhohet në ndihmë të fëmijëve, madje dhe në ndihmë të prostitutave në qytetin e saj në Anvers. Në atë kohë më ndihmuan po ashtu shumë krerë të kishës si, ati im Van Exem, ati Henry apo monsinjor Pérrier, si dhe “Motrat e Vogla të të Varfërve”. Nga qytetarët indianë, të parët ishin familja Gomez në Kalkutë, e cila më strehoi që në vitin 1949. Edhe më vonë më ndihmoi për të strehuar të mjerët.
Tashmë, shqetësimi kryesor ishte për mua ndihma financiare, pasi kërkesat e të mjerëve ishin të mëdha. Disa kohë më pas një ndihmë të madhe na u dha nga doktor Roy, një kryetar i Kongresit të Bengalit, një nga partizanët dhe të afërmit e Gandhi-t dhe të Nehrusë. Më pas ishte Ann Blaikes një angleze e pasur që merrej me vepra karitative. Kishte lexuar për punën tonë në gazeta dhe erdhi të na ndihmonte menjëherë. Në fillim më propozoi të blinte lodra për fëmijë, por unë i thashë se këta të mjerë kanë nevojë të hanë, të vishen dhe një vend ku të flenë. Që nga ajo ditë, Ann e zgjeroi veprimtarinë e saj duke shtuar mjaft bamirës laikë, që ne filluam t’i quajmë “co-workers”, që më parë kishte qenë një shprehje e Gandhi-t, të cilët vinin të ndihmonin me punë humanitare. Më 1960, Ann me të shoqin u kthyen në Angli dhe aty e zgjeruan rrjetin e “co-workers”. Njëherë më ftuan në Londër për të gjetur fonde dhe në një intervistë të ‘BBC’, fola për punën tonë dhe të “co-workers”. Intervista pati një jehonë të madhe dhe qendrat u shtuan me shumë anëtarë, jo vetëm në Angli, por edhe në Amerikë e gjetkë. Tashmë filluan të më ftojnë në shumë institucione, konferenca ndërkombëtare, etj., dhe ishte pikërisht kjo kohë që unë vendosa krijimin e “Shoqatës Ndërkombëtare të Co-Workers” në lidhje të ngushtë me punën e “Misionareve të Mëshirës dhe statusi i saj u miratua nga vetë Shenjtëria e tij papa Pali VI, më 26 mars të vitit 1969.
– Nëna jonë, ju ndihmuat gjithashtu në luftën kundër lebrës dhe duart e tua nuk hezituan t’i prekin këta lebrozë të abandonuar nga të gjithë. E megjithatë, ti ngado që shkoje përsërisje gjithnjë frazën e famshme, atë të shpirtit tënd: “Prekini lebrozët me zemrën tuaj”.
– Ah, lebrozët, ishte një betejë e madhe, pasi ata ishin të shumtë në Indi dhe askush nuk i pranonte. Ishin të përjashtuar nga shoqëria dhe askush nuk i ndihmonte, madje as familjarët e tyre. Sapo merrnin vesh, ata i përjashtonin nga puna, gratë apo burrat i ndanin bashkëshortët, i detyronin të largoheshin nga familja. Ishte një tragjedi e madhe, më e madhe se moskamja. Më 1957 mbaj mend se pesë punonjës të një fabrike të Kalkutës i përzunë. Ata mbetën në rrugë dhe një ditë u shfaqën në dyert e misionit tonë. Ata nuk e dinin se një ilaç kundër lebrës sapo ishte gjendur në Amerikë. Menjëherë i adresova në një klinikë, por atje nuk i pranuan, pasi aty pranonin vetëm të pasurit. Atëherë mendova të krijonim ne vetë një klinikë për këta të mjerë dhe për t’i kuruar falas. Dhe më së fundi, disa muaj më vonë ne arritëm ta ngremë një klinikë me ndihmën e bamirësve tanë. Por ditën që shkova ta inauguronim, njerëzit aty na qëlluan me gurë duke thirrur se nuk donin të vendoseshin lebrozët aty. Ikni që këndej! – na thanë. Atëherë ne e transferuam klinikën tonë duke e bërë një ambulancë lëvizëse, e cila fatmirësisht na erdhi nga Amerika. Shkonim me të në lagjet e varfra. Kisha vendosur tri motra si dhe një mjek hindu që na ndihmonte vullnetarisht. Në janar të vitit 1958 ishin Ditët Botërore të lebrës, e krijuar me nismën e francezit Raoul Follereau. Ai kishte vite që luftonte kundër lebrës dhe unë iu bashkëngjita kësaj veprimtarie dhe lançova sloganin e misionit tonë: “Prekeni një lebroz me zemrën tuaj”. Në prill të atij viti dërgova tri motra që të vendosen në Titagarh, një vend ku ishin grumbulluar lebrozë dhe ishin bërë si gjysmë të egër. Ishte një ndërmarrje e vështirë, por që duhej bërë. Ata lebrozë ishin të shkëputur nga bota dhe nën kërcënimin e vdekjes. Pikërisht atje e kuptova se na duhej dhe një degë e misionit që të përbëhej jo me motra, por me djem. Dhe ashtu u bë. Kështu pata idenë të krijonim një qytezë të lebrozëve për t’u kujdesur për ta me mjekë vullnetarë. Më 1963 bashkia e Asansol na dha një terren të madh prej 34 ha për ta realizuar këtë dhe ne e quajtëm atë “Qyteza e Paqes”, apo “Shanti Nagar”. Për këtë na ndihmuan dhe urbanistët e qytetit, por ndërtimi i godinave kërkonte shumë para. Atë kohë qëlloi dhe vizita e Shenjtërisë sonë në Indi. Kur iku, ai na la limuzinën e tij që ta shisnim dhe të gjenim paratë për ndërtimet tona: dhe ashtu u bë. U organizua një lotari dhe më së fundi ne i siguruam paratë e nevojshme. Kur ne e inauguruam, në meshë u thashë lebrozëve: “Zoti ju do pafundësisht. Sëmundja juaj nuk është një ndëshkim, por përkundrazi, ju jeni të dashurit e Zotit”!
Që nga viti 1959, veprimtaria e misioneve tona në Indi mori një zgjerim të madh. Por, unë doja ta zgjeroja veprimin tonë edhe jashtë kufijve të dioqezës sonë, jashtë Indisë, çka ishte e ndaluar nga rregullat kishtare. Unë ia kërkova këtë Shenjtërisë dhe kjo mu aprovua. Fondacioni ynë i parë jashtë Kalkutës u hap në Ranchi, një qytet në veri të Indisë, në 29 maj të vitit 1959. Një muaj më vonë një mision tjetër u hap në Delhi. Meqë në kryeqytet gjetëm shumë mbështetje, në inaugurimin e saj mori pjesë kryeministri Nehru bashkë me disa ministra të qeverisë së tij. Që nga ajo ditë, shumë peshkopë katolikë të Indisë më kërkuan të hapja misionet në dioqezat e tyre, misione për të pastrehët, për lebrozët apo thjesht jetimore. Po kështu më kërkoi dhe kardinali i Bombey. Më 1962 ishte vetë presidenti i Indisë që më dekoroi me çmimin më të lartë “Padna Shri”. Sigurisht ne s’kishim nevojë për dekorata e podiume, por sidoqoftë duhej ta pranoja në emër të misionit tonë. Në atë kohë kërkova nga Shenjtëria jonë në Vatikan që tashmë misioni ynë të varej drejtpërdrejtë nga Vatikani dhe të ndryshohej statuti i saj, në mënyrë që të mundnim që misionit t’i jepnim një karakter internacional dhe misionet tona t’i hapnim në të gjithë botën. Dhe ai e dëgjoi kërkesën tonë. Misioni ynë do të varej tashmë drejtpërdrejtë nga Selia e Shenjtë. Më kujtohet kur erdhi Shenjtëria në Kongresin Eukaristik, që u mbajt në Bombay në vitin 1964. Monsinjori Knox më kishte caktuar një takim me Shenjtërinë dhe atë ditë u nisa ta takoja. Por ç’e do, rrugës pashë dy njerëz që po vdisnin në trotuar. Një zë më thoshte që të vazhdoja drejt takimit me Shenjtërinë, por zëri tjetër më thoshte se duhej të mos i braktisja e medoemos të ndihmoja e të isha pranë atyre dy njerëzve. Njëri nga ata të mjerë më vdiq në duar. Sidoqoftë, takimi me Atin e Shenjtë do të bëhej më vonë. Tani misionet tona po shpërndaheshin në të gjithë botën. Një ndihmë të madhe na dha Catholic Relief Services Americain.
(VIJON NESËR)
Komentet