Dega e LDK-së në Gjermani, së bashku me Nëndgët e saj, edhe pas bllokadës me mosnjohje, nga Kryesia e LDK-së, krejt të padrejtë dhe arbitrare, vazhdon veprimtarinë e saj normale. Ajo është aktive në organizimin e aktiviteteve të ndryshme me anëtarësinë e saj dhe mërgimtarët shqiptarë, pavarësisht përkatësisë partiake. Në këtë kuadër mjaft aktive vazhdon të jetë edhe Nëndega e LDK-së në Bavari.
Kryetari i Nëndegës të LDK-së për Bavari, Idriz Zeqiraj, në emër të Kryesisë të Nëndegës, propozoi rendin e ditës, i cili u aprovua nga të pranishmit. Situata politike dhe ekonomike, kriza permanente, brishtësia ligjore dhe anarkia qytetare në Kosovë, vazhdojnë të jenë shqetësuese dhe ngulfatëse për konsolidimin e shtetit të Kosovës. Folësit, pa mohuar punën e mirë të bërë në disa sektorë, ishin kritikë për dobësitë e shumëta, që stopojnë zhvillimin normal të jetës në Kosovën tonë.
Situata ekonomike, politike dhe e sigurisë në Kosovë
Këtë anarki po e favorizon edhe Kadri Veseli, kryetar i dyfishtë: i Parlamentit dhe i PDK-së. Largimin e detyrueshëm të familjeve uzurpatore të trojeve dhe shtëpive shtetërore apo private, në zbatim të ligjit, të ekzkutuar nga kuvendi komunal i Prishtinës, ai e krahason me skenat e dhunës në luftën e Sirisë! Realisht, këto familje lidhen me njëmijë e një fije me eksponetët e PDK-së. Përndryshe, po të niseshin nga logjika se pushtuesi “ma kalli shtëpinë dhe dua të uzurpoj një banesë, shtëpi apo truall, hiç më pak se në kryeqytet”, Dukagjini, me shumësinë e kalljeve, do ta pushtonte Prishtinën.
Për opinionin janë të njohura shumë qindra raste të uzurpimit të shtëpive dhe të banesave të minoriteteve në Kosovë, nga “komandantët” e Kadri Veselit me shokë. Për blerjen e tyre, nga pronarët ligjshëm, është dashur t´u paguhet haraç “komandantëve” uzurpatorë, nga 10.000 deri në 25.000 euro, varësisht vlerës të objektit! Kanë prirë në këtë krim e poshtërsi disa nga “komandantët” e Drenicës dhe tarafi i tyre, gjithnjë me dijeninë e kryeshefave të LPK-së, alias PDK-së.
Disa horra e dallaveraxhi mezi e kishin pritur luftën e Kosovës, për t`u sulur në vjedhje, uzurpime dhe përfitime rë paligjshme e banditeske. U shquan në poshtërsi të tilla disa “komandantë” dhe akraballëku i tyre. Gjithësesi, Prishtina ishte caku i tyre i preferuar.
Të plagosën policët, në krye të detyrës, duke u përballur me vetëm 6 (gjashtë) familje uzurpatore, pse jo, edhe rrugaçërore, është e turpshme për shefat e këtyre policëve, që i mbajnë nën fre, nën urdhëra burokratike e nepotike, duke i bërë leckë në sy të qytetarëve. Për rinovimin, madje edhe rindërtimin e shtëpive në Kosovë, ndërkombëtarët që e çliruan Kosovën, kanë dhënë miliona euro. Abuzimin kriminal me fondet e dhuruara e ka bërë PDK-ja. Kuadri i saj i kushtëzonte ndihmat me votën për këtë parti-bandë!
Etja dhe ethet e Kadri Veselit, për t`u bërë kryeministër, e kanë zhvendosur nga zyra e Parlamentit, duke bredhur anëpërtej Kosovës, për ta minuar qeverinë aktuale të Isa Mustafës. Ai i nxiti veteranët për ta kundërshtuar, madje me forcë, vendimin e qeverisë për pensionet. Janë pikërisht krerët e veteranëve që kanë shitur e përshitur dëshmitë e “veteranit të luftës”, nga 3.000 deri në 5.000 euro, duke e ngritur shifrën nga 15.000 në 50,000 “veteranë”. Shteti i brishtë i Kosovës, pse jo, edhe i prishtë, po shantazhohet nga shoqatat fantazmë, kinse të dala nga lufta! Edhe pse në koalicion me LDK-në, kreu i SHIK-ut, nuk pengohet fare për ta luftuar, deri në rrëzimin e tij, kryeministrin e tanishëm.
Rrjedhat aktuale në LDK-e në Kosovë dhe në Mërgatë
Situata aktuale në Lidhjen Demokratike në Kosovë dhe në Mërgatë, ishte pika e dytë e rendit të ditës të kësaj mbledhje maratonë, me debate të shumëta. Në debatin e hapur dhe pa cenzurë u përfshinë: kryetari i Nëndegës të LDK-së në Bavari, Idriz Zeqiraj; nënkryetari i Degës të LDK-së, Blerim Hajdaraj; anëtari i Kryesisë të Degës, Isuf Çettaj; anëtarët e Kryesisë të Nëndegës: Mehmet Kokaj, Afrim Mulaj, Mehmet Zymeri, Sadedin Dushi, Naim Haxhijaj,; delegatët dhe veprimtarët: Osman Ferizi, Shaip Buleshkaj, Gani Batatina, Shemsi Haziri, Hajzer Gashi, Ramadan Deskaj dhe të tjerë.
Kryesuesit e mledhjes në fjalë raportuan për vendimin e Kryesisë të LDK-së, për përsëritjen e zgjedhjeve në Degën e LDK-së në Gjermani! Arsyeja: Një SMS i dërguar nga Gjermania se zgjedhjet nuk kanë qenë të rregullta. Emrin dhe tekstin nuk i tregon Kryesia! Për rrjedhojë, delegatët e Degës të LDK-së në Gjermani, nuk u lejuan të marrin pjesë në Kuvendin e 8-të zgjedhor të LDK-së!!
Tej një viti më vonë, kryetari i LDK-së, bëri një provokim të rëndë publik: “Një komision i LDK-së ka hetuar zgjedhjet në Degën e LDK-së në Gjermani dhe Zvicër dhe ka gjetur parregullësi dhe shkelje atje”, – ka thënë ai!!?
Kryesia e Degës të LDK-së në Gjermani, provoi të mësojë përbërjen emërore të komisionit, ku dhe kur ka hetuar zgjedhjet në fjalë, por Kryesia Qendrore nuk u përgjigj! Anëtarët e Kryesisë dhe të Këshillit të Përgjithshëm janë pyetur, nëse dikush nga ata kanë qenë pjesë e këtij komisioni. Por, përgjigja ka qenë – jo, nuk dimë gjë lidhur me këtë komision! Atëherë, zoti Isa Mustafa mashtron opinionin për ekzistencën e këtij komisioni imagjinar!
Të pranishit në Kuvendin e 8-të zgjedhor, të Nëndegës të LDK-së në Bavari, u pyetën, madje një nga një, nëse zgjedhjet në këtë Nëndegë kanë qenë të rregullta? Dhe, përgjigja ishte e prerë: “Kuvendi zgjedhor i Nëndegës të LDK-së, në Bavari, mbajti zgjedhje shumë të rregullta, duke përmbushur tri standartët, të miratuara nga Këshilli i Partive Popullore të Evropës: 1) Debati kuvendor; 2)Konkurrenca dhe 3) Votimi i fshehtë e demokratik. Andaj, pretendimi i Kryesisë Qendrore të LDK-së, është sa absurd, aq edhe alogjik. Kryetari i LDK-së me shokë duhet të thotë arsyen e vërtetë, pse duhet përsëritur zgjedhjet në Nëndegën tonë, madje edhe në Degën e LDK-së në Gjermani, kur dihet se ky është mendimi edhe i Nëndegëve të tjera në Gjermani”!
Të gjithë diskutuesit ishin të mendimit se Dega e LDK-së në Gjermani, ka bërë zgjedhje shumë me të rregullta dhe me standarte evropiane, se sa shumë Degë të LDK-së në Kosovë, të cilat kanë anashkaluar debatin, konkurrencën dhe votimin e fshehtë e demokratik. Ndërkohë, shkeljen më të rëndë, madje skandaloze, e ka bërë Kuvendi i 8-të “zgjedhor” i LDK-së, ku është përjashtuar, dhunshëm, debati, konkurrenca dhe votimi i fshehtë, duke e zëvendësuar me duarngritje aklamative, tipike moniste, staliniste.
Nëndega e LDK-së në Bavari, është e mendimit se nuk ka asnjë arsye valide, për përsëritjen e zgjedhjeve në Degën e LDK-së në Gjermani si dhe në Nëndegët e saj. Ne apelojmë për maturinë e nevojshme të Kryesisë Qendrore të LDK-së, për tërheqjen e një vendimi të nxituar dhe aspak të argumentuar. Kjo do të ishte shumë e shëndetshme për demokracinë partiake dhe atë të përgjithshme në Kosovën tonë, të ngulfatur nga partitë e ekstremit të majtë. Dështimi i përsëritjes të zgjedhjeve në Zvicër, me implikimin intrigues të Qendrës, është një arsye më shumë, për t´i dhënë fund një inati provincial, madje i kujtdo qoftë ai. Mos harroni se është goditur kryeveprimtari i Zvicrës, djali i vyshëm dhe dinjitoz i Boletinëve. Rrjedhimisht, jemi goditur të gjithë ne, mërgimtarët. Dhe, në këtë goditje kontribuat edhe ju, shefa nga Prishtina. Mërgata nuk jua harron këtë “dhuratë” dajaku! Mjerisht!
PËR KRYESINË E NËNDEGËS TË LDK-SË NË BAVARI
KOMISIONI PËR INFORMIM
Komentet