DITA E VERËS
I vogël kur isha, nëna më lante sytë me lule,
Në direkë dyersh i vinim
Si të vetmet pekule
Pas dimrit,kur ende ngrinim.
Atëhere nuk e dija ç`ishte Ditë e Verës,
Aroma mes fraqit futet në damar të ditës,
Me nanën time të largët si Zanë të Çermenikës…
THJESHTËSI TIRANIZUESE
Të pasurit nuk shesin mend,
Pangopësia e tyre s`është e furtuntë
Ajo është e untë…
Mjerane ajo; zgafellë erëndotur,
Ndihet kudo e përdorur…
Në thjeshtësinë e tyre të palodhur…
Prej frakut europian e qëllimit human,
Pa na rrahur veshët me tam tam
E gjithnjë duke na i kujtuar
Për të menduar për ta
Mendja në mulli bosh duhet bluar…
ARA E FJALËS
Ara e fjalës në letër
Dhe plug i penës…
Zejet më të vjetra
Mes së vërtetës e gënjeshtrës.
Lërues të tjerë para nesh
letrën shtrinë,
Fjalët mbinë e s`mbinë…
Letra pranon çdo fjalë.
Po kush mund të mbijë,
Kush mund të rritet
Dhe drithë kush mund të japë
Si mund ta gjesh vallë?…
SHELG
Shelg i ëmbël
Degët përpëlit
Në cirka valësh
Prej gojës së përroit
Që kënd nuk habit.
Ishe ti i ëmbël
Apo takimi nën ty,
Sy i hënës vëngër
Kallaiste përbri
Statujën e pritjes
Që ardhja e shkrin…
Ç`ikte nëpër natë
Ç`vinte tek unë
Trokashkë e shelgut
E shkruante mbi ujë..
Shelg i ëmbël
S`kishte hidhësi,
Hidhësinë e tij
E ndjej tani…
Komentet