Fotot: Pierre Virot dhe Peter Kenny
Hyrje
Në Ballenberg ndodhet muzeu i hapur i ndërtesave me arkitekturë tradicionale nga i gjithë vendi. I vetmi i këtij lloji në Zvicër. Nën qiellin e hapur të Ballenbergut paraqitet pak a shumë habitati tradicional rural në kantonet e ndryshme të Zvicrës për gjatë shtatë shekujve.
Këto ndërtesa që i përkasin shekujve të ndryshëm janë çmontuar nga themelet dhe janë sjellë në komunën Hofstetten bei Brienz, Kantoni Bern. Në Ballenberg ka mbi 100 ndërtesa origjinale që janë transportuar nga vendndodhjet e tyre. Në vitin 1982, një fermë tipike e Gjenevës u kërcënua nga rreziku i rrënimit. U vendos që të shpëtohej dhe u mboll mbi 200 kilometra më tutje, në Ballenberg. U çmontua dhe u montua nga 1984-1985.
Muzeu i parë i hapur në natyrë ishte ai Skansen pranë Stokholmit në 1891, që shërbeu si model për muzeume të ngjashme në Europën Qendrore dhe Lindore deri në SHBA.
Muzeut Nordik “Skansen” u krijua si një shprehje e romanticizmit kombëtar të asaj kohe me qëllim që të afronte suedezët me kulturën e tyre popullore, ndërsa kishte filluar era e industrializimit. Një soj Muzeu i gjallë. Ideja përputhej me obligimin kombëtar që të ruante dhe mbronte të konservuar kulturën shpirtërore dhe materiale të suedezëve, ndërtesat me arkitekturë sipas shekujve, autentike, pajisjet, mobiljet, veglat e punës, pajisjet artizanale, gjithçka e gjithçka. Në këtë Muze gjendet ndërtesa më e vjetër e Suedisë. Emocionuese.
Këtë qëllim ka edhe Muzeu i hapur i Ballenbergut. Ky është emëruesi i përbashkët i qytetërimit Perëndimor. Të mbrojë dhe konservojë rrënjët, traditën, kulturën.
Prandaj Ballenberg është pasuri e trashëgimisë zvicerane me rëndësi kombëtare.
Ballenberg është libri i jetës i zviceranëve nëpër shtatë shekujt e shkuar, që mbrohet me dashuri dhe përkushtim nga Zvicra moderne, kontemporane që sot e ka çështje të ditës aplikimin e paneleve diellore për ndërtimet e reja, me qëllim për të shfrytëzuar sa më masivisht energjinë e pashterrshme diellore, burim i energjisë së pastër elektrike.
Si dhe kur lindi Muzeu i hapur i Ballenbergut
Rrallëkush përtej kufijve të tij është kujtuar për Ballenberg (shqiptohet Balenberg) deri atë ditë kur dikujt i lindi ideja që edhe Zvicra të strehojë nën qiell të hapur ndërtimet karakteristike të shtatë shekujve të fundit nga të gjitha anët e vendit. Kjo ide nuk ishte vetëtimë në qiellin e kthjellët. Muzetë nën qiellin e hapur kishin filluar jetën e tyre në vendet skandinave në Shekullin XIX. Në Evropë dhe në Amerikën e Veriut këtë traditë e kanë përqafuar mbi njëzet vende dhe janë me dhjetëra muzetë e tillë nën qiell të hapur.
Ishte viti 1963 kur Këshilli Federal krijoi një Komision Ekspertësh që të shikonin mundësinë e krijimit të një muzeu të tillë edhe në Konfederatë. Kështu, për herë të parë në histori filloi të lakohej hapësira e bukur në komunën e Hofstetten bei Brienz. Mes kushedi sa kandidaturave të tjera i ndriti fati pikërisht këtij toponimi. Ndoshta pikërisht ngaqë rrallëkujt i binte rruga për këtu. Ndoshta pikërisht se ndodhet në një luginë të rrethuar në tri anë nga Alpet Zvicerane dhe në një nga zonat më të bukura liqenore. Ndoshta pikërisht se, për të arritur këtu, ngado që të merrnin udhën, vizitorët nuk do të kishin nga të kalonin vetëm se nëpërmjet zonash nga më mahnitëset që mund të shohë syri i njeriut.
Pesë vjet më vonë, më 1968 u miratua Fondacioni Ballenberg, Muzeu Zviceran nën Qiell të Hapur, Freilichtmuseum der Schweiz, një fondacion privat. Dhjetë vjet më vonë, më 1978, u hap zyrtarisht muzeu me 16 ndërtesat të transplantuara këtu dhe me mjediset e para artizanale. Ndër pikat kulmore të ecurisë së Muzeut është sjellja e kafshëve të para shtëpiake, krijimi i qendrës artizanale, përurimi (më 1997) i ndërtesës më antike (e vitit 1336) nga kantoni i Shvicit, përurimi i ndërtesës më të madhe, maserisë (më 2003) nga Novazzano e Tiçinos me 50 dhoma, modernizimi i ndërtesës 400 vjeçare të banimit të Matten (Bernë) më 2007, përurimi i fabrikës së bulmetrave të Pery (Bernë) më 2017. Në 40 vjetorin e hapjes së tij, Muzeu numëronte 109 ndërtesa historike.
Vite më parë ne kemi shkruar “Zvicra në miniaturë”, një park nën qiell të hapur, që e paraqet Zvicrën në shkallë të zvogëluar 1:25. Prandaj quhet Swissminiature. Atje, nga mesi i marsit deri në fund të tetorit, çdo vit do t’i gjejmë 127 mrekullitë e mrekullive të Zvicrës, të natyrës dhe të dorës së njeriut, të të dyjave së bashku: monumente, kisha, katedrale, kështjella, hotele, restorante, muzeume, ura, tunele, teleferikë, male, vargmale, qafmale, lumenj, ujëvara, liqene, autostrada, hekurudha, shkolla, universitete, akademi, stadiume, qendra sportive, qendra arkeologjike, etj. etj. Parku i Swissministurë, në Melidë të Tiçinos, shtrihet mbi një sipërfaqe prej 14 mijë metra katrorë.
Dhe kushdo që e ka parë atë, Ballenbergu ia kujton menjëherë, sapo të ketë vënë këmbë këtu. Por ndryshimi mes tyre është i madh, qoftë zanafillor, qoftë kuptimor. Ballenbergu është formuar nga transplantimi i ndërtimeve më karakteristike banesore dhe artizanale të hapësirës zvicerane të shtatë shekujve të fundit. Është një transplantim i plotë i këtyre ndërtimeve të vendosura në mjedise të njëjta të bimësisë dhe të gjësë së gjallë, me një origjinalitet tërësisht të pacënuar.
Tashmë janë të panumërt vizitorët nga çdo fshat dhe qytet i Konfederatës Helvetike dhe rreth 250 mijë vizitorët nga çdo anë e botës që e kanë në vëmendjen e tyre Ballenbergun.
Guri dhe druri
Një grup kolegësh nga APES, me në krye Presidentin tonë Jean Musy, jemi në Ballenberg në javën e dytë të shtatorit. Në Ballenberg West na presin Mr. Swiss Tourism Federico Sommaruga (Switzerand Tourism) dhe nga zonja Irene Thali (Museum Ballenberg).
Guida jonë Antonio, filozof, sociolog e etnolog, pra një guidë jo dosido, i cili bën guidën këtu gjithë pranverën, verën dhe vjeshtën sa zgjat turizmi vjetor në këtë fshat, na shpjegon si u bë diferencimi në të pasur dhe të varfër në shoqërinë zvicerane. Popullsia zvicerane, e vendosur në rrafshnaltat dhe luginat, kryesisht alpine, si të gjitha popullsitë agrare, sa më shumë që largohej nga jeta nomade dhe bëhej popullsi e ngulur, e përqëndruar brez pas brezi në vendbanimet e tij, aq më shumë i zhvillonte disa profesione bazë të jetesës. Meshkuj zviceranë ishin kryesisht bujq, blegtorë, mjeshtër guri, mjeshtër druri, mjeshtër argjile, gjahtarë, peshkatarë, ndërsa femrat zvicerane merreshin me jetën shtëpiake, me lindjen dhe rritjen e fëmijëve, me përpunimin e bulmetit, me punë tekstile për të përballuar nevojat e brendshme të familjes, ato lindnin fëmijë gati çdo vit dhe shumë prej tyre nuk mbijetonin. Emigracioni ishte një plagë e vazhdueshme e shoqërisë zvicerane deri në fillim të Shekullit XX.
Deri më 1850 pothuaj e gjithë popullsia zvicerane merrej me këto sektorë të ekonomisë, deri më 1900 merrej 30 për qind e popullsisë, deri më 1950 merrej 16 për qind e popullsisë, ndërsa në vitet 2000 merret vetëm 4 për qind e popullsisë.
Një nga profesionet më të vjetra e më të përhapura të meshkujve zviceranë ishte ai i luftëtarëve. Gardat e oborreve mbretërore, princërore apo perandorake kishin në përbërje të tyre plot luftëtarë profesionistë zviceranë. Vazhdim i asaj tradite të lashtë në ditët tona janë Rojat e famshme Zvicerane të Vatikanit. Antonio na shpjegon se mercenarët zviceranë ktheheshin në vendlindjet e tyre me paratë e fituara. Ndërtonin shtëpi, blinin toka e bagëti, merrnin prodhime të shumta dhe tepricat e tyre i nxirrnin në shitje. Kështu filloi të lulëzojë tregtia, filloi të krijohej shtresa tregtare, po ashtu kërkesat për tregje rriteshin, zgjerohej edhe shtresa e zejtarëve, lindnin mekanizimet e para të përpunimit të prodhimeve bujqësore, blegtorale, lindi industria e materialeve ndërtimore e përpunimit, e shfrytëzimit të burimeve të ndryshme natyrore e tjerë.
E gjithë kjo pasqyrohet në shtëpitë dhe ndërtimet e tjera karakteristike zvicerane në gjithë periudhën agrare, para industriale dhe industriale, në shtatë shekuj. Në botimet me të cilat iu shërbehet vizitorëve çdo ndërtim këtu ka historinë e vet të prejardhjes, të transplantimit në truallin e ri dhe të jetës së re në Ballenberg. Disa prej tyre janë kopje të vetme, përfaqësojnë tipe ndërtimore të cilat, në kohë të caktuara, janë zhdukur, disa ndërtime të tjera kanë ende simotra të tyre që iu janë përshtatur kushteve të reja dhe mënyrave të reja të jetesës që kanë hyrë kudo në shoqërinë zvicerane sidomos dy shekujt e fundit. Të gjitha këto shtëpi janë në inventar të Muzeut të Ballenbergut dhe nën përkujdesjen e tyre profesionale, në rastet kur rrezikohen seriozisht për zhdukje, transplantohen dhe sillen këtu nën këtë qiell të hapur.
Në përshtatje me terrenin, me klimën dhe mikroklimat në fshatin Zviceran u përhapën dy lloje kryesore ndërtimesh: ato të bazuara në dru dhe ato të bazuara në gur. Në të parat guri përdorej vetëm për bazamentin e shtëpisë, mbi të cilin lartoheshin katet e shëpive. Në të dytat, druri përdorej vetëm për brendësitë e shtëpive dhe për orenditë. Në zonat ku edhe lënda drusore nuk ishte aq e mjaftueshme, u përdor edhe kashta e grurit. Përgjatë shekujve, ndërtimet me mur të thatë filluan t’ua lënë vendin ndërtimeve me llaç nga rëra dhe gëlqerja. Deri në lindjen e industrisë së gozhdëve, në ndërtimet me lëndë drusore u praktikuan ndërtimet duke i vënë gojë më gojë trarët, dërrasat, listelat, me një fjalë të gjithë elementët përbërës të ndërtimit deri tek mobiljet më të thjeshta.
Sa më të kamura familjet, aq më i madh ishte përkushtimi ndaj banesave sa më të rehatshme, sa më estetike, ku banorët të jenë të mbrojtur nga të ftohtët, nga lagështira, nga tymi i vatrës, ndërkohë që dy rreziqet më të mëdha ishin orteqet dhe zjarret. Ndërtimet prej druri, si dhe prej druri e kashte rrezikoheshin dendur nga zjarret.
Vizita në Ballenberg është edhe një çmallje me të shkuarën, një rikthim në të shkuarën, kthim në Natyrë, back to Nature alla Jean-Jacques Rousseau. Kudo ndihet aroma bujqësore dhe blegtorale. Gjelat, fare pa teklif, përplasin krahët dhe ia thonë këngës së tyre, pulat iu gëzohen me kakarisje vezëve që sapo kanë bërë, të imtat, gjedhet, kuajt ia shtojnë vizitës sonë koloritin tradicional.
Shtëpitë tip chalet, kaq të modës sot në botë, e kanë djepin e tyre në Zvicër
Zvicra ia ka dhënë botës kulturën e ndërtimeve chalet (shalet). Shtëpitë chalet, të quajtura edhe shtëpiza zvicerane, kaq të modës sot në botë, e kanë djepin e tyre në Zvicër. I pari chalet daton më 1872 dhe vjen këtu nga Burgdorfi i Bernës. Porosinë dhe dizajnin e tij e bëri industrialisti i tekstileve Hans Schafroth. Shtëpia ndodhej pranë linjës hekurudhore. Arkitektët e këtyre chaleteve, adhurues të shtëpive zvicerane prej druri, duke imituar elementë të ndryshme të shtëpive tradicionale, arritën të krijojnë një modë ndërtimi e banimi e cila u përqafua nga njerëz intelektualë dhe reformues të mënyrës së jetesës. Veçanësia e tyre është se ato ruajnë atmosferën idiliake alpine, ëndërrimtare të jetës së qetë, të lirë e komode, duke e harmonizuar me modernitetin më të skajshëm të kohës.
Prandaj kjo shpikje arkitektonike zvicerane njohu një sukses të padiskutueshëm ndërkombëtar në Shekullin XIX. Nga të gjitha anët e botës u vu në lëvizje moda e parë, më e hershmja e “Udhëtimit në Zvicër”, u vënë kështu edhe themelet e turizmit modern zviceran. Dikur kjo shtëpi kishte një gjallëri të jashtëzakonshme ditë e natë, plot familjarë dhe shërbëtorë, plot takime me miq, me partnerë biznesi. Sot, duke kundruar mjediset e saj, vizitorët kanë mundësinë të njihen edhe me koleksionet e veshjeve zvicerane karakteristike të kohës të cilat ruhen e mirëmbahen në këtë chalet, të parin e të parit të Zvicrës dhe të botës.
Mënyrat tradicionale të banimit zviceran, si kur mbizotëron guri dhe kur mbizotëron druri, janë dy: E para, ndërtime plurifunksionale, nën çati të përbashkët, në kate të veçanta apo ndarje të veçanta të të cilave jetonin kafshët, në të tjera jetonin familjarët, në mjedise të veçanta ruheshin edhe bulmetrat, ndërsa nën tavanet e tyre ruheshin prodhimet bujqësore. Një shtëpi e tillë tipike është ajo La Chaux-de-Fond (Neuchatel, 1617) – një katëshe mure guri të lidhura me llaç gëlqereje, e suvatuar, e gëlqerosur, me dritare të vogla, ku jetonin tri kurorë familjare, në tri vatra zjarri dhe me oxhakun e gjerë të përbashkët, në krye të të cilit një llamarinë e mbronte atë (oxhakun) nga reshjet. Ndërsa shtëpia nga fshati Therwil (Basel Land. 1675) e banuar nga një familje e kamur, është me disa kate, me dritare të mëdha, po ashtu plurifunksionale. Më 2013, kur kjo shtëpi u transplantua në Ballenberg, fshati i prejardhjes, kishte 10 000 banorë, vetëm 11 prej të cilëve bujq. Një tjetër kopje e shkëputur nga tipi i ndërtesave tradicionale nga rrafshnalta lindore, me vreshtari dhe verëbërje të zhvilluar, të banuara nga disa familje, është ajo e Richterswilit (Zyrih, 1780) me zgjidhje të brendshme interesante dhe praktike dhe me paraqitje të jashtme piktoreskte plot me ndërthurja figurash gjeometrike.
E dyta,ndërtime njëfunksionale ose komplekse ndërtimore brenda të njëjtit oborr, ku ndodhet shtëpia e banimit, kati i parë i së cilës është kantinë për verën dhe për bulmetrat, po ashtu ndodheshin hambarët e grurit, thekrës, tërshërës e tjerë, ndërsa kati i dytë banim për familjarët. Në skajin më të largët të oborri ndodheshin plevicat e bagëtive, torishtat, kotecët e pulave, kosheret e bletëve, stani i bulmetit, koshat e drithit, depot e druve të zjarrit, këndi i veglave të punës, kolibja e qenit e tjerë, siç shihet, mënyra të ngjashme jetese me ato të traditës malore shqiptare. Një traditë tipike zvicerane janë shtëpizat e bletëve. Bletarët zviceranë, në një ndërtesë të përbashkët, sërë mbi sërë, ndërtonin kosheret e bletëve. Një e tillë është nga fshat Gwat i Bernës, i fundit të Shekullit XIX. Nga tradita zvicerane zunë fill dy industri të mëdha ushqimore tashmë prej kohësh burim i madh eksporti, ajo e industrisë së djathrave të markave Appenzel, Emental dhe Grüyer, të kërkuara në gjithë botën, si dhe industria e verës, po ashtu një nga burimet e mëdha të eksportit zviceran.
Disa nga ndërtimet përfaqësojnë kalimin nga periudha agrare në atë industriale. E tillë është shtëpia nga Vilnachern (Argau, 1635) ku kanë banuar tetë veta, katër merreshin me bujqësi dhe katër merreshin me zejtarinë tekstile.
Ne vizituam disa nga ndërtimet dhe komplekset ndërtimore ku shikuam nga afër mënyrat e përpunimit dhe të stazhionimit të djathit, ku çdo proces kërkon pasion, përkushtimit dhe mjeshtëri sa më të përkryer. “Jeni me fat, na thotë guida jonë Antoni, sepse këtu afër ndodhet një aerodrom ushtarak dhe në këto orë rëndom ngrihen në fluturim avionët.” Dhe ne vazhdojmë në qetësi të plotë vizitën tonë.
Uji dhe ajri
Muzeu nën qiell të hapur i Ballenbergut shtrihet në 66 hektarë. Një vizitë e vëmendshme kërkon një javë të tërë. Për t’iu siguruar vizitorëve një komoditet sa më të plotë dhe të lidhur me traditën, është gjetur edhe një mënyrë tradicionale e transportit.
E kalojmë drekën në restorantin “Alter Bären” (Arinjtë e moçëm) një shtëpi fermë e Shekullit XIX, e sjellë këtu nga Raperswili i Bernës. Na shërbehet një meny tiçineze, ku mbretëron Merloti i Bardhë i asaj zone. Një pjesë e grupit janë të habitur ngaqë Merlotin e njohin vetëm si verë të kuqe, prandaj të gjitha komentet vërtiten rreth kësaj habie me shije të hatashme. Merlotin e Bardhë ne e kemi shijuar për herë të parë në Lugano, aty ku prodhohet nga një lloj rrushi i bardhë i zhveshur.
Nga dritaret e lokalit ne shikojmë karroca të mbuluara sipër e të hapura anash dhe të tërhequra nga dy kuaj, të quajtura kuçe (me sa duket version i emrit koçi). Ishin plot të tilla që shkonin dhe vinin papushim. Një të tillë morëm edhe ne për pjesën më malore të udhëtimit tonë.
Këtë udhëtim e bëri më të këndshëm e dëfryes karrocieri ynë Ivo, me dy kuajt e tij Haarle e Niçe dhe me qenushen e tij Kira. Kira e çlodh Ivon me përkëdheljet e saj të pakursyera, por është miqësore edhe me vizitorët, i pranon përkëdheljet e tyre. Haarle dhe Niçe mërziten kur Ivo e ngadalëson ritmin e udhëtimit me kërkesën e guidës që na jep ne shpjegimet e rastit. Atyre iu jep kënaqësi vrapimi, ndoshta edhe i kënaq troku i patkojve mbi asfalt. Niçe e grind Haarlen, sidomos kur ndalojnë për të pirë ujë, për t’u furnizuar me karburant siç thotë karrocieri Ivo.
Ndërsa jemi duke udhëtuar nëpër ahishten, përzier tek-tuk me pisha, avionët nga aerodromi ushtarak pranë Ballenbergut, filluan të ngrihen në fluturim. Lugina poshtë, alpet rreth e rrotull dhe qielli si një tavan i mbyllur hermetikisht sipër tyre, si rrallëkund tjetër, dukej se nuk iu krijonte shtegdalje jehonave të zhurmës së avionëve, e cila vazhdon të përcillet nga një reliev në tjetrin, derisa, edhe pasi avionët e kanë mbaruar fluturimin stërvitor radhës.
Në këtë pjesë të udhëtimit ne u njohëm me shfrytëzimin e energjisë së ujit. Në pjesën e parë të udhëtimit ne kishim parë mënyrat primitive të bluarjes së drithrave, ku gurët e mullirit rrotulloheshin nga kuaj që vërtiteshin rrotull me vrap. Mullinjtë me turbina druri, me fletë të mëdha druri, të cilat nën vërshimin e rrjedhës së ujit e vërtitnin turbinën dhe kjo gurin e mullirit solli një përmirësim të madh të jetës. Një mulli i tillë bluante për zona të tëra. Me kalimin e kohës mullinjtë me ujë u zhvilluan shumë dhe funksioni i tyre u shtri në procese të tjera, duke krijuar edhe profesionin e përhapur të mullisëve.
Ne vizituam sharrëtoren e sjellë këtu nga Rafz (Zyrih, Shekulli XIX). Deri më 1841 ishte mulli i thjeshtë. Një rrotë hidraulike vë në lëvizje rrotat e dhëmbëzuara (ingranazhet) të cilat vënë në punë sharrat. Ato u përhapen me shumë shpejtësi në shumë rajone, duke krijuar edhe traditën e përpunimit dhe shfrytëzimit të drurit dhe duke zgjeruar e modernizuar industrinë e materialeve të ndërtimit, çka i jep hov në atë kohë këtij sektori jetik të ekonomisë.
Uji ishte një nga përbërësit më të vështirë të jetesës në fshatin zviceran. Në zonat me thatësirë, çdo familjeje i duhej ta zgjidhte në mënyrën e saj ujin e pijshëm për familjen dhe për kafshët shtëpiake. Prandaj çdo familje kishte pusin e saj, me trumën që nxirrte me anë të presionit ujin, me lugun e drunjtë, ku pinin kafshët dhe me rubinetin ku merrnin ujë familjarët. I tillë është edhe ndërtimi i pusit nga Wimmis (Bernë, Shekulli XIX).
Kishte zona zvicerane ku çdo pikë e ujit, qoftë e buruar nga toka, qoftë e ardhur nga reshjet, ruhej me kujdes të jashtëzakonshëm. Ne pamë rezervuarët e mbyllur hermetikisht, ku mbusheshin enët për nevojat e domosdoshme dhe menjëherë mbylleshin përsëri që edhe banorët e tjerë, jeta e përditshme e të cilëve varej nga ai rezervuar uji, të kishin pjesën e tyre.
Sfidë tjetër ishin ajri dhe drita. Shtëpitë zvicerane kërcënoheshin nga të ftohtët, nga lagështira dhe nga mungesa e dritës. Prandaj në zonat pranë pyjeve dhe në zonat më të zhvilluara bujqësore zgjidhnin mënyrën e ndërtimit me çati prej kashte, me çati prej shtresash të trasha të listelave shumë të holla. Me kalimin e kohës dritaret ishin gjithnjë e më të mëdha e shtëpitë më të ndritshme. Gjithashtu ndërtimet ngriheshin mbi katër a më shumë këmbë druri për të ruajtur pasurinë jo vetëm nga lagështirs, e nga reshjet e stinëve, por edhe nga egërsirat, insektet, brejtësit apo vjedhësit. Një shembull të ndërtimeve të tilla ne e pamë te hambari i grurit, i ardhur nga Ecoteaux (Vuad). Nga ky fshat, në kuadrin e komplekseve ndërtimore, është edhe kasollja e pëllumbave, të cilët mbaheshin për mishin e veçantë dhe për vezët.
Zjarri dhe flaka
Ballenbergu çdo vit zgjedh një temë qendrore të veprimtarive studimore. Tema qendrore e vitit 2021, e zgjedhur nga Qendra Studimore e Banesave Tradicionale Zvicerane, me qendër në Ballenberg, është “Zjarri dhe flaka”.
Zjarri dhe flaka ishin dy aleatët më të mëdhenj dhe dy armiqtë më të rrezikshme për jetën e atëhershme. Zjarri dhe flaka ishin ngrohje dhe dritë. Prej tyre u shkëput qiriri, flaka e qiririt, pastaj kandili me vaj të zakonshëm, pastaj kandili me vajgur, llamba dhe feneri me vajgur, deri te epoka e elektricitetit.
Si t’i përdorë zjarrin dhe flakën, si të ruhet prej zjarrit dhe flakës. Kjo ka qenë sfida e njerëzimit, kjo ka qenë edhe sfida e traditës zvicerane edhe përgjatë këtyre shtatë shekujve që prehen këtu nën qiellin e hapur të Ballenbergut. Në fillim zjarri, për ngrohje dhe gatim, (gjithashtu sipër vatrës – në tavane – thahej mishi i pastërmasë) e kishte vendin në qendër të vatrës, tymi dilte nëpërmjet tymtarëve të posaçëm. Në shtëpitë ku mbizotëronin strukturat prej druri, krijohej një lëfyt i gjatë prej muri guri. Më vonë u përdorën tuba hekuri që e nxirrnin tymin jashtë. Pastaj filluan të hyjnë në përdorim stufat prej gize dhe me tuba hekuri, çka e revolucionoi përdorimin e zjarrit dhe flakës dhe solli edhe kursimin e drurit për djegie.
Zjarri dhe flaka u bënë shtytës të proceseve të hershme paraindustriale. Ata u përdorën për prodhimin e rrëshirës. Mënyra e vjetër nëpërmjet së cilës rrëshira prodhohej duke i shkallmuar pishat në trung me sopatë dhe duke e grumbulluar nëpër enë të posaçme, u pasua nga thërmimi i trugjeve dhe nënshtrimi i tyre një procesi të nxjerrjes së rrëshirës nëpërmjet zjarrit dhe flakës një kazan hekuri të mbyllur, prej nga, nëpërmjet një tubi të posaçëm rridhte rrëshira, një parim i ngjashëm si ai i zierjes së rakisë. Një e tillë, e vitit 1588 ka ardhur nga Vispi (zona e Romandisë). Kjo u shndërrua në një zeje mjaft të kërkuar nga tregtia e shëmbimeve natyrore mall me mall. Rrëshira do të merrte përdorim të gjerë për ndriçim dhe djegie, për shërim të plagëve ose pezmatimeve te njerëzit e kafshët, për industrinë e ndërtimit të anijeve e tjerë, për industrinë famaceutike që po lindte e për shumëçka tjetër.
Në pjesën e dytë të udhëtimit, ne pamë fare nga afër zjarrin dhe flakën në veprim në disa procese. Pamë furrat e prodhimit të qymyrit të drurit, nëpërmjet një strukture ku stivat e drurit digjeshin pa lejuar që të prodhonin hi apo tym. Edhe kjo zeje u shndërrua me kalimin e kohës në një veprimtari që pati tregjet e saj. Pamë gjithashtu furrat e gëlqeres, me grykat e furrave që digjnin pandërprerë lëndë të posaçme drusore, me muret e thata rrethuese, ku, brenda shtresës së ngjeshur të argjilës, digjeshin guret gëlqerorë. Prodhimi i gëlqeres gjithashtu një revolucion të vërtetë në ndërtimtari edhe në fshatin zviceran. Llaçi, përzierje e gëlqeres së shuar me rërën, mori përdorim të gjerë në ndërtimin e mureve, në suvatimet, në gëlqerosjet.
Ndërkohë, një ndërtim i ri po zinte fill. Guida na shpjegoi se bëhet fjalë për një shtëpi nga Jura (Shekulli XVII), e cila iu ka mbijetuar e pacënuar fatkeqësive të panunmërta natyrore, që nga vërshimet e ujërave, zjarret, orteqet dhe tërmetet. “Përbën një kureshtje dhe habi të madhe dhe zgjon vëmendjen e shumë studiuesve,” na sqaron ai.
Ne pamë gjithashtu zjarrin dhe flakën në proceset e prodhimit të tullave dhe të tjegullave. Edhe ky element e shtyu shumë përpara cilësinë e ndërtimtarisë në fshatin zviceran. Iu dha gjithashtu shtytje të madhe lindjes së arkitekturave të reja, larmive të tyre të pafundme, duke e bërë jo rastësisht arkitekturën zvicerane, dizajnin e saj, estetikën e saj një ndër më bashkëkohoret dhe më futuristiket e kohës sonë. Frymëzuar nga tradita e këtushme fshatare shumë arkiktektë zviceranë kanë bërë epokë në Zvicër dhe në mbarë botën, duke gjetur një nga kulmet e arritjeve të tyre tek Corbusier, gjeniu zviceran i arkitekturës bashkëkohore botërore.
Largim i përëndërrt nëpër Liqenin e Brienz-it dhe Merloti i bardhë i Tiçinos
Shtatori nuk linte shumë mundësi për të gjetur një ndërkohë sa më të përshtatshme për vizitë në Ballenberg. Organizatorët na kishin porositur të visheshim e mbatheshim si për hiking dhe për një mot me shi.
Si rrallëherë moti iu bënte naze parashikimeve meteoroligjike. Këto naze, le ta themi, ishin në të mirën tonë. Shirat na u afruan disa herë, por u zbrapsën, ndërruan rrugë dhe ne e realizuam vizitën tonë pa asnjë pengesë të motit, pa asnjë ndërprerje.
Programi i vizitës ka parashikuar dy alternativa të kthimit. Njëra është andej nga erdhëm, domethënë me tren. Është në dorën tonë: kush të dojë, le të zgjedhë njërën ose tjetrën. Pothuaj të gjithë ne zgjedhim largimin nëpër liqen, me anije deri në Interlaken. Aty do të merrnin trenin nëpër drejtimet Gjenevë, Zürich, Bazel. Udhëtimi nëpër liqen është spektakolar, i rehatshëm, çlodhës.
Liqeni i Brienz-it, i krijuar nga Lumi Aare përpara se ky të formonte Liqenin e Thun-it, në të dyja anët rrethohet me Alpe, është një nga liqenet më të bukura e të shumta të Zvicrës, një nga përbërësit më të bukur të atij që zviceranët e konsiderojnë detin e tyre të brendshëm.
Ndërsa jemi në anije shpesh na arrijnë por largohen prapë shirat, zbresin retë dhe ikin me shpejtësi. Nuk ua prish asgjë ritualin e tyre pulëbardhave. Nuk ia prish asgjë ëndërrimet liqenit në ngjyrë blu-kobalti, është krejt si në poezitë e Lasgushit.
Nga njëri port në tjetrin, udhëtarë vijnë dhe zbresin, duke ndryshuar ritmet e gjallërisë në bordin e anijes. Kamarjeret sikur fluturojnë nga njëri skaj në tjetrin duke shërbyer papushim. Shërbehet verë. Dhe akush nuk zgjedh tjetërgjë përveçse Merlotin e Bardhë të Tiçinos. Arkat vijnë plot dhe kthehen me shishe të zbrazura. Dhe, natyrisht, të gjithë respektojmë kufizimet e pandemisë.
Merloti i Bardhë i Tiçinos është aq i lehtë sa nuk turbullon askënd ose turbullon aq sa për ta bërë Liqenin edhe më të bukur duke mos e larguar vëmendjen tonë nga ato peisazhe magjike, që ndryshojnë pa pra, sa në njërin breg, sa në tjetrin breg të liqenit, ku shfaqen chaletë, kështjellat e ngërthyera në lartësitë e maleve, hotelet, të harmonizuar me bukuritë mahnitëse të natyrës zvicerane.
Foto: Peter Kenny
Foto: Peter Kenny
Foto: Peter Kenny
Foto: Pierre Virot
Foto: Pierre Virot
Foto: Pierre Virot
Chaleti zviceran
Foto: Pierre Virot
Foto: Pierre Virot
Foto: Pierre Virot
Foto: Pierre Virot
Foto: Pierre Vi
Komentet