Herën e fundit e kam takuar Nekibe Kelmendin para disa muajve, në shtëpinë e saj. Sa herë isha në Kosovë takohesha me të. Ndaj asaj gruaje kam pasur gjithmonë ndjenjë borxhi e respekti. E ka përballuar fatin e vet me trimëri: humbjen e dy djemve dhe burrit. Ata janë marrë nga shtëpia natën vonë në ditën e parë të bombardimeve në vitin 1999, dhe janë vrarë diku në afërsi të Prishtinës. Policët e armatosur serbë kanë hyrë në shtëpi dhe kanë marrë Bajram Kelmendin, luftëtarin shumëvjeçar të të drejtave të njeriut në Kosovë. Ai dhe Nekibja, që të dy avokatë, i përkisnin rrethit të ngushtë të intelektualëve të cilët ishin angazhuar në mbrojtjen e shqiptarëve, të cilët pushteti serb i ka ndjekur dhe i ka akuzuar për terrorizëm dhe cenim të integritetit shtetëror. Ata kanë dokumentuar sistematikisht terrorin shtetëror të pushtetit serb që solli intervenimin e NATO-s. Me siguri kjo ka qenë edhe një ndër arsyet që Kelmendi është likuiduar që në natën e parë të intervenimit. Nekiben e kam takuar pak kohë pas ndërhyrjes. E thyer me humbjen e më të dashurve megjithatë nuk ka hequr dorë nga vizioni i saj njerëzor dhe politik: lirisë dhe demokracisë. Ishte aktive në partinë e Rugovës dhe ka paraqitur simbolin e rezistencës shqiptare kundër pushtetit serb. U bë anëtare e Parlamentit e më vonë edhe ministre e Drejtësisë. Nekibja nuk iu dorëzua pikëllimit, as urrejtjes. Rrjeti i Grave Kosovare, të cilit i përkiste, ka punuar aktivisht në enklavat serbe me gratë serbe. Edhe Komiteti i Helsinkit kishte projekte të ngjashme. Së bashku me Rrjetin Kosovar të Grave vizitonim gratë në enklava. Nekibja gjithmonë ishte aty. U dërgonte dhurata praktike çerdheve të fëmijëve serbë si akumulatorë të domosdoshëm, shkaku i mungesës së përhershme të rrymës. Nekibja në asnjë moment nuk e ka vënë në plan të parë tragjedinë e vet. Për më tepër ajo gjithmonë u ndihmonte të pësuarve. Ishte e aftë të falte.
Gjatë gjithë këtyre viteve të punës në terren gjithmonë më të gatshmit për të falur kanë qenë ata që kanë pësuar më së shumti. Nekibja e ka dëshmuar këtë në çdo situatë. Nekibja ishte grua e madhe dhe trime. E drejtë dhe dashamirëse e së vërtetës. Muajt e fundit i kalonte në shtëpi e rrethuar me kujdesin e mbesave dhe nipit, vajzës Kosovares dhe miqve nga mbarë bota. Jam e nderuar që kam pasur rastin ta shoh edhe para largimit të saj, edhe pse kam shpresuar në një përfundim tjetër. Në e-mailat e fundit nuk më është përgjigjur. Fjalët e fundit ia ka përcjellë vajza Kosovarja: Bija ime, gjeje mënyrën si të duash ti, m’i bëj të fala gjithë Kosovës. Isha e nderuar që e kam njohur këtë grua. Do ta kujtoj gjithmonë me respekt të thellë dhe miqësi.
U prehtë në paqe!
*22 .06.2011
Komentet