Një prej çështjeve më të diskutueshme këtyre ditëve janë “bisedimet me Serbinë”. Ka shumë deklarime pro et contra tyre. Mendimin tim për bisedime ose jo me Serbinë e kam shprehur shumë më heret. Kam deklaruar se “Po qe se do të ‘bisedohej me Serbinë’, qoftë edhe për ‘çështje praktike’, pa u bërë një “përllogaritje” e pasojave të luftës, do të legjitimohej gjithë ajo që Serbia bëri në Kosovë, duke kultivuar politikën shfarosëse ndaj shqiptarëve, e cila, ç’është e vërteta, u zhvillua në mënyrë sistematike, të planifikuar dhe të vazhdueshme.
Prandaj, ndeshja nuk “mund të fillojë me rezultat të bardhë” sikur në Kosovë asgjë të mos kishte ndodhur më parë”. Prandaj, bashkësia ndërkombëtare nuk do të duhej që Kosovën “ta fuste në një rrugë”, skaji i së cilës “nuk do të shihej”. Bashkësia ndërkombëtare që “favorizon bisedimet” do të duhej të ndërgjegjësohej për procesimin negativ të raporteve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Këto raporte janë shtrirë “deri në faza të urejtjes, të armiqësisë, të konceptimit të politikës mbisunduese serbe ndaj shqiptarëve për të kaluar në armiqësi të hapët , në pushtime të tokave të tyre dhe aplikim të krimit gjenocidal ndaj shqiptarëve”.
Veprimi më i rëndësishëm i subjekteve me përgjegjësi të lartë ndërkombëtare do të ishte vështrimi i çështjes së Kosovës dhe i gjithë çështjes shqiptare si “çështje e rendit ndërkombëtar”. Vendimet e tyre në lidhje me Kosovën dhe me çështjen shqiptare, subjektet me përgjegjësi të lartë ndërkombëtare do të duhej t’i bazonin në realitetet e krijuara në Kosovë. Vetëm në atë mënyrë do të mund të kuptohej se esenca e çështjes së Kosovës është njohja e të drejtës për vetëvendosje.
Ç’është e vërteta, ajo paraqet faktorin e vetëm relevant me rastin e përcaktimit të së ardhmes së një populli. Nuk ka asnjë arsye që populli shqiptar të bëjë përjashtim ose të menjanohet nga ai parim. Në ecje e sipër “në rrugë që do të materializonte vullnetin e popullit”, Kosova dhe institucionet e saj do të duhej ta përqendronin vëmëndjen në të tri rrafshe :në stabilizimin e vazhdueshëm të gjendjes;në përshpejtimin e reformave, si në fushën e demokracisë politike, ashtu edhe të ristrukturimit të ekonomisë dhe në “dëshmimin e aftësisë për ta qeverisur vetën”që përbën një prej parakushteve themelore”për t’u bërë këmbë e duar”.
Kosova gjindet “para detyrës” së funksionalizimit të një shteti efikas demokratik, ”me parametra të matshme evropiane”. Për këtë i duhet ndihma e bashkësisë ndërkombëtare. Ajo duhet të ndërgjegjësohet se procesi integrativ i Kosovës në Evrovë si shtet i pavarur është modeli i vetem për Kosovën dhe se çdo zgjidhje tjetër, nëpërmjet “kompromiseve”për të cilat “na përgatitë” z. Jessen Petersen, do të jetë jo vetëm e imponueshme, por të shprehem me gjuhën e ekonomisë, edhe “investim i gabueshëm”i bashkësisë ndërkombëtare.
Cdo zgjidhje tjetër kërcënon me rrezikun që “edhe për një kohë”: e para, t’i le në fuqi shumë rregullore të diskutueshme të UNMIK-ut;e dyta, Kuvendin e Kosovës t’a lë të zhveshur nga fuqia ligjëvënësë e tij;e treta, Kosovën t’a lë si të vetmen shoqëri në Evropë pa kushtetutë të vetën;e katërta, qeverinë e Kosovës t’a lë pa mundësinë e ushtrimit të ndikimit në proceset jetike;e pesta, gjygjësinë e Kosovës t’a lë pa autonominë që e bën atë vetvetiu të jetë një degë e ndarë nga politika.
Vetëm institucionet e vërteta demokratike mund të bëjnë “një kthesë të rëndësishme”dhe Kosovën “ta shpiejnë përpara”dhe të mos lejojnë që “rrotat e historisë të kthehen prapa”. Institucionet e Kosovës duhen të jenë të pëgatitura për „stuhitë e vjeshtës“.
Ndryshe, koha dhe ndodhithë mund t’i befasojnë dhe “t’i gjejnë të papërgaditura”për ndërmarrje veprimesh “që ndryshojnë gjendjen”. Ndryshim të gjendjes mund të bëjnë vetëm forcat të cilat me kohë kanë”menduar për ardhmeninë”. Institucionet do të duhej që kërkesat e veta”të cilat, në fakt, do të duhej të ishin shprehje e vullnetit të popullit“, t’i prezantojnë në mënyrë më të denjë.
Ecja me kohën do të duhej të ishte ecje me realitetin që na rrethon dhe vetveten për të mbajtur një qëndrim të drejtë ndaj tyre. Nëse ende mendojme se “koha punon për ne”dhe se ne duhet të presim se çfarë do të sjellë koha, e kemi gabim. Ne do të duhej “të punonim për kohën”. Kjo kohë do të duhej të shfrytëzohej pikërisht si nxitje për ndërmarrje të veprimeve të përbashkëta, më efektive dhe më racionale, më produktive dhe më perspektive për popullin.
Është kohë e vetëdijësimit për t’i vënë „interesat e Kosovës“mbi „interesat partiake“. Do të duhej që plasaritjet „t’i kthejmë“në fuqi krijuese dhe me këtë të mbajmë gjallë moralin e popullit. “. Po kalojmë në njëren ndër periudhat më vendimtare për të përcaktuar të ardhmen tonë dhe fatet tona. Në qoftë se deri dje kemi konstatuar se është çasti i fundit për të kuptuar peshën e kohës në të cilën jemi, sot është, me të vërtetë, momenti „kur nuk ka më kohë“të kotemi.
Janë, më së paku, dy arsye që shtrojnë nevojën e shqyrtimit të kësaj teme:e para, e tashmja e Kosovës, e shoqëruar me shumë sfida të kohës dhe, e dyta , mëdyshjet e bashkësisë ndërkombëtare për „ta kuptuar“çështjen e Kosovës dhe të pavarësisë së saj si një faktor stabiliteti në rajon dhe më gjerë.
Në bashkësinë ndërkombëtare, pra në qendrat e saj të vendosjes, mendohet se në Kosovë“ka mbetur“për t’u bërë“shumë më shumë“për „t’u hapur“çështja e statusit të Kosovës. Zyrtarë të lartë botërorë, i urojnë Kosovës“ardhmeni të mirë“, por ndërkohë, vazhdojnë të kërkojnë prej saj „përmbushje standardesh“që nuk shpiejnë kah njohja e vullnetit të popullit, por kah „kompromiset“që bien ndesh me te. Ka edhe një problem tjetër me standardet.
Bashkësia ndërkombëtare kërkon prej Kosovës përmbushje standardesh ende pa i kaluar kompetencat në institucionet e Kosovës që ato të mundnin t’i plotësonin ato;nga ana tjetër, ajo kërkon prej Kosovës bisedime me Serbinë, pa përcaktuar se në çfarë cilësie merr pjesë Kosova në to:a do të takohen “dy tërësi të ndara”apo dy pjesë “të një tërsie?”. .
Ajo kërkon prej Kosovës të bisedohet me Serbinë, kur ajo ka platformë të vetme “ndarjen e Kosovës”. Sikur bashkësia ndërkombtare t’i ndiqte parimet e njohjes së statusit të Kosovës në bazë të vetëvendosjes së popullit të saj, qasja e vetme dhe rruga e vetme e drejtë do të duhej të ishte që ajo t’i hapte mundësitë Kosovës për pranimin në gjirin e organizmave të Bashkimit Evropian dhe me atë rast , do të ishte krejtësisht normale që institucionet e Kosovës të përqafonin jo standarde kundërthënëse, por kërkesat konkrete për ndërtimin e demokracisë politike, për zhvillimin e ekonomisë së tregut dhe, përgjithësisht, për reforma institucionale që do të ndihmonin ndërtimin e shtetit ligjor në Kosovë.
Sado që klasa e tashme politike e Kosovës “objektivisht është e kufizuar “për shkak të ndikimit ende të madh të Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm, ky fakt nuk i kursen ata nga përgjegjësia “për të vepruar të bashkuar ” për të ecur “në drejtimin e duhur”. Klasa politike e Kosovës duhet të jetë e vëmendshme që të”mos rrënojë themele”, por “të ngrehë kulme”. Kemi histori shumë të hidhur që të mos nxjerrim mësim prej saj. Duhet të kuptojmë se pikërisht sot “vendosim”se”ku do të jemi nesër”.
Kemi hyrë në një fazë të zhvillimit në të cilën “nuk guxojmë të gabojmë”.
Mirëpo, për këtë, duhet dëshmuar aftësi.
Për të dëshmuar këto aftësi “na duhet më shumë miqësi ndër vete, sepse “të sillesh armiqësisht ndaj tëndit “është njësoj sikur “t’i vësh zjarrin shtëpisë sate”.
Ajo që do të duhej të bënte klasa politike e Kosovës sot nuk është “heshtja për fatet e saj”, por marrja përsipër e përgjegjësive për t’i mbështetur fuqimisht kërkesat politike për “të ecur rrugës së cilës i shihet fundi”, e jo”për t’u ri(mbyllur)në rrathë prej të cilëve “nuk do të mund të dilej”.
Komentet