Eseninit, si një poet lirik i ndodhi të krijonte në një kohë epike, të cilën në dukje e përfaqësonte Vladimir Majakovski, i vargut “bombë e flamur”. Po si ndodhi që, poeti komunist, pasi qortoi vetëvrasjen e lirikut do kishte dhe vetë të njëjtin fund? Për ta kuptuar këtë paradoks po i referohem vargjeve të lira majakovsjane: “U thoni zjarrfiksëve,/se në zemrën që digjet/nuk hyhet me çizme,/por me ledhatime.” Dhe ata që u futen me çizme, si kritiku qimekuq Jeremillov, vazhdojnë të dhunojnë edhe sot, duke ndjekur modën e atleteve, me gjasa: “atletë të krishtërimit”. Sipas Lev Trockit, komisar i popullit gjatë luftës civile, përkthyer nga Faslli Haliti, jo pa domethënie: “Esenini ndihej gjithmonë i huaj”. Për t`i dhënë argument këtij mendime, po citoj vargjet eseniniane:
Ç`të bësh, atdhe!
Këtu arriti puna.
Kujtoja se me ty jam shkrirë përgjithnjë.
Por, sot, s´u dashka arti im, as unë,
Me ç`po shikoj, tani s´u dashkam më.
As jeta në qytet, as udhëtimet në Evropë nuk e gdhendën shpirtin e tij rebel, ndërkohë që Maksim Gorki udhëtonte për në Amerikë, ku, me pretekstin për të mbledhur ndihma për revolucionin, dëfrente me një aktore. Nëse në fillim i deklaron nënës, vetëm asaj i rrëfehej për gjithçka, se i biri “ishte bolshevik”, më pas do refuzonte të qënit sovjetik, ndaj Lev Trocki sqaron: “poeti nuk ishte i huaj për revolucionin-ai dhe revolucioni nuk ishin bërë nga i njëjti brumë”, sikurse dhe vetë Trocki i krahasuar me Stalinin. Kjo i të mos qënit “i të njëjtit brumë”, shpjegon raportet e shumë poetëve me regjimin komunist, me metodën e realizmit socialist, ku antisovjetikun ta përlyesh me bolshevikun e fillimeve. Për ilustrim Trocki i referohet vargjeve: “do t’ia jap gjithë shpirtin tim Tetorit dhe Majit/Por vetëm lirën, të dashurit Revolucion, nuk do t’ia jap.” Lira nuk ka të bëjë me kalemxhinjtë. Lirën e ngatërrojnë me lirën turke vetëm xhambazët. (Dita 27 dhjetor përkon me vdekjen e Eseninit, sikurse dhe me lindjen e lirikut tonë, Lasgush Poradecit, i cili shkroi vargje për luftëtarin Reshit Çollaku, por lirën nuk ia dha revolucionit, duke mos u bërë “bori e partisë”. Borizanët e djeshëm sot po i bjenë saksit.) Shihni së ç`përmasa ka marrë zhgënjimi i poetit rebel, i cili e drejton gishtin tek paria dhe jo tek sërë e vetë, qoftë ky dhe Majakovski :
“Kuptuam se ishin veçse lodra,
Me ne tregëtonte paria.
Atëherë, vendosa që, luftën,
Ta bëja me vargjet e mia!”
Sipas Trockit, esenini popullaritetin më të madh do ta kishte në Persi, aty ku sot po qeverisin talebanët. Në Shqipëri ndikimi i Eseninit ishte më i madh nga i Majakovskit, i cili propagandohej si avanguardist. Eseninian me kuptimin e plotë të fjalës ne në Lushnje kishim Sherif Balin, padyshim dhe Izet Shehu. (Në një ekskursion që bëmë në Strugë ftova dhe Sherifin. Kur në breg të liqenit ai pa bustin e Eseninit nxitoi drejt tij dhe e përqafoi i përlotur.) Dua të kujtoj me këtë rast dhe një promovim të librit të Eseninit të përkthyer nga Jorgo Bllaci, me poetë, shkrimtarë, sikurse me mësues e nxënës të shkollës “Jani Nushi”. Poeti dhe përkthyesi shoqërohej nga rusja e bukur Jerina, e cila dinte shqip. Mos i hiqni këpucët vetëm kur faleni në xhami, një faltore është dhe poeti, ku duhet futur me ledhatime, sikurse dhe rusja Jerinë…