Foto: Për 103-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Bashkia e Tiranës organizoi ceremoninë e ngritjes së flamurit shqiptar në sheshin “Skënderbej”, gjatë së cilës u lëshuan edhe mijëra tullumbace me ngjyra kuqezi
TIRANË, VLORË – Sot në Shqipëri kremtohet Festa e Flamurit, ku me këtë rast janë organizuar një sërë aktivitetesh nga institucionet e larta shtetërore. Ceremonia qendrore për Ditën e Flamurit, 103 vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar, është mbajtur në Vlorë me pjesëmarrjen e drejtuesve më të lartë të shtetit, si Presidentit, Bujar Nishani, Kryeministri Edi Rama, nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leska.
Në sheshin pranë monumentin të Pavarësisë në Vlorë është ngritur simbolikisht flamuri, ndërsa më pas ka vazhduar ceremonia e organizuar nga Bashkia e Vlorës.
Për 103-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Bashkia e Tiranës organizoi ceremoninë e ngritjes së flamurit shqiptar në sheshin “Skënderbej”, gjatë së cilës u lëshuan edhe mijëra tullumbace me ngjyra kuqezi. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj uroi të gjithë shqiptarët për festën e 28 Nëntorit dhe theksoi se kjo ditë përcjell mesazhin e bashkimit.
“Jam shumë krenar që jemi sot bashkë sepse 28 Nëntori është mesazhi i bashkimit. Kur ne shqiptarët bëhemi bashkë, bëjmë gjëra të mrekullueshme, gjëra që veç e veç janë absolutisht të pamundura. Ndaj sot, le t’i harrojmë të gjitha ndasitë, të harrojmë mllefet, kundërshtitë dhe debatet me njëri-tjetrin”, u shpreh Veliaj.
Ndërsa opozita ka bërë homazhe në “Varrezat e Dëshmorëve” në Tiranë, pasi ajo sot feston njëkohësisht me Ditën e Flamurit edhe festën e Çlirimit nga pushtuesit nazi-fashistë
Ndërkohë, aktivitet festive për festat e nëntorit do të vijojnë gjatë dy ditëve. Për këtë qëllim, krahas aktiviteteve të programuara, Bashkia e Tiranës ka njoftuar Policinë e Shtetit që të marrë masat dhe të lejojë të gjitha baret e lokalet për ushtrimin e aktivitetit përgjatë 24 orëve për datat 28 dhe 29 nëntor, pasi nesër kremtohet festa e Çlirimit nga pushtuesit nazi-fashistë.
Komentet