Një basketbolliste për tetë vite me moshat e Vllaznisë. Më pas gjyqtare dhe lojtare në kampionatin e femrave. Fatjona Borova është e para femër shqiptare që do të gjykojë ndeshje të çdo lloji brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në fillim të janarit ka marrë stemën e FIFA- s. Me një karrierë në dy sporte të ndryshme, por edhe si futbolliste ajo zbret në fushë për të mbajtur drejtësinë. Njëlloj siç bën në jetën e përditshme me profesionin e saj. Fatjona Borova flet për “Shekullin” rreth karrierës së saj sportive, si gjyqtare dhe çfarë ndryshon në jetën e saj tani e në vazhdim.
-Fatjona si jeni lidhur me arbitrimin dhe çfarë ju shtyu të lidheshit me gjykimin?
-Më ka pëlqyer shumë futbolli kur isha fëmijë dhe pamundësia e të pasurit ekipe futbolli femrash atëherë morra vendimin. Në këto kushte më shtyu oferta që më bënë për të qenë në një fushë të blertë edhe pse jo si lojtare, por si gjyqtare.
-Ka qenë e vështirë të bëhesh gjyqtare, kur të gjithë janë vetëm meshkuj në këtë profesion nëse mund ta quajmë kështu?
-Normale që çdo sport ka vështirësitë e veta, por me vullnet i hedh çdo vështirësi poshtë…
-Sa kohë ju ka marrë nga dita për të qenë gjyqtare?
-Pothuajse gjysme dite për t’u përgatitur teorikisht dhe praktikisht. Nuk është e lehtë të jesh gjyqtare paçka se mund të duket sikur është një profesion jo i vështirë.
-Ju kanë paragjykuar në fillim, meqë ishit femër në fushën e lojës?
-Sigurisht që po. Mentaliteti shqiptar nuk ka pasur besim te forca e femrës, por me kalimin e viteve popërmirësohet.
-Keni pasur emocione kur keni zbritur për herë të parë në fushë si gjyqtare?
-Normal që po. Ka qenë e vështirë.
-Më e vështirë është të gjykosh një ndeshjeje kampionati femrash, meshkujsh apo të jesh futbolliste në fushë?
-Më vështirë të gjykosh kampionatin e femrave, pasi meshkujt e njohin më mirë futbollin. Por dhe te femrat sa vjen e kualiteti rritet dita-ditës.
-Cila ka qenë ndeshja më e vështirë dhe më e sikletshme në karrierë?
-Skënderbeu-Luftëtari ku për herë të parë kam qenë asistente në Superligë. Vetë emocioni i të qenit në Superligë të vë në siklet, por çdo gjë shkoi shumë mirë.
-Di që keni qenë edhe futbolliste. Si është të merresh me këtë sport dhe ta shohësh edhe si gjyqtare?
-E çuditshme në fillim ka qenë ndryshe. Më përpara kam qenë arbitre pastaj futbolliste. Mund të them që është krejt ndryshe. Përgjegjësia e të qenit arbitre është shumë më e madhe se e një futbollisteje.
-Sa ndeshje keni gjykuar deri tani?
-Nuk e mbaj mend me saktësi. Më shumë se 100 ndoshta. Plot janë përgjatë 8 viteve rresht. Besoj se kanë kaluar jashtëzakonisht shumë mirë, duke ditur që një kampionat në çdo kategori ka shumë takime.
Cila është Fatjona?
Fatjona Borova është asistentja e parë shqiptare që merr stemën e FIFA-s. Gjyqtarja e Kolegjiumit të Shkodrës pritet të debutojë këtë vit në ndeshjet ndërkombëtare. Ajo mori stemën e FIFA-s. Borova e cila ka gjykuar edhe ndeshje meshkujsh si asistente në 2013, po vijon të ecë në karrierë që tani është hapur edhe jashtë Shqipërisë. Në fakt nuk është se Fatjona Borova gjykon së fundmi. Ajo tashmë ka disa vjet që merret me gjykimin. E përqendruar fillimisht tek ndeshjet e kampionatit kombëtar të futbollit të femrave, ajo vazhdoi të gjykonte edhe në ndeshjet e kampionateve kombëtare të moshave. Por para se të niste gjykimin, ajo ka luajtur edhe futboll, çka do të thotë se i ka elementët e duhur.
Komentet