(Tahir Bezhani: “Diellnaja ime”, poezi, botoi Klubi Letrar “Gjon N. Kazazi”-Gjakovë, 2020)
Tanimë krijuesi, Tahir Bezhani, opinionit i është i njohur me krijimtarinë e vetë në shumë fusha letrare, që reflektojnë jo vetëm rrugëtimin e tij por edhe fatin dhe historinë e njeriut, të kombit dhe të atdheut. Andaj, çdo libër i këtij krijuesi, lexuesit i vjen si një sihariq, i cili e begaton opusin letrar, mendimin poetik, filozofik dhe historik, por edhe atë peshën për ta përqafuar ndjenjën e njerëzores, e cila përshkohet dhe begatohet me temat që i prekë autori duke kënduar, sa me fuqinë e ndijimit shpirtëror po aq edhe duke na servuar mesazhin e fortë dhe plot madhështi.
E tërë kjo shprehet edhe më thekshëm në librin ”Diellnaja ime”, i cili është vepra e njëzetekatërtë i këtij autori dhe e shtruar në tri njësi ciklike, e që janë si një kompaktësi e mendimit vargor që autori këngën e konsideron si diçka që lind, thyhet e lahet brenda shpirtit. Dhe kur autori e shtron sofrën e vargëzimit, në shenjë respekti e përgjegjësie për fjalën e shkruar dhe për mesazhin që ia ofron opinionit, me të drejtë frikësohet e pret e pret, sigurisht që fjala të zë vend dhe t’i ngjajë themelit apo durimit që gjithnjë fuqishëm zë vend. Këtu edhe qëndron ai themeli poetik, të cilin shpesh erërat përpiqen ta lëkundin apo ta zhvendosin aty ku nuk ka dritë as frymë! Por, tek poetët shpejt lëvizë gjaku damarëve dhe nuk flet, por bëhet si brumë buke, i cili shndërrohet në zërin e poetit, e përmes zërit të tij, edhe në zërin e lexuesit dhe të popullit.
Krijuesin e lëndon përplasja e kombit
Këtë e vërejmë tek shumë poezi, sepse, nganjëherë edhe pa dashtë shpirti i poetit i dorëzohet edhe rrugës, edhe natës, sepse, atypari çastet e botës çuditshëm shëtisin, mbase edhe shumë kujtime të poetit, të cilat thonë dhe na bëjnë të kujtojmë shumë: “Dritave të neonit ua dhuroj shikimin/Si ditën me diell/E sërish eci…!/Malli më ndalë para Kafes së Talipit/M’u bë se dëgjova “sharjet” e Alimusajt/Atij rebelit të vargjeve të zjarrta”!
Me këto dhe me shumë vargje të tjera, krijuesi sikur dëshiron të na bëjë me dije se poetët janë ata që as natën nuk bëjnë gjumë, sepse i mundon, i lëndon fati i kombit, por edhe padrejtësitë që në jetë janë ushqim i hidhur, i cili nganjëherë të imponohet që t’i përballësh në mënyra e forma të ndryshme, pra, edhe përmes shkrimit dhe vargut. Për këtë arsye, jo paarsyeshëm poeti vargëzon: “Përtej vetes nuk di ku të shkoj/Kënga le të udhëtojë lirshëm/Përtej kufirit të shpirtit…”!
Është karakteristike se autori i këtij libri, krahas krijimtarisë që bën, gjithnjë di të respektojë por edhe të mos i harrojë krijuesit që lënë gjurmë dhe i japin shpirt jetës së njeriut, qytetit, kombit e atdheut, dhe duke pasur parasysh se ata janë kasnec të së mirës, ai i përjetëson edhe në librin e vetë: “Po ku je, O Din Mehmeti/Përgjigju o burrë se më dogji malli/Pse hesht dhimbshëm, ëmbël më shikon/Në vargun tënd jeta mat shekujt/Krismë është emri yt, sot e mot”! Dhe, për ta madhështuar edhe më shumë krijimtarinë dhe poezinë e vetë, Tahir Bezhani, me vargun e mprehtë di të thotë shumëçka; të qortojë, të krenohet e të shndërrohet në dhembje: “Sa fort malli më paska marrë/Kam mbetur në kërkim të vargut tënd/Metaforë e balsamosur në shpirt”!
Në librin “Diellnaja ime”, hasim në një mori temash të prekura me zjarrin e shpirtit, e që librin pikërisht kështu, larmishëm dhe pa ndonjë radhitje artificiale të vargëzimit dhe të poezive, e bëjnë joshës dhe me peshë për t’i shkuar deri në fund së lexuari. Është interesante edhe qasja e këndimit për dashurinë në këtë kohë, e cila shprehet edhe si kujtim, edhe si dhembje, edhe si mall, por edhe si dhuratë jete, të cilën kur e shfleton, në çdo kohë është madhështore dhe është varg, poezi mbase edhe roman në vete: “E ku e ke guximin ta bësh hapin/Patrembur ta hapesh kraharorin/Që ta vë sërish faqen në gjoksin tënd/Syve drita po u ndalet…”, ose: “Ndarjet rritin flakën kur malli dalldiset/të lutem/Kur fryjnë dallgë përmallimesh/Me shi lotësh litar/Ma kthe pamjen e syve/Mos të mbetem i verbër/Mallkim i dashurisë…”!
Autori, pothuaj se në të gjitha veprat e tij, përveç që ka shprehur ndijimin e vetë të thellë shpirtëror, ai, gjithnjë është përpjekur që asgjë të mos i kalojë pa e diktuar pa e thënë për atë që quhet fat dhe histori e njeriut, për atë edhe shpesh i bëhej se dikush po ia vjedhë kohën, po ia ngadalëson hapin, por edhe vargun dhe zërin e tij: “Doja të dija kush ma vodhi kohën/Etjet e zjarrta ku u treten/do gjurmë në pluhur duken/Ecje e sertë/ Po po rebele…!”. Në këtë libër, autori, sikur e ka sublimuar edhe tërë atë nektarin krijues që i ka mbetur, dhe dëshiron në mënyra të ndryshme ta thotë e ta përjetësojë, për çfarë edhe shpeshherë bie në dilemë edhe për vargun, nga dëshira e madhe për t’i kënduar jetës dhe për të vënë në spikamë gjithçka: “Varg i rebeluar hapësirës pafund/Në fletën e bardhë shtrihet/Si në orë pushimi/Shikohet me rrudhat e mia të thella/Pse ikni nga thellësia ime/Ku do bëni konak këtë natë pa hënë/Pse zjarrin në mua e latë të ndezur…”!
Fuqia e vargut për kurbetin si plagë e vjetër, ndoshta sa edhe vetë kombi shqiptar
Po ashtu, autori nuk lë pa prekur edhe njërën prej dhembjeve më të rënda historike që e ka goditur popullin e tij, e ajo është migrimi dhe kurbeti, si plagë e vjetër, ndoshta sa edhe vetë populli shqiptar. Ai, duke e përjetuar vetë këtë ligatinë me një pjesë të anëtarëve të familjes së tij, e përjeton dhe e shpjegon në shumë forma të këndimit, që vërtetë janë ato ofshamat e etjes dhe mallit për atdhe nga secili i rinj. Sepse, secili që ia ka kthyer shpinën atdheut e vendlindjes, për një grimë bukë më të mirë, për një jetë që do të sjellë më vonë lumturi, është ëndërr trishtuese por edhe realitet: “Ikje dje/Edhe sot ikje/Rrugëve të botës/Në bisht aeroplanësh rrëqethur/Strehuar skutave të ndryshme/…Pas erës së bukës të tokave të huaja/…Gurë i rrokullisur nëpër kohë”!
Vargjet e tilla, por edhe shumë poezi të tjera, nëse i lexojmë vëmendshëm mbase edhe nëse e detyrojmë vetveten për t’i analizuar, atëherë, para lexuesit del si një hartë e çuditshme dhe një histori e dhembjes dhe e qëndresës, të cilat bashkë forcojnë njeriun për t’u përballur me të gjitha problemet, me të gjitha vështirësitë dhe padrejtësitë që i sjellë koha dhe jo vetëm koha.
Nuk është e tepërt për ta theksuar edhe këtë detal vargëzimi të autorit, që në fillim duket i thjeshtë, apo vetëm edhe sa për të thënë diçka, por nuk është ashtu: “Shëtis i vetmuar buzë lumit/Në qytetin Langencen, larg vendlindjes/Shikoj qetësinë e liqenit/Mrekulli e natyrshme/E në mua rrapëllimat e krahëve fishkëllejnë/Mendimet rrëshqasin fushës së mallit/Me erë bliri mbushur kraharorin”! Shih këto vargje, sa thekshëm tingëllojnë, kur vendlindja është larg autorit, por, megjithatë erërat rrëshqasin fushave të mallit me erë bliri mbushur… Pra, vendlindja dhe atdheu në çfarëdo gjendje qofshin ato, janë madhështi e shpirtit, janë si damarët e gjakut dhe si këngë që nuk shuhet dot dhe në asnjë kohë e situatë.
“Diellnaja…”, sikur i ngjanë një këndimi karakteristik, që nuk e ka bërë kështu deri me tash autori. Ai, nuk është i qetë dhe as i kënaqur me atë që sheh, që vëren e përjeton në vendlindjen e vetë, në atdhe, por edhe tek sjellja e shoqërisë, gjëra këto që padyshim se demoralizojnë secilin njeri. Pra, edhe vetë krijuesin, i cili është si kujdestar për të hulumtuar dhe për të treguar e kënduar përmes vargut zjarr, e i cili vërtetë është edhe pjesë e jetës së vetë njeriut, komunitetit por edhe i tërë popullit. Ai, në poezinë “Ceremonia” përplaset me realitetin dhe me paradokset në shoqëri: “Hapej ceremonia/Do të flasë deputeti presidenti/Për trimërisht dhe sakrificat e shkuara/Sukseset e shënuara në letër/Populli do u duartrokasë çmendurive/Buzëqeshjeve mashtruese e perfide…!”. Por, në anën tjetër të ceremonisë, vranë “drita” e një realiteti tjetër: “U shkreh në vaje plaku, nis të shajë/Çke o plak-e pyeti turma/Eja, tha në kasollen time/Merrni pak liri e mirësi/Erë shkrumbi e duhmë gjaku/Gjurmë plumbash…”!
Pra, këtu qëndron ajo ironia e kohës, që padyshim se ka kushtuar e kushton. Aty përfton mllefi i poetit që e krijon detyrimin e mendimit të drejtë dhe të shëndosh për ta luftuar të keqen, që thuaja se me decenie na i përthurë duart dhe këmbët, e mendjen po se po! Ngjashëm ligjëron edhe në shumë poezi të tjera, ku ç’akordueshëm koha ecën mbase edhe tretet. Por, autori na bën me dije se edhe krijuesi, edhe poeti, nuk duhet të vetë lavdërohet, sepse, forma e tillë e bën me dergj këndimin poetik, por edhe letërsinë përgjithësisht: “Nëse shkruan vargje/Mos fol kafeneve, poet/As pluhur mos ngri rrugëve të shkreta/Mos ec kokëlartë para vargut/Merr nga toka, nga qielli porositë/…Për dashurinë njerëzore…”!
Por, tërë kësaj atmosfere këndimi, ndoshta nganjëherë të shtrënguar me ethe mbase edhe të zymtë, autori i “Diellnaja ime”, i jep frymë e shpresë jetës, e bën të hareshme kohën edhe të tashme edhe të shkuar, por e lë shtegun edhe për lumturinë e së nesërmes: “Sytë që shikojnë mendimet/Depërtojnë thellësive të shpirtit”…Mjafton se akoma di të numëroj/Të lexoj numrin e puthjeve zjarrishtave/Nëpër tym e flakë tretur/Kujtime të lidhura nyje për ashtin tim…”! Ose: “Sa sertshëm takoheshin afshet/Zhurmën e flokëve e doja kraharorit/…Ëndërr vrapoja pas zërit të zanave…”.
Këndimi poetik si almanak historie për gjithçka që lidhet me fatin e kombit dhe të atdheut…
Nganjëherë është mirë që poezitë nuk i nënshtrohen “regjimit” të njësive ciklike, por, në libër shtrohen pa ndonjë radhitje të caktuar, sepse, kështu vargu dhe poezia e kanë peshën më të veçantë, ngase lexuesin e kënaq laramania e temave pa ndonjë rend, që në të kundërtën, ndoshta rëndon edhe leximin por edhe përjetimin e tërë asaj që shkruan poeti. Këtë, ndoshta e disponon edhe ky libër, sepse, herë hasim në poezi që i takojnë jetës, lumturisë dhe dhembjes, herë dashurisë, herë asaj sociales dhe pezmatimit ndaj shoqërisë, herë mërgimit e gjer tek ato gjërat të tjera që na bëjnë kureshtarë për ta lexuar librin. Sepse, siç thotë edhe autori me ironi apo pezmatim shpirti: “Dëshiroj me Galileun t’i ndërroj dy-tre fjalë/Meridianet mos kanë ndryshuar/Një lëmsh i mbështjellë, moti ngatërruar/Fija nuk i zgjidhet/Nuk di kufi të atdheut/E as vendlindjen ku e kam…”!
E tërë kjo është një “llahtari” malli por edhe almanak historie për gjithçka që lidhet me fatin e kombit dhe të atdheut, që lidhet me vendlindjen, që shkruhet, përjetësohet dhe përjetohet në mënyra të ndryshme, bile edhe me mllef e mall, sepse, autori e di mirë rrugëtimin e popullit të vetë, por edhe të familjes dhe të fshatit e krahinës prej nga vjen. E, të gjitha këto kur lexohen e përjetohen nga vargu i poetit, lënë gjurmë të pashlyeshme, që në të njëjtën kohë janë krenari, të madhërishme, por edhe plot mall, sepse, të gjitha kujtimet i shndërron në zjarr shpirti e zemre: “Në Smolicë, vendlindja ime/Shpirti rënkoi dhembshëm/Kulla e djegur ish hidhëruar/(Dikush nuk e deshi as gërmadhë”. E, nga e tërë kjo histori e dhembshme dhe ende bukur errësuar, autorin sikur e detyron të ligjërojë mu si atëherë kur malli shkapërderdhet në të katër anët i pakontrolluar dhe si shkrumb shpirti, por, ai edhe në këtë gjendje, vargëzon kështu: “Pija lot e mall, si ujin puseve të thella/Palca e ashtit shkrihej në zjarr…”!
Ndërsa, autori, rininë por edhe të kaluarën sikur dëshiron ta shpreh si medaljon jete, i cili lë gjurmë nëpër të gjitha periudhat kohore, dhe gjeneratë pas gjenerate, që padyshim është vlerë dhe myhyr i jetës së popullit të përvuajtur dhe të shtypur, por kurrë të pa rrënuar dhe të pagjunjëzuar. Këtë, më së miri thuaj se e ilustrojnë edhe vargjet: “Ata guralecë që më thumbonin/Shputave të këmbëve zbathur/Hidhnin sytë flokëve të bardha/…Livadheve dhe kaçubave me dëllinja/Duke luajtur guxhas me moshatarë/Përfytyrim përcëllues ajo kohë e bukur/Erë buke çerepi, mbështjellë në cakullë/Gatim i shpresave tona me shumë bujari”.
Pra, këndimi poetik tek libri “Diellnaja ime”, ka një reliev të mbëltyer me zërin e historisë, me rrugëtimin aq karakteristik dhe me plot golgota e me rrugë e drama, që pjesa më e madhe ende ka ngelur vetëm si një fanar i fikur, e cila pret patjetër dritën që njeriu i kësaj toke do t’i dhurojë, sepse, autori, përkundër të gjitha përplasjeve dhe rrapëllimave shpirtërore, ai, na bën me dije: “Vendlindja ime lapidar krenarie/Varur në qerpik të djegur/Lotim i paluar në shpirtin e tretur…!”.
Larushia e temave dhe e tërë ajo që poetin e bezdis duke ecur binarëve të jetës, nganjëherë si nëpër teh shpate, na bën të kuptojmë, se edhe thjeshtësia e vargut, shpesh e arrin piedestalin e peshës së njerëzores, që dot nuk rrënohet, por edhe atë të hidhërimit e të mallit bashkë për fatin e njeriut, për papërgjegjësinë në vazhdim të shoqërisë kundruar fatit dhe pozitës së komunitetit. Është zë i fortë qortimi, kur autori sikur nga barra e dhembjes zhgrehet në vajë e që nuk i vërehet, por, vargun e bën edhe këshillë edhe protestë: “Sonte (ndoshta) dikush do vdes/Të nesërmen lajmi mori dhenë/Ka ceku skamnori i lagjes/Një kore bukë në xhepa ia gjetën/Një laps e një fletore me vargje/Me dy rreshta shkrim përmallshëm/”Mos qani për vaujatjen e zezë/Mos u trishtoni nga pamje e bardhë!”.
“Lartësimi” i krijuesve pas vdekjes, si pakujdesi apo paradoks i shoqërisë…!
Autori i këtij libri vë theksin edhe te dukuria për fatin e krijuesit, edhe të krijuesve, që dorën në zemër, ndodhë se pak respektohen nga shoqëria, mbase edhe harrohen, e ndonjëherë, si paradoks i së keqes, krijuesit e të gjitha fushave “lartësohen” vetëm pas vdekjes së tyre! Dhe, shfrytëzoj rastin që në këtë analizë libri ta theksoj edhe atë se “lartësimet” e tilla janë krejtësisht të pavlefshme, pasi ata(krijuesit) nuk e përjetojnë aferimin deri sa janë në jetë, për tërë atë çfarë kontribuojnë për njeriun, për vendlindjen, për atdheun dhe për njerëzimin deri sa janë gjallë. Këtë, mes tjerash, fuqishëm e dëshmon edhe poezia “Vargje Reshpiane”: “Faqeve të zbehta të Reshpjes/Shëtit kujtesa e pikëllimit/Shikoj ato duar thatake/Atë lëkurë të regjur e të tharë/Sy të përmalluar e të mekur/…Vargjet e rrjedhshme si beden kohe/Frymëzim jete e qëndrese/…Dhimbje të stërzgjatura në rrathë pushteti”…Ashtu imcak, bukuri e vuajtur/Shtrirë në shtratin e vdekjes/Kur lëngimi merrte zjarrmi të padurimit/Reshpja shkruante poezi/Kënga rrëfen qëndresën/Obelisk vargjet e tij!”.
Të kësaj natyre janë edhe shumë poezi që prekin ashtin e ashtit të jetës dhe të realitetit të njeriut jo vetëm të këtij nënqielli, të cilat do t’ua lëmë lexuesve që vetë ata t’i shprushin. T’i analizojnë dhe t’i përjetojnë ashtu si duan.
Autori, duke shkruar në kohë pandemie(Covin-19), si në trajtë cikli i ndanë disa poezi të cilat e shënojnë edhe këtë ligatinë që ka përfshirë botën, e ku poeti shfrytëzon rastin që vargun ta “ngarkojë” edhe me mospajtimin me virusin e politikës! Në këtë kohë të zymtë e pa shenja rrugëtimi, atij, në mes tjerash sikur i plasë zemra dhe shkruan: “Po digjen edhe kuptimet e fjalëve/Shikimet sillen këndeve të dhomës/Ditët harxhohen si harresë e ngulitur/Një nga një, një nga një/(Mirë që nuk e dimë se kur)/Vjen momenti i vdekjes/I mbyll dritaret, terroj dhomën e ditës/Të mos hyjnë viruset e pista/Si shejtan nate/Si dorë njeriu vrastar/As viruset e politikës së ndyrë nuk i pranoj…”! Në këtë kontekst, autorin e librit “Diellnaja ime”, në çdo mbrëmje e në çdo mëngjes, e rëndonin lajmet e vdekjes në këtë kohë të turbullt!
Ndërsa, në pjesën e fundit të librit, T. Bezhani, me të drejtë ciklin e haikut e cilëson si “Lulet e shpirtit”. Ai, edhe trevargëshin ia arrin t’i shënjojë ndijimet e tij poetike, të cilat jo rrallë dalin edhe më të fuqishme në këtë formë: “Shikoje Shkëlzenin edhe kur ka borë/Bukuria e bardhë ka vlerë/Kënaqësi e syve në bardhësi jete”!
Dhe krejt në fund, kujtoj se libri “Diellnaja ime” e autorit Tahir Bezhani, sikur i ngjanë mesazhit dhe amanetit që jetës dhe krijimtarisë t’i jep vlerë dhe kuptim. Prandaj, këtë analizë libri do ta përfundoj me vargjet që e lënë hapur mundësinë dhe provokimin që lexuesi t’i komentojë jo vetëm vargjet, por edhe të thellohet edhe në rrugëtimin edhe krijues dhe historik të popullit, ngase, poeti e vëren se edhe koha ka shqetësime e jo rrallë edhe digjet kot: “Ku s’ka diell, s’ka jetë/Këtë ma mësuan pritjet/…Nuk do rri në mëshirën e natës/Pa diell s’ka jetë/Sa më dhimbsen kohët e ikura…!”.
(©S. B.)
Komentet