Shko se furishëm po fryen në mua erë mallkimi që s’të fal.
Dhe dije
Mirë, kurrë më një e një nuk bëjnë një si thonte Hikmeti, ai farë poeti me këngë prej zjarri.
Shko
Merri me vete lutjet tua, edhe hijen tënde hiqe zvarre
Rrugëve si gjënë e ndyrë. Mos u kthe mbas. Mos i harro
Sytë e përlotur në shtekballin tim. Mos thuaj lamtumirë.
Asgjë mos thuaj. Merri me vete gjurmët nëpër të cilat
Erdhe një natë më e përvuajtur se frika dhe hyra në mua. Shko
Dhe bëhu fjalë e mbrame n’gojën time. Bëhu shkrepëtirë e fikur
N’ylberin e shikimit tim. Bëhu çdo gjë pos Meje e Teje
Dhe asaj që e quajtëm Ne kur i zinim yjet si fluturat
E ua ngjisnim nga një emër mos ta harrojmë emrin tonë. Shko
Merri me vete edhe rruget të mos kthehesh kurrë
Në vesën e lotit të rrejshëm gërmadhat e kujtimit t’i rrëzosh. Shko
Mbyllu në do kështjella të largëta harrimi ku s’të zgjojne më
Këmbonat e pendimit kur çmendet mallit vetmia ose kur buza buzën
E han n’pikllim që mekatin s’e lan, që s’mundet ta shpojë
Gurin e rëndë, gurin e ftohtë të ndarjes. Shko, më mirë
Dhe hesht. Mos u kthe mbas. Mos i harro
Sytë e përlotur n’shtekballin tim. Mos thuaj lamtumirë.
E kur t’shkosh larg, më larg se prej zemre në zemër
Aq larg sa ta harrosh edhe emrin tënd dhe zërin tim, fshihu prej vetes
Shkurto flokegjatat, mate me to mendjeshkurtrën tënde dhe mos qaj.
Shko se tmerrshëm po lodrojnë sonte n’mua rrëketë e gjakut të ndezur.
Komentet