VOAL

VOAL

“Ne do t’ju bëjmë copa, ju jeni armiqtë e popullit”, rrëfimi: Si më plagosi oficeri me pistoletë

May 29, 2019

Komentet

Vdekja e Shehut, dëshmia e ish-punonjëses së vilës së kryeministrit: Rreth orës 22:10, Mehmeti i ra ziles dhe unë shkova në zyrën e tij në katin e parë!

 Ishte me Fiqreten dhe më porositi që…

Nga Dashnor Kaloçi/Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës së Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra  dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!

Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, Memorie.al, ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit, (pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë.

Në dosjen në fjalë, gjenden të plota dhe me faksimilet përkatëse, akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor, që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, si dhe ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, Xhule Çiraku, Elham Gjika dhe Lahedin Bardhi.

Gjithashtu në dosjen voluminoze në fjalë që po bëjmë publike, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.

DOKUMENTI ARKIVOR ME PROÇES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE, TË MILTO KOSTAQIT, MJEKUT TË MEHMET SHEHUT, NGA ANA E KRYETARIT TË HETUESISË SË TIRANËS, KOÇO JOSIFI

                  Proçes-verbal

                   (Dëshmie)

Tiranë më 29 Dhjetor 1981 

Unë, Koço Josifi, hetues në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë, në prani të shokut Elham Gjika, pyeta me cilësinë e dëshmitarit qytetarin Milto Kostaqi, i biri i Koços, dhe i Erifilisë, i datëlindjes 1934, lindur në Gjirokastër, banues në Tiranë, lagja Nr. 8, rruga “4 Shkurti”, pallati 7, apartamenti 8, me arsim të lartë, mjek në Ministrinë e Punëve të Brendshme, anëtar partie.

Dëshmitari u paralajmërua për përgjegjësinë penale, që ka në bazë të nenit 202 të Kodit Penal.

Dëshmitari

                               Milto Kostaqi

“Në lidhje me çështjen, mund të them sa më poshtë: Kam punuar si mjek pranë armikut Mehmet Shehu. Më datën 17 dhjetor 1981, unë kam qëndruar në dhomën e mjekut, pranë shtëpisë së armikut Mehmet Shehu, kurse në Komitetin Qendror, atë e ka shoqëruar mjeku tjetër, Llesh Rroku. Këtë ditë Mehmet Shehu, ka qenë në një mbledhje në Komitetin Qendror, nga ku është kthyer rreth orës 14:00.

Mjeku Llesh Rroku, që kur ishte në Komitetin Qendror dhe kur ende nuk kishte përfunduar mbledhja, më ka marrë mua në telefon dhe më ka thënë që Mehmet Shehu, e kishte tensionin shumë të lartë, 16-17, pasi asnjëherë atij nuk i kishte arritur në këtë shifër. Rreth orës 16:00 Mehmet Shehu iku përsëri në mbledhje dhe së bashku me atë ka shkuar përsëri Llesh Rroku, kurse unë kam qëndruar në dhomën e mjekut pranë shtëpisë së tij.

Në darkë, rreth orës 20:30, Mehmet Shehu u kthye nga mbledhja dhe mbas pak ka thirrur mjekun Llesh Rroku, i cili i kishte matur përsëri tensionin, të cilin vazhdonte që të kishte ende të lartë. Siç më tha Lleshi, ai e kishte pyetur Mehmet Shehun dy herë, nëse kishte mbaruar mbledhja, por Mehmeti nuk i kishte kthyer përgjigje, kishte kërkuar që të pinte kafe, ndërsa Lleshi i kishte thënë, që të mos pinte kafe, mbasi e kishte tensionin e lartë. Por Mehmet Shehu, nuk e dëgjoi dhe piu kafe.

Lleshi i kishte dhënë edhe disa medikamente, për uljen e tensionit, mbas kësaj, duke parë gjendjen shëndetësore të Mehmet Shehut, unë nuk kam vajtur në shtëpi. Kemi qëndruar deri në orën 24.00 dhe ramë për të fjetur, unë kam fjetur në një dhomë së bashku me oficerin e shërbimit, Dashamir Rrapaj, Lleshi ka fjetur vetëm, tek dhoma e mjekut, Ali Çeno, fjeti tek dhoma e shërbimit të oficerit.

Në datën 18 dhjetor 1981, jam ngritur nga gjumi rreth orës 6.00, në këtë kohë, janë ngritur nga gjumi dhe shokët e tjerë dhe po rrinin në pritje, në dhomën e mjekut, se mos na thërriste Mehmet Shehu, për ndonjë shërbim që mund të kishte nevojë. Rreth orës 8:00, ka thirrur në foni, Vladimit Shehu, i cili me sa më kujtohet, ka kërkuar Jonuz Luton dhe pak më vonë, njoftoi që Ali Çeno, të shkojë urgjent, në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut.

Pa kaluar as dhjetë minuta, lajmërohemi me foni, që mjekë të vijnë urgjent brenda. Atëherë unë së bashku me Llesh Rrokun dhe ndihmës mjekun, Nestor Lesko, pasi morëm çantën e urgjencës dhe aparatin e elektrokardiografit dhe defribilatorin, me shpejtësi u ngjitëm në katin e dytë, në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut.

Unë dhe Lleshi, u futëm menjëherë brenda në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut. Tek dera e hyrjes së kësaj dhome, nuk kishte njeri, kurse në dhomën e gjumit dhe punës së Mehmet Shehut, që është ngjitur me dhomën e gjumit të tij, e komunikojnë së bashku, pashë se tek telefonat, ishin Ali Çeno, Vladimir Shehu dhe Jonuz Luto.

Ne u drejtuam për nga zyra, por ata na thane, shikoni nga krevati. Unë me Lleshin, u kthyem nga krevati. Pamë që Mehmet Shehu, ishte i shtrirë në krevat, i zbehtë në fytyrë, i mbuluar deri në afërsi të qafës me çarçaf dhe batanije, me syze me skelet metalik të verdhë dhe me fytyrë, drejt nga tavani.

Duke menduar se mos i kishte rënë të fikët, i kam vënë dorën në ballë dhe pashë që ishte i ftohtë, i hoqa njërin nga jastëkët që kishte nën kokë, duke menduar se mos kishte ndonjë ulje tensioni. I hoqa kuvertën së bashku me çarçafin dhe i kapa dorën për t’i matur pulsin. Pulsi nuk punonte.

Duart i kishte të mbledhura, të ngurosura nën batanije, të vendosura mbi gjoks dhe të përthyera në bërryl. I dallova në anën e majtë të gjoksit, një njollë të kuqe gjaku. Më shkoi menjëherë mendja, se kishte vrarë veten. Pashë mbi krevat një pistoletë.

Kur e pamë, së bashku me Lleshin, që ishte një vetëvrasje me armë zjarri, nuk kam bërë asnjë veprim tjetër, por e kam rregulluar gjithçka që lëviza, ashtu siç e gjeta. Në këto momente, Llesh Rroku, ka gjetur në dysheme afër krevatit, një gëzhojë, të cilën e mori dhe e vendosi mbi komodinën e krahut të majtë të krevatit, të Mehmet Shehut.

Pas kësaj, unë, Llesh Rroku dhe Nestor Lesko, jemi larguar nga dhoma e gjumit të Mehmet Shehut dhe kemi qëndruar në korridorin e katit të dytë. Kurse Vladimiri, Aliu dhe Jonuzi, ishin ende në dhomën e punës të Mehmet Shehut dhe merrnin në telefon. Pasi kam dalë në korridor, më thanë që Fiqret Shehu, nuk është mirë. Unë kam shkuar në dhomën e gjumit të saj, ku ajo rrinte së bashku me Fatbardhën dhe i dhashë një valium, për ta qetësuar.

Më pas ka ardhur aty Kadri Hazbiu, i cili i shoqëruar nga Ali Çeno, ka hyrë në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut. Ka qëndruar pak aty dhe ka shkuar tek dhoma e Fiqretes. Dëgjova që Kadriu i tha Fiqretës; “Mehmeti u kritikua në mbledhjen e Byrosë Politike, por këtë gjë, nuk duhet ta kishte bërë”! Kadriu Hazbiut, i kanë dhënë një letër, që kishte lënë Mehmet Shehu, para se të vriste veten. Pasi ka ikur Kadri Hazbiu, dhoma e gjumit të Mehmet Shehut, është mbyllur, por unë nuk e di se kush e bëri këtë veprim. Nuk më kujtohet me saktësi, sa kohë ka kaluar, kur ka ardhur grupi hetimor, por unë jam futur së bashku me ata, në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut. Si dëshmitar i pranishëm, ka qenë edhe Ali Çeno.

Së bashku me shokët e grupit hetimor, është përshkruar gjithçka që ishte në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, por nuk janë kontrolluar teshat e tij personale, gardëroba, si dhe nuk është bërë këqyrja e dhomës së tij të punës. Gjatë kohës që bëhej këqyrja e vendit të ngjarjes, Elham Gjika, nuk ka qëndruar gjatë gjithë kohës në dhomën e gjumit, por ka dalë prej saj.

Se ku ka shkuar Elhami, sa kohë ka qëndruar dhe çfarë veprimesh ka kryer, unë nuk e di, pasi jam përqendruar në veprimet e këqyrjes së vendit të ngjarjes në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut. Pasi ka përfunduar këqyrja e dhomës së gjumit, kemi dalë në korridorin e katit të dytë dhe në këtë kohë, ka filluar që të bëhej kyçja dhe dyllosja e dhomave të Mehmet Shehut, e cila ka vazhduar rreth një çerek ore.

Nga dhoma e gjumit, mbasi ka përfunduar këqyrja, më kujtohet se ka dalë në korridorin e katit të dytë Bashkim Çuberi, Fatos Harito dhe unë. Në korridor, nuk më kujtohet që të kenë dalë së bashku me ne, Elham Gjika, Koço Josifi, Ali Çeno dhe Estref Myftari. Këta, me sa më kujtohet, kanë dalë së bashku, mbasi ka përfunduar dyllosja e dyerve.

Kur kanë përfunduar këto veprime, kemi zbritur në katin e parë të ndërtesës, ku janë pyetur si dëshmitar, unë, Ali Çeno, Fiqret Shehu, Llesh Rroku dhe më duket dhe Vladimir Shehu. Unë nuk e di, që ndonjë person, të jetë pyetur si dëshmitar, me shkrim, në katin e dytë. Kur janë pyetur dëshmitarët, kanë qenë të tre shokët e Hetuesisë, Elham Gjika, Koço Josifi dhe Dhimitër Beshiri.

Pas disa ditësh, më kanë thirrur në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në zyrën e Elham Gjikës, unë kam firmosur proces-verbalin e pyetjes sime, i cili ishte i shtypur me makinë. Unë, nuk kam vënë re, që gjatë kohës që bëhej këqyrja e vendit të ngjarjes, ndonjë person, që të ketë hyrë në dhomën e punës të Mehmet Shehut, mbasi kam qenë i përqendruar, së bashku me mjekun Bashkim Çuberi e Fatos Harito, në këqyrjen e kufomës së Mehmet Shehut”.

DOKUMENTI ARKIVOR ME PROÇES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE, TË MIMOZA TRESA, PUNONJËSE NË SHTËPINË E MEHMET SHEHUT, NGA ANA E KRYETARIT TË HETUESISË SË TIRANËS, KOÇO JOSIFI

PROCES-VERBAL

                     (DESHMIJE)

                                     NE TIRANE, ME 28 DHJETOR 1981

Unë, Koço Josifi, kryetar i Degës së Hetuesisë në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë, në prani të shokut Elham Gjika, pyeta me cilësinë e dëshmitares, qytetaren Mimoza Tresa, e bija e Hamidit dhe e Xhevrijes, e datëlindjes 1963, lindur dhe banues në Tiranë, Lagjja Nr. 5, “Rruga Konferenca e Pezës”, pallati Nr. 13/2, me arsim tetëvjeçar, me punë në Drejtorinë e Pritjes.

Dëshmitarja u lajmërua për përgjegjësinë penale që ka, në bazë të nenit 202, të Kodit Penal.

Dëshmitarja

                                  Mimoza Tresa

Mbasi u pyet rreth çështjes, deklaroi:

Kam qysh nga muaji korrik 1981, që punoj si punëtore në shtëpinë e Mehmet Shehut. Në datën 17 dhjetor 1981, rreth orës 13.00, kam filluar punën, së bashku me mua në turn, ishte dhe punëtorja Farie Lila. Gjatë gjithë ditës, unë, Mehmet Shehun nuk e kam parë, por vazhdoja punën poshtë, në kuzhinë. Rreth orës 21.45, iku shoqja ime, Farije Lila, për në shtëpi dhe mua më la vetëm. Edhe darkën atë natë, Mehmet Shehut dhe Fiqirete Shehut, ja u çoj Farija.

Rreth orës 22.10, Mehmet Shehu i ra ziles dhe unë shkova në zyrën e tija, në katin e parë, ishte së bashku me Fiqrete Shehun, kur unë shkova aty, ai më porositi, t’i bëja një kafe për veten e tija. Unë bëra kafen dhe së bashku me një gotë ujë, ia çova lart, po në zyrën e tija, në katin e parë, edhe kur i çova kafen në zyrë, ishin të dy, Mehmeti së bashku me Fiqreten, në një tavolinë që është në zyrë. Pasi lashë kafen, unë shkova përsëri në kuzhinë.

Rreth orës 23.00, unë dola për të parë, nëse Mehmeti me Fiqreten ishin ose jo në zyrën e katit të parë, ku u çova kafen, kur shkova aty, dera e zyrës ishte e hapur, drita e fikur, kuptova që ata ishin larguar nga kjo zyrë. Unë nuk i pashë se ku shkuan, por duke menduar se ata do të ishin ngjitur lart, në katin e dytë, ku kanë edhe dhomat e fjetjes, mora filxhanin dhe gotën e ujit dhe shkova në guzhinė.

Rreth orės 11.15, unë shkova në dhomën e gjumit, që është në katin e parë, nga pjesa e vjetër e ndërtesës dhe rreth orës 23.30, kam rënë për të fjetur. Në dhomë isha vetëm, dhoma ku flija unë, është ngjitur me dhomën e infermjereve, që atë natë ka qenë Valentina Gina. Gjatë gjithë natës, unė kam fjetur normalisht dhe nuk kam dëgjuar asnjė lloj zhurme, nuk më ka zgjuar gjatë natës asnjeri dhe jam zgjuar në orën 5.00, të datës 18 dhjetor 1981.

Mbasi u ngrita, kam shkuar në guzhinë, kam përgatitur ushqimin për djemtë e Mehmet Shehut, Vladimir Shehun dhe Bashkim Shehu, të cilët erdhën, hëngrën bukë dhe u larguan. Në orën 7.30 të datës 18 dhjetor 1981, unë jam larguar nga puna, për në shtëpi, punën e vazhduan shoqet e turnit tjetër, Farija, me të tjerat.

Vetëvrasjen e Mehmet Shehut, unë e kam marrë vesh në orën 20.00, të datës 18.12.1981, kur e dha televizori, isha në shtëpinë time, sepse në orën 12.30, të kësaj date, unë shkova për në punë, por oficeri i shërbimit, nuk më lejoj të hyja dhe më tha të kthehesha në shtëpi, pasi ka dhenë urdhër përgjegjësja, për pushim, kështu unë u ktheva në shtëpinë time.

Procesin pasi e lexova, thëniet janë shkruar drejt, ndonjë gjë tjetër rreth kësaj çështje, nuk di. Memorie.al

Kujtimet e ish-Ipeshkvit Dom Zef Simoni: Një ditë në meshë, ju luta Zotit për vëllain tim që isha gati të vuaja edhe vdekjen për të!

3 ditë ma vonë ai u mbyt në Ishull Lezhë

 

Publikon një studim të panjohur të Dom Zef Simonit, me titull “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni nga 1944 në 1990-ën”, ku kleriku katolik me origjinë nga qyteti i Shkodrës që vuajti për vite me radhë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më 25 prill 1993 u shugurua Ipeshkv nga kreu i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali i II-të , pasi ka përshkruar një histori të shkurtër të Klerit Katolik në Shqipëri, është ndalur gjatë në persekutimin që pësoi Kisha Katolike në regjimin komunist, nga viti 1944 deri në vitin 1990.


Studimi i plotë i Dom Zef Simonit, duke filluar nga tentativat e qeverisë komuniste të Tiranës menjëherë pas mbarimit të Luftës për ta shkëputur Kishën Katolike nga Vatikani, fillimisht duke i ndaluar kthimin në Shqipëri Delegatit Apostolik, Imzot Leone G.B. Nigris, pas vizitës që ai kishte bërë te Papa në Vatikan në vitin 1945 dhe më pas me presionet e kërcënimet ndaj Monsinjor Frano Gjinit, Gaspër Thaçit e Vinçens Prenushti, të cilët e kundërshtuan prerë “ofertën” e Enver Hoxhës dhe si rezultat u pushkatuan prej tij, si dhe fatin tragjik të shumë klerikëve të tjerë që arrestuan, u torturuan dhe u dënuan me burgime, si: Dom Ndoc Nikaj, Dom Mikel Koliqi, Atë Mark Harapi, Atë Agustin Ashiku, Atë Marjan Prela, Atë Rrok Gurashi, Dom Jak Zekaj, Dom Nikollë Lasku, Dom Rrok Frisku, Dom Ndue Soku, Dom Vlash Muçaj, Dom Pal Gjini, Fra Zef Pllumi, Dom Zef Shtufi, Dom Prenkë Qefalija, Dom Nikoll Shelqeti, Dom Ndré Lufi, Dom Mark Bicaj, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Ejëll Deda, Atë Karlo Serreqi, Dom Tomë Laca, Dom Loro Nodaj, Dom Pashko Muzhani, etj.

Veç këtij hiri, Perëndia u dha njerëzve të parë edhe hiret e përtej natyre që përmbahej në dhuratat, mos me pësue asnjë vuejtje, as uri, as etje, lodhje, sëmundje, as vdekje. Na kishim me Perendinë varësi, që me e njohtë, me e dashtë e, me e ndigjue. Atëherë provë. As Perëndia, nuk muejt me na ba të pavarun, mos me na vu në provë e, kjo marrëdhanie e provës, tue qenë e domosdoshme, asht jeta. Lidhje fort ideale. Lidhje pozitive. Dy njerëzit e  parë qenë lajmërue, se çka asht e keqja dhe konsekuencat e saj, e dy njerëzit e parë, prej krenisë me u ba si Zoti, tundim i jashtëm nga djalli, morën udhën e pandigjesës, që i bani të hajshin në të vërtetë frutin. Bjerrshin hirin e mbinatyrshëm të Zotit edhe hiret përtej natyre dhanë falas prej Tij. Iku parrizi i tokës. U mbyllën dyert e Parrizit.

U prish natyra njerëzore. Fitoi egoizmi, urrejtja, hakmarrja. Erdhën luftat. Bota u fut në mëkatin e luftës. Na trashiguem mëkatin e tyne, tue mbetë të bijtë e njerëzve të parë në lufta e ligështi, për të ardhë prishja e individit e si rrjedhim të këqijat e pasojat në shoqni. Me lanë një komb pa realitetin shpirtnuer, fillon shkatërrimi i tij. Mos na njerëzit arrijmë të kryejmë vepra të mbinatyrshme pa hirin e Zotit? E përpjekjet, përparimet që duhet të bajë njerëzimi, mund të jenë ma e vogla reformë, garanci, pa luftue në esencë natyrën e mëkateve e pa pasë frymën e Dekalogut[1] e forcën e religjionit? Te na ngjau tragjedia e madhe. Na u errësuem në koshiencë, në njohje, në dije shpirtnore, në ndërgjegje. Ramja poshtë qe e përgjithshme.

Nuk kemi të veçanta ngjarjet, që në pjesën e parë të diktaturës, me pushkatime, burgje terror, shtetëzim personash, shkatërrim të furishëm të shtetit të maparshëm, të përmbysjes së sistemit, këto janë ngjarje të ngjajtuna kudo në histori e, që njerëzit tanë kanë qendrue edhe heroikisht, me një rezistencë burrnore që i ka ba të mbahen në kambë. Por esenca e diktaturës qendron, gjatë ndërtimit të një shoqnie të re, të formimit të të quejtun e “njeriut të ri”, që na nuk kishim me pushue tue e shprehë me fjalët; “prishja e karakterit”, diktatura qendron te frytet e saj, kur njerëzit bijnë në ligështi e, në shpërbamje. Prishja e karakterit, vinte nga raportet shoqnore të tillë, ku jeta ishte punë e burg, qendronte në zbatimin me rigorozitet të reformave, te lidhjet e përditshme të varunisë së njerëzve e, populli që drejtohej prej grupeve dhe aparatit zyrtar të egër e shtypës, te njerëzit drejtues plot instinkte.

Shumica e frikësueme, pa personalitet, jetonte edhe në një servilizëm e, kishte forma të shumta spiunazhi. Ishte një atmosferë mbytëse me hajni, dredhi, reklamë, anmiqësi, presione, luftë klasash e diktaturë proletare, pa dinjitet kulture e, individi. Me mbylljen e kishave, u pa dukshëm rrënimi i një prishjeje e i një çorientimi, e i një demoralizimi e të këqijat e njeriut, merrshin të haptë e fuqi. Ngjarjet lidheshin njena me tjetrën: mbyllja e kishave, arrestime meshtarësh, gjyqe terrori, meshtarët në punë të randa.

Në fabrikën e tullave

Punët e randa ishin tri: në fabrikën e tullave, në ndërtime dhe në fermë. M’u donte të hyjsha edhe unë. Më caktuen në fabrikën e tullave, ku punojshin njerëz që kishin qenë në burgje politike dhe ordinere. Fjala punë, ishte sinonim i lodhjes së madhe, i këputjes, i frikës, i pasigurisë, i shpërblimit të vogël, që i bajshin të turfullojshin, të flitshin me vete, se si do ta shpenzojshin pesëmbëdhjetë ditëshin historik, në Shqipni. Unë kisha dëshirë disi, me u marrë me punë fizike, sidomos të thejsha tokën, me u kënaqë në mbjellje, por e vërteta ishte se, nuk kisha fuqi. Isha i ligësht fizikisht nga natyra dhe më mundonte arterio-skleroza dhe dy exsostrosa në kambë. Nuk qëndrojsha dot shumë.

Më zgjodhën një punë të lehtë: me shpërnda tjegullat me shpejtësinë e të riut, prej vendit të motorit që i nxirrte, deri te vendi i thamies së tyne. Kjo punë ishte zinxhir, pa pushue për gati tetë orë. Me bajtë tetë copë tjegulla, në çdo udhëtim. Të gjitha lëvizjet e një ditë punë, ishin si me ba tridhjetë km. në ditë. Kjo çdo ditë. Kjo një ditë, dy, tri. U lodha fort. Nuk muejsha. Njëherë, më ra një tjegull e butë nga dora, në tokë. Shpejt më paditën. Denoncim thirret. U ndalue krejt puna. U provokue mbledhje. Po bahej hataja.

“Kujdes të keni, të mos biejnë tjegullat në tokë”, – foli brigadieri e sekretari i partisë. – “Nuk po e quejmë punë anmiqësore këte radhë. Por kujdes e, kujdes fort”. Mbas tri javësh, përgjegjësi më largoi, tue më pa se isha i aftë. “Këtu asht vend punë”, – më tha. Përgjegjësi i rreptë, nxanës imi i dikurshëm, pa më dhanë asnjë shej njohjeje, lëshoi një raport të mirë për mue, të mbyllun në një zarf, për t’ia dërgue Drejtorisë së Përgjithshme të ndërrmarrjes, në të cilin kishte shkrue: “Jo nuk do të punojë, por nuk mundet. Na dërgoni këtu, njerëz të fortë për punë”!

Në fermën bujqësore

Më dërguen në fermë, ku punova disa muej. Puna këtu ishte: mbjellje, prashitje, vjelje barishtesh, frutesh. Mue nuk më vinin me vjelë speca, patlixhana për eksport. U muer vesh se kësi lloj punësh, nuk do t’i bajshin të dyshimtit. Nuk ia besojshin reaksionarëve, se, simbas tyne, bajnë sabotime.

Do t’u largojsha edhe prej ferme, mbasi kisha një raport medikolegal, që nuk më lejonte me punue kurrsesi në diell e, në kambë. Një ngjarje fort e randë ngjau në shtëpinë tonë. Në mbasditen e 25 korrikut, vjen vëllai, Gjergji, te vendi i punës, ku isha tue punue në arë. Ishte fort i pikëlluem, fort i tronditun. Më lajmon vdekjen e Kelit, të mbytun në ujë. Një provë e randë për ne në familje.

Më biente detyra të ngushëlloj babën, nanën, motrën e vëllanë. Iu shtruem të gjithë vullnesës së Zotit. M’u dhimbt për së forti e sidomos, për atë natyrën që kishte, mund ta quejsha të pandreqshme. E sa herë në bisedime që kisha me Padër Meshkallën, më thonte se; asht një njeri të cilit i mungon vullneti. Ishte i dashun, shpirtmirë, por i çthurun e, të gjithë njerëzit që e morën vesh vdekjen e papritun të tij, patën një keqardhje. Kishim provue me e ndihmue me qetësi dhe dashamirësi vëllaznore e njerëzore, Gjergji dhe unë. Kisha rasa që i jepsha edhe qortime, por të dashuna. E kurr nuk ma merrte për të keq fjalën e, më thonte: “Ke arsye për çka më thue, por unë, baj gabime”. Sa herë më jepte fjalën, por e mbante për pak kohë. Nuk kishte asnjë përfundim të mirë.

Një ditë në meshë, në kohën e lutjes për të gjallë, tue pasë një gjendje shpirtnore të naltueme dhe si ndërmjetës para Zotit, i siellem Krishtit me këto mendime e kujtime, se isha gati të vuejsha vdekjen, çfarëdo për atë, por t’i shpëtonte shpirtin.

E kjo meshë e lutje, ngjau tri ditë para vdekjes së tij. Atëherë e sot, e quejta providenciale vdekjen e tij. Vendi i vdekjes qe Ishulli i Lezhës. Mbasi e kishin xjerrë trupin, ditën e neserme, para dite, e sollën kufomën në arkivol. Baba e qau si një patriarkë e, nana e veshun me të zeza, ishte grueja e dhimbave.

Për shumë kohë mbeta në kujtime për atë. Kisha nisë të lodhesha fizikisht. Kah muej i dhetorit, u largova nga puna e randë, nga ferma.

Mungonte krejt ushqimi. Jetojshim me mundin e Gjergjit, që punonte në hidrocentralin e Vaut të Dejës, në një punë me tre turne, mes të ftohtit e të urisë, me një pagë të vogël të tij dhe të një pensioni, që i ra prindëve të provuem nga ajo vdekje. Por asnjë nuk e lëshuem veten. Ishte forca e Zotit në atë dhinibje e, atë provë e guxim të krishtenë, që i jepshim njeni-tjetrit. Për ne lëngonte natyra, jeta dhe unë po hyjsha, mbas pak kohe, në disa fshehtësi të shpirtit, në një bote të rrethueme nga të gjitha anët. Re të mëdha më rrijshin mbi krye dhe më futeshin me peshë qiellore në shpirt. Vejsha oroe se këto masa të mëdha, kishin punë me mue e, kalojshin me shpejtësi rrufesh, njena mbas tjetrës. Re e mendime të zymta.

Dhimbjet e mia

Disa kohë, para se t’u bajsha meshtar e, deri ditën e arrestimit tim, gati 16 vjet të veprimtarisë sime fetare, fort të dendun dhe me një kontakt me shumë njerëz e, që kjo gjendje e mirë shpirtnore do të vazhdonte edhe njëzet e pesë vjet, kohë kur jam tue shkrue këto rreshta, deklaroj fuqinë e Zotit në mue, se për të gjithë këto vjet, nuk do të kisha asnjë mëkat mortar, të asnjë lloji, në shpirtin tim. Kisha një pastri e një qetësi të vazhdueshme. Asnjë personë nuk e kam shikjue, me ndonjë qëllim të keq. Por pa pritë, pa kujtue, si një zhgjetë në tru, më hyni një mendim, një dyshim.

I madhi Zot premtonte, për të mirën e shpirtit tim, të bijsha në disa tortura shpirti, që thirren skrupuj. Dyshimet e mia ishin, a i kisha ba mirë rrëfimet e mia, para se t’u bajsha meshtar. Ato filluen lehtë e, u randuen. Krizë në shpirt. Fillon të kullojë gjak në shpirt. Sëmundje fort e randë. Një kontroll së kaluemes. Analizë. Pështjellim. Trazoj rrëfyesit. Kam thanë gjithçka u thojte e, nuk kam lanë asgja për turp, por më ka mungue precizioni. Ata tue pa se kisha ra në skrupuj, ngulshin kambë, se isha rrëfye mirë. Nëse jam rrëfye, mbasi u bana meshtar, ndonjë fantazi për skrupulozitet, përsëri më asht dashë me paraqitë, si materie rrëfimi e të hershme.

Tash po i pohojsha tue ba zmadhime, deformime, e shtue numra, landë të qenuna e të paqena. I bajsha me shumë përsëritje, imtësi, hollësi, saktësi, përulje e pendim të ri. Nuk po thojsha se jam i bjerrun, por më dukej se përsëritsha fjalët e Krishtit. “O Atë, pse më ke lëshue dore”?! Edhe unë si meshtar i tij, bahem si një Krisht i fortë, i munduem, i sprovuem. Për mue Qiella ishte e nxime. Prej torturave këputesha. Këputesha gati krejt. Lagesha e thahesha. Bahesha qull. Mbytesha. Gati mbytesha. Por Krishtin e dojsha fort. Krishti asht një Qenie, që duhet dashë. Figura fort e dashuna ime dhe e botës. Stuhi në hapësinë, në qiell, në veten time. Më dukej se isha me dy shpirtën, dy Zefa.

Në njenin shpirt vuejtja, jetë skrupujsh, në tjetrën qendresa. Rrëfyesi më priste me qetësi, me duresë e sjellje, “Gjithçka të ma lejsh mue”, – më thonte. Nuk ndigjoj as rrëfyesin. “Skrupolozat kanë një kreni”, – kështu thotë teologjia morale dhe skrupolozi i madh i saj, Shën Alfons de Liguori. Skrupolozave u duket se askush nuk di, nuk kupton si ata, e këte nuk e bajnë me vetëdije, se për ndryshe, kishte me u shtue një mëkat i ri në rrëfim, mëkat sakrilegji. Skrupolozi lodhet, nuk ka fuqi ma, nuk ka guxim të thotë: “Të bahet çka të bahet, nuk rrej”! Isha futë në torturë. Jetojsha në torturë. Isha futë si në një çmendi të mbrendshme. Nisa të shkrihesha, isha ba si një kufomë.

Jashtëmënisht unë siellesha mirë me të gjithë njerëzit, nga frika e mëkatit. Edhe shumë mirë. Kisha logjikë. Ruhesha fort, që të mos i flas kuj asnjë fjalë, sado të vogël, asnjë zemrim me askend, se mendojsha mos bajsha mëkat. Mëkat të madh fort. Mëkat për ferr. Për mue nuk ekzistonte ma mëkati i vogël, mëkati venial. Asnjë diferencë me mëkatin mortar. Prandej rrijsha si një statujë para tjerëve, si një qenie pa personalitet, se edhe atëherë, kur më dukej me mbrojtë vetën, nuk e bajsha. Kisha ra në këte pozitë. Për t’i dalë të drejtës së tjerëve, kjo nuk më mungonte. Kisha anormali mbrenda vetës, krejt normal para tjerëve. Jetojsha si një qyqar dhe luftojshe si një hero. Nuk kisha siguri për vete. I sigurtë e çaste gëzimi, kisha fort mbrenda rrëfimit.

E mbas ndonjë ore, niseshin përsëri ethet e skrupujve e, më delte se isha përsëri në zonën e bjerrjes. Unë isha një qenie fort e dhimbshme. Në një gjendje që do të më vazhdonte me intensitet, të afër tri vjetësh, se mandej më vijshin tue u largue nga ndihma e meshtarit e, përmirësimi i shëndetit. E, kur nisa të delsha e të shihsha se isha ngjitë përpjetë. Një njohje e re erdhi edhe në mue, tue u ba i durueshëm, i gjanë me të tjerët, tue u ardhë në ndihmë atyne që vuejnë, atyne që kanë delikatesë shpirtnore dhe atyne që fshajnë e dënesin. Largojsha interesat e mia, egoizmin dhe çdo urti meskine, se sakramendi i rrëfimit, të cilit i kisha hy thellë, po më largonte edhe çrregullimet e mia. Sakramendi i rrëfimit pa skrupuj, të lidhë krejt me Perendinë.

Kam mësue se askush nuk asht njeri ma i mirë, se në ato çaste kur rrëfehet. Edhe Krishti që e ka themelue këte sakramend, ka marrë parasysh edhe nevojën psikologjike tonën, se kush jemi, duhet t’ia tregojmë dikuj. Atëherë Zoti na jep hirin për të marrë vesh dhe se kush jemi. Përmes rrëfimit zbulohemi, naltohemi, shndërrohemi, shndërrojmë potencat në akt dhe shkojmë drejt gjendjes së mirë të aktit, shembëlltyra të vërteta të Zotit. Me shkue njëherë me u rrëfye, asht me plotësue pak çaste shkencën e njohjes së mbinatyrshme, pse rrëfimi shlyen e shfuqizon. Për arsye të shëndetit, edhe mjeku nevrolog më këshilloi, ta kalojsha kohën e verës, mes bjeshkëve. Mendimi i tij ishte Razma, e këtë me e kombinue me klimën e Shirokës, fshat i vogël buzë liqenit të Shkodrës.

Unë do të shkojsha në Razëm, për shtatë vjet, shtatë vera. Një vend me një bukuri mahnitëse, mes ahave e ma nalt edhe pishave. Bajsha shëtitje të bukura te “Shpella e Dhenve dhe e Pëllumbave”, mes krojeve të argjanta e, “Pusi i Granashdolit”, rranzë Veleçikut, prej kah shihsha shumë në horizont: edhe liqenin, alpet, fushën e Tuzit dhe thithëshe ajrin e drandofilltë dhe aromat e luleve malit e, të lëndinave të buta. Kisha babën e mirë me veti e, çdo javë vinte me kalue dy-tri ditë edhe vëllau, Gjergji. Nisa me të vërtetë me u përtri. Largohej ligësina, largoheshin skrupujt e plot gëzim, këto ishin zëvendesue me meditime. Lexojsha “Lahutën e Malcisë”.

E lexojsha rranzë Veleçikut, së bashku me Dom Kolec Tonin, që kishte ardhë pak ma vonë në Razëm e, marrë edhe ky një dhomë për të kalue stinën e verës. Ku kishte ma të bukur se ato bjeshkë, për ta lexue ‘Lahutën e Malcisë’, se në vendin e ngjarjeve, në logun e zanave, mes maleve të malësorëve?! Unë kisha marrë me qira shtëpinë e një malësori, i quejtun Gjeto Prelë Kota. Kur kishte qënë në gjendje të mirë pasunie me tufa bagëtish, Gjetoja kishte jetue në një kasollë, që tash e kishte vendue me qira, për ata që vijshin me verue. E për veti, kishte ba shtëpi të re, kur i kishte mbarue pothuej krejt pasunia e, jetonte me rroga. Nga dy dhomat e kësaj shtëpie, vendoi me qira njenën, ma të madhen, për familjen e bekueme të Gac Zojzit, arsimtar, piktor, tjetrën për mue.

Kjo familje ndej krejt muejin e korrikut e, gjatë kësaj kohe unë, i bana fshehtas vajzës së tyne tetë vjeçe, katekizmin dhe i dhashë po aty kungimin e parë dhe në Shkodër Krezmimin, në shtëpinë e gjyshit të saj, Zef Dodës, drejtor i shkollës me të cilin pata punue dhe i dhashë lajmin e largimit tim nga arsimi. Dita e kungimit të parë të vajzës, kje një festë për të dyja familjet, kje një e dielle e paharrueshme në robni. Në vjetët tjera, unë me babën e vëllaun, morëm një dhomë që ishte për tokë, në kasollen e tyne. Kishim pranë familjen e nderueme, të guximshme e të ndershme, të Ndok Kirit, nip i Pater Frano Kirit.

Mesha në Razëm

Në dhomën time, çdo ditë celebrojsha meshën e, vinte për ta sa herë edhe familja e Ndokës, që kishte të shoqen dhe dy fëmijë të vogjël: Francin, mbi pesë vjetësh e, Nestin, gati katër. Kujtoj këte ngjarje, se kur një ditë u ula për të ble në dyqan, në qendër të Razmës, e u ngjita për të kthye në dhomë për të celebrue Meshën Shejte, Nesti me duel para tue më thanë: “Axha Zef, thuej Meshën, se rrij me të ruejtë unë përjashta, që të mos vijë kush”. Gjeto Prelë Kota ishte një burrë i mpreftë, energjik dhe i fjalës. Po të kishte pasë shkollë, do të kishte qenë një orator, ndoshta si një Padër Anton, si një Dom Lazër Shantojë e, sa të tjerë.

E shoqja ishte Mara e madhnueshme, një bijë e Kastratit. Ishte si një matronë, me një bukuri fizike dhe personalitet. Kishin tri djelm të martuem e, të mirë dhe pesë vajza fisnike, të martueme në vende të ndryshme. Një herë Gjetoja, po delte nga shtëpia, për t’u ulë poshtë në qendër të Razmës. Ishte i hypun mbi një gomar, i veshun mirë, me xhaketë mbas krahëve. I thashë Gjetos këto fjalë: “Kur të vije koha, të vdisni ti edhe Mara, kanë për t’u vorfnue këto male”. U gëzue fort që i dhashë këtë nderim e, u çfaq në ate, edhe krenaria e maleve. Ju betohem se, po të hiqte Gjetoja qeleshën e bardhë mbi krye dhe Mara, xhubletën mbi shtat, e të visheshin alla franga, do të ishte një tjetër çift, për bukuri e, tue qenë njerëz të mirë, kur t’u vite koha me dekë, mund të shkojshin në Parriz, ata këtu në tokë mund të jetojshin krejt mirë edhe në Parriz.

Me shkue në Parriz, nuk duhet të kesh mëkate, me shkue në Parriz, duhet me dijtë gjuhën dhe me pas etiketa. E më shkonte mendja te parathania e Fishtës, që shkroi në ‘Kanunin e Lekës’, të Patër Shtjefën Gjeçovit. Aty flet për pesë qytetnime. Qytetnimin kryesuer, atë Kristian, ndër malet tona, i ven në radhën e tretë. Një herë më pyeti Mara, sa ishte ora, mbasi nuk e dinte, se ishte vra moti. “A asht afrue mesdita, se na jemi mësue me hangër bukën e mesditës, me të rame të këmbanës”, që binte në orën 12ºº të ditës. Në këtë rast, hodhi një sy prej shtëpie, kishës, që ishte shndërrue në magazinë e lotonte. “Asht ora gati 12ºº. Don edhe një të katërt ore”, – i tham unë. Ishin të rregullt, dijshin e i mbajshin dhjetë Urdhnimet e Zotit, njihshin disa pika të katekizmit, që i kishin ndie në predikimet kur shihshin meshën.

Çdo të dielle merrshin fjalën e Zotit, ata banorë me squetësi natyrore, prej meshtarit dhe të intelektualit, si në kryeqytetet e Europës dhe të botës. Në ato male jetonte një popull me cilësi gjeniale, një racë me tipare mendimtarësh, artistësh e matematikanësh. Kanë dalë nga zona e maleve, At Gjergj Fishta, Patër Ambroz Marlaskaj, Patër Benardin Palaj, Martin Camaj e, sa të tjerë, e kanë humbë kontigjente, që do të kishin muejtë të delshin e, të ndritshin kombin e kulturën tonë. Këto zona ku nuk shihet një rrugë, një shtëpi banimi si duhet, me njerëz të zdeshun e të pa ushqyem, ishin lanë në harresë e mbrapa dhe me qëllim e, pa asnjë kujde, për ata, nga çdo qeveri, tue i lanë me jetue në dorën e fatit e, që në rrethana të caktueme historike, mund t’u vinë momente, ku ata të shpërthejnë keqas, pa dijtë edhe ata çka banë. Qytetnimi kristian, kryesisht asht qytetnim zemre. “Po të mos e kemi këtë zemër, nuk e kemi askund”, pohon një shkrimtar modern francez. Memorie.al 

The New York Times (1929) “18 orë punë në ditë, 10 minuta ushtrime çdo dy orë, qentë, shqiponjat, Amerika, dekreti për mbiemrat…” — Takimi me mbretin Zog I në pallatin e tij

Burimi : The New York Times, e hënë, 10 qershor 1929, faqe n°5

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Dhjetor 2024

 

“The New York Times” ka botuar, të hënën e 10 qershorit 1929, në faqen n°5, një shkrim asokohe rreth figurës së Mbretit Zog I, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

 

Mbreti Zog punon 18 orë në ditë

 

 

Sovrani shqiptar bën pushime 10-minutëshe çdo 2 orë nga ora 6 e mëngjesit deri në mesnatë

Ai luan me shqiponjat

Monarku i ri shpjegon se zogjtë e mëdhenj janë simbole të lirisë, ashtu si në Amerikë

 

Tiranë, Shqipëri, 9 qershor (AP). — Mbreti Zog I, sovrani i vetëshpallur i Shqipërisë, edhe pse në fron më pak se një vit, ka fituar titullin monarku më punëtor në botë.

 

[Javën e kaluar Mbreti Zog nxori një dekret që të gjitha familjet myslimane në Shqipëri të heqin dorë nga përdorimi i qyteteve në lidhje me emrat e tyre dhe të adoptojnë sistemin evropian të emrave të familjes. Në përputhje me dekretin, ai hoqi shkronjën “u” nga emri i tij.]

 

Tetëmbëdhjetë orë punë të angazhuara në ditë, me vetëm dhjetë minuta ushtrim çdo dy orë i izoluar në pallatin e tij me gëlqere të bardhë, përbën, sipas tij, një ditë të zakonshme pune.

 

 

Mbreti ngrihet me shqiponjat e malit në orën 6 të mëngjesit. Ai pi një filxhan kafe turke, thith një cigare dhe zhytet menjëherë në punë. Me përjashtim të një vizite disa minutëshe te mamaja e tij, me të cilën është shumë i lidhur, ai nuk del kurrë nga zyra e tij deri në mesnatë. Devijimi i tij i vetëm është loja e herëpashershme me qentë e tij të preferuar në parkun e mbikqyrur të pallatit.

 

Në mbrëmje, puna e gjatë sovranit ndërpritet vetëm kur mbreti dëgjon meloditë e tij të preferuara amerikane në gramafonin e tij amerikan, të cilin ministri Hart ia dhuroi atij.

 

Miqtë e monarkut shqiptar thonë se atij i mungon aftësia për të deleguar detyra të tjerëve, madje edhe ministrave të tij. Prandaj, ai këmbëngul që të bëjë gjithçka personalisht dhe të drejtojë vendin praktikisht me dorën e vetme.

 

Megjithëse qeveris Shqipërinë i vetëm, ai nuk ka pamjen e një diktatori.

 

Tiparet e tij të buta, hunda e tij akuiliane, goja e tij delikate, flokët e tij biondë, mustaqet e tij të vogla gështenjë, dinjiteti i tij i mrekullueshëm dhe pamja e tij e rezervuar aristokratike sugjerojnë më tepër një fisnik francez ose austriak që nuk i është dashur kurrë të djegë dorën ose vetullat në punën e përditshme.

 

Megjithatë, sovrani më i ri i Evropës nuk është mbret diletant apo sallonesh. Ai drejton një million nënshtetasit e tij me një dorë të fortë dhe të papërkulur, por të drejtë dhe i jep mbretërisë një shembull të shkëlqyer me mundin e tij të pandërprerë.

 

 

Ndonëse Mbreti Zog u shndërrua pothuajse brenda natës nga mbështetësit e tij nga një kryetar i zakonshëm fisnor i rrethit të tij të lindjes në pushtetin dhe lavdinë e një monarku, ata që kanë privilegjin ta takojnë atë, mahniten nga sjelljet e tij mbretërore, hijeshia e tij e kudondodhur, hiri dhe përzemërsia e tij.

 

Kur korrespondenti i The Associated Press vizitoi sot pallatin, ai gjeti Mbretin duke përkëdhelur dhe duke luajtur me një grup shqiponjash të mëdha malore, të cilat i zbuti vetë.

 

Meqenëse Shqipëria është një vend me shkëmbinj dhe maja të larta, — tha Mbreti duke buzëqeshur dhe në një gjermanishte të shkëlqyer, — ne këtu kemi pothuajse po aq shqiponja sa ju keni harabela në Amerikë. Ashtu si shqiponjat në mbarë botën”, vazhdoi ai, “shqiponja shqiptare është krenare, sfiduese, e guximshme dhe e pavarur. Prandaj, ne e bëmë atë simbol të lirisë sonë kombëtare, ashtu si Shtetet e Bashkuara. Njerëzit e mi m’i sjellin ato në një numër të madh si dhurata që tani kam mjaftueshëm për t’i eksportuar disa në Amerikë.

 

Duke qeshur, mbreti shtoi :

 

Por e di që populli amerikan tashmë ka mjaft shqiponja dhe liri të mjaftueshme.

“Mehmet Shehu, rreth orës 22:00 pa majtas e djathtas, më pas u fut brenda dhe kyçi derën”- Dëshmia e ish-komandantit

Nga Dashnor Kaloçi / Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës së Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra  dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!

Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, Memorie.al, ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit, (pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë.

Në dosjen në fjalë, gjenden të plota dhe me faksimilet përkatëse, akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor, që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, si dhe ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, Xhule Çiraku, Elham Gjika dhe Lahedin Bardhi.

Gjithashtu në dosjen voluminoze në fjalë që po bëjmë publike, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.

DOKUMENTI ARKIVOR ME PROÇES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE, TË FATBARDHA SHYTI SHEHU, NUSJA E DJALIT TË MADH TË MEHMET SHEHUT, NGA ANA E KRYETARIT TË HETUESISË SË TIRANËS, KOÇO JOSIFI

Proces-verbal

(Dëshmie)

Tiranë më 20 Dhjetor 1981

Pyetje: Na tregoni dëshmitare, nëse mbas vajtjes për në dhomën tuaj të fjetjes, gjatë kohës që keni rënë për të fjetur me burrin tuaj, Vladimir Shehun, keni dëgjuar ndonjë zhurmë që do ju zgjonte nga gjumi?!

Përgjigje: Gjatë gjithë kohës që kam qëndruar në dhomën time, pa fjetur, deri në orën 00.30 të datës 18 Dhjetor 1981, dhe gjatë gjithë kohës që kam qenë duke fjetur, derisa jam zgjuar në orën 06.30, të po kësaj date, nuk kam dëgjuar absolutisht asnjë lloj zhurme, sikur isha zgjuar, ashtu edhe kur flija.

Sqaroj se dhoma e gjumit ku flija unë, është në pjesën e vjetër të ndërtesës, në fundin e saj dhe për të ardhur deri në korridorin ku janë dhomat e gjumit të Mehmet e Fiqrete Shehut, duhet të kalosh dy-tre dhoma të tjera, përveç korridorit, që të nxjerr në pjesën e re të ndërtesës.

Gjithashtu dua të sqaroj se kufomën e Mehmet Shehut, e kam parë me fytyrën e zverdhur, të shtrirë në krevat, dhe nuk mbaj mënd nëse ishte i mbuluar apo i zbuluar, mbasi siç thashë, unë kam dalë menjëherë nga dhoma dhe nuk qëndrova gjatë aty. Ndonjë gjë tjetër, nuk kam për të thënë. Procesverbalin mbasi e lexova, pashë se thëniet e mia janë shkruar drejt, e firmos.

Dëshmitarja Hetuesi

Fatbardha Shehu Koço Josifi

Asistoi

Elham Gjika

DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE, TË FIQRET SHEHU, BASHKËSHORTJA E MEHMET SHEHUT, NGA ANA E KRYETARIT TË HETUESISË SË TIRANËS, KOÇO JOSIFI

PROCES-VERBAL (DËSHMIE)

TIRANE, ME 18 DHJETOR 1981

Unë, Koço Josifi, hetues në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë, pyeta me cilësinë e dëshmitarit, shoqen Fiqirete Shehu.

Mbasi u pyet lidhur me çështjen, tregoi:

Mbrëmë, më tha; nesër në mëngjes më zgjo, në orën 8.00. Sot më datë 18 dhjetor 1981, rreth orës 7.55, erdhi në dhomën time djali, Vladimir Shehu. Në dhomë më gjeti së bashku me gruan e tija, Fatbardha Shehu. Mbasi erdhi Vladimiri në dhomën time, unë shkova në dhomën e gjumit tija, për t’a zgjuar, kur shkova atje pashë se ishte i zverdhur dhe sipër këmishës, kishte gjak.

Dola dhe shkova në dhomën time, ku i thashë Vladimirit dhe nuses Fatbardhës, që babaj ka vdekur. Këto u ngritën dhe shkuan menjëherë në dhomën e tij, ku lajmëruan mjekët dhe shokët e tjerë. Mbasi ishte i qetë, më tha të iki, se në mbrëmje do qëndrojë vonë, prandaj nesër, më zgjo në orën 8.00.

Dëshmitari Hetuesi
Fiqirete Shehu Koço Josifi

Asistoi

Elham Gjika

DOKUMENTI ARKIVOR ME PROÇES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE, TË ALI ÇENO, KOMANDANT I GRUPIT TË SHOQËRIMIT TË MEHMET SHEHUT, NGA ANA E KRYETARIT TË HETUESISË SË TIRANËS, KOÇO JOSIFI

Proces-verbal

(Dëshmije)

Në Tiranë, më 18 dhjetor 1981

Unë, Koço Josifi, hetues në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë, në prani të shokut Elham Gjika, pyeta me cilësinë e dëshmitarit Ali Çeno, i biri i Shemsedinit dhe i Qamiles, i dtl., 1943, lindur e banues në Tiranë, me arsim të lartë, banues në lagjen Nr.2, “Rruga Luigj Gurakuqi”, Pallati Nr.4, Apartamenti 13, anëtar Partie.

-Mora njoftim mbi përgjegjësinë që kam sipas nenit 202, në rast se bëj dëshmi të rreme.

Dëshmitari Ali Çeno:

Më datën 17 dhjetor 1981, rreth orës 20.30, unë pasi rregullova shërbimin në grup, jam lajmëruar për në shtëpi. Mbasi shkova në shtëpi, më mori në telefon mjeku Llesh Rroku dhe më tha në telefon, se isha në zyrë tek Mehmet Shehu dhe më pyeti se kush nga oficerët, është sonte me shërbim, më tha Lleshi, që i thashë se; sonte është Pëllumbi dhe Aliu, ai e kishte pyetur se aty është Aliu, Lleshi i ishte përgjigjur se po, dhe Lleshi më tha mua, se është mirë të vish këtu edhe ti, që edhe unë mos dalë me gënjeshtër.

Kështu unë, mbasi hëngra darkë në shtëpi, u nisa dhe erdha në grup, rreth orës 23.00 dhe atë natë fjeta aty. Gjatë natës, Mehmet Shehu nuk më kërkoi.

Në mëngjesin e datës 18.12.1981, rreth orës 8.00, kur unë isha së bashku me shokët e tjerë në dhomën e shërbimit, më njofton djali i tia, Vladimir Shehu, me sterjofoni, që të shkoja lart në katin e dytë, tek dhoma e fjetjes së Mehmet Shehut.

Kur shkova lart në korridor, para dhomës së gjumit të Mehmet Shehut, gjeta aty Fiqirete Shehun, së bashku me Vladimir Shehun dhe gruan e tija, Farbardha Shehu, duke qarë, në këtë kohë Vladimiri më thotë; shko në dhomë dhe shihe babanë, unë hyra në dhomë dhe e pashë Mehmet Shehun, të shtrirë në krevat, të verdhë dhe kur e kapa nga dora, i ftohur, kur unë hyra, ishte i mbuluar me kuvertë dhe çarçaf, ashtu siç ishte kur erdhi grupi hetimor.

Nuk para pashë gjak, në anën e majtë të gjoksit dhe në krah të djathtë të trupit, një pistoletë, kuptova se ishte vet-vrarë dhe në çast njoftova mjekët Milto Kostaqin dhe Llesh Rrokun, të cilët erdhën menjëherë aty, pas kësaj njoftova shokët e Partisë.

Kur unë njoftova për herë të dytë në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, ku kishin ardhur aty edhe mjekët Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, pashë mbi komodinën e majtë të krevatit, një gëzhojë pistolete, u thashë mjekëve; po kjo këtu, si ka mundur të ketë qëndruar në këtë formë, Milto Kostaqi tha se; gëzhoja qe poshtë anës së krevatit, e shkeli Llesh Rroku me këmbë dhe e mori e vendosi mbi komodinë.

Dua të sqaroj se, kur hyra unë në dhomë, duart e Mehmet Shehut, ishin brenda kuvertës, të mbështetura në gjoks, në gjendje të ngurtë dhe të mbuluar deri afër mjekrës, me çarçaf e kuvertë. Unë për t’i parë pulsin, e zbulova pak kuvertën, sa i zbulova dorën, i pashë pulsin dhe konstatova se pulsi nuk punonte, ndërsa në krahun e majtë, afër zemrës, i vura re që kishte një njollë gjaku. Mbas kësaj, unë përsëri e mbulova, siç ishte më parë.

Në grup atë natë që kemi fjetur në vendin e shërbimit, kemi qenë; unë, mjekët Milto Kostaqi e Llesh Rroku, oficeri shërbimit Dashamir Rrapaj, Pëllumb Rustaj, shofer Astrit Mitaj, ndërsa me shërbim, deri tek dera e jashtme e oborrit, prej orës 20.00, deri në orën 02.00, të datës 18.12.1981, ka qenë Astrit Veliaj, ndërsa nga ora 02.00, e datës 18.12.1981, deri në orën 7.00, ka qenë Asim Beja.

Unë atë natë kam rënë për të fjetur në dhomën time, rreth orës 11.30, në dhomë me mua nuk ka fjetur njeri tjetër dhe jam zgjuar rreth orës 6.45, të datës 18.12.1981. Gjatë gjithë natës, nuk jam zgjuar ndonjëherë, nuk kam dëgjuar ndonjë lloj zhurme dhe nuk më kanë njoftuar shokët, për ndonjë nevojë ose shqetësim në shërbim.

Edhe njëherë sqaroj se, mbas lajmërimit që më bëri Vladimir Shehu, për të shkuar shpejt lart, në katin e dytë në dhomën ku flinte Mehmet Shehu, në korridorin para derës së kësaj dhome, gjeta Fiqrete Shehun, Vladimir Shehun dhe Fatbardha Shehun, që po bërtisnin dhe qanin, bile Fiqretja me Fatbardhën, u nisën në drejtim të dhomës së gjumit Fiqretes, ndërsa Vladimiri më tha mua; “shko shiko babanë”.

Unë hyra vetëm në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut dhe e gjeta në pozicionin shtrirë, në anën e majtë të krevatit, me fytyrë nga tavani, syzet që mbante për punë me skelet metalik, i kishte të vura, i mbuluar me çarçaf e batanije, deri poshtë mjekrës, krevati nuk kishte asnjë lloj çrregullimi, sytë dhe gojën, Mehmet Shehu i kishte të mbyllura, duart dhe pjesën tjetër të trupit, i kishte të mbuluara me çarçaf e kuvertë.

Unë sa ju afrova krevatit të tij, ngrita pak kuvertën (batanijen dhe çarçafin) dhe me dorën time, i kapa dorën e majtë, ku kishte dhe sahatin, për të parë nëse i punonte ose jo pulsi. Pulsi nuk i punonte, dora ishte e ngrirë e ngurosur dhe e ftohtë. Në këto momente, duke patur batanijen dhe çarçafin pjesërisht të ngritura, nga unë, vura re që Mehmet Shehu, në krahun e majtë afër zemrës, kishte një njollë të kuqe gjaku dhe thashë me vete, se; paska vrarë veten.

Të dy duart e tia, ishin të përthyera e mbështetura në gjoks dhe të mbuluara me batanije e çarçaf. Mbas kësaj, unë kam thirrur menjëherë në sterjofoni mjekët, duke u thënë që të vinin shpejt në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut. Sqaroj se, kur unë dallova njollën e gjakut në trupin e Mehmet Shehut, afër zemrës, vura re se mbi krevat, sipër batanijes, në krahun e djathtë të trupit Mehmet Shehut, pothuajse në mesin e krevatit, pashë pistoletën e tipit “Makarov”, kalibri 9 mm., që unë e dija se Mehmet Shehu, e mbante në kasafortën e tija, në shtëpi.

Veç sa sipër, dua të them se më datën 19 dhjetor 1981, mbasi Mehmet Shehu kishte vrarë veten, oficer Astrit Velia, që natën e datës 17 dhjetor 1981, duke u gdhirë data 18 dhjetor 1981, kur ai ishte me shërbim përpara shtëpisë banimit Mehmet Shehut, tek porta në hyrje të oborrit, kishte vënë re, që Mehmet Shehu, rreth orës 22.00, të datës 17 dhjetor 1981, kishte hapur portën e hyrjes së ndërtesës dhe duke nxjerrë gjysmën e trupit jashtë derës, kishte parë majtas e djathtas dhe përpara në oborr, mbas një kohe shumë të shkurtër, u fut brenda dhe mbylli përsëri derën me çelës.

Gjithashtu dua të them se, më ka bërë përshtypje një rast me Mehmet Shehun, që konkretisht ka ndodhur kështu: rreth 5-6 ditë përpara se Mehmet Shehu të vriste veten, më duket ka qenë ditë e diel, në darkë, Mehmet Shehu së bashku me Fiqrete Shehun, ishte në Shtëpinë e Pritjes, në Qytetin “Stalin” dhe rrinin vetëm të dy, në dhomat e Shtëpisë së Pritjes, njeri tjetër nuk kishte.

Rreth orës 20.30, ka marrë në telefon centralistja e Beratit dhe më ka thënë, se njeri nga telefonat e Shtëpisë së Pritjes të Qytetit “Stalin”, ai me numër inter-urban, të mbyllet, pasi jep sinjal në central, që është hapur. Unë i thashë centralistes së Beratit, mirë dhe thirra punëtoren e Shtëpisë së Pritjes dhe i thashë që të shkonte në dhomën ku rrinte Mehmet Shehu me Fiqirete Shehun dhe t’u thoshte të vendosnin mirë dorezën e telefonit, që ishte vendosur në dhomën ku ishin ata, sepse qëndronte hapur dhe jepte sinjale.

Punëtorja shkoi në dhomën e tyre dhe ja u tha këtë gjë, por mbas pak Mehmet Shehu, më kërkoi mua, për t’i shkuar në dhomë. Unë shkova në dhomën e tyre dhe si Mehmeti, ashtu dhe Fiqretja, me nervozizëm filluan të më bërtisnin mua, duke më thënë se; kush të lajmëroj ty, që telefoni ishte i hapur, i thashë se më lajmëroi kontrolli i telefonave, të centralit të Beratit.

Mehmet Shehu më tha mua; po nga e di, që ishte kontrolli i telefonave të Beratit, unë i thashë se fola vetë me kontrollin e Beratit, në telefon. Mehmet Shehu më tha; jo, ky është telefon i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe na kanë dëgjuar të gjitha bisedat, që unë kam bërë me Fiqreten, unë i thashë se; ky nuk është telefon i Ministrisë së Punëve të Brendshme, por është inter-urban, me tre numra. Mehmet Shehu insistonte, se ky është telefon i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe më kanë dëgjuar bisedat që bëra me Fiqreten.

Unë i thashë se; ky numër telefoni, nuk është i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe u mata t’i nxirrja numëratorin, duke i thënë përsëri, se Ministria e Punëve të Brendshme, nuk ka telefon këtu, ai më bërtiti, duke u shprehur; ik mbushu, se nuk di gjë ti. Mbas kësaj, unë kam dalë nga dhoma e tyre dhe vajta tek vendi i shërbimit.

Nuk kaloi shumë kohë dhe më thirrën përsëri, Mehmet Shehu me Fiqrete Shehun, në dhomën ku rrinin dhe më thoshin se; kush më ka përgjuar bisedën që kemi bërë, kush e la hapur telefonin, ky duhet të jetë telefoni i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ç’masa keni marrë juve, për telefonat. Unë përpiqesha t’i sqaroja, ashtu siç shpjegova më lart, por ata nuk bindeshin.

Kështu që për këtë problem, atë natë Mehmet dhe Fiqrete Shehu, më thirrën 5-6 herë dhe më pyesnin, duke u shprehur se ata mendonin, që telefoni ishte i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe bisedat që kishin bërë bashkërisht në dhomë, ishin dëgjuar.

Kjo punë ka vazhduar, deri rreth orës 21.15, pastaj nuk më thirrën dhe shkuam për të fjetur. Ato më thirrën vetëm mua, për këtë çështje, ndërsa nga oficerët e tjerë, nuk thirrën njeri. Të nesërmen e kthyem në Tiranë dhe as Mehmet Shehu e, as Fiqrete Shehu, nuk më kanë pyetur më për këtë çështje.

Ndonjë gjë tjetër nuk kam për të thënë.

Procesin mbasi e lexova, thëniet e mija janë shkruar drejt, e firmos. Memorie.al

Dëshmitari Hetuesi

Ali Çeno Koço Josifi

Asistoi

Elham Gjika

Daily Express (1928) “Preferoj të flas për vendin tim sesa për veten…” — Intervista e vetme dhënë një gazete evropiane nga Ahmet Zogu, monarku më i ri i Evropës

Burimi : Daily Express, e premte, 7 shtator 1928, faqe n°9

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 14 Dhjetor 2024

 

“Daily Express” ka botuar, të premten e 7 shtatorit 1928, në faqen n°9, intervistën ekskluzive asokohe me Mbretin Zog I në Shqipëri, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Deklarata e drejpërdrejtë e Mbretit të Shqipërisë

Burimi : Daily Express, e premte, 7 shtator 1928, faqe n°9

Planet për të ardhmen e vendit të tij

 

Nga G. E. R. Gedye,

Korrespondenti special i “Daily Express”.

 

 

Tiranë, e enjte, 6 shtator.

 

Sapo jam kthyer nga një audiencë e gjatë që më dhuroi Mbreti Zog I i Shqipërisë. Ishte e vetmja intervistë që i është dhënë një përfaqësuesi të një gazete evropiane nga monarku më i fundit (i ri) i Evropës.

 

Ishte një përvojë e çuditshme të ecja nga hoteli im i vogël, i veshur në stilin Perëndimor – kapele dhe xhaketë – nëpër rrugët e këtij fshati të vogël turk, i cili ka luftuar trimërisht për dy vjet për t’u bërë një qytet mjaft i denjë për t’u bërë kryeqyteti i Shqipërisë.

 

Kalova nëpër dyqanet ku poçarët me çallmë ishin ulur këmbëkryq, duke i dhënë formë argjilës si në kohën e Omar Khayyam-it dhe kalova sheshin ku javën e kaluar trupat e katër burrave të dënuar për komplot për të vrarë mbretin Zog u varën gjatë gjithë ditës në një trekëmbësh si një paralajmërim për të gjithë përreth, deri në pallatin ku ishin vendosur burra që i përkisnin truprojës së famshme të mbretit të ri.

 

Roje piktoreske

 

Vetë pallati është një ndërtesë piktoreske, e ulët, një lloj shtëpie njëkatëshe gjigante. Anëtarë të tjerë të truprojës dhe rojeve, të veshur me uniformën piktoreske flakë të kuqe me bishtalecë të zinj, të veshur me kapele gëzofi dhe të armatosur me pushkë të mbushura, ruanin paradhomën ku më priti kolonel Sareggi, shefi i kalorësisë së Mbretit të Malit.

 

Kolonel Sareggi më çoi nëpër një kopsht, përmes një paradhome të mbuluar me qilim të trashë dhe sixhade, në një dhomë të gjatë, me tavan të ulët, me qilima madhështorë orientalë dhe të zbukuruar me një pikturë të vetme — atë të nënës së mbretit Zogu, — për të takuar njeriun karriera e të cilit ka pushtuar imagjinatën e botës.

 

Ishte një figurë e hollë pothuajse djaloshare, e veshur me një uniformë të thjeshtë kaki me jakë flake të kuqe dhe bishtalecë ari, e cila ngrihej me mirësjellje nga një karrige e lartë prej lisi e kurorëzuar me dy shqiponja për të më pritur. Kisha përshtypjen e syve të kaltër tërheqës, të shpejtë për të buzëqeshur ose të ngushtë në përqendrim kur diskutonim çështje serioze, një gojë të fortë e të drejtë që tregonte vendosmërinë dhe një aftësi për të marrë vendime të menjëhershme, ndërsa Mbreti Zog doli përpara për të më takuar duke më shtrënguar dorën, duke më treguar një karrige dhe duke më thënë : “Përshëndetje. A pini duhan ?

 

Flet rrjedhshëm gjermanisht

 

Ishte një përshëndetje tërësisht angleze, megjithëse e folur në një gjermanishte të rrjedhshme, teksa më kaloi një kuti cigaresh.

 

Ju e kuptoni, — fillova unë, — që Daily Express më dërgoi në Tiranë sepse ngjitja juaj në fron ka ngjallur interes të madh në vendin tonë. A mund t’ju kërkoj të na jepni disa detaje rreth karrierës suaj ?

 

Këtu takova refuzimin e vetëm gjatë bisedës një orëshe. “Nuk e konsideroj formë të mirë të flas për veten time. Le të flasim për diçka më të rëndësishme ndoshta për vendin tim”, — tha Mbreti Zog.

 

Askush nuk mund të kundërshtojë mbretërinë.

 

Cili do të jetë, në vija të përgjithshme, efekti në Shqipëri i shpalljes suaj Mbret ?” — e pyeta unë.

 

Para së gjithash, – u përgjigj ai, – shpresoj ta çliroj vendin nga betejat e kota partizane. Presidenti i Republikës ishte detyrimisht njeri partiak, i detyruar të favorizonte partinë që e kishte zgjedhur, ndërsa partitë e tjera luftonin vazhdimisht për ta zëvendësuar me kandidatët e tyre. Mbreti do të jetë mbi partitë, në shërbim të vendit në tërësi, i cili do t’i shpëtojë zgjedhjeve presidenciale periodike dhe destabilizuese.

 

Njerëz të prapambetur.

 

Ministria, ushtria dhe xhandarmëria do të qëndrojnë në komunikim të drejtpërdrejtë me monarkun pa asnjë ndërhyrje të palës së tretë. Ne jemi një popull primitiv dhe i prapambetur, i mësuar me parimin trashëgues dhe i paaftë për të vlerësuar domethënien e republikës. Fiset malore janë qeverisur gjithmonë nga një prijës trashëgues.

 

A do të ndryshojë shumë dinjiteti mbretëror mënyrën tuaj të jetesës ?” — e pyeta.

 

Shumë pak”, u përgjigj ai. “Si gjithmonë, unë do të ngrihem në pesë, do të filloj punën në shtatë dhe do të vazhdoj deri në shtatë të mbrëmjes, me një interval nga mesdita deri në tre.

 

Ju vetë e dini se sa urgjente është të arrihen gjërat në Shqipëri. Mbi të gjitha, ne kemi nevojë për paqe dhe një regjim të qëndrueshëm, që duhet të na japë një monarki. Financiarisht, një mbret nuk do t’i kushtojë vendit asnjë qindarkë më shumë se një president.

 

Detyra ime do të jetë t’i siguroj vendit tim të sprovuar, Hirushes së Evropës, hekurudha, të cilat nuk i kemi ende, rrugë të përshtatshme, shërbime postare e telegrafike dhe arsim praktik.

 

Nuk kam ndërmend të bëj gabimin duke krijuar një ushtri burokratësh gjysmë të arsimuar. Brezi ynë i ri do të kalojë nga shkolla fillore në shkolla praktike të përshtatura për nevojat e vendit, ku do të mësojë bujqësi, gërshetim (tjerrje) apo përpunim të metaleve.

 

Tashmë kemi themeluar tre kolegje për djem dhe për vajza. Çdo nënprefekturë ka nga 100 deri në 150 shkolla dhe ne kemi shpenzuar paratë e marra nga kreditë e jashtme për sistemin ujitës dhe përmirësime të tjera bujqësore, si dhe për importimin e racave më të mira të bagëtive.

 

Shumë kritikë të huasë suaj në Itali,” i thashë, “sugjerojnë se ajo po përdoret për t’i krijuar asaj një urë për pushtimet e saj në Ballkan.

 

Mbreti qeshi.

 

Marrëzira keqdashëse dhe qesharake,” — tha ai.

 

Mbreti Zog vazhdoi të diskutojë zakonet luftarake të nënshtetasve të tij malësorë dhe të shpjegoi se si synon të merret me to.

 

Sado e rrënjosur thellë që mund të jetë tradita e hakmarrjes familjare,” tha ai, “tradita e paprekshmërisë së miqësisë pasi të jetë shtrirë dora është aq e thellë sa një ceremoni e thjeshtë e kremtuar në praninë time nga udhëheqësit e mi besnikë do t’i japë fund përgjithmonë këtyre grindjeve të tmerrshme. Më pas pushkët që mban çdo malësor do të hidhen tutje.

 

Njerëzit e mi do të kenë akses të lirë tek unë në çdo kohë, brenda kufijve të lejuar nga punët e shtetit.

 

Ju po e çoni popullin tuaj drejt qytetërimit perëndimor,” — i thashë.

 

Jam i bindur për këtë,” deklaroi Mbreti Zog. Dhe jam i bindur se vendi im tani do të jetë vërtet i bashkuar nën një regjim që e kërkon karakteri i popullit.

Dëshmia e rrallë në hetuesi e nuses së djalit të ish-kryeministrit Shehu: Nga ora 00:30, unë dhe Vladimiri, u ngritëm të dy për të parë Mehmetin!

 Kur arritëm në katin e dytë, vumë re…

Nga Dashnor Kaloçi/ Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës së Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra  dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!

Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, Memorie.al, ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit, (pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë.

Në dosjen në fjalë, gjenden të plota dhe me faksimilet përkatëse, akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor, që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, si dhe ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, Xhule Çiraku, Elham Gjika dhe Lahedin Bardhi.

Gjithashtu në dosjen voluminoze në fjalë që po bëjmë publike, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.

                                                        Vijon nga numri i kaluar

DOKUMENTI ARKIVOR RAPORTIT TË EKSPERTIMIT TEKNIKO-BALISTIK DHE DAKTILOSKOPIK TË PISTOLETËS, GËZHOJAVE DHE PREDHËS, QË U GJET NË DHOMËN E GJUMIT TË QYTETARIT MEHMET ISMAIL SHEHU, NGA ANA E KRYETARIT TË HETUESISË KOÇO JOSIFI 

Dyshekët, çarçafët, batanija, dhe dy jastëkët, ishin po ato që u gjendën në vendin e ngjarjes. Ato u vendosën në të njëjtin pozicion, siç u gjendën në momentin e këqyrjes së vendit të ngjarjes. Katër dëshmitarët e pranishëm, shokët Lahedin Bardhi, Ali Çeno, Milto Kostaqi, dhe Llesh Rroku, u vendosën:

Në dhomën e gjumit ku flinte Fiqrete Shehu, që ndodhet 10 metra larg dhomës së gjumit të Mehmet Shehut, dëshmitari Llesh Rroku, së bashku me shokët Xhule Çiraku dhe Bashkim Çuberi, në fund të korridorit të dytë, që është 16 metra larg dhomës së gjumit të Mehmet Shehut, u vendos dëshmitari Milto Kostaqi, së bashku me shokun Elham Gjika, në derën e hyrjes së oborrit të shtëpisë së Mehmet Shehut, ku qëndronte oficeri i shërbimit, që është 20 metra larg nga muri i dhomës së gjumit, ku flinte Mehmet Shehu, u vendos dëshmitari Lahedin Bardhi, në dhomën ku flinin oficerët e shërbimit, që është rreth 23 metra larg murit të dhomës së gjumit të Mehmet Shehut, u vendos dëshmitari Ali Çeno së bashku me Koço Josifin.

Për realizimin e qitjes, u mor pistoleta BP. Nr. 29-35, kalibër 9 mm., që dispononte Mehmet Shehu dhe u gjend në vendin e ngjarjes gjatë këqyrjes, dhe një fishek luftarak nga municioni që u gjend në krehrin e kësaj pistolete. U caktua ora e qitjes 0.15, datë 29.12.1981 dhe u ngarkua për kryerjen e qitjes, eksperti kriminalist, Estref Myftari. Në orën e caktuar, pasi të gjithë dëshmitarët kishin vajtur nëpër vende, u krye qitja mbi paketën e mishit në distance, me puthitje jo të plotë, me të njëjtin drejtim me atë që kreu vetëvrasjen Mehmet Shehu.

Pas këtij veprimi, u thirrën veçmas dëshmitarët, të cilët pohuan: Dëshmitari Llesh Rroku, që ishte vendosur në dhomën ku flinte Fiqrete Shehu, shpjegoi se; dëgjova një zhurmë të lehtë, të mbytur, me origjinë të papërcaktuar, jo shqetësuese, dhe po të isha në gjumë, nuk do ta kisha dëgjuar.

Dëshmitari Milto Kostaqi, që ishte vendosur në fundin e korridorit të dytë, shpjegoi se; dëgjova një zhurmë të lehtë, të mbytur, dhe me origjinë të papërcaktuar.

Dëshmitari Lahedin Bardhi, që ishte vendosur tek porta e oborrit të shtëpisë së Mehmet Shehut, shpjegoi se; dëgjova një krismë të njëjtë me armën e zjarrit.

Dëshmitari Ali Çeno, që ishte vendosur në dhomën ku flinin oficerët e shërbimit, deklaroi se; dëgjova një zhurmë të lehtë, të mbytur, që po të isha në gjumë, nuk do ta kisha dëgjuar, dhe nuk do të më zgjonte.

Mbas kryerjes së eksperimentit hetimor, u ndoq rruga e predhës, dhe konstatohet se ajo pasi ka përshkuar shtresën e mishit, të dy jastëkët dhe batanijen, u gjet i ngulur në dyshek, ndërsa gëzhoja u gjet në krahun e majtë të krevatit, në afërsi të vendit që sipas shpjegimeve të dëshmitarëve Llesh Rroku dhe Milto Kostaqi, është gjetur prej tyre gëzhoja, në vendin e ngjarjes, kur ata hynë në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, mbasi ai e kishte vrarë veten.

Nga këqyrja e vrimës së hyrjes së qitjes eksperimentale, në këmishë dhe vijën tej shpuese që ka parashikuar predha gjatë gjithë rrugës së saj, rezulton se ato kanë të njëjtat karakteristika me vrimën e hyrjes dhe vijën përshkuese të predhës, me të cilën kishte vrarë veten Mehmet Shehu. Në vendin ku u krye eksperimenti hetimor, u bënë fotografitë e nevojshme.

Proçes-verbali pasi u lexua, u firmos nga të pranishmit:

Ekspertët                                                                                                Hetuesi

Dr. Bashkim Çuberi                                                                            Koço Josifi

                                                 Kand. Shken. Estref Myftari

                                                          Dëshmitarët

                                Lahedin Bardhi, Milto Kostaqi, Ali Çeno, Llesh Rroku

                       Të pranishëm

                  Elham Gjika, Xhule Çiraku

DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE TË DJALIT TË MADH TË MEHMET SHEHUT, VLADIMIRIT, NGA ANA E  KRYETARIT TË HETUESISË SË DREJTORISË SË BRENDSHME TË TIRANËS, KOÇO JOSIFI

 Proçes-verbal

                                                                (Dëshmie)

Tiranë më 18 Dhjetor 1981

Unë Koço Josifi, hetues i Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë, pyeta në cilësinë e dëshmitarit Vladimir Shehun, i biri i Mehmetit, dhe i Fiqretes, i datëlindjes 1944, lindur dhe banues në Tiranë, Lagjia Nr.8, me arsim të lartë.

Dëshmitari u paralajmërua për përgjegjësinë penale që ka, në bazë të nenit, të Kodit Penal.

                                    DËSHMITARI

                                  VLADIMIR SHEHU

Sot më datën 18 dhjetor 1981, rreth orës 7.00, unë shkova në punë në Institutin e Studimeve dhe Projektimeve Mekanike, në sektorin e Elektronikës. Në punë arrita rreth orës 7.20 dhe meqënëse aty nuk gjeta një material që më duhej, mora në telefon gruan Fatbardha Shehu, dhe e pyeta për të parë, nëse e kisha materialin në shtëpi, në dhomë, ajo pasi e pa, më tha që e ke këtu.

Atëherë unë u nisa menjëherë për në shtëpi, ku mbërrita rreth orës 7.40. Unë dija se babai duhet të zgjohej në orën 8.00, kështu në orën 7.55, i thashë mamasë që shko shikoje dhe zgjoje. Mamaja, shkoi ndërsa unë me gruan, Fatbardha Shehu, qëndruam në dhomën e mamasë, që është përballë dhomës së babait, në katin e dytë.

Mamaja sa u fut në dhomën e babait, u kthye menjëherë në dhomën tonë dhe na tha neve se; babai ka vrarë veten. Mesa mbaj mënd, se pasi mamaja na tha këtë njoftim, në dhomën e gjumit të babait, u fut gruaja ime Fatbardha Shehu, më duket se me Fatbardhën u fut edhe mamaja, të cilat menjëherë dolën përjashta.

Unë i mora menjëherë dhe i çova në dhomën time dhe pas i lashë aty, shkova në dhomën e gjumit të babait dhe e pashë që ishte shtrirë në shtrat, menjëherë dola dhe lajmërova Ali Çenon me interfon.

Pasi lajmërova Aliun, u futa në dhomë përsëri, i vura dorën në ballë, dhe pashë se kishte djersë të ftohta, ngrita mbulesën dhe pashë plagën, në krahun e djathtë të tij, pashë një pistoletë, dhe në kokën e krevatit një letër.

Në këtë kohë, erdhi Ali Çeno, ndërsa pas tij erdhën mjekët dhe shokët e tjerë. Shokët që erdhën, më thanë që merre atë letër që është tek koka e krevatit.

Unë e mora dhe e çova në dollapin e dhomës sime. Më pas ja dorëzova shokëve të Partisë. Ndonjë gjë tjetër, nuk kam për të thënë. Proçesin e lexova dhe pashë se thëniet e mia janë shkruar drejt, e firmosa.

    HETUESI                                                          DËSHMITARI

   KOÇO JOSIFI                                              VLADIMIR SHEHU

DOKUMENTI ARKIVOR ME PROÇES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE, TË FATBARDHA SHYTI SHEHU, NUSJA E DJALIT TË MADH TË MEHMET SHEHUT, NGA ANA E KRYETARIT TË HETUESISË SË TIRANËS, KOÇO JOSIFI

Proces-verbal

                                       (Dëshmie)

                                  Tiranë më 20 Dhjetor 1981

Unë Koço Josifi, Kryetar i Degës së Hetuesisë në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë, në prani të shokut Elham Gjika, pyeta në cilësinë e dëshmitares, qytetaren Fatbardha Shehu, e bija e Tanushit dhe e Sutes, datëlindja 1949, lindur dhe banuese në Tiranë, lagja Nr.10, Rruga “Bajram Curri” me arsim të lartë, inxhiniere në Ministrinë e Mbrojtjes. Dëshmitarja, u paralajmërua për përgjegjësinë penale që ka, në bazë të nenit 202 të Kodit Penal.

                                         Dëshmitarja

 Fatbardha Shehu

Mbasi u pyet rreth çështjes deklaroi:

Në datën 17 Dhjetor 1981, unë së bashku me Mehmet e Fiqrete Shehun, kemi ngrënë drekën së bashku, ora nuk më kujtohet, por di që ai ishte kthyer nga një mbledhje që kishte patur. Mua më kujtohet se kemi qenë ne të tre në drekë. Nuk më kujtohet nëse kanë qenë dhe pjesëtarë të tjerë të familjes, për drekë. Mesa më kujtohet, pasi mbaruam drekën, unë kam ikur në dhomën time të gjumit, ndërsa Mehmet dhe Fiqrete Shehu, u ngjitën edhe ata në dhomat e tyre të gjumit, që i kanë afër njëri tjetrit.

Mbas këtij rasti, unë Mehmet Shehun, nuk e kam parë më dhe nuk e di se kur është kthyer në mbrëmje në shtëpi, pasi vetë nuk e kam parë, por që më kanë thënë se atë natë, është kthyer pas orës 20.00. Këtë e them për arsye se rreth orës 20.00, të datës 17.12.1981, pjesëtarët e tjerë të familjes hëngrën bukë, me përjashtim të Fiqretit dhe aty rreth orës 20.15, unë jam ngjitur lart në dhomën time të fjetjes, së bashku me vajzën.

Vura vajzën në gjumë, dhe vetë rrija shtrirë, pasi isha sëmurë, dhe po shihja televizorin, që kisha në dhomë. Mbas pak ka ardhur dhe Vladimiri në dhomë, dhe aty kemi qëndruar së bashku duke parë televizor. Aty rreth orës 23-23.30, në dhomën tonë erdhi Fiqrete Shehu dhe na tha mua dhe Vladimirit, se unë po shkoj të fle, ndërsa Mehmeti, do të punojë deri vonë, se ka punë. Ne i thamë se çfarë pune ka ai, pasi vajti vonë dhe pse nuk shkon të flejë dhe ai?!

Fiqretja na tha se ai ka punë, dhe na porositi që të mos ta shqetësojmë, se nuk përqendrohet dot, kur i shkon njeri në dhomë. Ajo më tha që ta zgjoj nesër, në orën 8.00 të mëngjesit. Mbas kësaj, Fiqretja u largua nga dhoma jonë, duke na thënë se po shkonte tek dhoma e saj, për të fjetur. Unë me Vladimirin, vazhduam të rrinim akoma, duke parë televizor, e duke lexuar ndonjë libër, pasi unë si e sëmurë që isha, kisha pagjumësi dhe shqetësime nga shtatzënia.

Mbas një farë kohe, duhet të ketë qenë ora 00.30 e datës 18 Dhjetor 1981, unë dhe Vladimiri, i thanë njëri tjetrit që të shkojmë e ta shikojmë njëherë, se çfarë po bën Mehmet Shehu, a ka fjetur apo jo, e se çfarë pune ka, që po qëndron kaq vonë?! Mbas kësaj, jemi ngritur të dy e kemi vazhduar rrugën drejt korridorit dhe kur arritëm tek ashensori, pamë nga e çara e fundit të derës së studios së Mehmet Shehut, në katin e dytë, kishte dritë.

Menduam se ai po vazhdonte të punonte dhe diskutuam me njëri tjetrin, nëse do të shkonim, apo nuk do të shkonim, e t’i thoshim se pse po rri kaq vonë e, pse nuk shkon të flesh. Duke menduar se ai mund të na thoshte se pse më shqetësoni, e ikni e flini, ne nuk i shkuam fare në studio, por shkuam në dhomën tonë e, fjetëm. Mesa më kujtohet, në datën 18 Dhjetor 1981, jam zgjuar nga gjumi në orën 6.30. Gjithashtu mbaj mënd se, pasi jemi kthyer nga dhoma e gjumit me Vladimirin, mbyllëm dritën e, nuk kaloi shumë kohë, që më zuri gjumi.

Po kështu edhe Vladimiri, fjeti me mua dhe ai u ngrit nga gjumi mëngjesin e datës 18.12.1981, rreth asaj ore që i zgjova edhe unë. Sqaroj se unë me Vladimirin, shkuam për të parë nëse kishte rënë për të fjetur apo jo, Mehmet Shehu, vetëm nga meraku i jonë, pasi Fiqretja na tha se ai, do të rrijë deri vonë, për të punuar. Kur neve shkuam për të parë, në korridor nuk kishte asnjë lëvizje. Vladimiri pasi është ngritur nga gjumi, është nisur për të shkuar në punë, ndërsa unë bëra gati vajzën time, për në shkollë, të cilën e çova rreth orës 7.30. Ndërsa vetë shkova në dhomën e gjumit të Fiqrete Shehut, për ta parë, se kishte nja dy ditë, që ankohej se ishte sëmurë.

Kur hapa derën e dhomës së gjumit të Fiqretes, që e kishte pa çelës, ajo hapi dritën e abazhurit, që e ka tek koka e krevatit, unë e pyeta se si ishte, ajo më tha që; mirë jam dhe më pyeti a e pe, nëse është ngritur Mehmeti? Unë i thashë se; duhet të jetë ngritur, pasi pashë dritë në studio, tani që kalova në korridor dhe erdha tek ti. Fiqretja u ngrit, doli nga dhoma e saj dhe shkoi tek dera e studios së Mehmet Shehut, që e ka ngjitur në dhomën e gjumit, dhe shtyti dorezën, për të hapur derën, por dera ishte e mbyllur.

Pastaj ajo e thirri dy herë në emër, por nuk ju përgjigj njeri. Atëherë Fiqreti, më tha mua që isha duke ndenjur tek salloni i dhomës së gjumit të Fiqretit dhe Mehmetit, se ndoshta Mehmeti ka harruar dritën ndezur dhe është duke fjetur. Unë i thashë se më ka kërkuar Vladimiri në telefon, nga qendra e punës së tij, dhe më pyeti nëse kishte lënë ndonjë informacion në çantën e tij, se i duhej për tek Komiteti i Partisë. Unë, pasi pashë çantën dhe gjeta informacionin, i thashë Vladimirit, se këtu e kishte lënë informacionin.

Ai më tha që do të vinte ta merrte, pasi mendoi se e kishte lënë në punë informacionin. Mbas kësaj bisede në telefon me Vladimirin, unë kam shkuar përsëri në dhomën e gjumit të Fiqrete Shehut, dhe ashtu kemi vijuar të rrinim, Fiqretja shtrirë në krevat, ndërsa unë rrija në një kolltuk, që ishte në dhomë. Nuk kaloi shumë kohë, ndoshta ka qenë ora 7.55, kur erdhi Vladimiri në dhomën ku isha unë me Fiqretin. Vladimiri na pyeti, se çfarë po bënim, neve i thamë se po presim të shkojë ora 8.00, që të zgjojmë nga gjumi Mehmetin.

Vladimiri na tha që; zgjojeni tani nga gjumi, se vajti ora dhe nuk prish ndonjë punë. Pas kësaj, Fiqreti doli nga dhoma e gjumit të saj dhe shkoi për tek dhoma e Mehmetit për të hapur derën, dhe pa kaluar as një minutë, doli në mes të korridorit, duke ngritur duart nga ne të dy, dhe na tha që; mbaroi. Mbas kësaj unë kam dalë nga dhoma e gjumit të Fiqretit dhe u futa në dhomën e gjumit të Mehmetit, por duke menduar se ai ishte në studio, nuk pashë nga krevati i tij dhe u futa direkt në studio, ndërsa Fiqretja me Vladimirin, u futën direkt në dhomën e gjumit dhe po qëndronin tek krevati i Mehmet Shehut.

Atje dëgjova Fiqretin, tek thoshte; “ç’bëri, ç’bëri”?! u ktheva nga studio në dhomën e gjumit dhe në krevat pashë të shtrirë Mehmet Shehun, me fytyrë të verdhë, e nuk pashë gjë tjetër. Dhe kjo, pasi Vladimiri më nxori jashtë menjëherë, e pastaj unë shkova në dhomën e gjumit të Fiqretit. Dëgjova që Vladimiri, lajmëroi mjekët dhe oficerët që të vinin. Unë, nuk jam futur më në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, dhe as nuk di se çfarë është bërë më tej, nga njerëzit që erdhën në dhomë. Memorie.al

Arratisja më e madhe në veriun e vendit, si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958! Kalvari nga ish-Jugosllavia, në Bruksel

FATOS DACI *MJESHTËR I MADH/ Këtë herë personazh i shkrimit tonë është personaliteti i komunitetit shqiptar nëpër botë, z. Sakip Islam Skepi, publicist i njohur, me përvojë e kontribute 40-vjeçare si themelues e drejtues i radios “Jehona e Shqipes”, financier me eksperiencë të gjatë, aktivist i shquar shoqëror e politik, i kudogjendur, për t’i shërbyer vendit të vet dhe çështjes kombëtare shqiptare.

 

Rrallë herë, ndofta dhe në mënyrë rastësore, te dikush mblidhen shumë të mira, të cilat shërbejnë për të faktuar prejardhjen e tij. Mbase kështu ka ndodhur dhe me Sakip Islam Skepin. Sakipi vjen nga Dibra-gjoksi i rezistencës kombëtare, treva e inteligjencës dhe e mençurisë. Z. Skepi vjen nga krahina e Çidhnës, e cila është e shquar në shekuj, dhe konsiderohet si “mezja e Dibrës”. Sakipi vjen nga fshati Blliçe-Nderi i Kombit, një fshat vërtetë i shquar, me histori publikisht të njohur. Ai, gjithashtu, vjen dhe nga një fisi i shquar Dedja-Skepi dhe nga një familje vërtetë nacionaliste, e ndershme e atdhetare, si biri i Islam Skepit, një kundërshtar i vendosur të regjimit komunist, i cili, për mos pajtueshmëri me këtë regjim, u arratis familjarisht në vitin 1958, dhe pastaj nga ish Jugosllavia, të gjithë jetën e kaloi në Bruksel të Belgjikës. I përmendëm këto, për të shpjeguar, sado përmbledhur, faktorët që mund të kenë ndikuar në formimin dhe edukimin e z.Sakip si qytetar, intelektual, publicist, humanist e aktivist shoqëror i shquar.

Më datë 11 dhjetor 2024, erdhi për të dhe një vlerësim i rëndësishëm publik, i cili nderonte veprimtarinë e gjithanshme të tij, në interes të komunitetit. Këtë vlerësim e bëri shoqata prestigjioze “Albanian Excellence”, e cila drejtohet nga gazetarja dhe aktivistja Flora Nikolla dhe publicisti e analisti Mentor Nazarko, që prej 12 vjetësh e zhvillon aktivitetin e saj në shërbim të komunitetit shqiptar të kudondodhur. “Albanian Excellence” i akordoi zotit Sakip Skepi certifikatën “Grand excsellence 2024”. Ky është një vlerësim plotësisht i merituar për aktivitetin e spikatur e 40-vjeçar të tij, në disa fusha njëkohësisht, si në publicistikë-gazetari, financa, politikë e komunitet.

Përmbajtja e kësaj certifikate dhe motivacioni i dekorimit për zotin Sakip ishte një sintezë e gjetur, si më poshtë: “ Si personalitet i botës shqiptare, i larguar kërthi në arratisjen spektakolare të vitit 1958, duke mbetur derë e hapur për shqiptarët dhe me radion 40-vjeçare “Jehona e Shqipes”, duke shërbyer si pikë referimi për medien ndërkombëtare mbi Shqipërinë e shqiptarët, duke ruajtur përherë vështrimin nga Dibra e tij.”

Certifikata iu dorëzua në një ceremoni të veçantë në mjediset e hotel “Plazza” në kryeqytet, në prani të shumë personaliteteve shqiptare nga të gjitha trojet tona, të cilët, gjithashtu, u vlerësuan me një certifikatë të tillë, në prani edhe të shumë të ftuarve nga ana e personaliteteve të vlerësuara.

Në këtë takim mbresëlënës, sallën e mbushur plot e elektrizoi këngëtari i shquar i trojeve shqiptare, z.Arif Vladi, i cili, interpretoi, siç di ai, këngën kushtuar Lam Skepit, babait të Sakipit. Sakipi, në këtë veprimtari vlerësuese e të veçantë në jetën e vet, shoqërohej nga Arif Vladi, bashkëshortja Anila, Lubjana Malaj, kushërira Dashuria Ferati Daci, unë, profesor Jordan Daci, mbesa gazetare Megi Iskurti, kushëriri jurist Sinan Skepi bashkë me bashkëshorten e tij Elvira Hasa- doktoreshë shkencash etj

KONTRIBUTI

Z.Sakip Skepi u lind në fshatin Blliçe, sipas dokumenteve shqiptare 28 prill 1953, por sipas dokumenteve belge më 2 prill 1953!

…. Në moshën 5 vjeç, në vitin 1958, bashkë me prindërit u largua nga Shqipëria (ikja ma e madhe në veri të Shqipërisë, gjithsej 26 veta ) dhe arritën në ish-Jugosllavi, në periferi të Shkupit. Aty filloi shkollën fillore, në gjuhë maqedone dhe tetëvjeçaren, në shkollën

Në nëntor të vitit 1966, arriti familjarisht në Bruksel. Aty, vazhdoi shkollën, ku mbaroi studimet për kontabilitet -financë! Pas një pune 10-vjeçare, në këtë fushë, iu drejtua specialitetit të sigurimeve me shkollë e punë. Si kreu këto studime, kaloi në punën që e drejton vetë, aty ku është dhe sot, në Real State.

Aktiviteti i tij shoqëror është i shumtë. Sakipi themeloi radion “Jehona e Shqipes”, me 20 shkurt 1986, të cilën e drejton dhe organizon edhe sot, transmetim për çdo të diel, me 15h-17h në valë FM! Kjo radio ka qenë dhe është zëri i atdhetarëve, i shqiptarëve në diasporë, që e duan atdheun, që e duan vendin e tyre, që e duan flamurin, gjuhën dhe kombësinë shqiptare. Radio “Jehona e Shqipes”, për 40 vjet e mbajti ndezur prushin e shqiptarisë.

Ndërkohë, nëpërmjet radios realizoi dhe shumë aktivitete të tjera.

Ka realizuar edhe bashkëpunimin për realizimin e filmit “Prill i Thyer”, në Korsikë të Francës, në tetor 1986, me regjisor Lirie Begeja, ku luajnë rreth 100 persona në role të ndryshme, kryesorë dhe episodikë. Ky film pati shumë sukses… Po me Lirie Begejën bashkëpunoi dhe për realizimin e filmit “Larg barbarëve”, që u realizua në vitin 1993.

Sakip Skepi ka dhe aktivitet politik të spikatur e të përhershëm, ndër të cilat do të përmendnim manifestimet për të drejtat e shqiptarëve në ish – Jugosllavi, në periudhën e vështirë të viteve 1980-90.

Gjithashtu, z.Skepi ka pasur dhe aktivitet humanitar të çmuar. Për herë të parë në Shqipëri ka ardhur më 12 maj 1991, me organizatën humanitare Franceze “Mjekët pa kufi”, me ç’rast solli ndihma humanitare, të cilat u shpërndanë në të gjithë spitalet e Shqipërisë. Organizata “Mjekët pa kufi”, në Shqipëri ka shërbyer falas për 7 vjet.

Në shtator të vitit 1992, Sakipi erdhi në Shqipëri me një organizatë belge të qytetit Sylli, me ç’rast solli shumë ndihma, të cilat u shpërndanë në veçanërisht në spitalin distrofik të Kombinatit dhe për Shoqatën e të Përndjekurve Politikë. Gjatë luftës në Kosovë, solli ndihma humanitare për refugjatët.

Aktivitete me gazetarë belg:

1. Përcjellja e zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri më 19 mars 1992, dhe fitores së Partisë Demokratike.

2. Në qershor të vitit 1992, shkoi në Kosovë me gazetarët belg të gazetave “ Le Soir” dhe “De Standard”, më me emër në Belgjikë, për të përcjellë situatën policore në Kosovë.

3. Po në maj të vitit 1993, prapë u rikthye për gjendjen policore që ishte krijuar në Kosovë nga reprezaljet serbe.

4 Në qershor të vitit 1994, po me këta gazetarë erdhi në Shqipëri për të pa nga afër masakrën e Peshkëpisë, që kishte ndodhur. Pastaj, nga aty, kaloi në Maqedoni për të përcjellë evidentimin e popullsisë, që ishte aty, duke u interesuar për regjistrimin e shqiptarëve.

Sakipi, para dhe pas vitit 1990, ka pritur dhe ka përcjellë me shumë bujari, sedër e Z.Skepi ka nderuar grupet dhe këngëtarët e këngëtaret e para që trokitën në Belgjikë e Bruksel, pas shembjes së regjimit komunist, të cilët i ka sajdisur në mënyrën më të mirë të mundshme.

Pra, Sakip Skepi, si shqiptar i vërtetë, personifikimi i traditave të shkëlqyera dhe i burrërisë së një malësori patriot, si të thuash, ishte epiqendra e vizitorëve shqiptarë në Belgjikë, jo vetëm e dibranëve, të cilëve ju kushtonte vëmendjen maksimale dhe për të cilët vinte në dispozicion dhe bujarinë e tij , të trashëguar nga treva që i përket, nga krahina e vet, fisi dhe familja e Islam Skepit. Dera e babait të tij dhe e vetë Sakipit qe përherë e çelë dhe shtëpia e tij qe një odë e ngrohtë e mikpritjes tradicionale shqiptare.

Aktiviteti, veprimtaria dhe kontributi i zotit Sakip Skepi për çështjen atdhetare e shqiptare ka qenë i gjithanshëm, i vlerësuar dhe i njohur publikisht.

ANTIKOMUNIZMI

Lam (Islam) Skepi, një emër tingëllues, i përmendur dhe i veçantë jo vetëm në Çidhën e në Dibër, por dhe më gjerë. Thuaj Lam(Islam) Skepi dhe ke thënë shumë gjera: nacionalist e patriot, antikomunist i vendosur, burrë i zgjuar e me nuhatje të spikatur ideologjike e politike, i vëmendshëm për të mbrojtur veten dhe familjen e tij, sy patrembur në rreziqe, i sulmuar brutalisht, deri në dënime me burgosje nga regjimi komunist, njeri i sakrificës.

Lami ishte pinjoll i denjë i një fisi të shquar në Blliçe të Çidhnës, fisi në të cilin mund të përmendim Met Skepin e Xhemal Skepin(Të dy ish oficerë), Haxhi Skepin, Aranit Skepin- disa mandate kryetar i komunës Fushë-Alie, Sinan Skepin-jurist etj. etj.

Lamin e kishte lindur motra e Abas Agës(Abas RatkesFeratit) nga Ratket e Sllovës, halla e vjehrrit tim, Shefit Ferati. Bazë Ratkja ishte burrë shumë i përmendur jo vetëm në Sllovë, me pasuri dhe autoritet, ndaj i kishin vënë edhe mbiemrin e dytë “Aga”.

Babai i Lamit, Ismail Skepi, ishte atdhetar e patriot, si dhe renditej ndër burrat e njohur, të mençur e autoritar të Blliçes dhe Çidhnës. Gjithashtu, kishte miq të shtëpisë të shumënjohurin Halil Alia, i cili kishte për grua motrën e Lamit, si dhe kishte miqësi direkte dhe me familjen Xhilagës së Deshatit, njëri nga tre Oxhaqet historikë të Dibrës së Poshtme, ose të Dibrës së Vogël.

U lind më 20 prill 1920, në Blliçe, fshatin “Nderi i Kombit”, fshati i martirizuar nga regjimi komunist, ku disa burra janë pushkatuar e shumë të tjerë janë arrestuar dhe dënuar rëndë politikisht, për të ashtuquajturën “vënie në shërbim të UDB-së jugosllave” apo “Tradhti ndaj Atdheut!…”

Fëmijërinë e kaloi në vendlindje. Në vitet 50, të shekullit kaluar, regjimi komunist e arrestoi, e burgosi dhe dënoi me tre vite burg, të cilat nuk i kreu plotësisht, pasi përfitoi nga një amnisti. U lirua dhe u kthye në shtëpi.

Sakip Skepi me të atin, Lam Skepin

Pastaj, regjimi gjakatar komunist e shpalli kulak, duke i hequr triskat e Frontit Demokratik, pra anëtarësinë në këtë organizatë politike e shoqërore të madhe e të vetme, levë e diktaturës, ku elementët nacionalistë përjashtoheshin si “Armiq të Partisë”, “Sabotatorë te Pushtetit Popullor”, “Bashkëpunëtorë me pushtuesit” etj.

Kështu, vetë Lami ndiqej e përndiqej nga strukturat e shtetit totalitar, nga Sigurimi i Shtetit dhe policia politike, gjithnjë si armik i atij regjimi. Sikur të mos mjaftonin këto dhe gjendja e mjeruar ekomomike e familjes së Lamit, dhe motra e tij rrezikonte të ndiqej e burgosej, ose të internohej, si gruaja e një “krimineli”(sipas regjimit), pas vrasjes së bashkëshortit të saj, nacionalistit të shquar Halil Alia, në Ujmisht të Kukësit.

I ndodhur në udhëkryq, pas gjithë këtyre vuajtjeve e denigrimeve politike dhe mbledhjes diskredituese e demaskimit publik që iu bë në fshat nga partia dhe Dega e Punëve të Brendshme, si mundësi të vetme shpëtimi vlerësoi arratisjen nga vendi i tij, të cilën e realizoi më 11 maj 1958 dhe që zgjati 24 orë, kur 26 persona të familjeve të Lam Skepit, Haxhi Skepit dhe Xhelal Xhilagës, të xhaxhait dhe mikut të tij, arritën të kapërcenin kufirin e Shqipërisë. Me këtë grup ishin edhe 3 plaka, 2 fëmijë 6 javësh dhe dy fëmijë të tjerë 5 vjeç, ndër to dhe vetë Sakipi 5-vjeçar.

Autoritet maqedonase, ku kaluan, i mbajtën një natë në fshatin Tanushë dhe pastaj i dërguan në burgun më famëkeq, të Idrizovës. Të gjithë u intervistuan nga shërbimi sekret maqedonas, ndërsa Lami jo. Por, Lami ju kërkoi haptas që, më mirë ta vrisnin ata, se sa ta rikthenin në Shqipëri, ku e priste dënimi kapital. Njëkohësisht, Lam Skepi, ju deklaroi, se ai nuk pranonte që të rekrutohej prej tyre.

Nga Maqedonia e ish Jugosllavisë u largua më 11 nëntor 1966, dhe u vendos për banim të përhershëm në Bruksel të Belgjikës, ku jetoi deri sa vdiq. Këtu, asnjëherë Lam Skepi nuk u muar me punë të “pista” e spiunazh, punoi për të mbajtur familjen dhe për të jetuar me djersë dhe me punë të ndershme.

Në kondita të reja, ky ishte një patriotizëm i kulluar, sepse Lami urrente dhe nuk e donte regjimin komunist, por e donte shumë atdheun e tij, Shqipërinë. Gjithashtu, asnjëherë vendlindjen nuk e hiqte nga zemra e nga mendja. Dashuria për to, gjithnjë ia kishte kallur zemrën e i kishte djegur shpirtin.

Shembjen e regjimit komunist, Lami e priti me shumë gëzim, sepse, më e pakta, i hapej kështu mundësia të vinte në Shqipëri, për t’u cmallur me vendin dhe komunitetin e vet. Ndaj, në vitet e fundit të pleqërisë erdhi për t’u çmallur me vendlindjen, për të vdekur e për t’u varrosur në fshatin Blliçe, më 14 mars 1994, Ditën e Verës, dhe u përcoll për në banesën e fundit me lot, dhimbje, respekt e mirënjohje nga i madh e i vogël, për karakterin e tij antikomunist, burrëror, atdhetar e patriotik. Burra si Lam Skepi vdesin vetëm fizikisht, sepse ata nuk vdesin asnjëherë për jetën, veprat dhe mirënjohjen e respektin në komunitetin e tij. Ai la pas djalin e vetëm, Sakipin, dhe tri vajza, të cilët kanë plot nipër e mbesa, të cilët i deshi aq shumë.

Sakipi, vazhdimisht, ka punuar për çështjen kombëtare shqiptare dhe mban lidhje të ngushta me fisin, farefisin dhe komunitetin e vendlindjen, si dhe me politikanë, gazetarë, kineastë, artistë dhe personalitete të larta shqiptare.

/Gazeta Panorama

Muzeu nderon gruan që sfidoi komunizmin në Shqipëri

Musine Kokalari e pagoi shtrenjtë kundërshtimin e rënies së Shqipërisë në totalitariëm; një muze i sapohapur kujton luftën e saj të harruar për një shoqëri më të lirë.

Ishte një nga gjyqet më të famshme të kohës së komunizmit në vitin 1946 në Shqipëri. Imazhi i një gruaje me shall të zi në kokë, duke folur me mikrofon në një sallë kinemaje plot me njerëz, është i paharrueshëm.

Këto ishin vitet e para kur komunizmi po vendosej si forca e vetme politike e lejuar në vend.

Musine Kokalari e kundërshtoi urdhrin e ri. Së bashku me veprimtarë dhe intelektualë të tjerë shqiptarë, në vitin 1943 ajo kishte krijuar një forcë rivale, Partinë Socialdemokrate.

Pasi dy vëllezërit e saj u vranë pa gjyq, ajo vetë u arrestua në vitin 1946.

Komunistët e quajtën atë një “armike të popullit” për shkak të sfidimit të supremacisë së tyre. Në gjyqin e saj farsë, të mbajtur në një sallë kinemaje, ajo nuk u lejua ta përfundonte mbrojtjen e saj, që ajo e kishte përgatitur vetë.

E shpallur fajtore, ajo kaloi 16 vjet në burgjet komuniste dhe më pas 22 të tjera në internim.

Në maj të këtij viti, në Gjirokastër, qytetin jugor ku lindi familja e saj, Arjeta Kokalari, drejtuesja e muzeut “Muza Ime”, hapi një muze të ri kushtuar të afërmes së saj të largët, Musinesë, në shtëpinë e saj të dikurshme, mbështetur nga organizata Trashëgimia Kulturore pa Kufij dhe qeverisë suedeze.

Muzeu përmban sende personale që Musine Kokalari i ka përdorur gjatë viteve të internimit, duke përfshirë disa nga shkrimet dhe fotografitë e saj.

“Në atë moment, duke parë atë shtëpi të rrënuar, mungesa e njohjes se kush ishte Musineja dhe indiferenca e shoqërisë… ndaj kësaj figure të rëndësishme, siç e gjykova unë, më bënë të filloja të ndërmerrja hapa vetë”, tha Arjeta Kokalari për BIRN.

“I kushtohet jo vetëm asaj, por edhe periudhës së diktaturës komuniste – kryesisht viteve të para, kur u kryen krimet dhe aktet më të mëdha të persekutimit”, shtoi ajo.

Nuk iu lejua të mbronte veten në gjykatë

Image

Musine Kokalari lindi në vitin 1917 në Adana të Turqisë, ku familja e saj jetoi për disa vite ndërsa babai i saj punonte si gjyqtar. Ata u kthyen më vonë në Shqipëri.

Në vitet 1930, ajo filloi të shkruante në gazeta dhe revista nën pseudonimin “Muza”.

Ajo mbaroi studimet universitare në Romë ku mori doktoraturën në Letërsi dhe u kthye në Shqipëri.

Atje, gjatë luftës, ajo ishte bashkëthemeluese e Partisë së re Socialdemokrate.

Në vitin 1945, grupet antikomuniste në Shqipëri formuan një koalicion të quajtur “Bashkimi Demokratik” për të ofruar një alternativë ndaj komunistëve, në zgjedhjet e para të mbajtura pas çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi.

Komunistët i denoncuan ata si “një bllok, qëllimi i të cilit është të rrëzojë qeverinë”. Në vitin 1946, persekutimi filloi seriozisht.

Ishte mundësia e fundit, pas vendosjes së sistemit komunist, që të dilte një alternativë tjetër politike.

Kokalari vuajti gjithë jetën e saj në burgje dhe internime komuniste.

Në mbrojtjen e saj të vitit 1946, të cilën BIRN e ka parë, kortezi e historianit dhe arkivistit Kastriot Dervishi, ajo u bëri thirrje aleatëve perëndimorë të mos e njihnin regjimin e ri komunist të Shqipërisë.

“Më duket e arsyeshme t’i them vetes se e gjithë veprimtaria e këtij grupi të vogël socialdemokrat nuk është gjë tjetër veçse një notë drejtuar aleatëve perëndimorë për të shtyrë një votim për njohjen e qeverisë”, shkroi ajo.

Ajo gjithashtu bëri thirrje për një “angazhim moral rreth një programi aktual midis partive politike” në Shqipëri.

Historiani Dervishi tha se asaj nuk u lejua ta përfundonte mbrojtjen e saj.

Mbështetësit e Partisë Komuniste në sallën e kinemasë ku po zhvillohej gjyqi “nuk e lejuan”, tha Dervishi. Për ta, ai ishte një “gjyq i të gjithë opozitës”.

Një figurë me rëndësi bashkëkohore

Image

Arjeta Kokalari thotë se kishte 20 vjet që donte ta hapte muzeun.

“Konceptimi im për Musine Kokalarin ishte ai i një frymëzimi; për mua, ajo ka qenë një muzë. Ndoshta kjo ka ndikuar nga fakti që e njoha në moshën kur fillon të formohet personaliteti, kur njihesh me veten, kur isha 15 vjeçe – kur ishim ende në kohën e komunizmit, në kohën e sloganeve, kohën e propagandës”, tha ajo.

“Për herë të parë e pashë emrin e saj të shkruar në një nga muret e një kabineti historie, por në një kontekst negativ. Emri i saj ishte shkruar mes 12 emrave të tjerë që ishin të gjithë meshkuj. Nuk kisha dëgjuar kurrë për të. Ishte hera e parë që e hasja këtë emër dhe konteksti negativ në të cilin përfshihej më bëri të ndihesha keq dhe pak e turpëruar.”

“Thashë me vete: ‘O zot, ndoshta të tjerët nuk do ta shohin që edhe unë kam të njëjtin mbiemër dhe të fillojnë të më pyesin”, kujton ajo. “Por isha krenare për veten. Thashë: ‘Çfarëdolloj gjëje të keqe të ketë bërë kjo grua, padyshim që ka qenë shumë e fortë, sepse emri i saj ishte në mesin e emrave të këtyre 12 burrave.”

Më pas nisi të pyeste familjen për Kokalarin, kujton ajo.

“Ata më treguan se kush ishte ajo, sigurisht, me shumë kujdes; më dhanë librat që ajo kishte shkruar dhe kur m’i dhanë ata libra u ndjeva e befasuar nga qasja e tyre feministe. Ajo i kishte shkruar ato 40 vjet para meje – megjithatë unë ndihesha njësoj si ajo, kisha të njëjtat mendime si ajo”, tha ajo.

“Musineja nuk është një figurë thjesht historike, si gruaja e parë kundërshtare e komunizmit, apo si gruaja e parë shkrimtare në letërsinë shqipe, apo si ‘ajo vajza që ishte kundër diktaturës komuniste’. Ajo nuk është thjesht një figurë e së shkuarës, ajo është një figurë aktuale”, këmbënguli ajo.

Ajo tha se aspiratat dhe idealet e Kokalarit janë vërtet bashkëkohore.

“Edhe pse kanë kaluar 80 vjet që atëherë, ne jemi në të njëjtën pikë… Ajo aspironte demokracinë, liritë individuale dhe barazinë e grave në shoqëri. Ajo kërkonte pluralizëm politik dhe të drejtën për zgjedhje të lira”, tha ajo.

Për idealet e saj, Kokalari vuajti shumë në burgjet komuniste dhe më pas në internim në një kamp pune.

“Ajo ishte një e burgosur e vërtetë politike”, tha Arjeta Kokalari. “Ajo ishte një njeri me aktivitet politik, me vetëdije politike dhe me formim politik. Pas burgut, gjatë internimit, ajo punoi në ndërtim.”

Edhe atëherë, mbeti e izoluar nga shoqëria, e detyruar të paraqitej dy herë në ditë në Ministrinë e Brendshme dhe mbahej nën vëzhgim të vazhdueshëm. Ajo ndërroi në vitin 1983 nga kanceri i gjirit, në moshën 66-vjeçare./reporter.al

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut! Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante të dashurisë që nisi në gjimnaz

Isha 15 vjeçe kur e pashë për herë të parë

 

UVIL ZAJMI/ Një histori e bukur dashurie, më shumë se romantike ka qenë ajo e ish-aviatorit, pastaj portierit të “Partizanit” legjendar, kombëtares, Mikel Jankut me Sandra Simon. Nga njohja, në moshë të re me gjimnazisten e “Petro Ninit”, bukuroshen, vajzën adoleshente, çasti, momenti kur u panë, u prezantuan, u takuan dhe puthja e parë. “Një lidhje pasionante, pa kushte e kufi. E tillë mbeti deri kur Mikeli u nda nga jeta”- shprehet Aleksandra për “Panorama”. Një çift shumë simpatik, kur i shihje së bashku.

 

Znj. Sandra, pak informacion për familjen tuaj?

Fillimisht familja ime ka banuar pranë kinema “Ali Demit”. Ishim katër fëmijë, dy motra e dy vëllezër. Unë më e para, pastaj Petraqi, Pirro dhe motra tjetër. Në fillim të viteve 60-të u transferuam te pallatet pas harkut jugor të stadiumit “Dinamo”, të ato ndërtesa, dy katëshe që janë edhe sot, me ballkone nga rruga.

Shumë afër, por nuk ka interes nga ju…

Sapo ishim sistemuar në ato ndërtesa, pra, banonim afër. Më përpara vinte pallati im, pastaj i Mikelit. Shkak që u njohëm, u bë Efigjeni, motra e tij. Ishim nxënëse te “Petro Nini-Luarasi” në klasë paralele. Mikeli na shihte kur ktheheshim bashkë me Efin nga shkolla, por unë nuk e njihja dhe nuk i kisha dhënë rëndësi.

Cili është momenti që u njohët?

Si banore të reja, një ditë Efigjeni më fton, eja në shtëpi, të njiheshim më shumë edhe si komshinj. 15 vjeç e gjysmë isha kur e njoha e pashë për herë të parë Mikelin. Bashkë me njerëzit e familjes, 6 fëmijë, katër djem e dy vajza. Mbiemër i njohur, i ati ishte diplomuar në Rumani. Mikeli ishte më i madhi, Xhili, Agimi, Vladimiri dhe dy motrat. Më ftonin gjithmonë të shkoja, më kishin pëlqyer si shoqen e vajzës. Kështu nisa ta frekuentoja gjithmonë e më shumë miqësinë, shtëpinë e tyre.

Sa informacion kishit për të riun Janku?

Djalë simpatik, shumë i sjellshëm në ato fillime. Nuk e dija, madje aty jam informuar se kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik, kishte qenë i pari i shkollës, se kishte mbaruar me medalje e artë, për aviator. Pastaj karriera si futbollist, sapo kishte nisur të merrte famë, si portier i “Partizanit”. Luanim me letra, ngrinte sytë, më shihte, më linte të fitoja. Si njerëzit atëherë që ishin shumë të pastër. Kujtoj një mbrëmje, shtator ka qenë, vitit 1962, Mikeli sapo ishte kthyer nga Suedia, me “Partizanin”, i kishte mbetur valixhja në një aeroport, e kishin ngatërruar, diçka e tillë. Ishin shqetësuar në familje.

Shumë shpejt së bashku, fillimisht fshehurazi

Ajo ka qenë një dashuri e shpejtë, dhe tejet pasionante për ne të dy. Një vit të dashuruar, telefon nuk kishte që të komunikoje dhe me Efin ai më sillte letra, ku do të takoheshim fshehurazi. Një herë në javë ne nxënësit shkonim bënim, punën praktike, në Kombinat dhe aty dilja nga dera e pasme, e takoja Mikelin. Vinte me autobuz. Ose ndodhte kur Efi më lajmëronte, e prisja te hyrja kur kthehej nga stërvitja.

Për të ardhur, te ajo mbrëmje e paharruar

Ishte i grumbulluar, e pashë që po vinte. Zbrita me vrap, aty poshtë, nën shkallë u takuam, më përqafoi dhe më puthi. Kjo ishte puthja e parë. Atë natë nuk më zuri gjumi. Ëndërroja, fantazoja, e tillë ishte edhe mosha.

Sandra, një letër, dhe shumë sekrete

Në Shkodër, gjatë një ndeshjeje, Mikeli dëmtohet rëndë, e kanë sjellë gati pa ndjenja. Ismail Feta, mjeku i gjithë sportistëve, njeri jashtëzakonshëm, ndërhyri për mjekimin, shërimin e tij. Gjatë kohës që ishte në spital më dërgoi një letër me Efin, ishim në dashuri. Unë u futa në banjo për ta lexuar. Mami e kuptoi, dhe me thotë “çfarë po bën aty? Nuk i tregova, por ajo diçka kuptonte.

Një dashuri me admirues skuadra, futbollistë.

Dashurinë tonë e dinin lojtarët e “Partizanit”, të kombëtares. Deri kur na zbuluan. Te unë e morën vesh më vonë. Babait tim i tha Gudari një mik i tij. Mendoni, isha gjimnaziste, nxënëse e mirë, në vit të dytë. Në shkollë kishte vajza të bukura, që ishin më të mëdha se unë, por mjaft prej tyre ishin të fejuara, ashtu siç fejoheshin asokohe. Kujtoj Ana e Petrit Qëndron.

Dy njohje paralele në klasë e në fushë

Me Vera Kapon isha në një klasë, në një bankë. Kur ajo u fejua me Mehdi Bushatin, dhe unë me Mikelin ishim gjimnaziste. Shoqe ne, shumë shokë edhe të fejuarit tonë. Mehdiu futbollist i njohur i “Dinamos”, po kështu edhe Mikeli i “Partizanit”. Të dy bashkë edhe në kombëtare. Në stadium me Verën shkonim kur luante Partizani-Dinamo.

Në pritje, gjithmonë pas Mazrekut, Bellovës

Pas ndeshjes, të cilën e ndiqja në radio, me zërin e Anton Mazrekut, Ismet Bellovës, rrija e prisja në ballkoni deri sa të vinte. Mikeli do kalonte njëherë, poshtë ballkonit tim pastaj do të shkonte në shtëpinë e tij. Shumë i thjeshtë, gjithmonë i shoqëruar nga ai grup i zakonshëm tifozësh. Edhe kur kishte humbur i njëjti ritual. Zbrisja e takoja, shkonim në shtëpinë e tij, qëndronim pa aty, dhe më pas dilnim.

Fejesa, nuk ju ndalon as mosha?

Kur shkoi në Hanoi më 1963, tashmë dashuria jonë ishte bërë e njohur. E dinin edhe të afërmit e tij, që Mikeli ishte dashuruar me një nxënëse te “Petro Nini”. Pas kthimit nga Hanoi, ku kishte spikatur, kishin marrë medaljen e argjendë unë isha 17-vjec, shpallëm fejesën, muaji shkurt 1964 ka qenë. Vajtëm te familja e Mikelit, prenë fjalën, më uruan. Thoma Nano, ishte garanti që u fut në mes dashurisë sonë. Babai im e donte shumë Mikelin, dhe nganjëherë kur mërzitej, rrëmbehej, unë i thosha Mikelit anglisht, foli, se vetëm po ti fliste Mikeli ai qetësohej. Mikeli ishte djalë i kulturuar.

Një ndeshje me një protagonsit dhe shumë jehonë

Ka qenë tetor 1965, Është ndeshja që u fol, se u shemb stadiumi. E kam ndjekur në radio. Pasi mbaroi ndeshja, prit e prit, më thoshte mami do bëhesh me zemër. Ishim të fejuar, kisha merak, çfarë mund të kishte ndodhur, kur nga tufa njerëzish që kishin dalë nga stadiumi “Qemal Stafa”, duke kaluar dëgjoja që bërtisnin rrugës:”Janku, Janku”, Nuk durova zbrita morra rrugën dhe te pallatet Moskate, shoh Mikelin, të cilin njërëzit e hidhnin përpjetë. Me dallon mua dhe ashtu siç ishte, aty pranë qëlloi një makinë, hapi derën e saj u fut brenda duke më tërhequr edhe mua. Atë natë shkuam në Shtëpinë Qendrore për të festuar. Partizani kishte fituar 1-0 me “17 Nëntorin”, dhe Mikeli kishte qenë heroi i takimit

Vitet e fejesës, çfarë kujtoni nga ajo kohë?

Ajo ka qenë një periudhë shumë e bukur. Kudo bashkë, në plazh, çfarë kënaqësie. Shëtitjet në breg të detit, Mikeli njihej, i flisni të gjithë, unë e re, dashuria jonë i tërhiqte vëmendjen. Pastaj mbrëmjet, kërcimet në pistën e Turizmit, me orkestrën e njohur durrsake. Gjatë verës, pas stërvitjes shkonim në kinema verore, në orët e vona, në shfaqje artistike. Pëlqenim filmat e Kinostudios, me aktorët tanë, por edhe ta të huaj, ndër to edhe ata rusë, se Mikeli kuptonte gjuhën. I komentonim më pas me pasion. Edhe teatrin e frekuentonim, sepse aktorët I kishim shumë miq. Shpesh, pas shfaqjes, kur takoheshim, më shumë flitej për futboll se për pjesën teatrale.

Keni dy momente që i referohen Gjermanisë Perëndimore.

Po, e para shtator 1964. Pas barazimit 0-0 në Tiranë me Këlnin, u organizua një mbrëmje, ku ishin të gjithë, lojtarë, drejtues të ekipit gjerman dhe zyrtarë të klubit, futbollistët e Partizanit, familjarët e tyre. Ajo u bë në Shtëpinë Qendrore të Oficerëve te Rruga e Kavajës. Të gjithë bashkë, jemi dëfryer deri në mëngjes, çka i habiti gjermanët. Është kërcyer, kënduar e pirë pa fund. Tjetrën e kam, kur si zakonisht i përcillnim, i prisnim kur shkonin e ktheheshin nga jashtë shtetit. Kur erdhën nga Gjermania, 1967, muaji prill isha shtatzënë. Kur më pa në aeroport, u emocionua shumë. Jo vetëm ai por të gjithë, kujtoj Alfred Kazanzhiun, kryetarin e federatës së futbollit që erdhi më takoi.

Te Vollga, muzikë dhe kërcim argëtues.

Mikeli kërcente shumë bukur. Te Vollga, pas ndeshjeve, aty festonim, të shtunën, apo të dielën në darkë. Kishim veshje të bukur, këpucën, fustanin, për faktin se sportistët, artistët dilnin disa herë jashtë shtetit, kishin privilegje. Fillonte valsi, tre, katër të tilla i kërceja unë me Mikelin. Nuk çohej asnjë çift tjetër, na shihnin ne të dyve, shijonin kërcimin tonë. Edhe orkestra e dinte, ka ardhur Sandra me Mikelin, dhe muzika ishte vetëm për ne. Por edhe te Kisha e Shën Prokopit, te lulishtja e njohur në periudhë vere, shkonim me Rebekën dhe Panajotin më shumë.

Miqësia me sportistë ….

Kujtoj se sportistët në përgjithësi kishin shumë miqësi dhe të bukur. Kur fitonin kampionatin, o ndonjë trofe, jo vetëm futbolli, por edhe në sporte të tjera, mblidheshim për të festuar. Argëtoheshim me muzikë, humor një afërsi e sinqertë me njëri-tjetrin, një shoqëri shumë shumë njerëzore e pastër. Sportistë, drejtues, trajnerë, si Njazi Lleshi, Mico Papadhopulli, Panajot Pano, Muhamet Përmeti, e të tjerë. Organizonim mbrëmje më orkestër, gjatë të cilave kërcenim, këndonim. Po kështu edhe për datë lindje, përvjetorë, kudo bashkë, në gëzime, hidhërime.

….dhe artistë të njohur

Sopranoja Luiza Papa më donte shumë, nuk ma lëshonte dorën. Tejet solare, kujtoj se fliste, i tregonte shumë bukur gjërat. Grua fisnike, kishte dicka të vecantë. Bashkë me bashkëshortin, tenorin e njohur Gaqo Cako, shkonim e vinim, krijuan një afërsi. Po kështu edhe me kompozitorin e paharruar Kujtim Laron, e kishim në një hyrje, takoheshin në darkë, pinte cigare me gruan, Lilin e mrekullueshme. Shtroheshim në shtëpinë tonë apo të tyre dhe, Kujtimi i binte në piano disa pjesëve muzikore, këndonim edhe ne. Gjithmonë Mikeli e pyeste për muzikën e filmit “Lulëkuqe mbi mure, si e kishte kompozuar atë muzikë aq të bukur. Po kështu edhe me këngëtarin e madh Mentor Xhemali, e kishim pranë, banonte afër nesh. Edhe miqësia me artistin Skënder Sallaku, gruan e tij.

Kthehemi pak tek futbolli, është një humbje, që ka reagim të ashpër?

Viti 1966, kur humbën një ndeshje finale 2-1 me “17 Nëntorin”, Petrit Dumja jep urdhër dhe skuadrën e dërguan direkt në Durrës. Unë e prisja si zakonisht të vinte poshtë ballkonit, kur shoh të kalojë autobusi i klubit dhe ai ma bën me dorë por, nuk kuptova asgjë. Prit, prit të vinte, ai i kishte dërguar në konvaleshencë. Shansi im që ata kaluan, para pallatit që i pashë.

Ka reagim pak ndryshe nga ju që i befason të gjithë?

Nuk mund të rrija pa e takuar Mikelin. Të nesërmen, me një shok të tij, me tren, shkoj në Konvaleshencë, te Plepat. Sapo kishin dalë nga mbledhja, trajneri Rexhep Spahiu u habit kur më pa. “Pse ke ardhur”-më pyeti?. U bëra merak i përgjigjem. Mbrëmë janë mbledhur tërë gratë e futbollistëve e kanë bërë grevë”- i them. Profesori dhe disa që ishin aty e morën seriozisht. Në Tiranë, u kthyem të gjithë me autobuzin e klubit.

Si e përjetonit dashurinë, nisur nga disa kushtëzime?

Dashuria jonë ka qenë e kushtëzuar, kondicionuar edhe nga grumbullimet e gjata. Ka ndodhur që kemi qëndruar edhe më shumë se një muaj pa u parë. Kishte raste, kur i grumbullonin që të martën, varej çfarë ndeshje kishin. Grumbullimet zakonisht në Durrës, në klub, te reparti i Diko Zeqos, në periferi të Tiranës. Mezi e prisnim që të mbaronte ndeshja, ose grumbullimi. Apo kur shkonin në Korçë, fazë përgatitore, muaji korrik, kishte raste që shkoja edhe unë, se në Korçë kisha hallat e mamait, dhe qëndroja atje. Ose kur ishte në Kinë, Hanoi vetmi pa fund dhe për kohë të gjatë. Ato ishin të vetmet momente që na ndanin.

Ka një parfum me famë për ju?

Kur vinte nga jashtë shtetit, më sillte gjërat më të bukura, pa ja treguar askujt që të mos i kishte njeri dhe të mos i vinte në pozitë. Dhe unë gjithmonë jam veshur bukur, por asnjëherë më ekzagjerim. Rrallë diçka për vete, çdo gjë e kishte për mua. Po t’i thosha sa e bukur është kjo, herës tjetër ai do ma sillte. Kujtoj kur erdhi nga Kina dhe menjëherë shkuan në Bullgari, edhe pse ishim, të dashuruar më solli një pako mua, pa i treguar as prindërve të tij. Kjo edhe kur familjet nuk e dinin ende lidhjen tonë. Kujtoj një parfum, nga Këlni, ku ishte fabrika e famshme, e njohur për kolonjat.

Një dasmë pa shumë zhurmë

E vendosëm që martesën të mos e bënim të madhe, as me zhurmë, por në familje. Dasmën e kemi bërë në apartamentin te pallati në Rrugën e Durrësit që i kishin dhënë Mikelit. Aty kam ardhur nuse. 17 korrik 1966, ka qenë ishim të dy familjet, të afërm, shokë, miq, futbollistë, plot njerëz. E mobiluam shtëpinë, u krijua një mjedis i bukur, ishim të lumtur, madje unë vazhdoj të banoj ende aty. Kam kujtime pafund që nuk mund të ndahem.

Sa e ndiqje Sandra, kur ai luante?

Nisa edhe unë të bëhem tifoze. Kjo më shumë kur Mikeli, luante, e ndiqja nga radioja, jo në stadium. Ndeshjet nuk transmetoheshin në televizor nga Tvsh, pasi dhe pak televizorë kishte. Mbetej vetëm kureshtja, fitoi ‘Partizani’?

Po stadiumin e frekuentonit?

Vetëm në takime ndërkombëtare. Me shkrimtarin Nonda Bulka, ndeshjen Partizani-Torino, e kemi ndjekur nga tribuna, me biletat që na i siguroi Mikeli. Kam një moment kur një fotograf na fiksoi duke u përqafuar me Nondën, kur Partizani shënoi golin e fitores. Në ato vite ne jetonim te pallati i oficerëve të Rruga e Durrësit dhe me Nondën ishim komshi. Kishte televizor ia kishte sjellë një motër nga Amerika. Na thërriste për të ndjekur programet e Rai-t, Sanremon, Canzonisiman, ndonjë film. “E shikon këtë bibliotekën më thoshte, nuk ma ka mësuar televizori”. Vetëm me Sterjo Spasen kishte miqësi, e vlerësonte.

Marrëdhëniet në familje, si i përjetonit një rezultat sportiv?

Asnjëherë të ndodhte që Mikeli të reflektonte mërzitje në shtëpi pas një ndeshjeje, aq më shumë para meje. Kurrë të më transmetonte problemet, shqetësimet e skuadrës, klubit, humbjen, përkundrazi, vetëm dashuri përcillte tek unë, më respektonte shumë. Edhe kur drejtonte sportin në klub e zyrtar ministri, ishte shumë i logjikshëm, i arsyeshëm me vartësit, sportistët, i kujdesshëm veçanërisht me mua.

Pak më sipër më përmendët një emër, Panajot Pano

Panajotin e donte, kishin shumë miqësi. Njeri dhe lojtar i mirë. Mikeli e adhuronte. Bashkë në plazhe, familje. Kur ndërroi jetë, na merr në telefon Fatmir Frashëri:” Mikel e di që ka vdekur Panajoti? Jo i thotë Mikeli. Me shpejtësi morëm Amerikën, ku ai kishte vajtur te vajza. Folëm me Rebekën, një fatkeqësi e madhe. Pastaj ceremonia e varrimit, pasi sollën trupin në Tiranë. Për Panajotin Mikeli kishte një vlerësim shumë të madh.

Ka një komunikim tjetër për ju?

Televizioni, radioja, janë një tjetër pjesë e jetës sonë, një tjetër dashuri e tij, por gjithmonë pas meje. E ndiqja në radio kur bënte komentin me Ahmet Shqarrin, kthehej vonë në shtëpi. Një miqësi e jona ishte edhe me gazetarin Vladimir Grillo, kur Mikeli nisi si opinionist në televizion. Me Violën, gruan e Ladit, këndonin bukur këngët ruse. Kishte vizion, lexonte, por kur kthehej, gjithmonë më pyeste, e priste, e vlerësonte mendimin tim.

Fëmijët, tjetër dashuri për Sandrën e Mikelin

Djali Albano ishte fëmija e parë, lindi me 13 gusht 1967. Pak ndoqi rrugën e Mikelit si futbollist me Partizanin, por jo portier. Me profesion inxhinier vazhdoi një tjetër karrierë si arbitër futbolli. Mikeli e ndiqte, por shumë i rezervuar në komente edhe kur i duhej të jepte opinion në televizor. Kishte raporte të mira, diskutonin, por asnjëherë të debatonin pas ndeshjeve. Tashmë ka jetën familjare, i martuar me fëmijë. Pastaj vajza, Joli, që ka qenë shumë e lidhur me të atin.

Ndarja, një pabesi e madhe e jetës?

Nuk e priste askush, pasi ishte aktiv, donte ta jetonte çdo çast të jetës. Pas një shqetësimi, ndërhyrjes kirurgjikale, situata u përmirësua, ishte i lumtur. Por pas përkeqësimit të dytë, mjekët nuk i dhanë shpresë. Ashtu u largua, pa thënë asnjë fjalë, në heshtje, pa shqetësuar askënd. E trishtuar për të gjithë.

Një kujtim me vlerë, për ta pasur gjithmonë pranë

Kur Mikeli ndërroi jetë, vajza Joli sapo kishte lindur fëmijën e saj. Atë natë vjen e më thotë mami, orën e babit veja në dorë. Dhe ashtu vepruam. Duke qenë i sëmurë, e pata harruar që syzet dhe unazën ia kishim hequr, dhe që ia kishim lënë. Pas dy-tre javëve se si hapa një kuti, shoh unzën e tij. Shtanga. Do ta mbaja unë tashmë dhe sa herë kemi ndonjë event, me fëmijët, të afërm e ve atë, sepse më duket sikur me atë unazën, ai është prezent. Edhe shënimet e fundit siç i ka lënë, nuk ia kam prekur. Aty para televizorit, ku i mbante i ka.

Znj. Sandra, në mbyllje, ka një moment dashurie të munguar?

Në çdo rrugë, rrugicë të Tiranës kudo ku kaloja, zbrisja nga autobusi, më njihnin, o gruaja e Mikel Jankut më thërrisnin. Edhe tani ashtu më njohin, më nderojnë. Merak e kishte, gjithmonë më thoshte me shaka: “Sandra, dua të bëj një fluturim me avion, ku të jemi vetëm ne të dy, unë piloti dhe ti asistentja ime. Nuk e realizoi. Mikeli ishte i kulturuar, familjar, korrekt, gjithmonë e më tepër më mungon sot.

/Gazeta Panorama

FLET  AT  GJERGJ  FISHTA!- Pergatiti Fritz RADOVANI

 

AT GJERGJ FISHTA N’ AMERIKË,

dhe çeshtja e perparimit në Shqipni.

           (Dokumenti i pabotuem origjinal asht në Arkivin e Shtetit Tiranë.)

 

Janë tre muej që At Gjergj Fishta O.F.M., Françeskan dhe Deputet në Këshillin Kombtar, gjindet n’Amerikë, e shumë kush nder Shqiptarë të ktûshem, qi endé s’kanë pasë rasë me u pjekë me Tê, janë interresue të dijnë qellimin e t’ardhunit të Tij në Botën e rè – n’Amerikë.

At Fishta i trembej coptimit të trojeve shqiptare, simbas interesave të grupeve politike, që lirinë e pamvarsinë e kishin kthye në një “vlerë” për nevojat e tyne, dhe jo për të mirën e Shqiptarve.

Edhé né të redaksisë së “Diellit” na ká rá me kênë të pvetun mbi ketë çeshtje; prandej, tue u ndollë në këto ditë At Gjergj Fishta këtû në Boston: Mbasi edhè ndjesi miqsore të kahershme e njëmori idealesh kulture e perparimi e lidhin me Kryetarin e Federatës “Vatra”, z. Faik Konitzen: Muerme rasen, njëditë që edhe në Redaksinë tonë, t’a pyesim familjarisht, se cili ishte qellimi, qi e kishte sjellë e prue këtû në ket dhé?

  • E qe se shka na u pergjegjë Deputeti i Shkodrës, mbasi formalisht na deklaroj njëherë mâ perpara, se s’kishte kurrnjë misjon zyrtar prej anës së Qeverisë s’onë Shqiptare: “- Po m’vjen fort mirë, na tha, që po ma lypni ketë fjalë, pse kështu tash po m’bjenë rasa t’ju flas edhé mbi do çeshtje, që âsht mirë t’i dijnë Shqiptarët e Amerikës e sidomos, të Federatës “Vatra”.”

 

Fjala e At Gjergj Fishtës:

“Shqipnija, si dihet, sot âsht e lirë. Shka para këtyne pêsmëdhetë vjetve per né do t’ishte kênë teper anderr me e pasë pa, sot po e shofim të realizueme. Na sot kemi një Parlament t’onin, një Qeveri t’onen e një Këshill të Naltë Regjencet, që pervetson në vedi sovranitetin dhe pamvarsinë e Popullit Shqiptar. E as nuk ká mâ turqë në Shqipni, as grekë, as serbë, as italjânë: Ká vetëm Shqiptarë të lirë! Triumfi i idealit t’onë – I Françeskânve të Shqipnisë. Të tanë kombi e di, po, se me sa ndergjegje Françeskântë Shqiptarë janë mundue t’a kryejnë detyrën e vet ndaj Atdheut, në daçi me mjete kulturale, në daçi tue marrë pjesë aktive nder të gjitha levizjet kombtare per lirinë e Atdheut.

Endé qet avull gjaku i Françeskanit Shqiptar atjé në Kosovë, qi nëper bajoneta të sllavit ju bâ flij Atdheut! Por liria e pamvarsia e një shtetit nder kombe të qytetnueme nuk janë per këta, që ndonjë njeri ase ndonjë kastë e shtetit mund të losë me fatin e popullit si të duen, pa kontroll të tjerve; shka ndollë ndër shtete autokrate e despotike sidomos kombet barbare: Por per t’i sjellë të maren popullit, tuj e bâmë me perparue materjalisht e moralisht. Prandej, tue kênë se e mara e perparimi i një populli rrjedhin prej gjêjes së tij ekonomike e prej shkalles së zhvillimit të mendjes së tij, merret vesht mirë fillit, se prej një populli të qytetnuem, posë se i lirë politikisht, lypet që ai të jetë i lirë edhe ekonomikisht, e që qytetasit e tij të ndollin në një shkallë kulture të mjaftuehsme, për me dijtë me krye detyrat me ndergjegje e me perdorue tagret me kohë, me vend, me mënyrë; si edhé me pasë aq zotsi, sa me u bâ ballë si duhet e sa duhet nevojave të reja të jetës, në të vuemit e të cilave rrin perparimi i popujve të qytetnuem. Si shifet, prá, prej shkallës së kulturës së një populli mvaret e gjithë jeta e tij politike e ekonomike, si edhe i gjithë perparimi i tij.

Tash unë po pyes Zotnin t’uej; Populli Shqiptar, që sot politikisht âsht i lirë e i pamvarun, a ka një shkallë kulture aq të naltë sa me i kuptue si duhet e sa duhet detyrat e veta?

Puna e tij a prodhon aq sa lypet per me jetue mirë e pa u bâ ky robi i huej ekonomikisht? N’ atë shkallë kulture, n’të cilën gjindet sot shqiptari a âsht pernjimend i zoti  të perparojë? Kur të vemë oroe, se sot per sot në Shqipni, pa kênë caktue endé kufijtë e sajë e tue u dijtë, se pa një Qeveri të vendasve shteti s’mund të ketë kredi perjashta e me vue oroe, po tham, se në pêsë javë mund të ndrrohen pesë Ministri: se shqiptarët, të cilët perpara u vritshin kokrra-kokrra, sot vriten çeta – çeta e jo, si motit, per pikë nderit a erzit, por per katër kamë të “kolltukut” të njanit a të tjetrit Minister a Deputet të kombit: bakajt, hamajt, matrapazat, teneqexhi, kallajxhi, analfabetë gjithfarësh, mund të vênë sŷnin me u ngjitë nder zyret edhé ma të naltat e Shtetit: se ushtria e jonë – mbrojtja e jetës kombtare – mund të lëshohet nder duer oficierash, qi, para këtyne dhetë vjetve kanë vra e pre, e vjerrë, e djegë, e pjekë shqiptarët, për arsye qi këta lypshin lirin’ e jetën kombtare; se nder zyre të financave tona mund t’u jepet punë edhe atyne mehmurve, qi kohen e kalueme kanë mujtë të jenë têja, a ma mirë me thanë, rrenimi i financave të një Shteti të huej: Kështu edhe kur të merret parasyshë, se edhe sot Shqiptari, me gjithë liri e pamvarsi të veten, han bukë thatë e bishta purrijsh, si perpara: Se Qeverija s’ka kenë e zoja as me çilë kund një pash rrugë të re, as me meremetue kund një pash aso rrugash, që na i lanë ushtritë e hueja: se taksa daganore mund të mos vehet mbas interresave të gjalla të kombit, due me thânë, mbas peprarimit të bujqësisë, të tregtisë, t’indrustrisë e mbas natyret të perpjekunave tona me Shtete të hueja, por mbas nevojës së kashës së Financave, sa per të mbajtë në kamë zyret me rroga àr, të cilat zyre, masandej, mund do të jenë të hapuna, ndoshta jo aq mbas nevojave të Shtetit, sa mbas numurit të kushrijve, miqve e të dashamirve të ministrave e të nëpunsave të naltë të tyne, mjerisht duhet me thânë, se populli Shqiptar s’ká as kuptimin e as ndergjegjen e vertetë të lirisë politike individuale e kolektive; s’ká zotsinë e mjaftueshme, per me mbajtë pamvarsinë ekonomike të veten, e se prandej, as gjindet në një shkallë kulture aq të naltë, sa me sigurue perparimin e vet, pa të cilat veti një popull as mund të jetojë e as s’duhet të jetojë si shtet i pamvarun.

 

  • Atëherë, mbas fjalve të Zotnisë s’Uej, i thame Deputetit të Shkodres, Populli Shqiptar as mujka me jetue, as u dashka që të jetojë i pamvarun?

 

– Un nuk e thashë ketë fjalë, na u pergjegjë; por fundi aty del.

Si janë njerzit e punët në Shqipni, sot per sot kurrkush s’ja shef hajrin pamvarsisë së Shtetit Shqiptar, perposë zyrtarësh e parlamentarësh.       E po, a per të mbajtë me rroga àr nja tri a katërmijë zyrtarë, të cilët, jo se janë, por mbas mentalitetit, qi frymzon njerzit e punët në Shqipni, mund do t’ ishin edhe asish, që kanë mujtë me vra njerëz me pare: që kanë mujtë me vra bujqit per t’ju pushtue tokën: që kanë pushtue tokët “miris”; që per interresa të veta, per një “qifllik”, per një “titull”, do t’ishin gati të pshtyejnë n’Atdhé e n’ndijesitë mâ shêjta të jetës: vetëm për me mbrojtë, po thom, me rroga àr këta tri a katër mijë zyrtarë, Populli Shqiptar do të livroj tokën, do të bâjnë tregun, do të punojnë zanatin, do të marrë shtegun e të kalojë mal e dèt’ e të vijë n’Amerikë, të rreshket me natë e ditë në zjarm të fabrikave!

Një pamvarësi këso dore mund të hyjnë në punë, ndoshta, në Zanzibar, në Marok, në Turki, por jo në Shqipni!

Po s’perparoj Populli Shqiptar moralisht e materjalisht, né pamvarsija s’na duhet asgjâ.

Lirim, Pamvarsi, Qeveri, Parlament, Këshill’ i Naltë e s’di shka tjeter s’mund të kenë farë kuptimit per né, déri që populli mos të vêhet n’at shêj vendit që të perparojë; janë një lojë fjalësh, per të mbajtë popullin n’errsinë per dobi të do njerzve që kuptojnë Qeveri, por jo Atdhé. E ndoshta, shi per ketë punë i ngrati Populli Shqyptar, megjithse paguen tash dy vjet shtadhetenandë Deputetë, s’ka endé një statut, s’ka endé një formë politike të caktueme të shtetit të vet, e âsht i ngushtuem të mbahet per një ligjë ibride qi s’ âsht ekspresjoni i shpirtit të tij e që kurrsesi s’mund të perkojnë me nevojat t’jetës së qytetnueme të sotme.

Por, në tjeter anë, kur të vêmë oroe ushtarët Shqiptar, të cilltë, per kah dishiplina, per kah shpirti marcial e sjellje n’ushtrime, mund të percaktohen me ushtar t’ushtrive mâ të para t’ Europës:

Kur të vêmë oroe oficerat e rìj të tonët (pa)nderlikim besimit që, janë rritë me ndijesi kombtare e ushtrue nên dishiplinë të shkollave ushtarake të do kombeve qi trimnin e burrnin i kanë zanat, janë gati të bajnë flij per të mirën e Atdheut, jo vetëm vedin, por edhe shtëpijat e fshatet e veta: kur të vênë n’oroe prap zyrtarët e rìj tonë, që edhé këta rritë me ndijesi kombtare e frymzue me dashtni Atdhetare, jo vetëm që kanë kompetencen e punës, por edhé kuptojnë në të gjithë hapsinën e vet detyrën e nderen e zyreve adminstrative: e sidomos, kur të marrin parasyshë ndigjesen e popullit, që bân, sado që dron se djersa e tij derdhet kot nepër mejhana sidomos, të Tiranës, e nep djelmët e vet ushtarë, sado që shef se s’po i mbesin perballë t’anmikut në kufi t’Atdheut, por ferrave e shkurreve mbrenda Shqipnijet perballë të vllazenve të vet, tue luftue per shkas t’ambicjoneve të poshtme të do zyrtarve, që janë bâ “shqiptar” qyshëse kanë dalë rrogat àr e që kanë kênë, janë e kanë me kênë gjithmonë ekspresjoni i regresit e i barbarisë azjatike: pse ujku ndron qymen, por jo vesin: tuj marrë parasyshë, po thonë këto fakte, do të thonë edhe që Populli Shqiptar jo veç, se mund të jetojë, por se do të jetojë i Pamvarun.

Gjallnija e shpirtit Shqiptar âsht veshkë e jo tha: e kanë veshkë mentalitetet e hueja, që, si bimë parasite në një landë, janë shartue në tê perdhuni; prandej, po mujtem na me i krekcue me kohë këto mentalitete t’hueja–këto gallica parasite t’shpirtit Shqiptar, pamvarsija, sovraniteti e jeta kombtare e Popullit Shqiptar janë të sigurueme pergjithmonë.

 

  • Jemi kryekput një mendimit me Ju “Uratë”; por si thoni Ju, se mund të pastrohet psikja e popullit Shqiptar prej mentaliteteve të hueja, para se të na i pertrihet ndonjë rrezik jetës sonë kombtare e politike? E pvetem atëherë At Gjergj Fishtën, i cili na u pergjegjë këso dore:

 

– Mbas mendimit tem kishe me thânë, se puna ma e parë që do të bajnë Shqiptarët, per me pshtue kombin prej rrezikut, qi i kercnohet per shkak të ndryshimit të mentaliteteve âsht ky: mos me lanë të kenë dorë në Qeveri e n’adminstratë të gjithë ata Shqiptarë qi kanë kenë edukue mbas mentalitetit sidomos të Stambollit, t’Athinës e të Venedikut; pse, tue kenë këto tre qytete tri qendra të daluna mifshliz, këto s’kanë zotsinë t’a rrisin menden e nierit mbas ekzigjencave të kohve e të vendit, por vetem mbas andrravet të një lumnisë së kalueme: prandej kultura e këtyne qytetasve s’ká mujtë të formoj qytetas me ndijesi si e lypë nevoja e Atdheut, por kanë trajtue, individë të dhanun me mish e me shpirt mbas atyne popujsh, qi motit paten krijue këto tri kultura, aq sa me mrrijtë me u quejtë me emna të tyne e me lakmue me u bâ robt’ e tyne.”

 

Shenim F.R.: Plot 100 vjetë! Dokumenti origjinal i perket vitit 1924.

Një gjendje shumë e ngjashme me të sotmen (Dhetor 2024.)

Melbourne, Dhetor 2024.

Zbulohen dokumentet e panjohura arkivore, me fotot dhe akt-ekspertizën e Mehmet Shehut

“Duke ndjekur rrugën që ka bërë predha në trup, në jastëk, batanije dhe deri në dyshek, del se viktima…”

Nga Dashnor Kaloçi/ Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës së Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra  dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!

Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që janë botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, Memorie.al, ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit, (pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë.

Në dosjen në fjalë, gjenden të plota dhe me faksimilet përkatëse, akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor, që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Harito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, si dhe ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari.

Gjithashtu në dosjen në fjalë ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjithë personave të tjerë që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.

DOKUMENTI ARKIVOR ME KONKLUZIONET E STUDIMIT TË VENDIT TË NGJARJES DHE EKZAMINIMEVE MBI VDEKJEN E MEHMET SHEHUT, NGA SHEFI I HETUESISË KOÇO JOSIFI, MJEKU LIGJOR BASHKIM ÇUBERI DHE EKSPERTI KRIMINALIST, ESTREF MYFTARI

                                                          K O N K L U Z I O N E

MBI STUDIMIN E VENDIT TË NGJARJES DHE REZULTATET E EKZAMINIMEVE LIDHUR ME VDEKJEN E MEHMET SHEHUT

Me datën 18.12.1981, u gjend i vdekur në dhomën e gjumit të apartamentit të vet, Mehmet Shehu.

Nga kryerja e vendit të ngjarjes, ekzaminimi i kufomës, provave materiale (pistoleta, gëzhoja dhe predha) dhe të dhënave hetimore, rezulton:

  1. Në trupin e viktimës ndodhet një plagë tej shkuese arme zjarri, me vrimë hyrje mbi thithën e sisës së majtë dhe vrimë dalje nën këndin e shpatullës së kësaj ane, e shkaktuar nga një qitje me puthitje jo të plotë. Predha pasi ka dalë nga trupi dhe ka shkuar tej për tej të dy jastëkët dhe batanijen e ndodhur poshtë tyre, u gjet e ngulur në dyshek.

Duke ndjekur rrugën që ka bërë predha në trup, në jastëk, batanije dhe deri në dyshek, del se viktima në momentin e qitjes ka qenë i shtrirë në krevat, me shpatullat të mbështetura në jastëk dhe se drejtimi i qitjes ka qenë nga përpara – prapa, nga sipër – poshtë dhe lehtësisht nga e djathta në të majtë.

  1. Mbi krevat, pothuajse në mesin e tij, 43 cm. larg dorës së djathtë të viktimës, u gjet pistoleta automatike “Makarov” Nr. BP 2935, e kalibrit 9 mm.

Nga ekzaminimi balistik i predhës dhe gëzhojës të gjetur në vendin e ngjarjes, rezulton se ato janë qitur në këtë pistoletë që disponohej nga vetë Mehmet Shehu.

  1. Dora e djathtë e viktimës, ishte në gjendjen e shtangësisë, gishtin tregues më të mbledhur se të tjerët, ndërsa në thoin e gishtit të madh të kësaj dore dhe në lëkurën 2-3 mm. larg tij, u konstatua gjurmë të veprimit të copërave të barutit. Në anën e djathtë të djepit luajtës të pistoletës, u zbulua një gjurmë gishti e të njëjtit tip (rrethore), me ato të gishtit të madh të dorës së majtë, të Mehmet Shehut.

Këto të dhëna flasin se Mehmet Shehu ka mbushur pistoletën në dorën e majtë dhe me dorën e djathtë, ka bërë qitjen.

Duke u mbështetur në tërësinë e këtyre të dhënave, konkludojmë se:

Vdekja e Mehmet Shehut, është si rezultat i vetëvrasjes me një qitje me armë zjarri.

                        HETUESI

                      KOÇO JOSIFI

 EKSPERTI MJEKOLIGJOR                                                   EKSPERTI KRIMINALIST

BASHKIM ÇUBERI                                            KANDIDAT I SHKENCAVE (ESTREF MYFTARI)

DOKUMENTI ARKIVOR ME VENDIMIN E PUSHIMIT TË ÇËSHTJES PENALE PËR VETËVRASJEN E MEHMET SHEHUT, I NËNSHKRUAR NGA HETUESI I DREJTORISË SË BRENDSHME TË TIRANËS, KOÇO JOSIFI

VENDIM

                                                         MBI PUSHIMIN E ÇËSHTJES PENALE

Tiranë më 29 Dhjetor 1981

Unë Koço Josifi, hetues i Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë, mbasi e studiova materialet e çështjes penale Nr. 794 lidhur me vetëvrasjen e Mehmet Shehut;

                                                                         K O N S T A T O V A

Me datën 13 dhjetor 1981, nga ana e jonë u fillua çështja penale, lidhur me vetëvrasjen e Mehmet Shehut. Nga hetimet e zhvilluara rezultoi se; me datën 18 dhjetor 1981, rreth orës 8.00, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit, Mehmet Shehu.

Në këtë orë shkon në dhomën e tij Fiqiret Shehu, e cila konstaton se ai kishte vdekur, menjëherë e përmendura njofton djalin e saj, Vladimir Shehun, i cili së bashku me gruan e tij, Fatbardha Shehu dhe Fiqrete Shehu, shkojnë në dhomën ku konstatojnë vdekjen e tij.

Vladimir Shehu, menjëherë lajmëron oficerin e shërbimit dhe mjekët, dëshmitarët Ali Çeno, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, të cilët kur shkojnë, gjejnë të shtrirë në shtrat të vdekur, të përmendurin.

Pas kësaj, në vend shkoi grupi hetimoro – operativ dhe nga këqyrja e vendit të ngjarjes, ekzaminimi mjeko – ligjor i kufomës, ekzaminimin balistik i pistoletës të tipit, RP 29-35, predhës dhe gëzhojës të gjetur në vendin e ngjarjes, ekzaminimi daktiloskopik i gishtit të gjetur në këtë pistoletë, eksperimenti hetimor dhe pyetja e dëshmitarëve, rezulton plotësisht e vërtetuar se:

Armiku Mehmet Shehu, duke u gdhirë data 18 dhjetor 1981, me anën e pistoletës së tij personale, të tipit RP. 29-35, me kalibër 9 mm., ka kryer aktin e vetëvrasjes me një qitje të vetme, me puthitje jo të plotë, me vrimë hyrje në pjesën e përparme të majtë të gjoksit dhe vrimë dalje, në pjesën e majtë të shpinës. Vdekja ka ardhur nga shkaku tragjik.

Vetëvrasja vërtetohet se është kryer në këto rrethana:

Armiku Mehmet Shehu, në momentin e vetëvrasjes ka qenë i shtrirë në krevat, me shpatulla të mbështetura në jastëk. Qitjen e ka bërë me drejtim nga përpara prapa, nga sipër poshtë dhe lehtësisht, nga e djathta në të majtë.

Nga ekzaminimi balistik i predhës dhe gëzhojës të gjetura: në vendin e ngjarjes, vërtetohet se ato janë qitur me pistoletën RP. 29-35, që disponohej nga vetë Mehmet Shehu.

Gishti tregues i dorës së djathtë, i gjetur në momentin e këqyrjes më i mbledhur se të tjerët, praninë e gjurmëve të veprimit të copërave të barutit në thoin e gishtit të madh të kësaj dore dhe në lëkurën 2-3 mm. larg tij, si dhe prania në anën e djathtë të djepit luajtës të kësaj pistolete e, një gjurme gishti të të njëjtit tip (rrethore), me atë të gishtit të madh të dorës së majtë të Mehmet Shehut, provojnë se ky armik, ka mbushur pistoletën në dorën e majtë dhe me dorën e djathtë, ka bërë qitjen dhe vetëvrasjen e tij.

Nga sa parashtruam më sipër dhe në konformitet me nenit 71/ të Kodit të Procedurës Penale të RPSSH;

                                     V E N D O S A:

Të pushoj çështjen penale për hetimin e vetëvrasjes së armikut Mehmet Shehu, mbasi ajo nuk përmban elementët e një vepre penale.

                                    HETUESI

                                 KOÇO JOSIFI

DOKUMENTI ARKIVOR ME VENDIMIN E FILLIMIT TË ÇËSHTJES PENALE PËR VETËVRASJEN E MEHMET SHEHUT, NGA KRYETARI I DEGËS SË HETUESISË I DREJTORISË SË BRENDSHME TË TIRANËS, KOÇO JOSIFI

                     VENDIM

                                                      MBI FILLIMIN E ÇËSHTJES PENALE

Në Tiranë më 18.12.1981

Unë, Koço Josifi, kryetar i degës së Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë, mbasi studiova materialin lidhur me vetëvrasjen e qytetarit Mehmet Ismail Shehu:

                                                    K O N S T A T O V A:

Në bazë të denoncimit të bërë, me datën 18.12.1981, në orën 8.00, u gjet i vetëvrarë në dhomën e gjumit të tij, qytetari Mehmet Ismail Shehu.

Duke marrë parasysh se materiali i sipërm shërben për fillimin e çështjes penale, në mbështetje të nenit 63, të Kodit të Procedurës Penale, të RPSSH-së;

                                        V E N D O S A:

Në bazë të materialeve të sipërtreguara, të filloj çështjen penale për krimin e parashikuar nga neni 89, i Kodit Penal.

Një kopje të këtij vendimi, t’ja dërgoj Prokurorisë.

KRYETARI I DEGËS SË HETUESISË

                           KOÇO JOSIFI

DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E MBIKËQYRJES SË VENDIT TË NGJARJES MBI VDEKJEN E MEHMET SHEHUT, NGA HETUESI KOÇO JOSIFI, EKSPERTI KRIMINALIST ESTREF MYFTARI, EKSPERTËT MJEKO-LIGJOR, DOC. BASHKIM ÇUBERI E DR. FATOS HARITO DHE DËSHMITARËT E PRANISHËM, ALI ÇENO E MILTO KOSTAQI

                                                            PROÇES-VERBAL

                                               I MBIKËQYRJES SË VENDIT TË NGJARJES

Tiranë, më 18 dhjetor 1981

Unë, Koço Josifi, kryetari i Degës së Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë, sipas njoftimit, krijova grupin hetimor, të përbërë nga unë, ekspertit kriminalist, Istref Myftari, eksperti ligjor, Doc. Bashkim Çuberi, të asistuar nga dëshmitarët Ali Çeno e Milto Kostaqi, bëra këqyrjen e vendit të ngjarjes, mbi vdekjen e Mehmet Shehut.

Banesa ndodhet në Lagjen Nr. 8, ndërtesë me dy kate, në katin e dytë, mbasi ngjit shkallët, në krah të majtë të tyre, ndodhet një korridor. Mbas së cilit, është një paradhomë, në të cilën, ndodhet një kolltuk dhe një tavolinë e vogël druri. Nga kjo hyhet në dhomën e gjumit të banesës së Mehmet Shehut, në të kundërt të derës së hyrjes së dhomës, ndodhet një dritare e mbyllur me grila, dhe me perde najloni, dhe damask.

Dhoma është me përmasa 6 m. x 6 m., në lartësi 2.90 m. Në anën jugore ka një derë dykanatëshe, që komunikon me verandën e cila u gjet e mbyllur me grila dhe perde të trasha, derën që komunikon me banjën, e cila u gjet me pozicion gjysëm të hapur, me çelësin e vendosur në bravë, nga ana veriore, ka një derë që del në verandë, dhe një derë që komunikon me zyrën e tij të punës, të cilat u gjetën të mbyllura rregullisht.

Dhoma është e shtruar me tapet dhe e mobiluar me një krevat mobilie, që ka në faqen perëndimore të murit, një pasqyrë tualeti, një gardërobë dhe nga ana veriore, një tavolinë e vogël mesi dhe kolltuk. Në dhomë gjithashtu, është një biçikletë sportive mjekësore dhe një peshore.

Krevati është prej mobilie dopje, ngjyrë arre, koka e krevatit është në formë mobilie, me gjerësi 181 cm., në krahun e majtë ka një shtesë 78 cm. dhe në të djathtin, me një shtesë 138 cm., me lartësi 90 cm. Pjesa shtesë e krahut të majtë, është në formën e një komoje, me një sirtar dhe një ndarje nën të. Në këtë pjesë në syprinën e komosë, që ka gjerësi 22 cm., ndodhet një transistor “SANYO”.

Mbi sirtarin e komosë, ndodhet një abazhur i ndezur, një mbajtëse butonash për sinjalizim, një elektrik dore, një aparat komunikimi (interfoni), një libër: “Për coampis volantare afgane SN.10.së”, një termos, një filxhan çaj me pak lëng ngjyrë të verdhë, me erë kamomili, një gotë uji e mbushur përgjysmë, me lëng të tejdukshëm, një kuti e tejdukshme plasmasi, në kapakun e së cilës shkruhet:

“Para gjumit”, brenda duket një kapsulë ngjyrë portokalli, një e gjysëm tabletë, ngjyrë të kaltër dhe dy tableta fare të vogla ngjyrë rozë të çelur, një shishe 2000 kubik, e mbushur me dy të tretat e saj, me një lëng të trashë, në të cilin shkruhet “Agerol”, një mbajtëse çelësash prej meshini ngjyrë të zezë, me 11 çelësa të llojeve të ndryshme, si dhe një gëzhojë pistolete të kalibrit 9 mm., me numra 81-66, e cila në nuhatje, ka erë të lehtë baruti.

Gëzhoja merret në cilësitë e provës materiale. Në pjesën e poshtme të kësaj komodine, ndodhet një aparat telefonik dhe tre copë libra, me titujt: “Duke zbuluar botën”, në gjuhë të huaj: “Les grandes patries étranges”, “Le erogzoletaipin mbgreme”, “Arehrepel du tiki”, “La valleo des”, “Rois”, “Calendario atlaste de agostin 1979”, “ Celtes et l’expansion celtique”, “La bete el lepaporo”, “Cap a l’coneit”, “Alor e de la forot vrerge”, “Srudi taim çudio”, “Ndren de la liberte”, “Amaniak”, “Drame erotiqueo”.

Brenda në sirtarin e kësaj komoje, u gjetën medikamente të ndryshme, si: Papaverin, Clorartin, adalat, imatotol, (tre shishe), rokuol valium, drabinil-rieka, kodotusil, karvosin (dy shishe), ritaolol, kodein, posilie valur (një kuti e gjysëm), dy kuti krem Nivea, tre tablet Culzalon, një termometër, një çantë e vogël lëkure, që përmban këto medikamente: Kalreton (tre tableta), avlokalidm, umenditol, punetaral, magzoform, kapoform, trinitrin, dhe një tarnomatsi dhe kodein.

Në krahun e djathtë të shtesës së krevatit, ju gjendën dy fotografi fëmijësh të vendosur në kornizë, një kuti butoni sinjalizimi. Poshtë u gjetën: një magnetofon “Kematofon”, i markës “Nacional – përladonin”, një radio transistor “Grunding”, një valixhe me një laps brenda.

Në sirtarin e krahut të majtë, u gjendën tre palë syze optike, si dhe një palë syze optike, një kasetofon i vogël “Sango”, një pjatë me tre çokollata, pesë copë bateri të vogla, një kuti me suport “Selty”, një kuti me suport “Anoide”. Në sirtarin e mesit, gazeta të ndryshme dhe disa letra të përkthyera, si dhe disa pako të vogla, që nga ana e jonë, nuk u hapën. Në sirtarin e tretë disa fotografi të ndryshme, kartonë dhe dy pako, të cilat nuk u hapën.

Në syprinën e kokës së krevatit, u gjet një kuti me butona sinjalizimi, dy zarfe të Buletinit të ATSH-së, dhe një buton zile elektrike. Në faqen e kokës së krevatit, e veshur me damask ngjyrë ulliri, në krahun e djathtë është instaluar një radio e markës “Urada”, me sahat elektrik. Krevati ka sustën në formë divani, një dyshek të trashë dhe sipër tij, një të hollë, çarçaf të bardhë dhe një batanije dopjo dhe një teke, ngjyrë kafe dhe bezhë.

Në krevat gjenden në anën e majtë të tij, tre agji (kufoma), e një personi të seksit mashkull, në moshën rreth 70 vjeç, shtrirë në shpinë, me kokën pak të ngritur, vendosur në dy jastëkë, dhe një batanije të palosur, poshtë tyre, të dy duart janë të përthyera në bërryl, të mbështetura në trup, me gishtat gjysëm të mbledhur, këmbët të shtrira horizontalisht, trupi është i mbuluar me batanije dhe çarçafi që përmban krevati, deri afër mjekrës.

Pothuaj se deri në mesin e krevatit, mbi batanijen e sipërme, 48 cm., larg nga dora e djathtë, dhe në të djathtë të kufomës, ndodhet një pistoletë e markës “Makarov”, me nr. RP 29-35, prodhim i vitit 1954. Pistoleta u gjet e armatosur me një fishek në fole dhe pesë të tjerë në krehër. Pistoleta së bashku me fishekët, u morën nga ana jonë, me cilësinë e provës materiale. Memorie.al

Në garë katër kandidatë, zgjedhja me short e Fan Nolit kryeministër, dëshmia që la At Ambroz Marlaskaj

FRANO KULLI


Nuk ndodh shpesh, që në sipërmarrjen për të bërë jetëshkrimin (monografinë) e një personazhi historik me të cilin ke lidhje gjaku, sidomos kur ai është me një rëndesë të posaçme publike, të mos biesh në “kurthin” e përjetimeve ndiesore që ka organikisht kjo lidhje e për pasojë të mos biesh në njëanësi qëndrimi e përshkrimi përreth tij. Autori i librit për të, Ndoc Frroku, stërnip i At Ambroz Marlaskajt e ka tejkaluar mrekullisht këtë kurth.

Ai ka shkruar një libër arkiv; libri i tij është dokumente, është epistolar i pasur sa s’ka. Libri nuk është aspak empati për njeriun e fisit e qëndisi (qëndisje) me lule e lajle, siç na ndodh shpesh e masandej të na krijohen mite të rrejshme. E atëherë mëkati historik bëhet edhe më i madh kur marrim përsipër të jetëshkruajmë për personat e njimentë të trashëgimisë sonë më të mirë. Do të ishte mëkat edhe me i madh, gjithashtu të ndodhte kjo për njërin prej kombformuesve të Shqipërisë, siç ishte At Marlaskaj. Po jo e jo, kjo nuk ka ndodhë.

Libri është vetë Marlaskaj. Frat, mësues i sprovuar i të gjitha cikleve shkollore në Shqipëri e profesor i Universitetit Antonian në Romë, gjuhëtar e përkthyes, publicist e veprimtar publik, deputet asambleist i zgjedhur me plebishit (dhjetor 1923-qershor 1924). I emërtuar me përkëdheli si “gozhda e Parlamentit”, prej kolegëve elitë për shkak të opozitarizmit të thekur. Me një formim juridik, që e përtejson njohjen e thellë të së drejtës kanonike, me zemër të madhe në shërbesë vetëm të së drejtës e të dobishmes, që nuk e shet shpirtin asnji grimë, për asnji rrethanë. Me dyzinën e letrave e halleve të njerëzve të popullit , që përfaqëson, të cilën e shpraz në asamble e në qeveri, me ngulmimin që të ofrojë zgjidhjen për ta.

Pader Ambrozi është mirditori që përtej Republikës së Mirditës, shumë përtej saj hedh të pamin (vizionin) e vet te Republika e Shqiptarisë. Madje e qorton si të damshme fort atë krijesë, me forcën e pashembullt të arsyes e me arsyen e pashembullt të forcës morale e shpirtnore. Sikundërse gjindet në krah të opozitës e “lobit shkodran” siç i pagëzonte grupin e madh asamblist opozitar një shkrues i “Diellit” të Bostonit (Ledio Xhoxhi), përkundër “klikës’’ konservatore të udhëheqësisë së kohës. Sepse te e para, ku qenë rreshtuar vërsnikët e tij, ajka e mendimit dhe shërbesës kombëtare, Gurakuqi, Fishta, Mjedja, Hilë Mosi, Xhemal Bushati e Halid Rroji, po edhe Avni Rrustemi që printe shoqninë “Bashkimi”, dallon prosperitetin e dheut të vet, Shqipnisë, drejt oksidentalizmit e jo në ndalesën e prapambetjen e atavizmave të perandorisë së vjetër otomaniste. Sikurse qe gjëndur më heret , qysh në shtatorin e 1916-ës në këtë krah me njerëzit më të iluminuar të Shqipërisë, si Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta, Sotir Peci, Dom Ndre Mjeda, Mati Logoreci, në themelimin e Komisisë Letrare të Shkodrës dhe më pas me pjesëmarrës dhe të ftuar të tjerë, po kështu të shquar si dr. Gjergj Pekmezi, Hilë Mosi, Anton Paluca, Hafiz Ali Korça, Aleksandër Xhuvani, Maksimilian Lamberci, Rajko Nahtigal, Emzot Vinçens Prenushi, Sali Nivica, Josif Haxhimima dhe Luigj Naraçi.

Gjithsa më sipër e shumçka më përtej, vjen përmes gjuhës së ftohtë të fakteve e dokumenteve të bollëshme. Për të shërbyer përkushtimin e tij autori ka përzgjedhë tjetër mënyrë; atë të të rrëfyemit nëpërmjet gjuhës së ftohtë e të pa emocion të fakteve, të dokumenteve, të letrave. Për autorin sentenca e vjetër e latinëve: “Verba volant, scripta manent”, (fjala fluturon e shkruara mbetet) si duket, ka qenë busulla e saktë që e ka orientuar prej fjalës së parë e deri tek fjala e fundit e librit të tij. Për të, që librin e vet e çmon qysh në krye të herës si mision, misioni fillon te gjurmimi e hulumtimi i dokumenteve, si e vërteta më e pranueshme. Dhe misioni faktmbledhës zgjat shumë më shumë sesa vetë shkrimi, masandej i librit. Kështu besoj unë. Ndaj e gjithë përpjekja e tij më e peshueshme ka qenë mbledhja e sistemimi i fakteve e dokumenteve, në radhë të parë; në Tiranë, a në Romë, kudo ku ato janë gjindur. Vetëm nga letërshkëmbimi i Marlaskajt, autori ka hulumtue e i kalon në laboratorin e vet krijues rreth 300 prej tyre, qysh prej kohës së tij studen tore në Salsburg-Austri e deri sa mbyll sytë në Itali me 1939. Letra me popullin e zgjedhësit e vet, me mësues anë e kand nga Shkodra në Lushnje, me sivëllezërit françeskanë, me Anton Harapin e me Fishtën, me Justin Rroten për nevojë gjuhësore e me shumë e shumë të tjerë personazhe qytetëse të dijes, të politikës e atdhetarisë. I bindur se gjuha e tyre do të ishte më e besueshme se gjuha e rrëfimeve të të afërmve të tij apo edhe e rrethit më përtej të bashkëvllazënve e vërsnikëve të tij. Krejt ndryshe prej ravijëzimit të portretit të Marlaskajt që na vjen prej librit “Françeskanët e mëdhaj”, bie fjala, të një mjeshtri “par exellence” të rrëfimtarisë si At Zef Pllumi, ku portreti ndërtohet me metafora e simbolika të epërme e krahasime nga eposi i vjetër “me Gjergj Elez Alinë që ndeshet në fushë të bejlegut me Harapin e Zi.”…

Edhe kur i duhet me lidhë dokumentet gjithnduershe e të bollëshme me fillin e interpretimeve të veta, autori ruan të njëjtën marrëdhënie ndërmjet gjendjes emotive dhe racionale, duke vënë në rend të parë, gjithherë racionalen e duke konkluduar sipas asaj, për të vjelë të vërtetën më të besueshme e të pranueshme. E bën këtë deri në detajet më të imta të narrativës së vet, qoftë edhe me fakte të ndëvarura që i synon me këmbëngulje për më të bindshmen e saj. Bie fjala , sjell edhe autopsinë e mjekëve në vrasjen e Avni Rrustemit, për të zgaqë (zbuluar) prej më së afri ngjarjet e rrafshit të politikës e saktësisht ato të parlamentit, mis (anëtar) i të cilit ishte Marlaskaj. Por sjell në libër, gjithashtu edhe fjalët e përkundërta të shkruara të Eqrem Bej Vlorës, nipit të Esat pashë Toptanit për vrasësin e njeriut të tij. I bindur se mënyra më e mirë për korrektësinë historike është përballja e dokumenteve.

Ose, në rastin e formimit të qeverisë së Nolit , sillet në libër ky kumt i shkruar i At Marlaskajt, dëshmitar okular e aktiv i asaj ngjarjeje :”… u shenjuen si kandidatë për Kryeministri: Noli, Gurakuqi, Koculi, Delvina. Nder këta të kater u qit short e, si diehet duel Noli”. I panjohur ky fakt, a më saktë i pashënuar në asnjë cep të historiografisë shqiptare të deritashme. Megjithatë autori, me paanësinë e ftohtë të zgjedhur si metodë analitike qysh në krye të herës, e shumta dërgon një ftesë për nxitjen e autoriteteve shkencore për të hedhur më shumë dritë mbi këtë moment.

E momente si ky ka shumë e shumë në libër, edhe në të tjera fusha të dijes e atdhetarisë, ku shkëlqen Marlaskaj ynë që mund të bënin vargun e shembujve e prej ku na vjen më i plotë se gjithherë më parë, njëra prej figurave-shtylla të rëndësishme të ngrehinës së kombit tonë e të palcës së tij, At Ambroz Marlaskaj.

“Na nuk kena mandat prej popullit”, reagimi i deputetit për Lëvizjen e Qershorit 1924

At Ambroz Marlaskaj, lindi në Mirditë në 1884 dhe u shua, në Romë në 1939. Pjesëmarrës në Komisinë Letrare të Shkodrës më 1916, së bashku me Gjergj Fishtën, prifti franceskan Marlaskaj ishte autor i shumë shkrimeve në revistën “Hylli i Dritës”

Botoi disa vepra, por la dhe disa të tjera në dorëshkrim, si: “Predke për ushtrime shpirtit”, “Historia e Kishës”, “Gramatikë Shqipe”. Mësimet e para dhe kryen rishtarinë në Kuvendin Françeskan të Rubikut duke e nisur vitin e provës më dt. 10 tetor 1900, mësimet bazë të teologjisë i bëri gjegjësisht në Gjuhadol dhe Troshan. Nga eprorët u nis më pas në Perandorinë AustroHungareze për të përfunduar studimet në teologji e filozofi, kreu këndimet më 1907. Më 26 dhjetor të 1907 merr emrin Ambroz dhe merr gradën e priftërisë. Më 6 shtator 1909 emërohet sekretar i Provincës Françeskane në Shkodër, mbas një viti dha dorëheqjen për t’u zëvendësuar nga P. Zef Gici OFM.

Qe kryetar i një grupi pune për shqyrtimin e teksteve shkollore të hartuara nga Gaspër Beltoja dhe Gaspër Mikeli, në të cilin bënin pjesë fretnit françeskanë Marin Sirdani, Justin Rrota dhe Gjergj Fishta më 1910. Gjatë viteve 1913- 1914 Marlaskaj do të shkojë në Vjenë dhe Pragë, gjithnjë me detyra fetare dhe më 1915 do të kthehet përsëri në Shkodër. Caktohet anëtar më 1916 në Komisinë Letrare në krah të Pekmezit, Gurakuqit, Gjeçovit, etj; në fillim me funksionin sekretar, por shpejt i zëvendësuar nga Luigj Naraçi. Me 1916 caktohet Drejtor i Kolegjit Françeskan të bartur në Troshan nga mungesa e nozullimeve më 24 dhjetor 1918. Zbatoi me përpikëri programin e shkollave të Austrisë dhe për ndihmë të profesorëve e të nxënësve nxori prej ministrie të gjithë librat e përshtatshëm së bashku me metodat, i ndihmuar prej profesorëve tjerë për t’i përkthyer tekstet shkollore në dobi të nxënësve. Me hapjen e liceut “Illyricum” iu bë ndihmës Fishtës, duke qenë se ky i mbrami qe drejtor i të gjitha shkollave françeskane. Krijoi “Lidhjen e Mësuesavet” që kishte për qëllim lartimin pedagogjik të mësuesit dhe mbrojtjen e të drejtave të tij. Diskutohej në vitet 1922-’23, me propozimin e Imzot Mjedës të bashkoheshin gjimnazet e françeskanëve dhe të jezuitëve në një gjimnaz të vetëm katolik me program të përbashkët. Marlaskaj u emërua me Rrotën në komisionin e caktuar, nga paria e provincës. Merr pjesë në grupimin “Ora e Maleve” të themeluar në pranverën e 1923.

Me zgjedhjet e mbajtura më dt. 27 dhjetor 1923 del deputet i prefekturës së Shkodrës nga 21 janari gjer më 2 qershor 1924 duke zëvendësuar kësodore P. Fishtën si përfaqësues i klerit. Pas Lëvizjes së Qershorit 1924, me daljen e qeverisë Noli nuk u bënë zgjedhje. Kur u mblodhën në Vlorë për Lëvizjen e Qershorit, e ftuan edhe Marlaskajn me firmosë, por nuk pranoi dhe shtoi “na nuk kena mandat prej popullit për kyt”. Me të ashtuquajturin “Triumfi i Legalitetit” më dt. 24 dhjetor 1924 zë e fshihet ndër katundet e Zadrimës, ku më pas i veshur si katundar largohet jashtë vendit. Nëndrejtor i gjimnazit bëhet ndërkohë Harapi. Me amnistinë e shpallur më 1926 kthehet në Shqipëri së bashku me provincialin e asokohshëm Pal Dodajn. Më 1934 Universiteti Pontifik Antonjan i Françeskanëve në Romë i kërkoi Provincialiatit të Shqipërisë t’i dërgonin për të mbajtur katedrën dogmatike. Në dhjetor të 1934 viziton Shqipërinë dhe në letërkëmbimin e tij thekson hapjen e ritit latin në Shqipërinë e Jugut. I laureuar në Universitetin Gregorian të Romës e mbajti atë katedër gjer në vdekjen që e gjeti gjatë një operacioni apendisiti. Gjikam do të shkruante te “Hylli i Dritës” artikullin nekrologjik Pater Ambrozi më 1939. P. Ambrozi vetë përktheu pjesë prej tekstit të matematikës Jakob e ushtrimet e librit të parë të greqishtes së bashku me gramatikë. Përgatiti edhe një gramatikë të vogël origjinale për gjuhë shqipe. Përktheu të dyja pjesët e “Ushtrime për gjuhë latine” nga August Scheindler më 1921-’22 e i botohet më 1930.

Në gjysmën e dytë të 1921 boton shkrimet “Mbi ortografi të sotshme” si kritikë ndaj rregullave të çanësuara pesë vite më parë nga KLSH duke iu referuar Kamardës, “Si duelën të zgjedhun deputetët katolikë të Shkodres” , “A âsht’ qeveria e Tiranes nji Turkì e Ré a Jo?” etj. Boton broshurën “Nji monument pazotsie në lamin e arsimit në Shqipni” më 1922 që i binte ndesh reformave arsimore të Rexhep bej Mitrovicës. Revista “Hylli i Dritës” bëhet për Marlaskajn tribuna e ideve të tij ku shpesh përdor pseudonimin Nji i mirditas. Sipas memuaristikës së P. Zef Pllumit, qe i mendimit me përshtatë Kanunin e Maleve duke përpunuar konceptet juridike si mësues i të Drejtës Kanonike që ishte, e të formohej ashtu Kodi Civil shqiptar. Por i kundërshtuar nga politikanët e tjerë në parlament, sipas tij donin të shartonin Sheriatin me Kodin Napoleonik. La shënime në filozofi dhe teologji morale (studimi “Mbi monizmin dhe materializmin”), në histori “Historia e Pedagogjisë”, “Ipeshkëvinjtë e Shqypnisë”; shkrime të tjera, në gjuhësi (ka botuar gramatikë latine, një fjalor latin, studimin “Mbi ortografinë e sotme”)./Gazeta Panorama


Send this to a friend