Associated Press
Ajo që konsiderohet zyrtarisht “nxehtësi e rrezikshme”, në dekadat e ardhshme mund të godasë pjesën më të madhe të botës të paktën tri herë më shpesh, pasi ndryshimet klimatike janë përkeqësuar, sipas një studimi të ri.
Në pjesën më të madhe të gjerësive gjeografike të begatshme të Tokës, temperaturat e larta dhe lagështia që ndihen si 103 gradë (39.4 gradë celsius) ose më e lartë, statistikisht duhet të ndodhin 20 deri në 50 herë në vit nga mesi i shekullit, tha një studim i publikuar në revistën Nature Climate Change.
Deri në vitin 2100, indeksi (treguesi) brutal i nxehtësisë mund të zgjasë për pjesën më të madhe të verës, në vende si juglindja e SHBA-së, tha autori i studimit.
Dhe, është shumë më keq për vendet tropikale. Studimi tha se një indeks i nxehtësisë i konsideruar “jashtëzakonisht i rrezikshëm”, i cili si ndjesi kalon 124 gradë (51 gradë celsius) – diçka që tani ndodh rrallë – deri në fund të shekullit mund të godasë një brez tropikal, që përfshin Indinë, nga një deri në katër javë brenda vitit.
“Kjo është diçka e frikshme”, tha autori i studimit, Lucas Zeppetello, shkencëtar i klimës në Harvard.
“Kjo është diçka ku potencialisht miliarda njerëz do të ekspozohen ndaj niveleve jashtëzakonisht të rrezikshme të nxehtësisë në baza të rregullta. Pra, diçka që nuk ka ndodhur pothuajse kurrë më parë, do të ndodhë çdo vit”.
Zeppetello dhe kolegët e tij përdorën më shumë se 1.000 simulime kompjuterike për të parë probabilitetin e dy niveleve të ndryshme të nxehtësisë së lartë – indekset e nxehtësisë prej 103 gradësh (39.4 celsius) dhe ato mbi 124 gradë (51 celsius), të cilat janë nivele (pragu) të rrezikshme dhe jashtëzakonisht të rrezikshme, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit në SHBA.
Këto llogari ata i bënë për vitet 2050 dhe 2100, dhe e krahasuan me atë se sa shpesh ndodhte ajo nxehtësi çdo vit në të gjithë botën prej vitit 1979 deri në vitin 1998.
Studimi zbuloi rritje nga tri deri në dhjetëfish të nxehtësisë 103 gradë në gjerësinë e mesme edhe në skenarin më të mirë të ngrohjes globale, të kufizuar në vetëm 3.6 gradë (2 gradë celsius) që nga koha paraindustriale.
Ka vetëm 5 për qind mundësi që ngrohja të jetë aq e ulët dhe aq e rrallë, gjeti studimi. Ajo që ka më shumë gjasa të ndodhë, sipas studimit, është se nxehtësia 103 gradë do t’i prekë vendet tropikale “gjatë shumicës së ditëve të çdo viti tipik” deri në vitin 2100.
Çikago u godit me atë nivel të indeksit të nxehtësisë 103 gradë vetëm katër herë nga viti 1979 deri në vitin 1998. Por, skenari më i mundshëm i studimit tregon se Çikago do ta prekë atë prag të nxehtë 11 herë në vit deri në fund të shekullit.
Valët e të nxehtit janë një nga katër kalorësit e rinj të ndryshimeve klimatike apokaliptike, së bashku me ngritjen e nivelit të detit, mungesën e ujit dhe ndryshimet në ekosistemin e përgjithshëm, tha Zeppetello. Ai bëri pjesën më të madhe të kërkimit në shtetin e Uashingtonit, gjatë valës së nxehtësisë së vitit 2021, që theu rekorde dhe vrau mijëra njerëz.
“Mjerisht, parashikimet e tmerrshme në këtë studim janë të besueshme”, tha në një email shkencëtarja klimatike, Jennifer Francis, nga Qendra e Kërkimeve Klimatike Woodwell, e cila nuk ishte pjesë e ekipit të studimit.
“Dy verat e kaluara kanë treguar valë të nxehta vdekjeprurëse në Evropë, Kinë, veriperëndim të Amerikës së Veriut, Indi, SHBA-në jugqendrore, Siberinë qendrore dhe madje Anglinë e Re. Vendet tashmë të nxehta do të bëhen të pabanueshme pasi indekset e nxehtësisë tejkalojnë kufijtë e rrezikshëm, duke prekur njerëzit dhe ekosistemet njësoj”, shtoi ai.
Studimi fokusohet në indeksin e nxehtësisë dhe kjo është e zgjuar, sepse nuk është vetëm nxehtësia, por kombinimi me lagështinë që dëmton shëndetin, tha profesori i Shkollës së Shëndetit Publik të Harvardit, doktor Renee Salas.
“Derisa indeksi i nxehtësisë rritet, bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’i ftohur trupat tanë”, tha Salas, i cili nuk ishte pjesë e ekipit hulumtues, në një email.
“Goditja nga nxehtësia është një formë potencialisht vdekjeprurëse e sëmundjes së nxehtësisë që ndodh kur temperaturat e trupit rriten në nivele të rrezikshme”, theksoi Salas.
Studimi bazohet në probabilitete matematikore, në vend të kërkimeve të tjera klimatike që shikojnë se çfarë ndodh në nivele të ndryshme të ndotjes së karbonit. Për shkak të kësaj, shkencëtari i klimës në Universitetin e Pensilvanisë, Michael Mann, është më skeptik ndaj këtij hulumtimi. Ai, gjithashtu, nuk merr parasysh si pikë referimi legjislacionin historik të SHBA-së për klimën që presidenti Joe Biden nënshkroi në fillim të këtij muaji, ose përpjekjet e reja të Australisë, tha ai.
“Pengesat në këtë pikë janë politike dhe asnjë metodë statistikore, pavarësisht se sa të fuqishme apo të sofistikuara të jenë, nuk mund të parashikojnë nëse do të fitojmë vullnetin politik për t’i kapërcyer ato”, tha Mann në një email.
“Por, ka arsye për optimizëm të kujdesshëm”, shtoi ai.
Komentet