Në ballin e muzeut sikur është stampuar pigmenti ynë, në gurëzit e mozaikut anomalia gjenetike e ngjyrave moderne, nga ajo përspektivë dhe vetë largpamësia sikur flet për faktin e shkurtpamësisë artistike, ngjyrat vetëm energji e burgosur janë, në thelb një fenomen çuditërisht i ftohtë. I vetëdijshëm sot për “leksionin artistik”, mozaiku e përcjell mesazhin historik, pandalë na flet, nuk pushon, sigurisht s’do ndalet kurrë, edhe nëse ngujuar në ndonjë bodrum, gjithmonë do na drejtohet si një kritik i rreptë – Ty: qielli yt është lumturisht i kaltër dhe fare qiellor, ndërsa Mua: – i yti i kuq, spektër holistik-mendor i përmbysur, konflikt poetencial brushash, “qualia state” e qenies…
Sipas tij, që nga ngjizja e mozaikut të frymimit tonë, Unë dhe Ti u rritëm njësoj, tmerrësisht njësoj, analogji cullake, por realisht nëpër dhoma të ndryshme gjumi; e jotja me gjithçka e kuqe, mbushur lodrash “rozë”, ngrohtësi puthjesh, frymëmarrja jote më e pastra, ai “aircondition” virtual atëherë ishte aq natyral (për ty më efikas sesa sot gjithë kondicionerët së bashku nëpër façadat laramane të Tiranës), ishte kondicioner i frymëmarrjes me kushte, kondicioner i pagandës njëngjyrëshe për të vërtetën e ngjyrave të ylberit – ndërsa e imja… mos pyet, kaltërsisht e ftohtë, si ndonjë dhomë çunash, me mure të kaltra, lodrash kaltroshe, dhe njësoj reprezentativisht e pastër, si dhomë kristalesh zhytur në blunë e Jonit…
Mirëpo kot, ngjyrat po ashtu vetëm iluzion janë, mozaiku e di, sytë e Tu, sytë e Mi, gjithë sytë e botës dritën e përthithin njësoj, si për inat njësoj, në pikë të ditës ia vjedhin verbërinë Diellit, prandaj ky spektër i përmbysur “celare”, në kokën tonë kryeneçësi aspak artistike, akoma dhe sot e kësaj dite… funksionalizmi versus ylberit të gjallimit, hipokrizia kundër ngjyrës së vërtetë të qiellit.
[ ngjitur: Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë (Mozaiku i fasadës) – Fotoja Dritan Mardodaj (Detaj) ]