Bashkimi Evropian dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina, pritet të miratojnë të enjten në Sofje një deklaratë për përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore si dhe për përmirësimin e sigurisë, luftën kundër radikalizmit dhe për migrimet.
Në tekstin e deklaratës theksohet mes tjerash se Bashkimi Evropian përshëndet angazhimin e përbashkët të partnerëve të Ballkanit Perëndimor për vlerat dhe parimet evropiane si dhe vizionin e një Evrope të fortë, të qëndrueshme dhe të bashkuar që bazohet në lidhjet historike, kulturore e gjeografike dhe në interesat e përbashkët politikë, ekonomik dhe të sigurisë.
Duke rikujtuar takimin e Selanikut të vitit 2003, Bashkimi Evropian ripohon mbështetjen e tij të qartë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe është e i vendosur të përforcojë dhe shtojë angazhimin e vet në të gjitha nivelet me qëllim për të mbështetur transformimin politik, ekonomik dhe shoqëror të rajonit, duke përfshirë rritjen e ndihmës në bazë të përparimit të prekshëm në sundimin e ligjit dhe reformat socio-ekonomike të kryera nga partnerët e Ballkanit Perëndimor.
Në deklaratë thuhet se Bashkimi Evropian mirëpret angazhimin e partnerëve të Ballkanit për t’u dhënë përparësi demokracisë dhe sundimit të ligjit, posaçërisht për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, qeverisjes së mirë dhe respektimit të të drejtave të pakicave.
Bashkimi Evropian, thuhet pos tjerash në deklaratë, mbështete angazhimin e partnerëve të Ballkanit perëndimorë për të përforcuar më tutje marrëdhëniet fqinjësore të mira, qëndrueshmërinë rajonale dhe bashkëpunimin e ndërsjellë. Kjo, thuhet në deklaratë, përfshinë në veçanti gjetjen dhe zbatimin e zgjidhjeve përfundimtare gjithëpërfshirëse dhe detyruese për mosmarrëveshjet dypalëshe të rrënjosura në trashëgiminë e së kaluarës. duke siguruar përpjekje shtesë për rë siguruar pajtimin mes tyre.
Deklarata, gjuha e së cilës ishte bërë pjesë debatesh të gjata brenda vendeve të Bashkimit Evropian, do të jetë pjesa përmbyllëse e takimit të lartë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, që është i pari i këtij lloji pas 15 vjetësh.
Deklarata e përbashkët bart me vete frymën e imponuar nga kryeministri spanjoll Mariano Rajoy, i cili nuk merr pjesë në takimin e së enjtes për shkak të qëndrimit të tij ndaj pavarësisë së Kosovës e cila nuk njihet edhe nga katër vende tjera anëtare të Bashkimit Evropian. Së këndejmi pritet që deklarata përfundimtare t’u referohet vendeve të Ballkanit perëndimore si “partnerë”, një kompromis i pranuar edhe nga Spanja, e cila përballë problemit të Katalonjës, ka ashpërsuar gjuhën e saj kundrejt Kosovës.
Kjo bëri që në takimin e sotëm, të gjithë pjesëmarrësit të paraqiten vetëm me emrat e tyre, pa simbole dhe pa funksionet e tyre.
Vëzhguesit tërheqin vëmendjen se derisa në takimin e Selanikut 15 vjet më parë është folur për “zgjerimin” e BE-së, kësaj radhe fjala “zgjerim” është shmangur në tërësi.
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha se takimi i së enjtes është një mundësi për të dyja palët.
“Për të ritheksuar se ardhmëria evropiane mbetet zgjedhje gjeostrategjike e Ballkanit. Ne duam të demonstrojmë se na intereson për zhvillimin social ekonomik të rajonit. Investimi në lidhjet infrastrukturore dhe njerëzore me dhe brenda Ballkanit Perëndimorë, është në interesin më të mirë të Bashkimit Evropian… Shpresojmë t’i sjellim më afër miqtë tanë nga Ballkani Perëndimor”, tha zoti Tusk.
Kryeministrja britanike, Theresa May, tha se synimi është “më shumë qëndrueshmëri, siguri dhe përparim për Ballkanin Perëndimor”.
Kancelari austriak, Sebastian Kurz, vendi i të cilit merr kryesinë e Bashkimit Evropian më 1 korrik, tha se “synim është të mbështeten të gjitha vendet e Ballkanit në rrugën e tyre drejt BE-së”, duke theksuar se ai sheh perspektivë për rajonin.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se duhet parë me kujdes “çdo zgjerim të ri” të bllokut.
Zyrtarët evropian pritet të ritheksojnë qëndrimin se Bashkimi Evropian nuk do të pranojë asnjë vend që nuk i ka të zgjidhura konfliktet dypalëshe dhe se marrëdhëniet fqinjësore i sheh si thelbësore për rajonin që ende bartë plagët e luftërave të viteve të 90-ta.
Për t’u anëtarësuar në BE, Serbia duhet të zgjidhë problemet kufitare me Bosnjën dhe të arrij një marrëveshje gjithëpërfshirëse detyruese për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë.
Komisioni Evropian ka propozuar që udhëheqësit e BE-së të hapin muajin e ardhshëm edhe formalisht bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë e cila përballet me kritika për shkallën e krimit e korrupsionit dhe Maqedoninë, kontesti i së cilës me Greqinë për emrin, ka bllokuar për një kohë të gjatë proceset e integrimeve.
Udhëheqësit e lartë evropian u takuan të mërkurën në mbrëmje një darkë joformale për të trajtuar edhe sfidat tjera më të cilat përballet Bashkimi Evropian. Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha se “për të qenë subjekt dhe jo objekt i politikës globale, Evropa duhet të jetë e bashkuar ekonomikisht, politikisht dhe po ashtu ushtarakisht si kurrë më parë. Ai tha se përveç sfidave tradicionale politike, siç janë ndikimi i Kinës dhe qasja agresive e Rusisë, tash Evropa po përballet me dukurinë e re që ai e quajti qasje tekanjoze të administratës amerikane.
“Duke parë vendimet e fundit të presidentit Trump, dikush do të thoshte, me miq të tillë, kujt i duhen armiqtë”, tha zoti Tusk duke kritikuar vendimin presidentit Donald Trump për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore më Iranin por edhe vendosjen e tarifave shtesë mbi importet e aluminit dhe çelikut, në emër të sigurisë kombëtare.
Komentet