Voal – Në oborrin ku dje u zhvilluan skenat makabre të vrasjes me thika sot qëndrojnë dy karrige të kuqe. Pronari i një lokali afër tyre ua ka sjellë, së paku që disa të afërm të mund të ulen, pas rrugës së gjatë. Të kuqe si ngjyra e gjakut që u derdh lumë dje në derën e madhe që të nxjerr në oborr, kur Elidona e hapi me nxitim për të mbrojtur nënën dhe motrën.
I kishte mbaruar detyrat dhe çantën e kishte bërë gati për të nesërmen, pa e ditur se ajo do ishte dita e fundit e jetës e se shokët e shkollës ‘’Don Bosko’’ do t’i vinin për t’i dhënë lamtumirën e fundit.
Çfarë ndodh sot, ashtu si dje, shoqërohet nga sytë mbushur me lot të vëllait të saj të vogël, 7 vjeç…
Shtëpia në ‘’flakë’’
Gjithçka ka marrë ‘’flakë’’ kur nëna e të ndjerës i ka kërkuar ish-bashkëshortit të saj të largohej nga shtëpia. Kujtimi jetonte ngjitur me shtëpinë e tyre, në një dhomë të veçuar.
I ndezur nga zemërimi 56-vjeçari është nisur drejt tyre me një thikë në dorë, të cilën ia nguli në bark Elidonës, te dera. Më pas vajzës tjetër Esmeraldës, ia nguli poshtë zemrës. Po në nxitim dhe i dehur, u nis drejt dhomës së vet që të merrte një kallashnikov që e mbante poshtë krevatit, por vajza e madhe e ndaloi.
Kuja e nënës dhe e fëmijëve të tjerë bëri që fqinji i tyre t’u afrohej dhe t’i jepte ndihmën e parë 17-vjeçares dhe 23-vjeçares, duke i marrë me makinë për t’i çuar drejt spitalit. Fatkeqësisht Elidona ndërroi jetë rrugës, ndërsa Esmeralda ia doli të mbijetojë.
Fqinjët thonë për Newsbomb.al se e dinin që familjarisht kishin probleme dhe se Kujtimi jetonte në një dhomë të veçuar, madje se shpesh ai kishte patur probleme të rënda me të vetët. Megjithatë, sipas banorëve të lagjes, Kujtimi njihej si njeri i mikpritur, i thjeshtë dhe i qetë…
Qetësia
Një lagje e qetë ajo e ‘’Jordan Misjes’’ në Tiranë, të paktën sot. Pak makina kalonin. Nga shtëpitë ngjitur asaj të Ibrajve asgjë nuk pipëtinte. Qetësi edhe brenda shtëpisë, që dje që më e ethshme se kurrë.
Askush nuk flet. Madje dhe fqinjët mundohen ta ruajnë heshtjen, që nisi që nga ajo e Kujtimit, babait-vrasës në oborr, pasi i mori jetën të bijës, pas plagosjes së bijës tjetër dhe pas dhunës e kërcënimit të bashkëshortes.
Sot në drekë arkëmorti u nis për në Tufinë…Një i afërm thjesht tha një fjali të vetme: ”Më mirë të përmbysej bota, se sa i ati të vriste të bijën!”./ Edvin Prifti Newsbomb.al
Komentet