Në këto zgjedhje marrin pjesë 18 parti politike, të cilat kanë regjistruar 2666 kandidatë për deputetë, ndërsa në KQZ nuk ka të regjistruar koalicione
TIRANË – Në Shqipëri janë hapur vendvotimet për zgjedhjet parlamentare, sipas orarit të përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Rreth orës 07:00 qendrat e votimit janë hapur pothuajse në të gjithë territorin e vendit. Në këto zgjedhje marrin pjesë 18 parti politike, të cilat kanë regjistruar 2666 kandidatë për deputetë, ndërsa në KQZ nuk ka të regjistruar koalicione.
Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, në të gjithë territorin e Shqipërisë kanë të drejtën e votës, 3 milion e 452 mijë e 260 shqiptarë të cilët janë të regjistruar për të votuar në 5.362 qendra votimi. Qytetarët me të drejtë vote do të votojnë për zgjedhjen e 140 deputetëve për legjislaturën e re të Kuvendit të Shqipërisë.
Zgjedhjet parlamentare do të vëzhgohen nga 5351 vëzhgues, nga të cilët 896 janë nga misionet vëzhguese ndërkombëtare.
Partia Socialiste e Shqipërisë e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, është partia kryesore e koalicionit aktual qeveritar, e cila është në kërkim të një mandati të dytë qeverisës me kandidat për kryeministër Ramën.
Ndërsa Partia Demokratike e Shqipërisë, partia më e madhe e opozitës, në këto zgjedhje ka prezantuar si kandidat për kryeministër, kreun e saj, Lulzim Basha.
Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), e drejtuar më parë nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta dhe aktualisht nga Petrit Vasili, ish-ministër i Drejtësisë, që është edhe kandidati për kryeministër i kësaj partie, ka bërë të ditur ambicien për të dalë forcë e parë në zgjedhje, ndërsa Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) nuk ka prezantuar ndonjë kandidat për kryeministër gjatë fushatës elektorale.
Komentet