TIRANË – Interesi për mësimin e gjuhës turke në Shqipëri nga viti në vit është në rritje, ndërsa personat që shfaqin këtë interes janë të profesioneve dhe moshave të ndryshme. Për të mësuar më shumë rreth organizimit dhe llojeve të kurseve të turqishtes dhe interesit për mësimin e kësaj gjuhe nga shqiptarët Anadolu Agency (AA), ka folur me drejtorin e Institutit “Yunus Emre” në Tiranë, Salih Gültekin.
Ai shprehet se këtë vit ka një interes shumë të madh për mësimin e turqishtes konkretisht në institucionin që ai drejton. “Ashtu sikurse në kurset për fillestarët edhe në ato të përparuarit kemi shumë persona që kanë bërë regjistrimin. Aktualisht kemi shumë kërkesa, duke menduar që në muajin tetor fillojnë edhe shkollat e larta mund të themi që kemi për të pasur edhe shumë kërkesa. Që tani kemi arritur të kapim shifrat e vitit të shkuar. Deri në përfundimin e regjistrimeve mund të kemi dhe dyfishin e kërkesave të vitit të kaluar”, thekson Gültekin.
Gjithashtu ai tregon se aktualisht janë dy grupe me nga rreth 15 persona që kanë filluar kursin e turqishtes.
Gültekin shprehet më tej se “Këtë vit përsa i përket mësuesve kemi bërë një marrëveshje me degën e Gjuhës Turke (Universiteti i Tiranës) dhe si rrjedhojë profesorët e kësaj dege i punësojmë si mësues pranë qendrës tonë. Kjo gjë është duke u bërë pas shumë kohësh për herë të parë. Krahas marrjes si mësues të profesorëve ne jemi të interesuar edhe të zhvillojmë projekte të përbashkëta me ta, duke filluar nga projektet të ndryshme kulturore. Kjo marrëdhënie e mire vjen në një kohë kur kjo degë është duke u rinovuar.”
“Çdo ditë e më shumë kemi një shtim të kërkesës për të mësuar turqishten. Shumë kompani turke punojnë këtu dhe prezenca e Turqisë në vend sa vjen dhe shtohet. Po ashtu edhe përfaqësuesit diplomatikë kanë rritur praninë e tyre në Shqipëri, ku kohët e fundit është shtuar edhe këshilltari për çështjet e arsimit në Ambasadën Turke, ndërkohë edhe Agjencia Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA) ka aktivitetet e saj në çdo cep të vendit. Krahas të gjitha këtyre zhvillimeve të pranishme në Shqipëri janë edhe telenovelat turke. Në Shqipëri ka një frymë shumë të theksuar të Turqisë. Domosdoshmërisht njerëzit kanë rritur interesin e tyre ndaj kësaj gjuhe. Normalisht mund të shohim lehtësisht se si kjo kërkesë rritet çdo vit e më shumë. Ashtu sikurse e thashë edhe më pare këtë vit kemi një rritje kërkese dy herë më shumë në krahasim me një vit më parë”, tregon për AA drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Tiranë.
Duke theksuar këmbënguljen e personave që interesohen për të mësuar turqishten, ai tregon historinë e 3 motrave të cilat edhe pse erdhën për herë të parë në kurset e këtij instituti dhe vazhduan nga fillimi, kishin mësuar, sipas tij, me vullnetin e tyre një pjesë të mire të turqishtes. “Dhe këtë e kishin bërë pa marrë ndonjë ndihmë nga dikush. Kjo tregon që kërkesa dhe dëshira e tyre për turqishten ishte e madhe”, shprehet ai.
“Zakonisht këtu përdorim një shprehje ‘çdo shqiptar di pak turqisht.’ Kjo ka të bëjë me faktin që në dy gjuhët tona ka shumë fjalë të përbashkëta. Mbase jo në gjuhën e përditshme, por më shumë se 1 mijë fjalë janë të përbashkëta, mbase shqiptimi i tyre me kalimin e kohës ka ndryshuar, por në thelb janë të njëjta. Nxënësit këtu kur shprehin një fjalë atëherë kujtohen dhe pyesin të habitur ‘pse edhe në turqisht është një fjalë e tillë?’ Për shumë njerëz mbase ngaqë ende nuk kemi arritur tek ta nuk e dimë interesin e tyre ndaj turqishtes, por mendoj që shumë njerëz e kanë një dëshirë të tillë. Normalisht njerëzit kanë punët e tyre dhe janë të zënë me shumë gjëra, për këtë arsye ne duke hapur kurse në fundjavë si dhe gjatë mbrëmjes jemi munduar që të krijojmë sa më shumë lehtësi për ata persona që nuk kanë kohë gjatë ditëve të javës për shkak të preokupimeve të ndryshme”, tregon për AA Gültekin.
Aktivitetet e Institutit “Yunus Emre” në Shqipëri, të shumëllojshme
Instituti “Yunus Emre” në Tiranë u hap në vitin 2009 dhe më pas në vitin 2011 u hap edhe Instituti “Yunus Emre” në Shkodër. Që prej hapjes së tij qindra nxënës dhe studentë, të vegjël dhe të rritur kanë frekuentuar kurset e gjuhës turke dhe jo vetëm, por edhe kurse të ndryshme artizanale dhe arti.
Në këto qendra jepen kurse të gjuhës turke në disa nivele si: A1, A2, B1, B2, C1, C2, ndërkohë pas çdo etape qendrat zhvillojnë edhe provime të posaçme ku bëjnë edhe pajisjen me certifikatat e gjuhës. Krahas këtyre certifikatave Instituti “Yunus Emre” është edhe shtëpia e organizimit të provimeve (TYS), program i cili vlen për certifikimin e gjuhës turke dhe që njihet ndërkombëtarisht.
Krahas kurseve të ndryshme, një nga detyrat më të rëndësishme të këtyre qendrave është edhe prezantimi dhe njohja e vendeve ku ata operojnë me kulturën dhe artin e Turqisë. Në këtë kuadër Institutet “Yunus Emre” në Tiranë dhe në Shkodër kanë zhvilluar një sërë aktivitetesh të cilat konsistojnë në njohjen e gjuhës, kulturës dhe artit të Turqisë. Këtu vlen të përmendet simpoziumi “Sami Frashёri, intelektuali i dy popujve”, i organizuar në bashkëpunim me Universitetin Trakya dhe Universitetin e Tiranës, sjellja e filmave të ndryshëm të kinemasë turke në Tiranë si dhe aktorët e saj, hapja e ekspozitave të ndryshme të autorëve më në zë të Turqisë, etj.
Instituti “Yunus Emre” në Tiranë ka një bashkëpunim shumë të gjerë dhe të mirë me institucionet më të rëndësishme të studimeve, kulturës dhe artit në Shqipëri. Ai ka një bashkëpunim shumë të mirë me Universitetin e Tiranës, Muzeun Historik Kombëtar, Universitetin e Arteve, Arkivin e Shtetit, Galerinë e Arteve, Qendrën e Studimeve Albanologjike, etj.
Ndërkohë studentët shqiptarë kanë filluar të shfaqin interes për mësimin e gjuhës dhe kulturës turke edhe në studimet universitare. Kështu një interes për mësimin e kësaj gjuhe ka edhe në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës, ku për vitin akademik 2016-2017, Këshilli I Ministrave për profilin e studimit Gjuha Turke në Bachelor ka miratuar 65 kuota.
Komentet