Shqipëria do të importojë mbetje nga vendet fqinje. Edhe pse duket si një refren i përsëritur, në parlament ka mbërritur këtë javë një projektligj, i cili mes të tjerash ka dhe një histori debatesh e akuzash për qeveritë që e kanë iniciuar. Projektligji i qeverisë “Berisha” vitit 2011, prezantohet tashmë me disa shtesa e ndryshime që i përshtaten kohës dhe kushteve aktuale, si dhe duke vendosur sanksione të forta në rast se importuesit sjellin mbetje të dëmshme, të cilat i specifikon projekti i riformuluar. Janë 3 deputetë të majtë, të parët që kanë firmosur propozimin për të mundësuar importin e mbetjeve në Shqipëri. Bëhet fjalë për deputetët e PS-së, Eduard Shalsi dhe Ervin Bushati dhe atë të LSI-së, Bujar Derveni, të cilët kanë kërkuar zhvillimin e kësaj industrie. Sipas tyre, akti “rikthen të drejtën e importit të mbetjeve jo të rrezikshme në vend duke kthyer të drejtat që ka pasur Këshilli i Ministrave, si pjesë e rrjetit të integruar të mbetjeve”. Gjithashtu, ai përcakton autoritetin pranë të cilit depozitohet kërkesa për importin e mbetjeve, si dhe autoritetin që e lëshon këtë akt. “Si pasojë e këtij parashikimi, bëhen edhe ndryshimet përkatëse në pjesën takuese të kundërvajtjeve administrative, me qëllim që mbetjet jo të rrezikshme të mos importohen pa u pajisur me dokumentacionin përkatës që specifikohet në këtë akt”, shprehen propozuesit.Sipas tyre, akti i propozuar parashikon daljen e një vendimi të Këshillit të Ministrave, e ashtuquajtura “lista e gjelbër”, ose siç mund te thuhet ndryshe lista e mbetjeve që mund të importohen në Republikën e Shqipërisë, pasi akti që ka qenë në fuqi për këtë qëllim është shfuqizuar me ligjin nr. 156/2013. Nisma e tre deputetëve është justifikuar me mbështetjen për industrinë e riciklimit në vend. “Ndryshimet ligjore do të hapnin mundësi të mëdha ekonomike në sektorin e riciklimit, shoqëruar me krijimin e dhjetëra mijë vende të reja pune, rritje të rëndësishme të GDP-së dhe dyfishimin e eksporteve, referuar nga Shoqata e Ricikluesve”, citon relacioni, por pa dhënë asnjë detaj konkret mbi efektet ekonomike të propozimit të tyre. Investimet në industrinë e riciklimit, sipas deputetëve, janë rreth 120 milionë euro, me rreth 35 000 të punësuar. Propozimi i një nisme ligjore për lejimin e importit të mbetjeve përbën një ndryshon thelbësor në qasjen e qeverisë dhe shumicës parlamentare ndaj këtij problemi, i cili ndër të tjera do të rihapë, sipas relacionit shumë vende të reja pune të mbyllura, si pasojë e ndryshimit ligjor. Duhet thënë se edhe në relacionin shoqërues të ligjit nr. 156, datë 10.10.2013, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10463, datë 22.09.2011, “për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, është cituar: amendamentet e propozuara do të jenë në formën e dispozitave transitore me afat jo më tepër se 2 vite nga miratimi, pasi synohet që marrja e masave të nevojshme dhe mirorganizimi, bashkëpunimi me qeverisjen vendore, do sjellë efektet e synuara në miratimin e ligjit. Ndalimi i importit të mbetjeve ishte një ndër vendimet e para të qeverisë “Rama” në shtator 2013, por sipas 3 nismëtarëve, nevoja për të mbështetur industrinë e riciklimit të mbetjeve ka ndryshuar edhe qëndrimin e tyre.
Projektligji
Në amendamentin e ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, i vitit 2011 dhe i ndryshuar në vitin 2013 nga qeveria “Rama”, thuhet se importi do të lejohet vetëm për mbetjet jo të rrezikshme, mbetjet inerte për qëllime riciklimi. Amendamenti ligjor i propozuar nuk bën asgjë tjetër, por rikthen në fuqi dy nenet e shfuqizuara në vitin 2013. Në nenin 49 të projektligjit, thuhet se në Shqipëri lejohet importi i mbetjeve jo të rrezikshme apo mbetjeve inerte. Importi i mbetjeve do të lejohet vetëm me autorizimin e ministrit. Çdo riciklues që ka investuar në Shqipëri, duhet të depozitojë kërkesën për import pranë Ministrisë së Mjedisit. “Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton rregullat dhe procedurat, për importimin e mbetjeve, për përdorim, përpunim e riciklim, për zbatimin e këtij neni”, thuhet në nenin 49. Ndërkohë sa i përket sanksioneve, ato janë riparë dhe për personat që importojnë mbetje të rrezikshme, gjoba arrin nga 1.5 milionë lekë deri në 2 milionë lekë, ndërsa edhe për personat, të cilët importojnë mbetje jo të rrezikshme brenda vendit pa autorizim apo në kundërshtim me autorizimin dhe jo në përputhje me këtë projektligj, masa e dënimit është e njëjtë.
Ndryshimet
Pas nenit 48, shtohet neni 49, me përmbajtje si më poshtë:
1. Në Republikën e Shqipërisë importohen vetëm mbetjet jo të rrezikshme apo mbetjet inerte, përveç atyre të përcaktuara në pikën 3, të nenit 48, të këtij ligji.
2. Importimi i mbetjeve, sipas pikës 1 të këtij ligji, është i mundur vetëm me autorizim të ministrit.
3. Kërkesa për autorizimin e importit paraqitet në Ministri.
4. Autorizimi i importit të mbetjeve jo të rrezikshme lëshohet vetëm në përputhje të plotë me këtë ligj dhe akte të tjera në fuqi.
5. Autorizimi për importin e mbetjeve jo të rrezikshme është i vlefshëm për një periudhe kohe deri në dy vjet dhe u nënshtrohet kushteve të përgjithshme, të përcaktuara në rregulloret e miratuara në zbatim të këtij ligji, si dhe çdo kushti specifik që lidhet me rastin konkret.
6. Në autorizimin e importimit të mbetjeve përcaktohen:
a) lloji i mbetjeve për importin e të cilave lëshohet;
b) standardet që lidhen me ambalazhimin dhe etiketimin e mbetjeve dhe dokumentet shoqëruese gjatë transportit të tyre;
c) kërkesat për monitorimin dhe raportimin e lëvizjeve të mbetjeve.
Çfarë është ricklimi, mbetjet e përshtatshme
Lënda e parë e shumë produkteve që përdorim sot përfitohet nga burimet natyrore. Bashkë me rritjen e popullsisë kemi edhe rritjen e konsumit dhe kjo shkakton jo vetëm pakësimin e këtyre burimeve natyrore, por edhe zhdukjen e tyre. Për të mbrojtur këto burime, që në natyrë gjenden në sasi të kufizuar, është bërë e pashmangshme përdorimi i metodave alternative në prodhim. Një nga praktikat që ndiqet për këtë qëllim, është edhe riciklimi. Riciklimi është shndërrimi i mbetjeve të caktuara në lëndë të parë dytësore duke i përpunuar ato më parë me anë të proceseve të ndryshme fizike ose kimike dhe përfshirja e tyre sërish në procesin e prodhimit. Mbetjet si hekur, çelik, bakër, plumb, letër, plastikë, alumin, kauçuk, xham dhe të tjera të ngjashme me këto janë mbetje të riciklueshme. Gjithashtu të përshtatshme për riciklim janë edhe mbetjet elektronike, bateritë dhe vajrat. Përdorimi përsëri i këtyre mbetjeve duke i ricikluar ato parandalon shterimin e burimeve natyrore. Riciklimi i mbetjeve përveçse ruan rezervat natyrore, redukton edhe koston në sigurimin e lëndës së parë dhe sasinë e energjisë që harxhohet gjatë prodhimit. Një avantazh tjetër që ka riciklimi, është edhe pakësimi i sasisë së mbetjeve inerte që duhen eliminuar. Në këtë mënyrë reduktohet edhe dëmi që i shkaktojnë kë- to mbetje mjedisit jetësor, por kursehet edhe nga hapësira e depozitimit të tyre. Faza e parë e një riciklimi të shëndetshëm është ndarja e mbetjeve që në burim. Një rëndësi të madhe ka këtu mospërzierja e lëndëve të riciklueshme me mbetjet e tjera dhe përdorimi në mënyrën e duhur të kutive me ndarje që përdoren për grumbullimin e mbetjeve të riciklueshme. Duke kontribuar në riciklim, ne mund të ndihmojmë në mbrojtjen e burimeve natyrore dhe në parandalimin e shpërdorimit të energjisë.
Eduard Shalsi: Riciklimi po dështon, kërkesa është e përligjur
Në një prononcim për “Shekulli”-n, deputeti i Par tisë Socialistë, njëkohësisht edhe kryetari i komisionit të – Veprimtarive Prodhuese, Eduard Shalsi shprehet se ndryshe nga 3 vite më parë, qeveria “Rama” rrëzoi kërkesën për importin e mbetjeve, sot janë krijuar kushtet që ligji të kalojë për miratim. Ai argumenton edhe efektet që dalin nga ky ligj, si dhe pamundësinë e qeverisë për të menaxhuar sektorin vetëm me mbetjet vendase.
Z. Shalsi, cila është arsyeja që sillni një propozim për importin e mbetjeve, propozim të cilin vetë qeveria Rama e ka kundërshtuar?
Ne kemi dëgjuar vazhdimisht që të flitet me grupet interesit dhe të biznesti. Komisioni herë pas herë organizon dëgjesa dhe komunikon në mënyrë të vazhdueshme me të gjithë. Një nga shqetësimet që kemi marrë që kur u vendos moratoriumi i mbetjeve, ishte që industria e riciklimit në Shqipëri e ngritur me shumë sakrificë, a do të mbahej në këmbë dhe si do të mbahej, sepse Shqipëria nuk i ndan mbetjet në burim dhe është pothuajse e pamundur për këtë industri që ka investuar që të përballojë nevojat me mbetjet vendase.
Çfarë ndikimi pritet të ketë për mjedisin dhe ekonominë kjo industri?
Ne i kemi thënë disa herë qeverisë se duhet parë mundësia e lejimit të lëndëve të para sekondare (terminologji për mbetjet që parashikon projektligji). Ne ishim në pritje, për shkak të problemit që përmenda dhe meqë përgjigja po vonohej, vendosëm që t’i bënim një propozim të drejtpërdrejtë në parlament. Bëhet fjala për plastikët, për letër etj. Bëhet fjalë për kushte të tjera në dogana, ndryshe nga viti 2013. Sot që flasim edhe Inspektorati Kombëtar i Mjedisit ka kapacitete të ndryshme nga ato të 3 viteve më parë, që linin për të dëshiruar. Pra janë pjekur kushtet, ndërkohë që një pjesë e mirë e bizneseve po negocionojë, në Kosovë e më pas në Maqedoni. Ne nuk mendojmë se ka vend të zhvilluar dhe të pastër, në mungesë të një industrie riciklimi të fuqishme dhe në këtë synojmë.
Nga do të importohen lëndët dhe cili ka qenë reagimi i parë, sidomos nga ambientalistët?
Këto lëndë të para sekondare (do të flasim me këtë term) të merren aty ku kanë kosto më të ulët. Nuk i quajmë mbetje, madje edhe në direktivën e Bashkimit Evropian, këto konsiderohen lëndë të para sekondare. Tashmë ne jemi përpara dy alternativave; e para është që industrinë e riciklimit që kemi ta shkatërrojmë meqë nuk jemi në gjendje të bëjmë ndarjen në burim dhe e dyta është propozimi, e që shpresojmë që qeveria me politikat e saj të arrijë të krijojë lëndë të parë për këtë industri. Do të organizojmë diskutime me deputetë dhe grupe interesi. Javën tjetër do tëorganizoj dërgesat. Disa ambientalistë e mbështesin, të tjerë janë kundër. Unë do të doja të përdornim lëndën e parë vendase, por për sa kohë qeveria nuk krijon kushtet, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të bëjmë këtë propozim. shekulli
Komentet