Në Shqipëri po lulëzon krimi i organizuar. Politika s’po bën asgjë, ajo madje është vetë e përfshirë aty. Policët që i bien në gjurmë një bande droge, rrezikojnë jetën e tyre. Raporton Frankfurter Allgemeine Zeitung.
Nga Karl-Peter SCHWARZ
Është një gusht i nxehtë dhe i thatë në Shqipëri. Bari po lulëzon shkëlqyeshëm. Policia është e zënë me zbulimin e sipërfaqeve me mariuanë në male. Sipas të dhënave të vetanake, asaj në gjashtëmujorin e parë të këtij viti i ka ecur të shkatërrojë 216’000 bimë, vitin e kaluar ishin 530’177 të tilla. Mariuana llogaritet si një ndër artikujt më të levërdishëm të eksportit në vend. Që kur njësitë speciale të policisë në verën e 2014-tës ndërmorrën sulme masive në fortesat e drogës në Lazarat, jolarg qytetit jugor të Gjirokastrës, dhe në zonën e Dukagjinit, afër kufirit me Malin e Zi, bujqit janë riorganizuar. ‹Barin› nuk e mbjellin më në sipërfaqe të mëdha, por në të vogla, në fusha të vështira për t’i zbuluar në rajonet e mëdha kodrinore. Për një kilogram gjethe të thara, kërcyej dhe petale, ata fitojnë 300 euro. Në Itali, ku eksprtohet një pjesë e madhe e korrjes, kilogrami shkon në rreth 5’000 euro.
Policët që i ndjekin gjurmët e bandave, rrezikojnë jetën. Në qershor, në Lazarat u vra një oficer policie, i cili e kishte ndaluar automjetin e një bosi droge. Prodhimi dhe trafikimi janë kaq të levërdishme, sa që kriminalët disponojnë me para të mjaftueshme për t’i korruptuar policët, prokurorët dhe gjykatësit. Disa prej atyre, të cilët janë të implikuar në marifete kriminale qëndrojnë madje si deputetë në parlament.
Sociologja amerikane e kriminalitetit Jana Arsovska lidhjet e krimit të organizuar me partitë shqiptare, në një studim të botuar së fundmi («Decoding Albanian Organized Crime», University of California Press, 2015), i shpie në vitet e ’90-ta. Dhuna dhe korrupsioni, privatizimet mashtruese, pengmarrja dhe krimet e ndryshme e kanë shoqëruar kalimin nga regjimi totalitar në demokraci. Kulminacioni i bashkëpunimit ndërmjet politikës dhe krimit kishte arritur në vitin 1997, kur u instaluan skemat mashtruese piramidale të investimit, të duruara nga politika, me premtime të shkallës së interesit nga dhjetë deri 25 për qind. Rreth dy të tretat e shqiptarëve investuan aty dhe i humbën kursimet e tyre. Kolapsi i sistemit kriminal ishte rasti për një kryengritje, e cila u nxit nga ish-komunistët dhe çoi në shembjen e rendit publik. Depotë e ushtrisë u plaçkitën, më tepër se një gjysëm milioni armë zjarri të dorës dhe 1,6 milion granata dore e lëndë plasëse përfunduan në treg të zi në Europën lindore dhe juglindore.
Kryetarë bashkie ish-trafikantë droge
Krimi i organizuar lulëzon më së miri në sferën gjysmëilegale të nepotizmit. Ithtari i një klani që hyn në politikë mund të llogarisë në votat e fshatit ose qytetit të tij, pavarësisht nga përkatësia politike që ka. Si kundërvlerë, ai e shpërblen klientelën e tij. Krimi i organizuar e kërkon afërsinë me pushtetin, për të janë të huaja paragjykimet politike apo ideologjike. Deri në zgjedhjet parlamentare të 2013-tës në pushtet ishin konservatorët, Partia Demokratike dhe dhe partnerët e saj; tani janë socialitët dhe «Aleanca» e tyre për «Shqipërinë europiane».
Sikurse kryemistri i mëparshëm dhe kryepartiaku demokrat Sali Berisha, edhe kryeministri socialist dhe kryepartiaku Edi Rama premton se do ta luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Deri tani nuk ka ndryshuar asgjë. Lidhjet midis qeverisë dhe krimit nuk kanë qenë asnjëherë më të ngushta se tani, pretendon kryetari i ri i PD-së, Lulzim Basha. Jo më pak se 19 deputetë të koalicionit të majtë vijnë nga nëntoka dhe janë në lidhje me të, mendon ai. Në zgjedhjet lokale që u mbajtën në qershor, paralajmërimet e ambasadorit amerikan dhe disa ambasadorëvetë UE-së Rama nuk i përfilli fare dhe vendosi në lista kandidatë të cilët dyshohen se kanë kryer krime. Partia Demokratike e tërhoqi mbrapsht një kandidat të saj që ishte gjykuar për trafik droge. Socialistët nga ana e tyre nuk tërhoqën konseguenca. Në Krujë dhe në Kavajë, dy qytete të vogla në Shqipërinë e mesme, për prefektë u zgjodhën kandidatë socialistë të cilët kishin qenë të dënuar për trafik droge.
Se sa të dobishme mund të jenë kontaktet politike për kriminelët në zor, u tregua në tetorin e vitit të kaluar. Atëbotë, policë shqiptarë, malazez dhe italianë kooperonin nën aksionin e koduar «Lagune Viluni» në bregdetin verior të Shqipërisë për ta shkatërruar një bandë të specializuar në trafikimin e drogës me motoskafe në Itali. Disa përkrahës mundën t’i zënë të ndjekurit, u konfiskuan edhe armë, drogë dhe para; por arrestimi i kreut të bandës, Bardhok Pllanaj, dështoi. Deputeti Mark Frroku i aleancës së majtë qeverisëse të kryeministrit Rama e hypi Pllanajn në veturën e tij dhe duke u thirrur në imunitetin si deputet nuk e lejoi policinë tek ai. Pas konsultimit me zyra më të larta, policët e lanë bosin e drogës të kalonte.
Mark Frroku në 2013-tën u zgjodh deputet në parlament nga lista e Partisë Socialiste. Mediat shqiptare atëherë raportuan se ai po hetohet në Belgjikë. Ai dyshohet se në vitin 1999 në vorbullën e një sherri në skenën e prostitucionit, me tre ndihmës të tjerë të ketë mbytur një shqiptar. Në janar të këtij viti, Interpoli i lëshoi Tiranës një fletarrest, i cili u fsheh nga shefi i policisë dhe kreu i zyrës së Interpolit shqiptar. Skandali shpërtheu, oficerët e lartë të policisë u desh të iknin. Kundër shefit të Interpolit u nis një procedurë penale, shefi i policisë u emërua atashe në ambasadën shqiptare në Uashington. Që të dy, pozitat e tyre i kishin marrë pas fitores zgjedhore të Ramës; më parë kishin qenë funksionarë partiakë. Mark Frroku u arrestua vetëm në prill.
Mbrojtje nga lartë gëzon edhe vëllai i tij Arbeni, i cili doli në gjyq për shkak të vrasjes së një komisari të policisë. Arben Frroku e vrau zyrtarin me një AK-47 në një vendparkim para banesës së tij në Tiranë. Pavarësisht dëshmive dhe deklamimit të një dëshmitari të ngjarjes, Frroku në instancë të parë u la i lirë. Në pranverë ai u angazhua në fushatën e Partisë Socialiste për zgjedhjet lokale në qarkun verior të Pukës. Pak përpara se Gjyqi i Apelit të jepte vendimin, ai u largua jashtë vendit. Më 30 qershor ai u dënua në mungesë për vrasje. Avokati i tij ka thënë se nuk ka ide se ku gjindet ai.
Kriminelë si vëllezërit Frroku zakonisht nuk kanë nevojë t’i frikësojnë policët, prokurorët dhe gjykatësit, apo të ushtrojnë dhunë mbi ta. Në qershor, me autorizimin e qeverisë u publikua një raport i hartuar nga specialistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë si një dokument pune për reformën në drejtësi. Raporti e përshkruan se si krimi ia del të amnistohet me ryshfet. Duke filluar nga nëpunësit e policisë, të cilët për relativisht pak para i zhdukin provat. Prokurorët për 1’000 deri 2’000 euro janë të gatshëm të heqin dorë nga akuza. Për ta nxitur një gjykatës për një gjykim më të lehtë, duhen 60’000 deri 80’000 euro. Në proceset civile, thuhet në raport, gjykatësit marrin para nga të dyja palët. Ata vetë paguajnë 100’000 deri 300’000 euro për t’u ngjitur më lartë në karrierë, siç është ngritja në rrethin gjyqësor të qytetit ose thirrja në Këshillin e Lartë të Drejtësisë./dp
*Titulli është nga redaksia. Titulli nga FAZ është «Vendi ku lulëzon kërpi» – si kuptim figurativ për kanabisin.
Komentet